| E shtune, 24.01.2026, 03:53 PM |
Në kujtim të Ali Zekut Pepiq ( Pepa) (1875 -1955)
Një
figurë me autoritet të padiskutueshëm në
Malësi, i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare
Nga
Gjekë Gjonaj
Ali
Zeku Pepiq (Pepa) nga fshati Vranjë ishte ndër patriotët e shquar malësorë,
antifashist i vendosur, i cili luftoi kundër pushtuesve turq dhe malazezë, duke
mbetur i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare.
U
lind në Vranjë më 1875, në një familje modeste fshatare. U rrit në frymën e
traditës dhe atdhedashurisë. U martua me Zogën nga Omerbozhajt dhe krijoi një
familje të madhe, e cila u shtri edhe në Shqipëri, veçanërisht në Shkodër, duke
ruajtur lidhjet familjare dhe kombëtare ndër breza.
Ali
Zeku ishte i njohur për veshjen tradicionale të Malësisë së Madhe. Ai mbante
gjithnjë tirq (çakçirë) të zbukuruar me gajtana, këmishë të bardhë, brez të zi,
opinga dhe plis, simbol i identitetit dhe krenarisë malësore.
Jetën
e kaloi duke u marrë me bujqësi dhe blegtori, në kushte të vështira ekonomike,
si shumica e banorëve të zonës. Përballë varfërisë dhe mungesës së prodhimeve,
ai dhe bashkëfshatarët shpesh detyroheshin të siguronin ushqime në Shkodër,
ndërsa bagëtitë i kullotnin në zona të largëta.
Megjithëse
analfabet, Ali Zeku shquhej për zgjuarsi dhe mençuri natyrore. Këto cilësi e
çuan drejt lidhjeve me figura të njohura të Malësisë së Madhe dhe viseve
veriore të Shqipërisë, të cilët u dalluan në luftërat për mbrojtjen e trojeve,
traditave dhe vlerave të larta njerëzore që karakterizojnë malësorët ndër shekuj.
Përpjekjet
për të hapur një shkollë shqipe
Në
atë kohë, Malësia ishte pa shkolla dhe Ali Zeku, për mungesë institucionesh
arsimore, nuk pati mundësi të shkollohej. Megjithatë, falë inteligjencës dhe
mençurisë së tij natyrore, ai e kuptoi herët se arsimi në gjuhën shqipe ishte
çelësi i përparimit kombëtar dhe i kapërcimit të prapambetjes.
Në
kushte të vështira politike, Ali Zeku bashkëpunoi me klerikë dhe intelektualë
përparimtarë të kohës, ndër ta Atë Anton Harapin dhe Prenk Grudën, duke
investuar energjitë për hapjen e shkollave shqipe. Edhe pse këto përpjekje nuk
u realizuan për shkak të rrethanave politike, përkushtimi i tij ndaj dijes
dëshmohet nga fakti se ai e dërgoi djalin e madh ta shkollonte në Shkodër.
Veprimtaria patriotike
Patrioti
Ali Zeku mbeti i pashlyeshëm në kujtesën e popullit si simbol i lirisë dhe
guximit. Gjatë luftimeve të vitit 1912 në malet e Vranjës, ai mori pjesë në
betejën kundër batalionit “Zeta” për mbrojtjen e vijës së Vranjës dhe fortesës
turke Merqesh, në një kohë kur ushtria malazeze po përparonte drejt Deçiqit.
Pas
rënies së Merqeshit, Ali Zeku u kap dhe u dërgua në Deçiq, ku shfaqi
fisnikërinë dhe humanizmin e tij. Sipas një dëshmie, ai ndërhyri për të
shpëtuar dy robër, duke këshilluar që të silleshin gjallë, gjest që u pranua
nga ushtari malazez. Më vonë, Aliu u pa duke u dhënë ujë robërve, duke dëshmuar
edhe në robëri vlerat e larta njerëzore.
Pjesëmarrës në përgatitjen e “Luftës
së Koplikut”
Sipas
disa të dhënave, Ali Zeku mori pjesë në përgatitjet e Luftës së Koplikut
(1920–1921), një nga betejat më të rëndësishme për mbrojtjen e kufirit
veriperëndimor të Shqipërisë. Kjo luftë, e cilësuar nga historianët si simbol i
rezistencës dhe sakrificës kombëtare, ka gjetur pasqyrim edhe në folklorin
popullor, ku Ali Zeku përmendet si figurë trimërie dhe besimi mes malësorëve.
Mbështetës i lëvizjes së Fan Nolit
Një
tjetër meritë e tij ishte mbështetja për lëvizjen demokratike të Fan Nolit.
Edhe pse i paarsimuar, Ali Zeku besonte se qeveria noliste do t’i sillte
Shqipërisë një rend të ri demokratik. Pas rrëzimit të kësaj qeverie, ai u
burgos në Shkodër, por u lirua shpejt falë ndërhyrjeve të miqve. Dështimi dhe
largimi i Nolit nga Shqipëria e zhgënjeu thellë Ali Zekun, i cili mbeti i
bindur se vizioni i tij ishte përpara kohës dhe se Shqipëria humbi një mundësi
historike për t’u ndërtuar mbi parime të vërteta demokratike.
Rezistencë
ndaj ushtrisë malazeze dhe marrja peng
Ali
Zeku, figurë e nderuar e viseve shqiptare, ishte udhëheqësi kryesor i Vranjës,
të cilën e mbrojti me armë në dorë nga sulmet e ushtrisë malazeze. Ai rezistoi
deri në çastin e fundit, por pas pushtimit të dhunshëm të vendbanimit, që
atëherë ishte pjesë e territorit shqiptar, u kap dhe u mor peng.
Gjatë
shoqërimit të tij ndodhi një episod i dhimbshëm: në vend të solidaritetit, disa
bashkëvendas e ofenduan, duke e fajësuar për vështirësitë që u kishte sjellë
rezistenca e tij. Ky qëndrim pasqyronte nënshtrimin ndaj pushtuesit dhe
mungesën e guximit për të mbrojtur lirinë, një dukuri e njohur edhe në periudha
të mëvonshme të historisë shqiptare.
Ali
Zeku u mbajt peng vetëm disa muaj dhe më pas u lirua. Ushtria malazeze nuk e
konsideroi të besueshëm për ta përfshirë në fushatën e pushtimit të Shkodrës më
1912, ku, sipas burimeve të kohës, vetëm një numër i vogël malësorësh luftuan
në anën e saj.
Në
gjithë veprimtarinë e tij, Ali Zeku u udhëhoq nga parimet e drejtësisë, paqes
dhe humanizmit, pa dallim feje apo kombësie, duke luftuar mbi të gjitha për
liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Autoritetin që e gëzonte në Malësi e
dëshmon edhe kënga popullore “Katka e
krenve të Malësisë”:
“Burrë i
mirë njaj Ali Zeku,
Ali Zeku
i Zekë Alisë,
Ç’i e ka
njoftë mbreti i Shqipnisë.”
Nënshkrues
i Memorandumit për Shqipërinë etnike
Ali
Zeku, udhëheqës dhe tribun popullor, ishte ndër nënshkruesit e Memorandumit për
Shqipërinë në kufijtë e saj etnikë, së bashku me patriotë të njohur si Pjeter
Zeku, Zefë Preka, Dedë Nika, Kolë Prëloka, Smail Haxhija dhe Sherif Hyseni.
Po
ashtu, vlen të përmendet se djali i tij, Tahiri, e shoqëroi Nikolla
Karadagliqin te forcat italiane në Zetë. Më vonë, Karadagliqi u bë komandant i
çetës partizane “Zeta”, ndërsa monumenti i tij ndodhet sot në Gollubovc.
Mikpritja
e Ali Zekut – “Buka me kripë nuk harrohet”
Ali
Zeku ishte i njohur për fisnikërinë dhe mikpritjen e rrallë. Një herë, kur disa
burra nga Shkodra, të panjohur për fshatin, nuk gjetën as strehë e as bukë në
Vranjë, Aliu i priti në shtëpinë e tij me derë të hapur, sipas zakonit të
vjetër malësor. Edhe pse kishte pak, ai ndau me ta bukë misri dhe kripë, duke
thënë: “Bujrum: bukë, kripë e zemër – çfarë ka dhënë Zoti.”
Vite
më vonë, gjatë një thatësire të rëndë, Ali Zeku shkoi në Shkodër për të shitur
disa dele, që të siguronte ushqim për familjen. Atje u njoh nga njëri prej
atyre mysafirëve të dikurshëm, tashmë i pasur, i cili nuk e harroi kurrë
mikpritjen e Aliut. Ai jo vetëm që ia bleu delet, por e furnizoi me drithë dhe
e nderoi me një darkë solemne, duke thënë para të gjithëve:
“Asnjëherë në jetën time nuk kam ngrënë darkë më të ëmbël se ajo te Ali Zeku.”
Kjo
ngjarje mbeti dëshmi e vlerave të larta njerëzore të Ali Zekut dhe e urtësisë
popullore shqiptare, e përmbledhur në thënien e njohur: “Buka me kripë nuk harrohet.”
Pleqnar
me dinjitet në oda burrash
Në
kohën e Ali Zekut, gjakmarrja dhe hakmarrja mbeteshin plagë të rënda të
shoqërisë në viset veriore shqiptare, duke shkaktuar humbje të shumta njerëzore
dhe ngujime të gjata familjare. Përballë kësaj dukurie, pleqnarët e nderuar të
Malësisë u angazhuan për pajtimin e gjaqeve dhe zgjidhjen e konflikteve.
Ndër
figurat më të respektuara ishte edhe Ali Zeku, i njohur për urtësinë, mençurinë
dhe ndershmërinë e tij. Me autoritet moral dhe frymë pajtuese, ai ndërmjetësonte
mes familjeve, duke punuar krah pleqnarëve të krahinës për të ndalur
gjakderdhjen dhe për të ruajtur paqen në komunitet, në një kohë kur Kanuni
ishte autoriteti kryesor shoqëror.
Ali
Zeku, njohës i thellë i Kanunit dhe figurë me autoritet të padiskutueshëm në
Malësi, u shqua si pleqnar i mençur në odat e burrave. Ai pajtoi shumë gjaqe
dhe zgjidhi dhjetëra konflikte të trashëguara, sidomos në zonat veriore të
Shqipërisë.
Një
rast domethënës ishte pajtimi i dy familjeve në konflikt për një fejesë të dyfishtë,
ku me urtësi vendosi që vajza të mos martohej me asnjërin, duke shmangur
përshkallëzimin e gjakmarrjes. Vendimi i tij u pranua dhe u respektua nga të
dyja palët.
Shpëtimi i malësorëve të
dyshuar nga ballistët
Gjatë
Luftës Nacionalçlirimtare, Ali Zeku shërbeu si komandant i vullnetarëve të
Vranjës dhe Vllanës. Sipas dëshmive familjare, ai ndërhyri me vendosmëri për të
shpëtuar disa malësorë të dyshuar si komunistë nga ndëshkimi i ballistëve. Me
autoritetin e tij, detyroi lirimin e një pjese të tyre, duke shpëtuar jetë
njerëzish. Si shenjë mirënjohjeje, njëri prej të liruarve i dhuroi një orë
xhepi, të cilën Ali Zeku e ruajti deri në fund të jetës. Kjo ngjarje mbetet
dëshmi e rolit të tij si njeri i drejtë, pajtues dhe mbrojtës i
bashkëfshatarëve.
Kryetar
i Komunës së Vranës, Mataguzhit dhe Vllanës
Vranja,
Mataguzhi dhe Vllana formonin një komunë të vetme, dhe Ali Zeku u zgjodh
kryetar në zgjedhjet lokale, duke mundur edhe Stan Boljeviqin. Për shkak të
kontributit të tij në pajtimin e gjaqeve, disa votues të Rak Mariqit përhapën
thashetheme se “kryetari është arratisur”. Kur Aliu u kthye, ai ia dha votat e
tij Stan Boljeviqit, edhe pse kishte marrëdhënie më të ngushta familjare me Rak
Mariqin, një veprim që disa burime historike e përmendin, ndërsa dokumente të
tjera më të vonshme e lënë jashtë.
Si
kryetar, Aliu shpesh qëndronte larg shtëpisë për shkak të angazhimeve, gjë që
krijonte xhelozi të vogël mes vëllezërve. Një episod tregon kur vëllai Jusuf iu
ankua xhandarmërisë për kuajt e punës që “kishin ikur”. Të nesërmen, Ali Zeku
gjeti disa kuaj në Fushën e Tuzit dhe i dërgoi te xhandarmëria me qetësi, duke
thënë: “Ja ku janë.” Kur u tha se nuk ishin kuajt e kërkuar, ai u përgjigj pa
tension: “Këta janë kuajt që unë pashë.”
Ky
episod tregon drejtësinë, qetësinë dhe autoritetin e Ali Zekut si kryetar, i
cili menaxhonte çdo situatë me mençuri dhe dinjitet.
Funeral
me nderime të mëdha
Ali
Zeku, misionar i paqes, antifashist dhe antikomunist, i cili gjithë jetën ia
kushtoi lirisë, pavarësisë dhe idealit të Shqipërisë etnike, ndërroi jetë në
qershor 1955, në moshën 80-vjeçare, në Vranë. Në funeral morën pjesë burra dhe
gra të nderuara nga e gjithë Malësia — Hoti, Gruda, Trieshi, Koja dhe nga Zeta.
Edhe
pse vajtimi nuk ishte zakon i malësorëve myslimanë, Ali Zeku u nderua nga të
gjithë vajtorët e kohës. Tom Bishi Ivezaj e përshkroi me vargje të thjeshta por
të fuqishme:
“Prej
majës së Sukës
E deri
në breg të detit,
S’ka pas
njerëz ma t’urtë
Se ti e
Kolë Zefi.
Pa mësua
n’shkollë,
As
kurrfarë mejtepit,
Veç
trima t’urtë
O prej
vetvetit.”
Me
vdekjen e tij, Malësia humbi një bir të vyer: një burrë të urtë, kryetar të
respektuar, pleqnar me autoritet, mbrojtës të tokave shqiptare, përkrahës të
ideve të Fan Nolit dhe bashkëpunëtor të intelektualëve të shquar si Prenkë
Gruda, gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës Nacionalçlirimtare.