Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Rreth debatit për çmimet letrare
E enjte, 22.01.2026, 06:57 PM
Rreth debatit për çmimet letrare
Nga
Ndue Ukaj
Ka
një vit e më shumë që Norvegjia ka themeluar një çmim në emër të nobelisit të
letërsisë, Jon Fosse, për përkthyesit letrarë. Ky çmim, me një vlerë monetare
prej rreth 50 mijë eurorve, është një prej më të rëndësishmëve në këtë fushë në
Europë. Krahas këtij çmimi, në Norvegji ka edhe shumë çmime tjera për
shkrimtarë, me vlera të mëdha financiare, e po ashtu, ka plot forma të tjera që
subvencionojnë krijimtarinë letrare.
Vendet
nordike, qëmoti kanë edhe një çmim letrar të përbashkët, Çmimin e Letërsisë së
Këshillit Nordik, një çmim me reputacion ndërkombëtar e që jepet për të gjitha
gjuhët e vendeve nordike.
Imagjinojeni,
njerëz, popujt nordikë, kanë krijuar çmim e politika kulturore të përbashkëta,
për të ndihmuar krijimtarinë letrare të gjuhëve të tyre, kurse ne, që kemi një
gjuhë e një letërsi të përbashkët, nuk kemi asgjë të përbashkët të formës së
tillë.
Popujt
tjerë të vegjël, si irlandezet, po ashtu kanë dhjetëra çmime letrare, mes të
cilëve më prestigjiozi, Çmimi Letrar i Dublinit, me një vlerë prej rreth 100
mijë euro.
Nëse
e bëjmë një kërkim të thjeshtë, shohim se trajtimi i letërsisë dhe i librit,
askund në Europë nuk është më i keq sesa në hapësirat shqiptare.
Nuk
besoj se mund të gjendet një bibliotekë në një qytet europian që të mos ketë
mundësi financiare për t’i blerë librat që i mendon me interes për lexuesit e
për fondin e saj.
Por
një gjë e tillë nuk ndodh kudo në hapësirat shqiptare.
Sepse,
ne kemi dy shtete, me politika kulturore për faqe të zezë.
Ne
kemi dy shtete dhe kemi pjesëmarrje domethënëse në politikat kulturore, në
Maqedoni e Mal të Zi, por nuk ia kemi dalë të bëjmë asgjë të përbashkët në
fushën e letërsisë. Për shembull, ta themelojnë një çmim të madh për letërsinë,
një çmim që e vendos gjuhën shqipe, në hartën e çmimeve të rajonit e të
kontinentit, një çmim prestigjioz, të cilin, do ta kishte për nder ta merrte
secili shkrimtar europian.
E
tragjizmi me këtë çështje nuk përfundon këtu: ne, që dimë të vishemi me flamuj
patriotikë e të bërtasim me gojën plot parulla kombëtare, ne që përrallisim me
fjalë të mëdha për unitet, bashkim, për një gjuhë e një letërsi, nuk kemi një
çmim të përbashkët, që i lidh krejt shqiptarët që shkruajnë në gjuhën shqipe,
pavarësisht vendit ku ata jetojnë. Përkundrazi, kemi barriera në këtë fushë dhe
ato janë të pakalueshme.
Për
shembull: një shkrimtar që krijon në Shqipëri, nuk mund të fitojë çmim letrar
kombëtar në Kosovë dhe anasjelltas. Madje, tragjizmi është edhe më i madh,
sepse një shkrimtar i Kosovës, që vendos të botojë në Shqipëri, përjashtohet nga
gara e çmimeve letrare në Kosovë.
E
njëjta përçudni vlen në të dyja anët, e këtu, më vjen turp, që askujt nuk i
shkon mendja për shkrimtarët që krijojnë në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi,
Luginë të Preshevës, për arbëreshët e Italisë, pra, askush nga ata që hartojnë
politika kulturore, nuk mendon që këto hapësira letrare t’i bëjë pjesë të
çmimeve kombëtare të letërsisë.
Këto
janë anomali serioze kulturore, e si të tilla, mund t’i argëtojnë ndoshta ata
që i bëjnë, por janë me pasoja shumë të mëdha për shëndetin e kombit tonë,
madje, sipas mendimit tim, një prej pengesave të mëdha për përparim.
Debati
për çmimet letrare, të cilin e kanë nxitur me të drejtë kolegët e mi shkrimtarë
nga Tirana, është debat i duhur dhe si i tillë ndoshta i vonuar.
Duhet
të bisedojmë për mënyrën sesi e trajtohet letërsia shqipe në përgjithësi, nga
institucionet e kulturës, të cilat, prirjen më të theksuar e kanë të
kategorizojnë, “ne” dhe “ata.”
Kjo
mendësi e fragmentimit kulturor, është shenjë e mendësi të mjerë.
Jam
fort i bindur se, me pak vullnet, qysh nesër, askush nuk i pengon institucionet
e kulturës, të themelojnë një këshillë të përbashkët kombëtar për kulturë, të
themelojnë çmime të përbashkëta letrare, të krijojnë juri të përbashkëta, të
thelemojnë çmime të reja dhe t’i heqin të gjitha barrierat absurde.
Janë
gati tri dekada që kur jetojmë të lirë, kohë e
mjaftueshme dhe e duhur për ta kthjelluar shikimin e për t’i trajtuar me
seriozitet temat ekzistenciale identitare, që lidhen me kulturën, me gjuhën e
me përmasën më thelbësor të një shoqërie, letërsinë.
Jam
fort i bindur se askund tjetër në Europë nuk ka trajtim më shpërfillës për këtë
aktivitet njerëzor sesa në hapësirat shqiptare.
Këtë
shpërfillje nuk e meritojnë shkrimtarët shqiptarë.
Këtë
shpërfillje nuk e meriton letërsia shqipe, sepse, është shpërfillje ndaj
esencës së identitetit tonë kombëtar.
Çmimet
letrare duhet të jenë një e kremte e bukur e letërsisë dhe për çdo vit, duhet
të mendohet si të rriten e të bëhen sa më shumë, pse jo, të themelohen çmime të
reja, çmime që jep Tirana e Prishtina, Shkodra e Gjakova, pra, të ketë sa më
shumë çmime, si sasi e po ashtu në vlera më të mëdha monetare.
Fatkeqësisht,
sivjet ka ndodhë e kundërta. Në mënyrë të pakuptueshme është hequr çmimi për
poezi, për këtë zhanër që është thelbi e kurora e letërsisë, dhe një prej
shtyllave themelore të identitetit tonë. Është hequr tregime e letërsia për
fëmijë.
Arsyetimet
se këto çmime janë bashkuar në një, janë mënyra më e lehtë, për të mos thënë: i
kemi shuar.
Për
fund, ia vlen t’i kujtojmë këshillat e shkrimtarit, Mario Vargas Llosa, i cili
thotë diku se një shoqëri pa letërsi është e dënuar të bëhet shpirtërisht
barbare dhe madje të rrezikojë lirinë e saj, si dhe ato të shkrimtarit, Octavio
Paz, që thotë se një shoqëri që e heq poezinë rrezikon të kryejë një vetëvrasje
shpirtërore.









