Kerko: a
Frank Shkreli: Dr. Athanas Gegaj – Gjergj Kastrioti Skënderbe
E diele, 18.01.2026, 06:59 PM
DR ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
Shënim
me rastin e ditës së kalimit në amshim të Krye-Heroit Kombetar (6 maj 1405-17
janar 1468) -- në kuadër Akademisë Përkujtimore, kushtuar Dr Athanas Gegajt
Nga
Frank Shkreli
Si çdo vit, më datën 17
janar, populli shqiptar, kudo, e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj
Kastriotin, Skënderbeun (6 maj 1405 - 17 janar 1468), në ditën e kalimit të tij
në amshim. Gjergj Kastrioti ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në
moshën 63-vjeçare. Eshtë figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, Heroi
i Përgjithmonshëm kombëtar i popullit shqiptar. Frank Shkreli: Gjergj Kastriot
Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar | Gazeta Telegraf
Me këtë shënim modest dëshiroj të
lidhë, nëse mund t’ia dal pa bezdisur dhe pa konnfuzuar lexuesin: kujtimin e 17-Janarit, 1468 – ditës së ndarjes
nga kjo jetë e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe,
njëkohësisht, njërin prej autorëve të parë biograf shqiptar të
Skenderbeut -- Dr. Athanas Gegaj (1908–1989) dhe një nga historianët shqiptarë
më seriozë të diasporës, por jo vetëm -- i formuar në shkollën perëndimore të
historiografisë, larg presioneve ideologjike të historiografisë komuniste. Emri
i tij lidhet ngushtë me studimin monumental, mbi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu
(1405–1468) “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të”, një vepër kjo
themelore për albanologjinë dhe historiografinë mesjetare shqiptare. Peshkop Fan
Noli, vet autor i një libri të rëndësishëm mbi Skenderbeun, botuar më 1949, e
ka vlerësuar librin e Dr Athanas Gegajt, të shkruar frëngjisht, mbi Skenderbeun, si “më e mbaruara që kishte
parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza
dokumentare”. Fjala është për veprën, “L Albanie et l’invasion turque au
XV-e siècle’, ose “Shqipëria dhe pushtimi turk në shekullin e XV-të”, të Dr
Athanas Gegajt.
Ndërkaq, jeta dhe veprimtaria e Dr
Athanas Gegaj, ish-Editor i gazetës Dielli për më shumë se një dekadë, do të
jetë në qëndër të diskutimeve nga disa ekspertë, njohës të mirë të Dr Gegajt, Search Results for “dr
athanas gegaj” – Dielli | The Sun -- më 25
Janar 2026 në Akademinë Përkujtimore, titulluar: “Athanas Gegaj - shembull i patriotizmit,
shkencës dhe publicistikës”. Njoftohet
se Fondi Humanitar “Trieshi” në Nju Jork, organizon këtë aktivitet të veçantë
për të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e Athanas Gegajt – malësorit nga
Trieshi i Malësisë Madhe -- në fushën e shkencës, gazetarisë, fesë e kulturës
shqiptare. Kjo akademi përkujtimore do t’i kushtohet, pra, pikërisht Athanas
Gegajt, birit të Trieshit, një prej personaliteteve më të rëndësishme jo vetëm
të Malësisë së Madhe, por edhe të mbarë botës shqiptare. Sipas njoftimit të Fondit Humanitar,
“Trieshi”, ai tubim do të trajtojë, në mënyrë të plotë, veprimtarinë e Dr Athanas
Gegajt, duke vlerësuar -- përveç dy veprave të tij të rëndësishme shkencore -- edhe
rolin e tij të rëndësishëm si editor i gazetës Dielli në Boston të Shteteve të
Bashkuara dhe bashkëpunëtor i ngushtë më heret i revistës françeskane, Hylli i
Dritës, në Shqipëri. Duke pasqyruar, gjithashtu edhe angazhimin e tij politik
në mërgim dhe bashkëpunimin me figura të njohura shqiptare, si dhe kontributin
e tij fetar si klerik françeskan dhe krijimtarinë e tij të gjërë publicistike.
Bravo i qoftë Fondit Humanitar
“Trieshi”, që kujton dhe nuk harron këtë burrë të madh të Malësisë së Madhe e
të Kombit shqiptar -- Dr.
Athanas Gegaj (1908–1989), njërin prej historianëve shqiptarë më seriozë
të diasporës dhe më gjërë, por si shumë intelektualë të tjerë të kalibrit të
tij të mërgatës shqiptare, gjithnjë i përjashtuar dhe i harruar për dekada të
tëra nga historiografia zyrtare komuniste e deri në ditët e sotëme. Nga gjithë veprimtaria dhe kontributetet në
fusha të ndryshme të dijes, gazetarisë dhe kulturës, Athanas Gegajt, vlen të
ritheksohet, si më lartë, se emri i tij lidhet, veçanërisht, ngushtë me studimin
monumental, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468)”, një vepër, që nga
shumë ekspertë shqiptarë dhe të huaj, konsiderohet, gjithnjë edhe sot, si themelore
për albanologjinë dhe historiografinë mesjetare shqiptare.
Patjetër
që në këtë rast lind pyetja se si është e mundur që autori i një vepre të tillë
të vlerësuar, ndërkombtarisht, mbi Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin
Skenderbe, për dekada të tëra u mbulua në heshtje, u la në hije, jo vetëm gjatë
regjimit komunist, por edhe këto 35-vjet tranzicion faqezi. Shumë mirë që Fondi “Trieshi”, kujton javën që
vjen birin e tij të famshëm Dr Athanas Gegajn, pasi për arsye ideologjike, edhe
ai si shumë të tjerë -- viktima të përjashtimit komunist -- mbetet i përjashtuar
dhe i harruar, zyrtarisht, nga entet e larta akademike të Shqipërisë dhe
Kosovës. Janë këto ente shtetërore të shqiptarëve të cilat do duhej që figura
të Kombit si Athans Gegaj të kthehen, njëherë e mirë dhe për hir të së Vërtetës
historike, në qëndër të debatit shkencor dhe akademik, jo vetëm si një
përgjegjësi morale -- por edhe si një detyrim akademik dhe kombëtar.
Atëherë,
pse përjashtimi, pse heshtja, ke kanë frikë entet zyrtare akademike shqiptare
dhe përfaqsuesit e tyre, që vazhdojnë të lënë në harresë, qëllimisht, figura si
Dr Athanas Gegajn dhe veprat e tyre të vlerësuara, ndërkombtarisht, por të
ndaluara dhe të përjashtuara në atdheun e tyre, nga ideologët e djeshëm
komunistë. Por sot gjithnjë apologjetë të politizuar të atij regjimi barbar – gjithnjë
benikërisht flasin dhe veprojnë në rolin e “historianëve”
të oborrit ideologjik komunist? Pse
vazhdon kjo sjellje e enteve shqiptare akademike si në Shqipëri ashtu edhe në
Kosovë, edhe 35 vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar, ndaj këtyre figurave më
të njohura të mërgatës shqiptare të pas Luftës së II Botërore? Personalitete të nivelit dhe kapaciteteve por edhe
kontributeve historike të Dr Athans Gegajt, Ernest Koliqit, Martin Camajt e
shumë të tjerëve,
Frank Shkreli: Fletërrufeja
kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Me këtë rast të kujtimit të jetës dhe veprimtarisë së Dr
Athanas Gegajt në Nju Jork, iç kam pyetur shpeshherë edhe publikisht në të
kaluarën: pse kjo vazhdimsi e turpshme
përjashtimi të disa prej figurave më të dalluara të Kombit dhe kontributeve të
tyre historike – nga të dy shtetet shqiptare, të cilat sot pretendojnë se janë “demokratike”
dhe në rrugën euro-atlantizmit?
Margjinalizimi zyrtar i figurave kombëtare anti-komuniste si
Dr. Athanas Gegajt, një nga historianët më seriozë shqiptarë të shekullit XX,
ishte një padrejtësi e madhe historike e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Heshtja zyrtare sot ndaj këtyre figurave pas
shembjes së Murit të Berlinit dhe ndryshimeve madhore politike në Evropë pas
vitit 1990, është një turp madhor kombëtar. Ju lutemi enteve zyrtare në Tiranë
dhe Prishtinë: për derisa vazhdoni me
këto qëndrime të politizuara zyrtare ndaj këtyre figurave të mëdha të Kombit,
mos na flisni për shkencë, për histori e drejtësi. Se historia nuk mund të
përdoret
si instrument politik, në shërbim të një dogme ose një tjetre! Heshtja e vazhdueshme
nuk u bën nder!
Urime
e Fondit Humanitar, “Trieshi” për
organizimin e kujtimit të Dr Athanas Gegajt! Uroj që Akademia Përkujtimore me
25 janar në Nju Jork, kushtuar jetës, veprimtarisë dhe kontributit të Dr Gegajt
të jetë një konferencë e denjë dhe të jetë, njëkohsisht, edhe fillimi i një
interesimi më të gjërë në trojet shqiptare për këtë figurë dhe të tjera personalitete
të mërgatës antikomuniste shqiptare të pas Luftës së II Botërore, tani në
amshim, të harruar dhe të përjashtuar. Me qëllimin e doemosdoshëm për të
rivendosur, më në fund, Dr Athanas Gegajn dhe të tjerë si ai, në vendin që u
takon në historiografinë zyrtare shqiptare, për fat të keq, gjithnjë të kontrolluar
dhe të cunguar nga mbeturinat e një sistemi që vazhdojnë të përdorin historinë në
interes të një narrative të caktuar të pushtetit.
Frank Shkreli
--------------------
Cili do ishte sot mesazhi i Gjergj Kastriotit-Skenderbe
për shqiptarët, sipas Dr Athanas Gegajt – marrë nga
një intervistë e tij dhënë Zërit të Amerikës, me rastin e 500-vjetorit te
vdekjes se Skenderbeu – Kjo intervistë është transmetua nga Zëri i
Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968) Intervista e plotë në -- ORA
E SHQYPNISË: Athanas Gegaj Intervistë ne 1968 mbi Gjergj Kastrioti-Skenderbeun
-
VOA: Sipas
mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e
Skëndërbeut për Shqiptarët në kohë të sotme?
GEGAJ: Jeta e veprat e
Skenderbeut janë një shëmbëll i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar.
Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftat e orvatjet për liri, që bëri populli
shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e indipendencës së tij.
Jeta dhe vepra e Skenderbeut janë të
bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara, ashtu edhe
sot, jeta dhe veprat e Skenderbeut janë te bazuara mbi vëllazerim të gjithë
shqiptarëve, mbi lirinë e vendit nga i huaji, mbi të drejtat e barabarta të
çdo qytetari, mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e
traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë
kombëtare.
Për më tepër, Skenderbeu na mëson se
shqiptari nuk do të kursejë gjësend për t’i ardhur në ndihmë një
shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashktë shqiptar, ku secili
të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashigim të parët
tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve, ku secili është zot në shtëpi të
tij dhe kërkon të jetojë me dignitet e në bashkim, ashtu siç na mësoi
Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë
shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë për Atdheun e
Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri, pa u bë skllav i huaj, pa përulur
karakterin burrëror të popullit shqiptar.”
Marrë nga intervista e Dr Gegajt me rastin e 500-vjetorit të
vdekjes së Gjergj Kastrioti - Skenderbeu – transmetuar nga Zëri i
Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968)









