E merkure, 22.10.2025, 11:22 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Helmi patriotik

E merkure, 22.10.2025, 06:57 PM


Helmi patriotik

Nga Ndue Ukaj

Shoqëria e Kosovës është helmuar nga injoranca patriotike e nga helm negativ patriotik, i cili, është përhapur, këto viteve të fundit, përmes propagandës së fuqisë pushtetit, në një mjedis të varfër kulturor e ku traumat e së kaluarës nuk janë kuruar kurrë si duhet.

Dhe sot, vendi ynë, thënë me gjuhën e Hamletit, qeverisët nga disa zuzarë e kalorës vagabondë, që kanë njollosë lirinë, po, vendi ynë udhëhiqet nga mendje të shtrembëta e keqdashëse politike, që vizionin për shtet e kanë të reduktuar krejtësisht në terma banale: vizion për pushtet.

Dhe në këtë betejë për pushtet, nuk ka temë ma joshëse e ma eksituese për turma e budallenj sesa patriotizmi pupulist, të cilin, shqiptarët, me mide të keq ushqyer, pa traditë të shëndoshë në punë patriotike e pa modele të mira, e kanë gëlltitë, pa i menduar fare pasojat.

Kjo është arsyeja pse ata sot sillen të trullosur, të humbur, joracional, britmat i quajnë mendime e bëjnë veprime, si të dehurit rënd nga alkooli.

Pikë së pari, sepse  gjuha e këtij soj patriotizmi është shumë varfër. Dhe një gjuhë shumë e varfër, kurrë nuk krijon ndonjë gjë me vlerë.

Është shprehje e idealeve të varfra.

Është shprehje e mendimeve të varfra.

Është shprehje e dëshirave të varfra.

Është shpreje e mendjeve të varfra.

Dhe Kosova, krahas izolimit ndërkombëtar, sot është e izoluar në kufijtë e tmerrshëm të një gjuhe skajshmërisht të varfër politike.

Patriotizmi i ushqyer pa kulturë dhe që i drejton shpatat kundër armiqve të jashtëm e trillon pandërprerë të brendshëm, është i gërditshëm, është i pashëndetshëm, është varrmihës për shoqërinë që e prodhon. Dhe për këtë, ka sa të duash dëshmi e fakte historike. Ka përreth nesh e nëpër botën, në të cilën ne gravitojmë. Vetëm duhet ta lodhim pak mendjen e të mos i gëlltitim parullat patriotike, si tableta për shërbim të kokë dhembjes.

Problemet politike, qoftë ato që kanë rrjedhojë historike apo që i krijon vetë politika, kurrë nuk shërohen me barëra të këqija as me receta me përmbajtje tallaveje patriotike. Përkundrazi, barërat e këqija, që shpërndahen me kësp receta patriotike, vetëm e përkeqësojnë shëndetin e një shoqërie, siç po ngjet me ne.

Patriotizmi, nëse nuk është virtyt me dashtë vetveten, pa asnjë lloj urrejtje për të tjerët, brenda ose jashtë vendit, nuk është asgjë tjetër, pos helm ideologjik.

Kosova sot është helmuar me këtë soj patriotizmi.

Për shembull: kudo dëgjon mendje të shtrembëta, që përdorin Gjergj Fishtën për të hedhë helm kundër Europës, pa e njohur as kontekstin e as tekstin, ku e ka ka sharë Fishta Europën e për ç’arsye.

E kam dëgjuar këto vite, sa e sa herë, edhe nga njerëz që mbajnë tituj profesorë e njerëz që gjoja merren me kulturë, si flasin kundër Europës, me parulla të ushqyera nga tabani ma primitiv i shoqërisë sonë, me mendime krejt të pa distiluara, të formuar nën duhmën e thashethemeve e çajit të rusit.

Dhe kur ju thua:

O njerëz, a e dine se Fishta një jetë të tërë ka vajtuar pse shqiptarët nuk janë si krejt Europa, ata, të shikojnë si të mpirë, se helmi i urrejtës vërtet iu ka humbur arsyen dhe i ka mpirë.

Përndryshe, e kam thënë shpeshherë, Fishta ka plot tekste, analiza e dëshmi pafund letrare, ku vajton fatin e keq të shqiptarëve, tragjedinë e ndarjes së tyre

prej Europës dhe të mirave të saj. Dhe fillimet e Lahutës së Malcis, ato vargje dridhmuese, tregojnë se pesëqindvjet kishin kaluar, që të mjerën Shqipëri, turku e mbante nën robëri, - dhe janë dëshmi e një vaji që ta kallë shpirtin prej mërzisë.

Shteti ynë sot është nën sanksione të Europës dhe të Amerikës, dhe kjo nuk përbën problem për ata njerëz që thonë se ende e gëzojnë të drejtën e mendimit, dhe të njëjtën nuk e kanë depozituar te partia e udhëheqësi.

Kjo është tragjikomike dhe dëshmi e injorancës së thellë politike e ptriotike ku është duke u deformuar përditë e më shumë Kosova jonë.

Dhe si pasojë e helmit patriotik, sot, në Kosovë nuk ka asnjë gjallëri e as lajme të mira.

Nuk ka dialog politik.

Nuk ka asnjë raport të shëndoshë me botën.

Por ka izolim dhe mendje të shtrembëta në krye të shtetit. Ka mërzi me tonelata dhe njerëz të dëshpëruar. Sepse, në Kosovë nuk ka dialog, por ka izolim e njerëz në pushtet me mendje të izoluara,  që as abc politilke nuk e njohin.

Prandaj, vendi ynë duket i asfiksuar, si në një paralizë totale.

Patriotizmi cilësor ose patriotizmi si virtyt, në thelb, është patriotizëm solidar, e do vetveten dhe nuk e ushqyen urrejtjen kundër të tjerëve, nuk sajon armiq, por është zhvillimor, e njeh tjetrin dhe e pranon shumëllojshmërinë si vlerë.

Ky patriotizëm, iu mundëson njerëzve të ëndërrojnë një republikë humane, ku res publika është e përbashkët dhe jo e një grusht njerëzve të politikës, kushdo qofshin ata.

Patriotizmi helmues, që i përvetëson temat politike me obsesion e fanatizëm, dhe i lidh përbrenda një oborri politik, nuk ka lidhje me vlera të përbashkëta, ai është aset vetëm për ta ushqyer propagandën dhe pushtetin e një aksh partie. Siç ndodh këtu tash e gati 6 vjet.

Dihet qartësisht se motori i zhvillimit të një shoqërie është kultura, se pa këtë, nuk ka as kohezion e as aftësi për të menduar rreth të mirave të përbashkëta. Kultura i zgjeron kapacitet e të menduarit dhe i tejkalon limitet e gjuhës së varfër.

Fatkeqësisht, kultura sot duket si një lloj luksi, e përcaktuar për një shtresë të vogël e nuk ofrohet në tryezën e përditshme të njerëzve të këtij vendi.

Prandaj, njerëzit dehen lehtë nga parulla shterpe u besojnë atyre, dhe si berrat, nisen drejt kasapit.

Mungesa e ushqimit kulturor njerëzit i bën të shpërfytyruar, dhe ata, lehtësisht i ngatërrojnë parimet e perimet, gjysmë dite i sheh të veshur me ide europian e gjysmë ditë me ide jo euroipiane, se këta, nuk janë të vërtetë në asnjë temë.  Më së paku në dashurinë për atdheun.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx