Speciale
Syrja Etemi: Shkupi dardan në dritëhijet e enciklopedisë serbo-kroato-sllovene
E shtune, 10.01.2026, 03:57 PM
SHKUPI DARDAN NË DRITËHIJET E ENCIKLOPEDISË SERBO-KROATO-SLLOVENE
Nga
Syrja ETEMI
Në disponim të atyre pak burimeve të shkruara në gjuhën shqipe për kryeqendrën
e Republikës së Maqedonisë së Veriut - Shkupin, do të shkëpusim kohë e t’u
qasemi shkrimeve të autorëve të huaj në lidhje me të kaluarën e këtij qyteti sa të zëshëm, po aq edhe të
mbuluar me aureolën e misterit dhe pështjellimit. Kësaj radhe do të vë në
spikamë disa dëshmi materiale e të shkruara, që kanë të bëjnë me Shkupin -
kryeqendrën dardane. Ajo që më ka rënë në dorë dhe që më ka lënë mbresa në
përshkrimin dhe prezentimin e të dhënave për këtë qytet, janë burimet që dalin
nga literatura serbo-kroate që, për lajtmotiv kanë Shkupin. E, unë në këtë rast
do t’i azhurnoj e ezauroj dy prej tyre: “NARODNA ENCIKLOPEDIJA” -
Srpsko-hrvatsko-slovena?ka, 1925 dhe “TURSKI SPOMENICI U SKOPLJU” - Gliša
Elezovi?,1925. Me këtë
rast nuk do të lëshohemi në vlerësimet
dhe kualifikimet kuturu se, a janë ato shkrime të vërteta apo jo, a i
nënshtrohen metodologjisë adekuate – të saktësisë shkencore apo jo, por
pretendoj që lexuesit shqiptar t’i ofroj material, të cilat mendoj se do të
jenë me interes, sepse, që në fillim iu
përmbajtja primesës: “Detyrë imja është ta them të vërtetën e, jo t’i detyroj
të tjerët të besojnë në të.” E, në këtë rast, e vërteta është se, shkrimet e
eksploruara janë origjinale e të akceptueshme, ndërsa për përmbajtjen dhe
vërtetësinë gjykoni vet…!
Në shkrimin e parë enciklopedik për Shkupin, kështu shkruajnë hartuesit e
saj:
“SHKUPI, kryeqendër i Serbisë
Jugore, seli e qarkut të Shkupit; gjendet në veriperëndim të rajonit të Fushës
së Shkupit, dhe është i shtrirë në brigjet e Vardarit aty ku bashkohen Treska
dhe Lepenci. Numëron 9.130 shtëpi me 69.269 banorë. SH. ka kryesisht pozitë të
rëndësishme gjeografike. Gjendet në mes të qarkut dhe në vet Gadishullin
Ballkanik, në arterien kryesore transballkanike dhe vardaro - moravase, me të
cilën këtu kryqëzohen edhe shumë rrugë tjera dytësore. Shtrihet në një tokë
shumë të gjërë e pjellore, që bën
bereqet të bollshëm edhe për
vendbanimet dhe rajonet përreth tij. Për këtë, Sh. me këtë pozitë dhe pasuri
mbushulluese, mbetet një qendër e madhe kulturore, bujqësore dhe politike.

SH. paraqitet në epokën e parë historike të Siujdhesës Ballkanike si kryeqendër e fisit ilir të Dardanëve. Është quajtur: S c u p i , sipas të cilit ka mbetur
edhe emri i sotëm i sllavizuar; por edhe nga emri i lashtë dardan i këtij
qyteti, që fare pak ka ndryshuar. Sh k u
p, dëgjohet edhe sot tek Arbanasët…”
Pra, kjo paraqitje faktike për Shkupin si kryeqendër e
fisit ilir të Dardanëve, vet realiteti apodiktiv i theksimit të tij nga
shqiptarët me emërtimin shqip: Sh k u p
- është mjaft indikativ, të cilin fakt sot e anashkalon dhe shtrembëron
historiografia sllavo-maqedonase edhe
pas eksplorimit të dekadës së parë dhe të dytë të këtij shekulli, ku
historianët tanë shqiptarë - vazalë të pushtetarëve ku participojnë edhe
partitë tona politike, vazhdojnë gjumin dhe kllapinë e thellë, mu ashtu si kanë
qejf dhe i destinojnë padronët e tyre.
Të vazhdojmë më tutje shfletimin e
enciklopedisë:
“Në fund të shekullit para Krishtit,
bëhet kryeqytet i Provincës romake Dardania. Me romanizimin e popullatës
rezidente, shumica e qytetarëve të Sh. kanë qenë veteranë të luftës. Shkupi
dardan dhe romak është shtrirë në pjesën më të madhe të qytetit të sotëm, në
fushën ndërmjet fshatit Bardhoc dhe Zlokuçan aty ku Lepenci derdhet në Vardar.
Kështu Shkupin e përparuar romak gati deri në themel e shkatërron tërmeti i
vitit 518 pas Krishtit, dhe, sot akoma mund të gjenden gërmadhat e qytetit të
vjetër-me një mihje të vogël, sidomos në Fushën e gjërë të Bardhocit. Deri më
tani këtu janë zbuluar dhe eksploruar disa ndërtime romake dhe në muzeun e
Shkupit janë locuar disa sarkofagë dhe gurë arkitektonikë.
Në vendin e Sh. antik, perandori
bizantin Justiniani I (527-565) ngriti Sh. e ri. të cilin e ka locuar në anën e
majtë të brigjeve të lumit Vardar në
pjesën më të madhe të Seravës, ku gjindet edhe sot. Justiniani e ngriti Sh.
deri në kulminacionin e qytetit perandorak duke e quajtur atë Justiniana Prima
II. Në të e vendosi selinë e vetadministrimit arqipeskopal me të njëjtin emër,
e në të cilin ka përfshi edhe pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik.
Justiniania si dhe Qytet i Shkupit,
është i gjallë dhe me pozitë të
volitshme ushtarake, gjithashtu- me ujësjellësin e përkryer urban, i murosur me
një stil të admirueshëm bizantin,me rrathë ornamentalë të tullave dhe gurëzve
të radhitur në murin që përshkon tërthorë
Ultësirën e Thatë, në veriperëndim nga qyteti, mbas kazermës së sotme
ushtarake, dhe që përbëhet nga 55 abazhure lustrues të shtyllave të larta, që
mbajnë edhe kanalin e ujësjellësit që në mbarë Sh. e sjellin ujin që nga
bjeshkët e largëta të Malit të Zi. Shkupin Justinia, përshkruesit historikë e paraqesin si qytet
të madh perandorak e të shëndritshëm,
kurse pak më vonë me ndryshimet që pësoi,
emri i bukur i tij sikur zuri të zbehet.
Sllovenët filluan të paraqiten nën
muret e Sh. aty kah fundi i shekullit 6 (gjashtë). Kështu ata filluan të
plaçkisnin, dhe pas shumë atakimeve dhe
luftërave të shumta gati njëshekullore, në fund të shekullit 7 (shtatë)
pushtohet dhe, në të u vendosën përfundimisht.Pas një periudhe të bujshme prej
tri shekujsh Sh. krejt nga fillimi i shekullit 9 u zhvillua në paqë, si një
seli e re bizantine në Povardarje. Nga kjo periudhë e fundit e administrimit
bizantin në Sh. slloven i rëndësishëm është manastiri Shën Pantelejmoni në
fshatin Nerez, në Malin Vodno pas Sh., i ngritur në vitin 1164 si varosh i një
shenjtori nga familja perandorake bizantine e Komnenëve.
Më vonë Sh. pas pak kohe i
bashkangjitet shtetit serb të Rashkës në kohën e Stefan Nemanjës (1189), ai
madje pas një shekulli përfundimisht i bashkangjitet Sërbisë së Vjetër - në
fillim të qeverisjes së mbretit Milutin (1282 deri 1321). Sh. që atëherë shumë
shpejtë bëhet kryeqytet i shtetit serb. Mbreti Milutin në të shumë manastire:
Shën Mëria Trinia, Shën Gjergj Shpejti, Shën Konstantini dhe Shën Jovani. Sidomos
është i njohur manastiri i Milutinit, Shën Gjergj Shpejti, i cili gjendet në
Seravë, në malin Verpin karshi qytetit. Ka qenë i mbushulluar dhe pasuruar nga
mbreti dhe rrethina e Sh. dhe ka shërbyer edhe për fqinjët e rrethinës. Sh. në këtë kohë shndërrohet edhe në një
kryqendër të gjallë tregtare, e panairin (vasharin) e tij e vizitonin
tregtarë vendasë, por edhe të huaj si:
Serbë, madje edhe Grekë, Shqiptarë, Vllehë, Bullgarë dhe Latinë, bile edhe
Raguzianë, Dallmatinasë, Mleqiçë etj. Në Sh. gjendej edhe oborri i mbretit
Stefan Deçani (1321-1331).

Sido qoftë, përparimin më të vrullshëm Sh. e arrin në kohën e Car Dushanit (1331-1355). Në fronin e tij “ në qytetin e shndritshëm dhe mbretëror Sh.”, me aktin (16/4) 1346 u kurorëzua mbreti Dushan si mbret i parë serb, përderisa paraprakisht, në të njëjtin vit në Kuvendin shtetëror në Sh. arqipeshkvia serbe shpallet për patriarkanë. Këtë vit Dushani në Shkup i pasuroi edhe manastiret në Malin e Shenjtë apo Sv. Gora (Hilandar, Esfigmen, Vatoped etj.). Një vit më vonë në Sh. u themelua mitropoliti “ i fronit të parë Shën Trinia të qytetit të përshkënditur Sh. në vend të mitropolisë së vjetër.” Car Dushani ka patur oborrin e tij”nën Sh.”, edhe atë në anën pas shpine të qytetit të Sh. - në Çahri”, madje në anën lindore të kështjellës, në bregun ku janë xhamia e Sulltan Muratit dhe Sahatkulla. Në kuvendin shtetëror në Sh. që u mbajt më maj të vitit 1349, u soll Zakoniku i Dushanit, vepër e rëndësishme e rregullimit të brendshëm shtetëror të mesjetës. Në Sh. kanë patur fronin edhe mbreti Urosh (1355-1371), si dhe mbreti Vuk Brankoviç (1377) e, më vonë edhe Kraleviç Marko. Përkrah shumë manastireve në rrethin e Sh., e veçanërisht në Malin e Zi, këtu më të njohur janë ato të Mrnjaçeviçës: Manastiri i Markut, Shën Dhimitri në Sushicë dhe manastiri Andreash: Shën Andria i Pari andej Matkës - në Treskë.
PËRFUNDIM
Shkrimi mbi Shkupin, i ndriçuar përmes dokumenteve dhe
literaturës serbo-kroato-sllovene të fillimshekullit XX, sjell një pasqyrë të
rëndësishme dhe domethënëse për historinë e këtij qyteti, duke dëshmuar qartë
lashtësinë, vazhdimësinë dhe peshën e tij politike, kulturore dhe qytetëruese
në hapësirën ballkanike. Pavarësisht se burimet e shfrytëzuara nuk janë
shqiptare dhe burojnë nga një kontekst historiografik i pushtuesit serb, ato,
tërthorazi, përmbajnë të dhëna të pakontestueshme që e pohojnë Shkupin si
kryeqendër të Dardanisë ilire dhe si vatër të hershme të qytetërimit autokton.
Enciklopedia “Narodna Enciklopedija” dhe studimi i Gliša
Elezoviçit e paraqesin Shkupin si një nyje strategjike gjeografike dhe
ekonomike, por edhe si një qendër me identitet të formësuar shumë përpara
ardhjes së sllavëve në këto troje. Emërtimi i lashtë Scupi, si dhe ruajtja e formës Shkup në përdorimin popullor
shqiptar, përbën një dëshmi gjuhësore dhe historike me rëndësi të veçantë, që
vërteton vazhdimësinë iliro-shqiptare të qytetit. Ky fakt, megjithëse i pranuar
në burime të huaja, është shpesh i anashkaluar apo i deformuar nga
historiografia zyrtare sllavo-maqedonase dhe, nga mungesa e një qëndrimi më të
guximshëm shkencor shqiptar.
Rrjedha historike e Shkupit, nga kryeqendër dardane dhe
romake, në qytet perandorak bizantin me emrin Justiniana Prima II, e deri te
shndërrimi i tij në kryeqytet të shtetit mesjetar serb, dëshmon për një qytet
që vazhdimisht është përvetësuar, rindërtuar dhe ripërdorur nga pushtete të
ndryshme, por pa ia humbur kurrë rëndësinë e tij themelore. Tërmeti shkatërrimtar i vitit 518, rindërtimi nga Justiniani I,
zhvillimi urban, fetar dhe administrativ, si dhe prania e monumenteve madhore,
flasin për një qytet me jetë të pandërprerë dhe me rol qendror në historinë e
Ballkanit.
Po ashtu, periudha mesjetare serbe,
e dokumentuar gjerësisht në burimet e cituara, dëshmon se Shkupi ishte një
qendër shumëetnike, tregtare dhe administrative, ku përveç elementit serb,
përmenden qartë edhe shqiptarët, grekët, vllehët, bullgarët, latinët e popullsi
të tjera. Kjo shumëllojshmëri rrëzon pretendimet për ekskluzivitet etnik dhe e
vendos Shkupin në kontekstin e tij real historik: si qytet ballkanik me shtresa
të shumta identitare.
Krejtësisht për fund, mund të
rezonojmë se, ky shkrim dëshmon se dokumentet e pushtuesit, kur lexohen me sy
kritik dhe të çliruar nga paragjykimet ideologjike, mund të shërbejnë si burime
të vyera për zbardhjen e së vërtetës historike. Shkupi del nga këto dëshmi, jo
si një krijesë e vonshme sllave, por si një qytet dardan i lashtë, me identitet
të mohuar e të shtrembëruar ndër shekuj, por kurrë të zhdukur. Detyra e
historiografisë shqiptare mbetet që këto fakte t’i nxjerrë nga hija dhe t’i
vendosë në dritën që u takon.









