E shtune, 24.01.2026, 11:51 PM (GMT)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Në kujtim të Ali Zekut Pepiq (Pepa)

E shtune, 24.01.2026, 03:53 PM


Në kujtim të Ali Zekut Pepiq ( Pepa)  (1875 -1955)

Një figurë  me autoritet të padiskutueshëm në Malësi, i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare

Nga Gjekë Gjonaj

Ali Zeku Pepiq (Pepa) nga fshati Vranjë ishte ndër patriotët e shquar malësorë, antifashist i vendosur, i cili luftoi kundër pushtuesve turq dhe malazezë, duke mbetur i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare.

U lind në Vranjë më 1875, në një familje modeste fshatare. U rrit në frymën e traditës dhe atdhedashurisë. U martua me Zogën nga Omerbozhajt dhe krijoi një familje të madhe, e cila u shtri edhe në Shqipëri, veçanërisht në Shkodër, duke ruajtur lidhjet familjare dhe kombëtare ndër breza.

Ali Zeku ishte i njohur për veshjen tradicionale të Malësisë së Madhe. Ai mbante gjithnjë tirq (çakçirë) të zbukuruar me gajtana, këmishë të bardhë, brez të zi, opinga dhe plis, simbol i identitetit dhe krenarisë malësore.

Jetën e kaloi duke u marrë me bujqësi dhe blegtori, në kushte të vështira ekonomike, si shumica e banorëve të zonës. Përballë varfërisë dhe mungesës së prodhimeve, ai dhe bashkëfshatarët shpesh detyroheshin të siguronin ushqime në Shkodër, ndërsa bagëtitë i kullotnin në zona të largëta.

Megjithëse analfabet, Ali Zeku shquhej për zgjuarsi dhe mençuri natyrore. Këto cilësi e çuan drejt lidhjeve me figura të njohura të Malësisë së Madhe dhe viseve veriore të Shqipërisë, të cilët u dalluan në luftërat për mbrojtjen e trojeve, traditave dhe vlerave të larta njerëzore që karakterizojnë malësorët ndër shekuj.

Përpjekjet për të hapur një shkollë shqipe

Në atë kohë, Malësia ishte pa shkolla dhe Ali Zeku, për mungesë institucionesh arsimore, nuk pati mundësi të shkollohej. Megjithatë, falë inteligjencës dhe mençurisë së tij natyrore, ai e kuptoi herët se arsimi në gjuhën shqipe ishte çelësi i përparimit kombëtar dhe i kapërcimit të prapambetjes.

Në kushte të vështira politike, Ali Zeku bashkëpunoi me klerikë dhe intelektualë përparimtarë të kohës, ndër ta Atë Anton Harapin dhe Prenk Grudën, duke investuar energjitë për hapjen e shkollave shqipe. Edhe pse këto përpjekje nuk u realizuan për shkak të rrethanave politike, përkushtimi i tij ndaj dijes dëshmohet nga fakti se ai e dërgoi djalin e madh ta shkollonte në Shkodër.

Veprimtaria patriotike

Patrioti Ali Zeku mbeti i pashlyeshëm në kujtesën e popullit si simbol i lirisë dhe guximit. Gjatë luftimeve të vitit 1912 në malet e Vranjës, ai mori pjesë në betejën kundër batalionit “Zeta” për mbrojtjen e vijës së Vranjës dhe fortesës turke Merqesh, në një kohë kur ushtria malazeze po përparonte drejt Deçiqit.

Pas rënies së Merqeshit, Ali Zeku u kap dhe u dërgua në Deçiq, ku shfaqi fisnikërinë dhe humanizmin e tij. Sipas një dëshmie, ai ndërhyri për të shpëtuar dy robër, duke këshilluar që të silleshin gjallë, gjest që u pranua nga ushtari malazez. Më vonë, Aliu u pa duke u dhënë ujë robërve, duke dëshmuar edhe në robëri vlerat e larta njerëzore.

Pjesëmarrës në përgatitjen e “Luftës së Koplikut”

Sipas disa të dhënave, Ali Zeku mori pjesë në përgatitjet e Luftës së Koplikut (1920–1921), një nga betejat më të rëndësishme për mbrojtjen e kufirit veriperëndimor të Shqipërisë. Kjo luftë, e cilësuar nga historianët si simbol i rezistencës dhe sakrificës kombëtare, ka gjetur pasqyrim edhe në folklorin popullor, ku Ali Zeku përmendet si figurë trimërie dhe besimi mes malësorëve.

Mbështetës i lëvizjes së Fan Nolit

Një tjetër meritë e tij ishte mbështetja për lëvizjen demokratike të Fan Nolit. Edhe pse i paarsimuar, Ali Zeku besonte se qeveria noliste do t’i sillte Shqipërisë një rend të ri demokratik. Pas rrëzimit të kësaj qeverie, ai u burgos në Shkodër, por u lirua shpejt falë ndërhyrjeve të miqve. Dështimi dhe largimi i Nolit nga Shqipëria e zhgënjeu thellë Ali Zekun, i cili mbeti i bindur se vizioni i tij ishte përpara kohës dhe se Shqipëria humbi një mundësi historike për t’u ndërtuar mbi parime të vërteta demokratike.

Rezistencë ndaj ushtrisë malazeze dhe marrja peng

Ali Zeku, figurë e nderuar e viseve shqiptare, ishte udhëheqësi kryesor i Vranjës, të cilën e mbrojti me armë në dorë nga sulmet e ushtrisë malazeze. Ai rezistoi deri në çastin e fundit, por pas pushtimit të dhunshëm të vendbanimit, që atëherë ishte pjesë e territorit shqiptar, u kap dhe u mor peng.

Gjatë shoqërimit të tij ndodhi një episod i dhimbshëm: në vend të solidaritetit, disa bashkëvendas e ofenduan, duke e fajësuar për vështirësitë që u kishte sjellë rezistenca e tij. Ky qëndrim pasqyronte nënshtrimin ndaj pushtuesit dhe mungesën e guximit për të mbrojtur lirinë, një dukuri e njohur edhe në periudha të mëvonshme të historisë shqiptare.

Ali Zeku u mbajt peng vetëm disa muaj dhe më pas u lirua. Ushtria malazeze nuk e konsideroi të besueshëm për ta përfshirë në fushatën e pushtimit të Shkodrës më 1912, ku, sipas burimeve të kohës, vetëm një numër i vogël malësorësh luftuan në anën e saj.

Në gjithë veprimtarinë e tij, Ali Zeku u udhëhoq nga parimet e drejtësisë, paqes dhe humanizmit, pa dallim feje apo kombësie, duke luftuar mbi të gjitha për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Autoritetin që e gëzonte në Malësi e dëshmon edhe kënga popullore “Katka e krenve të Malësisë”:

“Burrë i mirë njaj Ali Zeku,

Ali Zeku i Zekë Alisë,

Ç’i e ka njoftë mbreti i Shqipnisë.”

Nënshkrues i Memorandumit për Shqipërinë etnike

Ali Zeku, udhëheqës dhe tribun popullor, ishte ndër nënshkruesit e Memorandumit për Shqipërinë në kufijtë e saj etnikë, së bashku me patriotë të njohur si Pjeter Zeku, Zefë Preka, Dedë Nika, Kolë Prëloka, Smail Haxhija dhe Sherif Hyseni.

Po ashtu, vlen të përmendet se djali i tij, Tahiri, e shoqëroi Nikolla Karadagliqin te forcat italiane në Zetë. Më vonë, Karadagliqi u bë komandant i çetës partizane “Zeta”, ndërsa monumenti i tij ndodhet sot në Gollubovc.

Mikpritja e Ali Zekut – “Buka me kripë nuk harrohet”

Ali Zeku ishte i njohur për fisnikërinë dhe mikpritjen e rrallë. Një herë, kur disa burra nga Shkodra, të panjohur për fshatin, nuk gjetën as strehë e as bukë në Vranjë, Aliu i priti në shtëpinë e tij me derë të hapur, sipas zakonit të vjetër malësor. Edhe pse kishte pak, ai ndau me ta bukë misri dhe kripë, duke thënë: “Bujrum: bukë, kripë e zemër – çfarë ka dhënë Zoti.”

Vite më vonë, gjatë një thatësire të rëndë, Ali Zeku shkoi në Shkodër për të shitur disa dele, që të siguronte ushqim për familjen. Atje u njoh nga njëri prej atyre mysafirëve të dikurshëm, tashmë i pasur, i cili nuk e harroi kurrë mikpritjen e Aliut. Ai jo vetëm që ia bleu delet, por e furnizoi me drithë dhe e nderoi me një darkë solemne, duke thënë para të gjithëve:
“Asnjëherë në jetën time nuk kam ngrënë darkë më të ëmbël se ajo te Ali Zeku.”

Kjo ngjarje mbeti dëshmi e vlerave të larta njerëzore të Ali Zekut dhe e urtësisë popullore shqiptare, e përmbledhur në thënien e njohur: “Buka me kripë nuk harrohet.”

Pleqnar me dinjitet në oda burrash

Në kohën e Ali Zekut, gjakmarrja dhe hakmarrja mbeteshin plagë të rënda të shoqërisë në viset veriore shqiptare, duke shkaktuar humbje të shumta njerëzore dhe ngujime të gjata familjare. Përballë kësaj dukurie, pleqnarët e nderuar të Malësisë u angazhuan për pajtimin e gjaqeve dhe zgjidhjen e konflikteve.

Ndër figurat më të respektuara ishte edhe Ali Zeku, i njohur për urtësinë, mençurinë dhe ndershmërinë e tij. Me autoritet moral dhe frymë pajtuese, ai ndërmjetësonte mes familjeve, duke punuar krah pleqnarëve të krahinës për të ndalur gjakderdhjen dhe për të ruajtur paqen në komunitet, në një kohë kur Kanuni ishte autoriteti kryesor shoqëror.

Ali Zeku, njohës i thellë i Kanunit dhe figurë me autoritet të padiskutueshëm në Malësi, u shqua si pleqnar i mençur në odat e burrave. Ai pajtoi shumë gjaqe dhe zgjidhi dhjetëra konflikte të trashëguara, sidomos në zonat veriore të Shqipërisë.

Një rast domethënës ishte pajtimi i dy familjeve në konflikt për një fejesë të dyfishtë, ku me urtësi vendosi që vajza të mos martohej me asnjërin, duke shmangur përshkallëzimin e gjakmarrjes. Vendimi i tij u pranua dhe u respektua nga të dyja palët.

Shpëtimi i malësorëve të dyshuar nga ballistët

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Ali Zeku shërbeu si komandant i vullnetarëve të Vranjës dhe Vllanës. Sipas dëshmive familjare, ai ndërhyri me vendosmëri për të shpëtuar disa malësorë të dyshuar si komunistë nga ndëshkimi i ballistëve. Me autoritetin e tij, detyroi lirimin e një pjese të tyre, duke shpëtuar jetë njerëzish. Si shenjë mirënjohjeje, njëri prej të liruarve i dhuroi një orë xhepi, të cilën Ali Zeku e ruajti deri në fund të jetës. Kjo ngjarje mbetet dëshmi e rolit të tij si njeri i drejtë, pajtues dhe mbrojtës i bashkëfshatarëve.

Kryetar i Komunës së Vranës, Mataguzhit dhe Vllanës

Vranja, Mataguzhi dhe Vllana formonin një komunë të vetme, dhe Ali Zeku u zgjodh kryetar në zgjedhjet lokale, duke mundur edhe Stan Boljeviqin. Për shkak të kontributit të tij në pajtimin e gjaqeve, disa votues të Rak Mariqit përhapën thashetheme se “kryetari është arratisur”. Kur Aliu u kthye, ai ia dha votat e tij Stan Boljeviqit, edhe pse kishte marrëdhënie më të ngushta familjare me Rak Mariqin, një veprim që disa burime historike e përmendin, ndërsa dokumente të tjera më të vonshme e lënë jashtë.

Si kryetar, Aliu shpesh qëndronte larg shtëpisë për shkak të angazhimeve, gjë që krijonte xhelozi të vogël mes vëllezërve. Një episod tregon kur vëllai Jusuf iu ankua xhandarmërisë për kuajt e punës që “kishin ikur”. Të nesërmen, Ali Zeku gjeti disa kuaj në Fushën e Tuzit dhe i dërgoi te xhandarmëria me qetësi, duke thënë: “Ja ku janë.” Kur u tha se nuk ishin kuajt e kërkuar, ai u përgjigj pa tension: “Këta janë kuajt që unë pashë.”

Ky episod tregon drejtësinë, qetësinë dhe autoritetin e Ali Zekut si kryetar, i cili menaxhonte çdo situatë me mençuri dhe dinjitet.

Funeral me nderime të mëdha

Ali Zeku, misionar i paqes, antifashist dhe antikomunist, i cili gjithë jetën ia kushtoi lirisë, pavarësisë dhe idealit të Shqipërisë etnike, ndërroi jetë në qershor 1955, në moshën 80-vjeçare, në Vranë. Në funeral morën pjesë burra dhe gra të nderuara nga e gjithë Malësia — Hoti, Gruda, Trieshi, Koja dhe nga Zeta.

Edhe pse vajtimi nuk ishte zakon i malësorëve myslimanë, Ali Zeku u nderua nga të gjithë vajtorët e kohës. Tom Bishi Ivezaj e përshkroi me vargje të thjeshta por të fuqishme:

“Prej majës së Sukës

E deri në breg të detit,

S’ka pas njerëz ma t’urtë

Se ti e Kolë Zefi.

Pa mësua n’shkollë,

As kurrfarë mejtepit,

Veç trima t’urtë

O prej vetvetit.”

Me vdekjen e tij, Malësia humbi një bir të vyer: një burrë të urtë, kryetar të respektuar, pleqnar me autoritet, mbrojtës të tokave shqiptare, përkrahës të ideve të Fan Nolit dhe bashkëpunëtor të intelektualëve të shquar si Prenkë Gruda, gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës Nacionalçlirimtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lekë Mrijaj: Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Jobi Biblik i Epokës Moderne Gani Qarri: Dr. Ibrahim Rugova, Apostulli i Jodhunës së kohës sonë! Gjon Keka: Me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova kombi ynë humbi njeriun e madh Bedri Tahiri: Porosia e Gjergjit tonë të Madh Ismet Lekë Hajrullahu: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Atleti i Krishtit Lekë Mrijaj: Busti i Kastriotit në Klinë – Kujtesë e identitetit tonë kombëtar Dorian Koçi: Kryezoti Gjon Keka: Gjergj Kastrioti nuk ka vdekur, ai është fryma që mban gjallë shpirtin dhe trupin e kombit tonë Lekë Mrijaj: Ernest Koliqi – Figurë poliedrike e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë Dorian Koçi: Ismail Qemal Vlora Lekë Mrijaj: I amshuari Shkëlqesia e Tij Imzot Mark Sopi – Bariu epik i Kosovës Lekë Mrijaj: Akademi Solemne në 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit Luljeta Pula: Kam luftuar kundër Serbisë, por kam luftuar edhe me ndërskamcat e brendshme Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (4) Tomë Mrijaj: U nda nga jeta veprimtari Ismet Ukë Sadik Berisha Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (3) Gjekë Gjonaj: Prof. Dr. Mark Camaj, një pedagog erudit dhe humanist i përkushtuar i dijes Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (2) Shyqyri Fejzo: Një konsull i kudo ndodhur, dinamik e i palodhur Dr. Hekuran Sejdiu – Një personalitet i heshtur

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx