E enjte, 29.01.2026, 10:53 PM (GMT)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Rrugëtimi profesional i Marina Kastratit

E enjte, 29.01.2026, 06:58 PM


Rrugëtimi  profesional i Marina Kastratit

Zëri  human i  kujdesit social në Ulqin

Nga Gjekë Gjonaj

Në një kohë kur shoqëritë bashkëkohore përballen me sfida të thella sociale, figura e punonjësit social merr një dimension gjithnjë e më të rëndësishëm. Në Ulqin, emri i Marina Kastratit është shndërruar në sinonim të përkushtimit profesional, empatisë njerëzore dhe udhëheqjes institucionale me vizion.

Prejardhja dhe rrënjët familjare

Marina Kastrati u lind në Podgoricë, në vitin 1990, në një familje shqiptare malësore hotiane, Dedvukaj, që i përket fisit të njohur të Dedë Gjo Lulit - figurë qendrore e historisë kombëtare shqiptare dhe udhëheqës i Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911. Kjo trashëgimi , e lidhur ngushtë me qëndresën, sakrificën dhe përgjegjësinë kolektive, përbën një bazë të rëndësishme morale dhe identitare në formimin e personalitetit të saj.

Në mjedisin familjar ku u rrit, vlerat e ndihmës ndaj tjetrit, solidaritetit dhe respektit për dinjitetin njerëzor nuk ishin parime abstrakte, por norma jetese. Këto rrënjë kanë ndikuar ndjeshëm në formimin e karakterit dhe ndjenjës së përgjegjësisë shoqërore të saj. Pikërisht këto vlera ndikuan më vonë në  përzgjedhjen e saj profesionale dhe në filozofinë udhëheqëse të veprimtarisë së saj në fushën e punës sociale.

Arsimimi dhe përgatitja profesionale

Shkollën fillore “Mahmut Lekiq” dhe Gjimnazin “25 Maji” në Tuz i përfundoi me sukses të shkëlqyer, si bartëse e diplomës “Lluça”(Pishtari). Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike në Podgoricë, në drejtimin Punë dhe Politikë Sociale, duke fituar titullin “Punonjëse sociale e diplomuar”. Ajo flet pesë gjuhë të huaja, çka e ka ndihmuar ndjeshëm në komunikimin profesional dhe bashkëpunim ndërinstitucional.

Fillimet në punën sociale

Në vitin 2012, Marina Kastrati filloi angazhimin profesional në Qendrën për Punë Sociale-Njësia Rajonale Ulqin. Që në hapat e parë, ajo u shqua për seriozitet, ndjeshmëri dhe empati ndaj përfituesve të shërbimeve sociale.

Profesioni dhe jeta familjare

Edhe gjatë pushimit të lehonisë, Marina nuk e ndërpreu zhvillimin profesional. Si nënë e re, ajo përfundoi praktikat e obliguara për licencim, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj profesionit dhe përgjegjësia familjare mund të ecin paralelisht. Sot, si nënë e dy fëmijëve, ajo përfaqëson shembullin e një gruaje që arrin të harmonizojë me dinjitet jetën familjare dhe angazhimin profesional.

Përvojë shumëvjeçare në shërbim të qytetarëve

Me mbi dhjetë vjet përvojë pune, Marina Kastrati ka vepruar në të dy sektorët kryesorë të Qendrës për Punë Sociale: në përfitimet materiale dhe në trajtimin e problematikës familjare. Kjo përvojë i ka dhënë një pasqyrë reale mbi sfidat sociale dhe funksionimin e sistemit të mbrojtjes sociale.

Studimet master dhe orientimi shkencor

Në vitet 2022–2023, Marina regjistroi studimet master në Fakultetin e Shkencave Politike në Podgoricë. Në vitin 2025, ajo mbrojti temën “Shërbimet e punës sociale për fëmijët pa kujdes prindëror në Mal të Zi”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm shkencor në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

Në krye të Qendrës për Punë Sociale në Ulqin

Në vitin 2024, Marina Kastrati u emërua drejtuese e Qendrës për Punë Sociale-Njësia Rajonale Ulqin. Nën udhëheqjen e saj, institucioni u modernizua dhe u shndërrua në një pikë referimi për bashkëpunim me institucione  vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë shërbimet sociale në Shkodër, Kryqin e Kuq në Ulqin, organizatën IPO, Fakultetin e Shkencave Politike në Podgoricë, organizatat rome dhe shkollat e qytetit.  Një nga arritjet e saj konkrete është edhe hapja e Dhomës së Kontaktit për fëmijët dhe prindërit që nuk bashkëjetojnë, sipas standardeve të UNICEF-it.

Angazhimi publik dhe humanitar

Marina Kastrati një vëmendje    veçantë i kushton aktiviteteve parandaluese kundër lypjes, delikuencës së të miturve, dhunës në familje, dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve dhe martesave të hershme. Ajo ka marrë pjesë si paneliste në shkolla dhe konferenca  nacionale në Podgoricë, organizuar nga UNICEF-i , ku trajtoi tema si delikuenca e të miturve, martesat e hershme, lypja dhe roli i mediatorëve rom.

Profil i një drejtueseje me empati

Empatia, profesionalizmi dhe përgjegjësia qytetare e bëjnë Marina Kastratin një figurë të respektuar në fushën e punës sociale. Ajo mbetet shembull i një drejtueseje me ndjeshmëri të thellë njerëzore që shërbimin ndaj më të ndjeshmëve të shoqërisë nuk e sheh si detyrë formale, por si thirrje morale dhe shoqërore.

Humanizmi përtej orarit të punës

Çdo fundvit ajo organizon aktivitete humanitare, përfshirë ndarjen e dhuratave për familjet dhe individët në nevojë, duke përcjellë mesazhin se solidariteti dhe kujdesi shoqëror janë vlera që duhen  jetësuar  në praktikë, duke e parë punën sociale si mision njerëzor.

Një model i punës sociale

Rrugëtimi profesional i Marina Kastratit dëshmon se puna sociale, kur udhëhiqet me empati, dije dhe përgjegjësi morale, shndërrohet në mision njerëzor dhe sjell modelin e empatisë dhe profesionalizmit institucional.  Angazhimi dhe vizioni i saj në mbrojtje  të fëmijëve dhe familjeve në nevojë e bëri atë një zë të njohur të kujdesit social në Ulqin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Florim Zeqa: Nebih Zeneli – hero i gjallë i arsimit shqip Gjekë Gjonaj: Në kujtim të Ali Zekut Pepiq (Pepa) Lekë Mrijaj: Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Jobi Biblik i Epokës Moderne Gani Qarri: Dr. Ibrahim Rugova, Apostulli i Jodhunës së kohës sonë! Gjon Keka: Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh Bedri Tahiri: Porosia e Gjergjit tonë të Madh Ismet Lekë Hajrullahu: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Atleti i Krishtit Lekë Mrijaj: Busti i Kastriotit në Klinë – Kujtesë e identitetit tonë kombëtar Dorian Koçi: Kryezoti Gjon Keka: Gjergj Kastrioti nuk ka vdekur, ai është fryma që mban gjallë shpirtin dhe trupin e kombit tonë Lekë Mrijaj: Ernest Koliqi – Figurë poliedrike e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë Dorian Koçi: Ismail Qemal Vlora Lekë Mrijaj: I amshuari Shkëlqesia e Tij Imzot Mark Sopi – Bariu epik i Kosovës Lekë Mrijaj: Akademi Solemne në 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit Luljeta Pula: Kam luftuar kundër Serbisë, por kam luftuar edhe me ndërskamcat e brendshme Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (4) Tomë Mrijaj: U nda nga jeta veprimtari Ismet Ukë Sadik Berisha Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (3) Gjekë Gjonaj: Prof. Dr. Mark Camaj, një pedagog erudit dhe humanist i përkushtuar i dijes Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (2)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx