Faleminderit
Ilir Çumani: Bujar Hudhri, botuesi që mbron me dinjitet fjalën e bukur shqipe
E diele, 01.02.2026, 06:57 PM

BUJAR HUDHRI, BOTUESI QË
MBRON ME DINJITET FJALËN E BUKUR SHQIPE
Nga Ilir Çumani
Në gjykimin tim, Bujar Hudhri sot nuk është vetëm një emër i
zakonshëm apo thjesht një botues.
Ai është më shumë se një institucion; ose, më saktë, është
rojtar i shenjtërisë së fjalës, një prani e palëkundur në kufirin mes
shkrimtarit dhe kohës, mes veprës dhe fatit të saj.
Në një epokë kur libri shpesh iu nënshtrua shpejtësisë,
tregut dhe sipërfaqësisë, Bujar Hudhri zgjodhi rrugën më të vështirë dhe me
rreziqe të mëdha: rrugën e dinjitetit.
Shtëpia Botuese “Onufri” ishte lajmëtari i parë i Fjalës së
Shenjtëruar, që nuk u ngrit si ndërmarrje, por si institucion moral i kulturës
shqiptare.
Ajo u bë vendi ku fjala shqipe u trajtua me kujdesin e
ikonës, ku mendimi u botua pa kompromis dhe ku libri u shpëtua nga banaliteti.
Çdo botim i saj mban një vulë të padukshme: seriozitetin, estetikën, besimin në
vlerë.
Që Ismail Kadare, shkrimtari ynë i madh i përmasave
botërore, ia besoi ekskluzivisht veprën e tij Bujar Hudhrit, padyshim që është
një akt që flet më shumë se çdo biografi.
Është njohja më e lartë që një shkrimtar si Kadare mund t’i
bëjë një botuesi: t’ia dorëzojë fjalën e tij dikujt për të cilin e di se nuk do
ta tradhtojë. Mes tyre u ndërtua një aleancë e rrallë shqiptare, pa kontratë,
por me besë kulturore.
Por mirënjohja për Bujar Hudhrin nuk ndalet te Kadareja. Ai
ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i shkrimtarëve shqiptarë, si i atyre
të njohur, ashtu edhe i atyre që sapo nisin udhën.
Ai u ka dhënë zë autorëve që nuk kishin zë, hapësirë atyre
që nuk kishin derë dhe dinjitet, krijuesve që shpesh u nënvlerësuan nga koha.
Në një treg shpesh të pamëshirshëm, ai zgjodhi të jetë i
drejtë. I drejtë dhe i ndershëm njëkohësisht!
Kush e njeh nga afër Bujarin, besoj se më kupton dhe më jep
të drejtë në këtë fakt që po mëtoj.
Vepra dhe kontributi i çmuar i Bujar Hudhrit nuk maten vetëm
me emrat e mëdhenj. Ato shfaqen në mënyrën se si ai u qëndroi pranë
shkrimtarëve të heshtur, autorëve të rinj, mendimtarëve të margjinalizuar.
Ai e kuptoi se kultura nuk mbahet vetëm nga majat, por nga
ekuilibri i gjithë peizazhit njerëzor. Dhe Bujari zgjodhi të mos lërë askënd në
errësirë, për sa kohë fjala është e ndershme.
Në një shoqëri që shpesh harron ata që ndërtojnë themele të
forta e të qëndrueshme përballë kohës dhe kujton vetëm ata që ngjiten mbi to,
këto pak rreshta mirënjohjeje të sinqertë mbase duken të vonuara, por janë të
domosdoshme për të çmuar vlerat e rralla që i kemi në mes tonë, por nuk i
shohim përditë…
Sepse, pa njerëz si Bujar Hudhri, letërsia shqipe do të kishte
zë, por jo strehën e saj; do të kishte emra, por jo kujtesë; shumë libra, por
pak dinjitet.
Bujari i dha fjalës një strehë. I dha shkrimtarit besim. I
dha kulturës shqiptare një bosht që nuk u përkul.
Dhe për këtë, falënderimi ynë nuk është formal. Minimalisht,
duhet të jetë edhe një përulje për Njeriun që i dha kaq shumë artit dhe
kulturës sonë kombëtare në këto dekada të një tranzicioni të çuditshëm.
Tiranë, e shtunë - 31
janar, 2026









