Faleminderit
Gjon Keka: Gjergj Kastrioti nuk ka vdekur, ai është fryma që mban gjallë shpirtin dhe trupin e kombit tonë
E premte, 16.01.2026, 07:00 PM

Gjergj
Kastrioti, Heroi Arbëror, sipas Inteligjencës Artificiale
Gjergj Kastrioti nuk ka vdekur, ai është fryma që mban gjallë shpirtin dhe trupin e kombit tonë
Nga
Gjon Keka
Gjergj
Kastrioti, kryeheroi, gjenerali, burrështetasi i shkëlqyer dhe kryepatrioti i
madh, shembull për të gjithë, me zemrën bujare që rrihte fort për gjithçka që
është e madhe dhe sublime, në dashuri dhe besnikëri ndaj atdheut të tij
arbëror, qëndron para nesh si një dritë e madhe (si një Diell e Apollon, si një
Aleksandër e Herkul), si një shenjtor e engjëll mbrojtës, si një yll që na mban
të orientuar se ku qëndron djepi i së ardhmes kombëtare dhe europiane të kombit
tonë
Por
vetulla e tij e lartë e fisnikut, e kryetrimit arbëror, ajo mendje e madhe që
banonte brenda tij, ata sytë e tij të shqiponjës që rrezatonin fisnikërinë e
shpirtit të tij arbëror e ilir, na shikojnë edhe sot, kur ne përkujtojmë
përjetësimin e tij në qiellin arbëror dhe europian. Ai nuk ka vdekur; si mund
të shuhet një shpirt i tillë heroik, një kryepatriot e At i një kombi që i ka
rrënjët e tij të natyrshme në tokën që ia dhuroi Perëndia? Prandaj Gjergj
Kastrioti nuk ka vdekur, por zemra, shpirti dhe trupi i tij, edhe sa ishte në
tokë, ishin me paraardhësit e tij; kështu që ai iu bashkua paraardhësve të
pavdekshëm të tij, të cilët qëndrojnë si yje e diell për kombin tonë, pa të
cilët ne do të ishim në terr, pa histori, pa themele, pa rrënjë, pa flamur, pa
shtet dhe pa të ardhme. Kjo tregon se disa herë më parë, gjatë shekujve,
Iliro-Arbëria e kishte habitur botën me shpërthimin e papritur të dijes dhe
forcës së saj të fshehur heroike, humaniste, shkencore etj.
Ky
rol udhëheqës dhe pjesëmarrja vendimtare e atdheut tonë iliro-arbëror në luftërat
e saj mbrojtëse kundër armiqve të ndryshëm shpesh është keqkuptuar dhe
nënvlerësuar, madje edhe është tentuar të fshihet si me gomë nga faqet e
librave të historisë. Por, o arbërorë, miq dhe botë mosnjohëse, kush tjetër
përveç Arbërisë, që nga flaka e parë e Luftës kundër pushtuesit otoman, u bë
mburoja dhe vendosi kufij të hekurt për otomanët, që të mos e shkatërronin
civilizimin dhe nderin e Europës si familje?
Kush
tjetër përveç Arbërisë, e cila në vitin 1443, kur e gjithë Europa lëngonte e
pafuqishme për t’u përballur me një Perandori pushtuese si ajo otomane, që
përparonte çdo ditë në zemër të Europës, mori shpatën duke u mbështetur në
forcën e vet? Atëherë ishte vetëm një princ i shquar i linjës së Kastriotëve,
Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) i madh, i cili udhëhoqi kauzën e Europës, të
rrezikuar nga ideologjia islamike dhe perandoria otomane.
Kështu,
me një dorë dhe krah të fortë, ai shkatërroi besimin në pathyeshmërinë e
sulltanit dhe u dha popujve të Gadishullit Ilirik dhe mbarë popujve të Europës
shpresë për ditë më të mira. Në kështjellën e Krujës së Iliro-Arbërisë, liria e
Europës kishte gjetur strehë në atë kohë dhe kushdo që e donte lirinë dhe
atdheun e tij nxitoi nën flamurin e Kastriotëve, që nënkuptonte padyshim lirinë
e Arbërisë dhe, me këtë, edhe lirinë dhe shpëtimin e Europës.
Sot,
kur përkujtojmë ditën e vdekjes së tij, na kujtohen, në bazë të veprave dhe
jetës së tij të përshkruara gjallërisht nga Pal Engjëlli, Marin Barleti,
Dhimitër Frangu dhe shumë autorë të tjerë bashkëkohës, se si ai asnjë ditë nuk
pushoi së dashuri dhe së sakrifikuari për Arbërinë e tij. Madje, siç thuhet, ai
nuk bënte më shumë se dy orë gjumë, e ndonjëherë, në raste paqeje, pak më
tepër, por asnjëherë nuk pushoi së mbajturi sytë hapur për ta dashur dhe ruajtur
Arbërinë, që ai e ngriti dhe e bëri strehë të lirisë dhe mburojë të Europës së
asaj kohe.
Vuajtja
e tij në shtratin e vdekjes nuk ishte vetëm për dhimbjet e tij, por edhe për
Arbërinë e tij. Duke qenë i pafuqishëm si trup, nuk arrinte ta printe ushtrinë
e tij në frontin e betejës, por karakteri i tij i fortë, urtësia, trimëria dhe
shpirti i lirë e udhëheqës e ngrinte atë nga shtrati për të treguar se ende
ishte gjallë, se dëshira e tij e madhe ishte t’i bashkohej arbërorëve në
betejën e tyre për ekzistencën, lirinë dhe shtetësinë e tyre. Nga kjo shihet se
ai, edhe nga shtrati, e udhëhiqte ushtrinë e tij arbërore, dhe ajo ende korrte
fitore, edhe pse i mungonte fizikisht udhëheqësi. Ai vazhdoi të kryente të
gjitha punët e shtetit arbëror deri një ditë para vdekjes së tij.
Më
17 janar 1468, syri i fuqishëm i shqiponjës iliro-arbërore, që e kishte
vëzhguar aq qartë kohën e tij dhe e kishte udhëhequr shtetin e tij arbëror me
aq urtësi, vizion, guxim dhe madhështi, i mbylli sytë. Ai vdiq në Lezhën e tij
të dashur, të Bashkimit të arbërorëve të tij, aty ku i bashkoi arbërorët dhe
aty u varros në Kishën e Shën Nikollës, duke u bërë simboli që vendi ku prehet
trupi i tij të mbledhë dhe bashkojë në çdo kohë dhe në të gjithë shekujt e
ardhshëm dardano-arbërorët e tij.
Prandaj
dita e vdekjes së tij ishte dita e parë e pushimit në jetën e tij; ai kurrë nuk
u lodh për vendin e tij, shtetin e tij, ushtarët e qytetarët e tij arbëror, të
cilët i donte dhe e donin aq fort sa lidhja e tyre ishte lidhje e thellë
vëllazërore, si e një Babai që i do të gjithë pa dallim. Kudo që arrinte lajmi
i trishtueshëm i vdekjes së tij, hidhërimi mbushte zemrat e njerëzve. Të gjithë
u tronditën nga goditja e tmerrshme e humbjes së pësuar, dhe madhështia e
Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), si dhe madhështia e humbjes, nuk mund të
përmblidhen më mirë sesa në fjalët e Lekë Dukagjinit, i cili pasi dëgjoi lajmin
e vdekjes së tij, thirri:
"Kush
do të na udhëheq tani? Ejani këtu, o qytetarë e princa fisnikë arbëror!
Mbrojeni veten! Sepse sot muret e Arbërisë janë bërë pluhur, u tretë e tërë
forca jonë, u varrosën fuqia dhe shpresa jonë, froni i mbretërisë është
përmbysur me vdekjen e këtij njeriu."
Ndërsa
populli që mori lajmin e kobshëm me rastin e vdekjes së mbretit dhe udhëheqësit
të tyre, nxorri fjalët:
"O
Mbreti ynë Skënderbe, o shenjtor i mirë, ngushëllimi ynë i të gjithëve, ati
ynë, vëllai ynë, mbrojtës i ynë, na la të gjithëve si jetimë dhe popullin si
delet pa bari."
Sepse
deri në frymën e tij të fundit, e gjithë jeta e shtetit arbëror kishte rrjedhur
nga ky njeri i vetëm. Testamenti i tij i tregoi përsëri popullit iliro-arbëror
dashurinë e zjarrtë për atdheun, duke përfunduar me fjalët:
"Unë
jetova jo vetëm për veten time, por edhe për ju të gjithë dhe për fëmijët tuaj,
dhe u mundova e djerësita në një mënyrë të atillë që të mos pushoja as ditë e
as natë nga mundi dhe pagjumësia. Mua s’më teproj asnjëherë koha për pushim, as
për qetësi; s’pata vend të caktuar, as kohë për të ngrënë apo për të fjetur;
unë rrinja si ditën, si natën, pa gjumë. Unë nuk e kisha më pak për zemër
kujdesin dhe sigurinë e mbretërisë dhe të pushtetit tuaj se sa të timin.
Mjaft
më me këtë botë dhe me fatin që pata. Por, përpara se të heq frymën e fundit
dhe të largohem nga ju, është nevoja para së gjithash për një gjë, për të cilën
unë, sipas zakonit që kam pasur gjithmonë në vitet më fatlume të moshës sime,
mendova t’ju flas dhe t’ju këshilloj, që shpëtimin dhe nderin e Republikës dhe
të besës ta keni edhe këtej e tutje pas vdekjes sime, gjithmonë para syve dhe
të derdhni për të gjerë në pikën e fundit tërë djersën tuaj, po ashtu siç e
keni derdhur deri tani me mua gjallë, tërë mundin tuaj, me një simpati e
admirim aq të madh nga të gjithë prijësit."
Një
pikëllim i përgjithshëm u përhap në të gjithë Arbërinë me të dëgjuar lajmin; ai
përshkoi gjithë gadishullin ilirik, gjithë popujt, mbretërit dhe principatat e
Europës së asaj kohe, qytetarë të zakonshëm arbërorë e europianë etj. Kudo që u
përhap lajmi i vdekjes së Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), ngjalli ankth dhe
pasiguri; e gjithë Europa ndjeu pikëllimin më të sinqertë për humbjen e
Mburojës së saj, ndërsa Arbëria dhe gadishulli Ilirik ndjeu më thellë humbjen e
liriprurësit të saj, udhëheqësit të mençur, strategut të madh, komandantit të
madh ushtarak. Por edhe çdo qytetar dhe njeri i zakonshëm e ndjeu me ankth
rëndësinë e asaj ngjarjeje të pashmangshme natyrore, që tani i kishte ndodhur
kryeheroit arbëror, të festuar në gojëdhëna dhe këngë popullore. Ushtarët
arbërorë që ai i njihte me emra dhe i donte në veçanti e vajtuan vdekjen e
idhullit të tyre, babait të tyre dhe udhëheqësit të tyre. Me lot në sy u
varrosën, dhe nga ajo ditë Arbëria binte pak nga pak në duar të armikut, pra
pushtuesit otoman.
Qindra
mijëra dardano-arbërorë, që nga ajo kohë, bëjnë pelegrinazhe në vendpushimin e
Atit të kombit tonë, kryeheroit dhe udhëheqësit të tyre të papërsëritshëm. Kjo
është arsyeja që tërheq miliona dardano-arbërorë dhe njerëz anë e mbanë botës
së civilizuar, të mbushur me emocione nderuese dhe admirim të jashtëzakonshëm
për këtë strateg, gjeneral, burrështetasi – këtë figurë mbikohore arbërore dhe
europiane. Pikërisht kjo është ajo që e bën këtë ditë zie kombëtare për gjithë
kombin arbëror kaq unike dhe kaq prekëse.
Si
atëherë, edhe sot imazhi i Gjergj Kastriotit shkëlqen midis kryeheronjve më të
mëdhenj dhe të preferuarve të kombit tonë arbëror dhe Europës. Me pak fjalë,
Gjergj Kastrioti u bë jo vetëm njeriu, burrështetasi dhe strategu më i madh,
por edhe arbërori dhe europiani më popullor dhe më i dashur i kohës së tij, një
princ dhe udhëheqës sipas zemrës së popullit të tij arbëror, i cili e vajtoi
thellësisht vdekjen e tij. Me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Arbëria humbi
gjeneralin e saj më të madh dhe burrështetasin më fisnik, një burrë vërtetë të
shkëlqyer dhe fisnik iliro-arbëror. Në fakt, ai nuk ishte vetëm gjenerali më i
madh i Arbërisë, por edhe një nga gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha
kohërave dhe të të gjitha kombeve, dhe një kryeheroi i vërtetë, i cili në orën
e rrezikut më të madh, jo vetëm për atdheun e tij, por edhe për gjithë Europën,
nuk hezitoi t’i dilte përballë një Perandorie si ajo otomane, e cila kishte më
shumë ushtarë dhe mjete luftarake sesa ai dhe ushtria e tij.
Për
sa kohë jetoi, veproi dhe udhëhoqi Arbërinë, ai e mbrojti Arbërinë, Gadishullin
Ilirik dhe Europën kundër sulmeve të tërbuara të otomanëve (turqve) pushtues.
Është
një bekim i madh për kombin tonë, sepse Gjergj Kastrioti i madh ka penguar
shpërbërjen dhe zhdukjen e Arbërisë, ka penguar që ne si komb të mbesim pa
flamur, pa identitet dhe të huaj në atdheun arbëror.
Prandaj
mund të them me plot bindje dhe pa asnjë dyshim se Gjergj Kastrioti është
bekimi dhe çertifikata apo pasaporta e Arbërisë sonë europiane. Në fakt, Gjergj
Kastrioti është kryeura e kombit që na lidh me Europën. Tani është koha të
reflektojmë të gjithë në këtë situatë konfuze e kaotike në mbarë botën, që
atdheu ynë, kombi ynë, Dardania e Arbëria jonë, ashtu si në epokën e kryeheroit
tonë, edhe sot ta mbush shpirtin me frymën e Gjergj Kastriotit, në mënyrë që të
mos lejojmë që kombi ynë të devijojë apo të zhduket nga rruga dhe themelet e
saj kombëtare dhe europiane, civilizimit të së cilës i përket që në rrënjët e
saj historike.
(Ky shkrim është shkruar nga autori Gjon Keka, në shenjë
përkujtimi me rastin e përvjetorit të 558 të vdekjes së kryeheroit tonë Gjergj
Kastrioti – Skënderbeut.)










