Faleminderit
Lekë Mrijaj: Akademi Solemne në 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit
E diele, 11.01.2026, 06:55 PM

Akademi Solemne në 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Sot,
më 10 janar 2026, në orën 11:00, në Prishtinë, nën organizimin e Dioqezës
Prizren–Prishtinë, në ambientet e Katedrales "Shën Nënë Tereza" dhe
në hapësirën kulturore Bogdanipolis, u mbajt Akademia Solemne me rastin e
30-vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorit të
kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit.
Kjo
veprimtari me karakter liturgjik, shkencor dhe kulturor u përjetua si një akt i
thellë mirënjohjeje institucionale dhe shpirtërore ndaj dy figurave poliedrike
ipeshkvore, të cilat kanë shënjuar në mënyrë të pashlyeshme historinë e Kishës
Katolike në Kosovë, si dhe jetën shpirtërore e shoqërore të popullit shqiptar.
Dita
përkujtimore nisi me kremtimin e Meshës së Shenjtë në Katedralen "Shën
Nënë Tereza", të udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Ipeshkvisë
Prizren–Prishtinë. Në homelinë e tij, ipeshkvi theksoi dimensionin baritor,
profetik dhe sakrifikues të dy ipeshkvijve të ndjerë, duke i paraqitur ata si
modele të shërbimit besnik ndaj Kishës dhe popullit, veçanërisht në kohë të
vështira historike dhe shoqërore. Atmosfera liturgjike, e mbushur me lutje dhe
heshtje reflektuese, i dha kësaj përkujtese një thellësi të veçantë
shpirtërore, e cila e shoqëroi të gjithë programin e mëvonshëm.
Pas
përfundimit të Meshës së Shenjtë, veprimtaria vazhdoi në ambientet e
Bogdanipolis me hapjen zyrtare të Akademisë Solemne, e moderuar nga don Agim
Qerkini, famullitar i Prishtinës. Akademia u hap me fjalë përshëndetëse nga
autoritetet kishtare të Dioqezës Prizren–Prishtinë, nga Imzot Dodë Gjergji,
ipeshkëv, nga arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, si dhe nga
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Në fjalët e tyre u vlerësua
lart roli dhe kontributi i Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit në jetën
kishtare, kulturore dhe kombëtare të Kosovës.
Programi
u pasurua që në fillim me një moment muzikor të veçantë: vepra
"Miserere" e kompozitorit Marco Frisina, interpretuar nga Kori
"Siparantum". Ky interpretim krijoi një klimë të thellë meditimi dhe
solemniteti, duke e shndërruar sallën në një hapësirë lutjeje dhe reflektimi të
përbashkët.
Në
vijim, Dr. Msgr. Lush Gjergji mbajti kumtesën me titull "Imzot Nikë Prela,
zelltar, vizionar dhe profet i kohës sonë", në të cilën ofroi një analizë
të thelluar të figurës së Imzot Nikë Prelës si bari me vizion të qartë baritor,
ndjeshmëri të lartë njerëzore dhe guxim profetik përballë sfidave të kohës.
Më
pas, kumtesa kushtuar Imzot Mark Sopit u mbajt nga Don Lorenc Sopi, me titullin
domethënës "Një jetë e shkrirë në shërbim të Zotit dhe popullit". Në
këtë kumtesë të gjerë dhe reflektuese u ndërtua një portret i plotë shpirtëror,
baritor dhe kombëtar i ipeshkvit të ndjerë, duke u ndalur në përulësinë e tij
të thellë, thjeshtësinë ungjillore dhe afërsinë e vazhdueshme me njerëzit,
veçanërisht me të varfrit, të sëmurët dhe të margjinalizuarit. U theksua se
shërbesa e tij nuk ishte thjesht një detyrë kishtare, por një mision i jetuar
me vetëflijim, ku fjala baritore shoqërohej gjithmonë me vepra konkrete.
Pas
kumtesave, Akademia vijoi me interpretimin e veprës "Anima Christi"
të Marco Frisina, nga Kori "Siparantum", e cila shërbeu si një
ndalesë meditative dhe reflektuese mbi mesazhet shpirtërore dhe historike të
kësaj dite përkujtimore.
Në
kuadër të Akademisë u realizua edhe promovimi i romanit "7 ditë në tryezë
me Imzot Mark Sopin" nga shkrimtari Vilson Culaj. Kumtesa analitike rreth
veprës u mbajt nga Prof. Bekim Kelmendi, i cili vuri në pah vlerat letrare,
dokumentare dhe reflektuese të romanit, ndërsa vetë autori ndau me të pranishmit
motivimin dhe qasjen e tij krijuese ndaj figurës së Imzot Mark Sopit.
Akademia
Solemne u përmbyll rreth orës 14:00 me një koktej në ambientin
"Agora", ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbenin mendime,
kujtime dhe reflektime, duke e mbyllur këtë ditë përkujtimore në frymën e
bashkimit, mirënjohjes dhe kujtesës së dy prelatëve të amshuar të Dioqezës së
Kosovës.
Akademia
Solemne e sotme dëshmoi se kujtesa për Imzot Nikë Prelën dhe Imzot Mark Sopin
nuk është thjesht një përvjetor kalendarik, por një trashëgimi e gjallë
shpirtërore, baritore, kombëtare dhe njerëzore, e cila vazhdon të ndriçojë
rrugën e Kishës dhe të shoqërisë në Kosovë.









