Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (41)
E diele, 28.12.2025, 06:58 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
LËVIZJA ILEGALE
PATRIOTIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI-CAFO BEG ULQINI (41)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ilegalja
shqiptare, edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk e ndërpreu
veprimtarinë e saj të fshehtë. Përkundrazi, ajo u bë edhe më e vendosur, sepse
çlirimi i supozuar solli jo liri, por zhgënjim të thellë. Shqiptarët, të
shpërndarë nëpër të gjitha trojet e tyre etnike, besuan se gjatë viteve të
luftës, se, pas përfundimit të saj do të realizohej bashkimi me Shqipërinë, një
aspiratë që ishte ushqyer me gjak, me shpresë dhe me sakrificë. Por sapo lufta
mbaroi, iluzioni u tha, dhe e vërteta doli në shesh: bashkimi nuk do të
ndodhte. Trojet shqiptare mbetën të ndara, ndërsa politika federative e
Jugosllavisë filloi të shfaqte fytyrën e saj të vërtetë hegjemoniste.
Ky
zhgënjim, i thellë dhe i papërballueshëm, ndezi pakënaqësi në të gjitha trevat
shqiptare. Populli e kuptoi se ishte përdorur si mjet në luftën kundër
okupatorëve të tjerë, ndërkohë që vetë aspirata kombëtare u anashkalua dhe u
manipulua. Por atdhetarët e përbetuar, ata që kishin luftuar për një ideal më
të lartë se sa pushteti i radhës, nuk u dorëzuan. Nuk u pajtuan me realitetin e
ri politik, nuk e pranuan dhunën, shtypjen dhe padrejtësinë që u vendos mbi ta.
Pakënaqësia
përfshiu çdo cep të trojeve shqiptare — nga Kosova në Maqedoni, nga Lugina e
Preshevës në shqiptarët e Çamërisë — dhe natyrisht, as Mali i Zi nuk mbeti
jashtë kësaj vale të rezistencës. Edhe atje, në zonat ku jetonin shqiptarë, u
ngritën burra e trima që nuk e pranuan heshtjen dhe nënshtrimin. Ata vazhduan
të ndjekin rrugën e ilegalitetit, duke ruajtur idealin e lirisë dhe të
bashkimit kombëtar me të njëjtën vendosmëri si para luftës.
Kështu,
ilegalja shqiptare u shndërrua në një lëvizje të përhershme rezistence — një
vijimësi e natyrshme e aspiratave historike të popullit shqiptar, që refuzoi të
humbiste veten në premtimet e rreme të një rendi të ri politik.
Rastësia
shpesh bëhet urë lidhëse mes dijes së harruar dhe nevojës për ta rikthyer atë
në vëmendje. Gjatë një bisede të zakonshme me një koleg rreth temës së jatakëve
dhe bunkerëve të lëvizjes ilegale shqiptare, fati deshi që bashkëfolësi im të
ishte Prof. Dr. Nail Draga, një njohës i mirë i historisë së Ulqinit dhe i
figurave të tij atdhetare. Si në një bisedë që kërkon të shkojë përtej
përgjithësive, ai më pyeti papritur nëse kisha shkruar për Cafo Beg Ulqinin. Ia
ktheva se kisha dëgjuar për të, por me shkruar diçka më të detajuar, ende nuk e
kisha bë.
I
kërkova, me sinqeritetin e dikujt që kërkon të gjejë sa më shumë të dhëna e
materiale që dokumentojnë veprimtarin dhe aktivitetin e tij të madh, të më
siguronte ndonjë dëshmi apo burim për këtë figurë. Ai u mendua për një çast, në
heshtjen e shkurtër të kujtesës që rrëmon brenda vetes, dhe pastaj reagoi sikur
një dritë e papritur i ishte ndezur: “Po,” më tha, “ka një libër për të. E ka
shkruar zoti Fahri Buqinca.”
Në
ato momente, kujtesa ime u kthye mbrapsht si një film që rrotullohet drejt një
skene të hershme. Mu ringjallën në mendje jo vetëm libri, por edhe figura e
zotëriut të nderuar Fahri Buqinca dhe e zonjës së tij, Naxhije Buqinca, një
grua e madhe në dinjitet dhe modesti. Dhe, si një kujtim që papritur merr formë
të qartë, e kuptova se jo vetëm që e njihja librin, por e ruaja atë me nderim
të veçantë, sepse më ishte dhuruar pikërisht nga ky çift i mrekullueshëm.
Kështu,
një bisedë e rastësishme u shndërrua në një rikthim të rëndësishëm në
dokumentacionin e lëvizjes ilegale dhe në ndriçimin e një figure që meriton
vendin e saj në kujtesën historike. Rastësia, në këtë rast, u bë nxitje për të
hapur një kapitull që pret të shkruhet me rigorozitet dhe respekt.
Zonjën
e nderuar Naxhije Buqincën e kam njohur kaherë, qysh herët në udhëtimet e mia
të jetës e të dijes. Por ndjej të shtoj diçka që shpesh i shpëton fjalëve të
zakonshme: madhështia e vërtetë e njeriut të mirë fshihet në modestinë e tij.
Ajo ishte shembulli më i qartë i këtij virtyti.
Edhe
pse e dija mirë se nga vinte, edhe pse i njihja rrënjët e saj të thella në një
familje të njohur atdhetare — atë të Alibegëve — ajo vetë nuk e përmendi kurrë.
Asnjëherë, ama bash asnjëherë, nuk më ra të dëgjoja nga goja e saj një fjalë
krenarie apo vetëlavdërimi për prejardhjen e saj. Në një kohë kur shumëkush
përpiqet të ndërtojë emrin e vet mbi historinë e të parëve, ajo kishte zgjedhur
heshtjen e dinjitetshme, një heshtje që fliste më shumë se çdo rrëfim.
Kjo
e bënte të veçantë: një grua që mbante brenda vetes një histori të madhe, por
që ecte nëpër jetë me thjeshtësinë e atyre që dinë se vlera e vërtetë nuk ka
nevojë për zë.
Sapo
u ktheva në shtëpi, ndjeva një ngut të brendshëm për ta kërkuar librin, siç
kërkohet një dëshmi e harruar që pret të rikthehet në qarkullim mendimi. E
gjeta aty ku e kisha lënë prej kohësh, dhe me një frymë e lexova nga faqja e
parë deri te e fundit, sikur secili rresht të më ftonte drejt një zbulimi të
ri. Gjatë leximit, nënvizoja me kujdes çdo fragment që më dukej me rëndësi—çdo
datë, çdo rrëfim, çdo detaj që mund të shërbente si dritë orientuese për këtë
trajtesë të shkurtër mbi rolin e atdhetarëve dhe jatakëve të tyre dhe
funksionimin e bunkerëve të ilegalistëve shqiptarë. Pastaj hapa laptopin tim të
vogël, mikun i cili asnjëherë nuk më lë në balt kur bëhet fjalë për të dhënat
që i kërkoi, dhe para meje u shfaqen shkrime e shkrime për lëvizjen ilegale
patriotike shqiptare që ka veprua në tokat shqiptare në Mal të Zi.
Aty,
në shënimet e mia të reja mbi një libër që tashmë e kisha në duar, filloi të ndërtohej korniza e
hulumtimit: një përpjekje për të rikthyer në vëmendje një segment të padukshëm
të historisë sonë, atë të njerëzve të heshtur që dhanë strehë, siguri dhe
mbështetje për lëvizjen ilegale, duke u bërë shtylla të padukshme të
rezistencës. Leximi i librit nuk ishte vetëm rikujtim; ishte një rikthim te
burimi i së vërtetës, një hap për të ndërtuar rrëfimin që synon të ndriçojë
këtë kapitull të errësuar të historisë sonë kolektive.
Kush ishte Cafo Beg Ulqini
Figura
e Cafo Beg Ulqinit zë një vend të veçantë në mozaikun e personaliteteve
shqiptare që i shërbyen çështjes kombëtare me vendosmëri, mençuri dhe
sakrificë. Ai rridhte nga një familje e njohur atdhetare dhe tregtare, një
trashëgimi që i kishte rrënjët në traditën e Ulqinit, qytetit ku lindi dhe ku u
formësua identiteti i tij i hershëm. Cafo ishte biri i Osmanit dhe i nënës
Verë, e cila vinte nga familja e njohur Shurdha e Ulqinit—dy trungje familjare
që në heshtje i kishin vënë themelet e një edukimi të fortë qytetar e kombëtar.
I
lindur më 1893, ai u pagëzua me emrin Mustafë, por me kalimin e viteve, në
qarqet zyrtare dhe në gojëdhënën popullore, identiteti i tij mori forma të
tjera, duke u njohur gjerësisht si Cafo Begu, Cafo Ulqini, Cafo Beg Ulqini ose
Cafo Alibegu. Këto shumësi emërtimesh nuk janë thjesht variante onomastike; ato
dëshmojnë shtrirjen e ndikimit të tij dhe vlerësimin që gëzonte mes
bashkëkohësve, qofshin ata zyrtarë, veprimtarë apo njerëz të thjeshtë që e
përmendnin me respekt.
Megjithëse
i lindur në Ulqin, veprimtaria e tij atdhetare mori kahe të gjera, duke u
zhvilluar kryesisht në Shqipëri dhe në Mal të Zi. Ai i përkiste brezit të
njerëzve të formuar në kohë të turbullta, kur kufijtë politikë nuk përputheshin
me kufijtë shpirtërorë të kombit, dhe ku vendosmëria individuale shpesh bëhej
forca e vetme që mbante gjallë aspiratat për liri dhe vetëvendosje.
Kështu,
ndërsa emri i tij ndryshonte sipas rrethanave, qëndrimi i tij ndaj çështjes
kombëtare mbeti i pandryshueshëm: i palëkundur, parimor dhe i rrënjosur në
idealet e një familjeje që kishte ditur të ndërthurte traditën tregtare me atë
patriotike. Cafo Beg Ulqini mbetet kështu një figurë që meriton rishikim dhe
rivlerësim në studimet historike, si një nga ata njerëz që e jetuan atdhetarinë
jo si simbolikë, por si mënyrë ekzistence.
Fati,
me lëvizjet e tij të papritura, e udhëhoqi jetën e Cafo Beg Ulqinit drejt tri martesave,
si një mozaik i ndërlikuar ngjarjesh që pasqyrojnë si rrethanat shoqërore të
kohës, ashtu edhe udhëtimin e tij të brendshëm. Megjithatë, vetëm martesa e
tretë do të rezultonte kyçe në strukturimin e jetës së tij familjare. Ai u
martua me Mejremen, vajzën e Dervish Omerbashiqit, një personalitet i
rëndësishëm i kohës, që shërbente si kryetar i bashkisë së Tivarit. Kjo lidhje
bashkoi dy familje me peshë të dukshme në jetën qytetare dhe politike të
rajonit, duke krijuar një mjedis që ndërthurte trashëgiminë kulturore me
ndikimin publik.
Nga
kjo martesë lindën dy vajza, të cilat, secila në mënyrën e vet, bartën gjurmë
nga karakteri i fortë dhe vizioni i gjerë i familjes së tyre.
E
para, Lirija, e lindur në vitin 1941, ndoqi rrugën e arsimit të lartë duke
përfunduar studimet në Fakultetin e Stomatologjisë. Ajo e ndërtoi jetën dhe
karrierën e saj në Sarajevë, ku jetoi dhe punoi për gjithë periudhën e saj
aktive, duke mishëruar shembullin e gruas profesioniste që kontribuon në
shoqëri përtej kufijve të origjinës së vet.
E
dyta, Aida, e lindur në vitin 1943, jetoi në Bartull të Tivarit. Ajo kishte
përfunduar shkollën e mesme dhe ishte punësuar si nënpunëse, duke qenë pjesë e
asaj strukture të heshtur të administratës lokale që mbante në funksion jetën
institucionale të komunitetit. Edhe pse pa një profil profesional të spikatur
si motra e saj, roli i Aidës mbetet pjesë e rëndësishme e narrativës familjare,
duke dëshmuar kontributin e grave në sferat e përditshme të jetës shoqërore.
Kështu,
rrëfimi familjar i Cafo Beg Ulqinit shpaloset jo vetëm si biografi personale,
por si një dritare për të kuptuar sfondin historik, shoqëror dhe kulturor të
Ulqinit, Tivarit dhe më gjerë—një rrjet marrëdhëniesh dhe përvojash që pasqyron
dinamizmin e kohës në të cilën ai jetoi.
Në
gjenealogjinë e familjes së Cafo Beg Ulqinit, një vend të rëndësishëm zë vëllai
i tij, Hodoja, i lindur më 1898. Si shumë burra të brezit të tij, ai shpalosi
në jetën familjare dhe shoqërore një vazhdimësi të vlerave tradicionale
ulqinake, ku familja, puna dhe ndershmëria formonin shtyllat mbi të cilat
mbështetej identiteti i popullit të tij.
Hodoja
ishte i martuar me Meleqen, një grua nga Ulqini, e cila, sipas zakoneve të
kohës, mbajti jo vetëm barrën e familjes së gjerë, por edhe rolin e ruajtjes së
kohezionit dhe kulturës familjare. Martesa e tyre u bekua me një familje të
madhe, të përbërë prej dy djemve dhe katër vajzave, një strukturë që në
traditën shqiptare shihej si pasuri dhe bekim.
Djemtë,
Kabili dhe Ruzhdiu, mbartnin në emrin dhe edukimin e tyre pritshmërinë e
vazhdimësisë së trungut mashkullor, ndërsa vajzat—Eklemaja, Dilaverja, Naxhija
dhe Hinda—përfaqësonin atë dimension të heshtur, por thelbësor, të familjes
shqiptare, ku roli i gruas shfaqej si bosht i brendshëm i moralit, mikpritjes
dhe qëndrueshmërisë shoqërore.
Nëpërmjet
këtij profili familjar, shpaloset jo vetëm struktura e një dere ulqinake në
fillimshekullin XX, por edhe dinamika e një mjedisi ku lidhjet e gjakut,
tradita dhe përgjegjësitë ndërbrezore krijonin themelet e solidaritetit në mes
tyre. Historia e Hodos dhe e fëmijëve të tij plotëson kështu mozaikun e gjerë
të familjes Alibegu, duke e bërë më të qartë sfondin shoqëror dhe kulturor në
të cilin u formësua edhe vetë figura e Cafo Beg Ulqinit.
Është
e domosdoshme të ndalet vëmendja edhe mbi figurën e Osmanit, babait të Cafo Beg
Ulqinit, të cilin bashkëqytetarët e Ulqinit e quanin me përkëdheli Osoja. Ai
njihej si një detar i zoti, pjesë e asaj tradite të lashtë ulqinake që e kishte
detin jo vetëm si mjet jetese, por si pjesë të identitetit kolektiv. Profili i
tij si lundërtar shënon jo vetëm përvojën personale në udhëtimet detare, por
edhe një trashëgimi të rrënjosur thellë në kulturën e familjes dhe të komunitetit.
Familja
e tij zotëronte dy anije, një pasuri e konsiderueshme për kohën dhe një tregues
i aftësisë për të qenë pjesë aktive e rrjeteve tregtare që lidhën brigjet e
Adriatikut me botën më të gjerë mesdhetare. Kjo veprimtari detare nuk ishte as
e rastësishme dhe as e izoluar: ajo përfaqësonte një mënyrë jetese, një
mjeshtëri të përcjellë brez pas brezi, e cila e kishte vendosur Ulqinin në një
rol të rëndësishëm ekonomik dhe kulturor.
Përveç
kësaj, familja merrej edhe me tregti tokësore. Selimi, axha i Cafo-s,
administronte një dyqan, duke e shtrirë veprimtarinë ekonomike të familjes nga
deti drejt qendrës urbane. Ky kombinim i lundrimit dhe tregtisë tregon një
model familjar tipik për Ulqinin e asaj kohe: një bashkërendim i dijes së detit
me mjeshtërinë e tregtisë, një ekonomi që lëvizte ndërmjet valëve dhe tokës së
trashëguar.
Duke
parë këtë sfond, bëhet më e qartë se nga vinin horizontet e gjera të Cafo Beg
Ulqinit. Ai u formua brenda një familjeje që jetonte në ritmin e hapësirave të
gjera, që kuptonte lidhjen mes punës, dinjitetit dhe qarkullimit të ideve. Ky
trashëgim familjar i dha jo vetëm mundësitë, por edhe strukturën mendore për të
vepruar më vonë në shërbim të çështjes kombëtare.
Fatkeqësitë,
në rrjedhën e jetës njerëzore, kanë prirjen të shfaqen papritur, pa
paralajmërim, si thyerje të heshtura të rendit që duket i qëndrueshëm. Kështu
ndodhi edhe në familjen e Cafo Beg Ulqinit. Në moshën vetëm 13-vjeçare, Cafoja
humbi babanë—figura qendrore e jetës familjare dhe mbajtësi kryesor i ekonomisë
së shtëpisë. Ndërkohë, vëllai i tij, Hodoja, ishte veç 8 vjeç, ende në moshën
kur fëmijëria duhej të ishte streha e vetme, jo sfida.
Me
vdekjen e babait, mbi familje ranë hijet e para të vështirësive. Gjendja
ekonomike filloi të lëkundej, duke e zbuluar brishtësinë e një shtëpie tashmë
pa shtyllën e saj kryesore. Ajo që deri dje ishte rrjedhë normale e jetës—punët
e detit, tregtia, siguria që vinte prej të ardhurave—u zëvendësua nga ankthi i
përditshëm se si do të përballoheshin nevojat elementare.
Në
këtë realitet të ri, fëmijëria e Cafos u ndërpre para kohe. Ai, ende një
djalosh që duhej të ishte mes lojërave dhe shkollës, u detyrua t’i përgjigjej
thirrjes së domosdoshmërisë: të hynte në detari si shegert. Kjo nuk ishte
thjesht zgjedhje, por imponim i rrethanës—një përpjekje për të mbajtur familjen
gjallë. Që nga ai moment, jeta e tij u lidh ngushtë me detin: jo më si
trashëgimi e qetë familjare, por si punë e rëndë dhe sfidë e përditshme.
Ky
hap i hershëm drejt botës së punës shënoi fillimin e formimit të karakterit të
tij: qëndrueshmërinë, përkushtimin dhe aftësinë për t’u përballur me valët—si
ato të detit, ashtu edhe të fatit. Në këtë mënyrë, historia personale e Cafos
ndërthuret me atë të mijëra fëmijëve shqiptarë të atyre viteve, për të cilët
rritja nuk ishte proces i ngadaltë, por një braktisje e menjëhershme e
fëmijërisë për t’u përballur me realitetin e jetës.
Dhjetë
vjetët që pasuan, të shënuara nga puna e pandërprerë në detari e Cafos dhe e
vëllait të tij, përbëjnë një kapitull të rëndësishëm në historinë e kësaj
familjeje. Këto nuk ishin vetëm vite pune fizike, por vite të mbushura me
sakrificë, mësim, përvojë dhe një pjekuri të imponuar nga nevoja. Deti, që
dikur ishte trashëgimi e qetë familjare, u shndërrua në punishten ku dy djem të
rinj formuan karakterin e tyre duke u përballur me sfidat e tij të
paparashikueshme.
Kontributi
i tyre u reflektua dukshëm në përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjes.
Ajo që kishte filluar si një përpjekje për mbijetesë, me kalimin e kohës u bë
burim stabiliteti. Çdo udhëtim, çdo ditë pune mbi valë ishte një hap drejt
rimëkëmbjes, një dëshmi e fuqisë së solidaritetit familjar dhe e vendosmërisë
që s’e dorëzoi familjen përballë vështirësive.
Këto
dhjetë vite ishin më shumë se periudhë pune: ato përfaqësojnë transformimin e
dy vëllezërve nga fëmijë të goditur nga humbja në burra që ringritën shtëpinë e
tyre me mund e dinjitet. Në këtë mënyrë, puna e tyre në det nuk ishte vetëm
përpjekje ekonomike, por një akt i heshtur rezistence ndaj kushteve të jetës
dhe një dëshmi e forcës së njeriut për të kapërcyer rrethanat.
Me
përfundimin e Luftës së Parë Botërore, hapësirat shqiptare përjetuan një ndarje
të padrejtë territoriale, e cila u bë plagë e hapur në vetëdijen kombëtare.
Kufijtë e rinj, të vendosur pa marrë parasysh strukturën etnike dhe historike
të popullsisë, krijuan zhgënjim të thellë ndër shqiptarët, të cilët panë të
cenuar integritetin territorial të vendit. Kjo padrejtësi politike nuk mund të
kalonte pa reagim, sidomos nga ata që e kishin në zemër idealin e lirisë dhe
bashkimit kombëtar.
Në
këtë atmosferë të rënduar, edhe Cafo Beg Ulqini u ndje i trazuar dhe i
pakënaqur. Idealet e tij nuk lejonin heshtje përballë copëtimit të trojeve
shqiptare. I shtyrë nga ndjenja e përgjegjësisë, ai, së bashku me një grup bashkëluftëtarësh,
del në mal, duke zgjedhur rrugën e rezistencës aktive. Ishte koha kur
atdhetaria nuk mund të mbetej fjalë, por kërkonte angazhim të drejtpërdrejtë.
Në
këtë periudhë, Cafoja luajti rol qendror në organizimin e një Kongresi për
Mbrojtjen e Tokave Etnike, një përpjekje historike që synonte të artikulonte
kërkesat e popullit dhe të mobilizonte energjitë kombëtare. Nga ky kongres, ai
dha një kushtrim që u përhap si thirrje e shenjtë në të gjithë trevat përreth.
Ai ftoi banorët e Tivarit, Krajës, Anës së Malit, Shtojit, Garanës, Kunjës,
Peçurisë, Shestanit dhe të gjithë Bregut të Bunës që të përgatiteshin për
luftë, duke mbajtur gjallë idealin e bashkimit me Shqipërinë.
Thirrja
e tij ishte e qartë dhe pa ekuivoke: të gjithë të bëheshin gati “me Shqipni me
u bashkua.” Kjo frazë, e thjeshtë në formë por e fuqishme në domethënie,
përfaqësonte aspiratën e një populli të tërë, që pavarësisht kufijve politikë,
ruante ndjenjën e përbashkësisë etnike dhe historike.
Kështu,
veprimtaria e Cafos në këtë periudhë nuk ishte vetëm akt rebelimi, por një
ndërmarrje e organizuar politike dhe kombëtare, që synonte të ruante
identitetin dhe integritetin e trojeve shqiptare përballë rrethanave të
padrejta të pasluftës.
Në
verën e vitit 1923, për datën 19 gusht, ishin shpallur zgjedhjet lokale, një
moment i rëndësishëm për jetën politike të Ulqinit dhe për vetë shqiptarët e
kësaj treve. Në këtë kohë, Cafo Beg Ulqini gjendej jashtë vendit, në Itali, për
shkak të angazhimeve të tij tregtare—një aktivitet që përbënte pjesë thelbësore
të jetës ekonomike të familjes së tij. Mirëpo, kushtet e pafavorshme
atmosferike dhe dallgët e forta e vonuan kthimin e tij; ai arriti në Ulqin
vetëm më 21 gusht.
Sapo
mbërriti, e priti një lajm që do të shënonte një kthesë të rëndësishme: Cafo Begu
kishte fituar zgjedhjet për kryetar bashkie. Ky rezultat tregonte besimin që
shumica e qytetarëve shqiptarë kishin ndaj tij, si një figurë e njohur për
ndershmëri, aktivitet shoqëror dhe angazhim kombëtar.
Megjithatë,
fitorja e tij nuk u përjetua njësoj nga të gjithë. Popullata malazeze në Ulqin
reagoi me ashpërsi, duke organizuar protesta dhe duke bllokuar rrugët e
qytetit. Ata kundërshtonin me ngulm idenë që një shqiptar të merrte drejtimin e
bashkisë, duke shprehur hapur rezistencë etnike dhe politike. Ky tension
pasqyronte dinamikat e brishta të kohës, ku përplasjet identitare shpesh
merrnin formë në nivel institucional.
I
vetëdijshëm për seriozitetin e situatës dhe duke mos dashur që fitimi i tij të
shkaktonte përshkallëzim të konfliktit, Cafoja u nis me urgjencë për në Tivar,
ku kërkoi takim me prefektin. Ai paraqiti argumentet e tij me qetësi dhe
vendosmëri, duke u mbështetur në parimin e zgjedhjes së lirë dhe në
legjitimitetin që i kishte dhënë vota e qytetarëve.
Prefekti
i Tivarit reagoi menjëherë dhe me qartësinë e burrështetasit që respekton
rendin demokratik: ai urdhëroi që kryetar bashkie duhet të ishte Cafo Begu,
ngase zgjedhjet ishin zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe rezultati i tyre
ishte i pakontestueshëm.
Kështu,
përkundër rezistencës dhe tensioneve etnike, triumfoi parimi i ligjshmërisë dhe
i respektimit të vullnetit qytetar. Fitorja e Cafo Begut në këtë kontekst merr
dimension më të gjerë se sa një mandat politik: ajo përfaqëson një moment të
rëndësishëm të afirmimit të identitetit shqiptar në hapësirat e Ulqinit dhe të
drejtës së tyre për përfaqësim institucional.
Zgjedhja
e Cafo Beg Ulqinit si kryetari i parë shqiptar i këtij qyteti shënoi një moment
historik dhe një gëzim të veçantë për komunitetin shqiptar të Ulqinit dhe
rrethinës. Për herë të parë, një përfaqësues i shumicës shqiptare merrte
drejtimin e një institucioni kyç lokal, duke simbolizuar jo vetëm një arritje
politike, por edhe afirmimin e identitetit dhe të drejtave të tyre në një
hapësirë ku shpesh ishin ndjerë të nënvlerësuar. Detyrën e mori zyrtarisht më
26 gusht 1923, duke hapur kështu një kapitull të ri në historinë administrative
të qytetit.
Mirëpo,
ky zhvillim nuk u prit me entuziazëm nga popullsia malazeze e Ulqinit. Për ta,
ardhja e një shqiptari në krye të bashkisë përfaqësonte një thyerje të rendit
të kahmotshëm dhe humbje të pozicioneve të privilegjuara. Kjo kundërshti nuk
ishte thjesht politike; ajo kishte rrënjë të thella etnike, kulturore dhe
psikologjike. Në këtë kuadër, fakti që një shqiptar kishte fituar në mënyrë
demokratike binte ndesh me perceptimet e tyre për hierarkinë shoqërore dhe për
“të drejtën e pashkruar” të dominimit administrativ.
Ky
tension i brendshëm, i ushqyer nga mllefi dhe mospranimi, krijoi terren për
armiqësi të hapur. Është pikërisht në këtë klimë konflikti latent që, siç
dëshmojnë rrëfimet e kohës, mund të ketë lindur ideja fatale se Cafo Begu duhej
eliminuar. Mospajtimi me udhëheqjen e tij nuk mbeti vetëm në nivel retorik; ai
u shndërrua në një projekt të rrezikshëm për ta përjashtuar nga skena në
mënyrën më drastike të mundshme.
Kështu,
momenti i triumfit për shqiptarët u përzije me errësirën e rrezikut. Fitorja e
Cafos ishte jo vetëm një fitore politike, por edhe shkas për përshkallëzim të
një konflikti etno-politik që do të linte pasoja të thella në jetën e tij dhe
në historinë e Ulqinit.
Të
jesh kryetar i një qyteti si Ulqini kërkon përkushtim të përditshëm dhe aftësi
për të përfaqësuar e shërbyer gjithë popullsinë pa dallim. Në këtë sfond,
figura e Cafo Beg Ulqinit shquhej në mënyrë të veçantë. Ai njihej si njeri i
matur dhe i mençur, një humanist në veprim, diplomat i aftë në ndërtimin e
ekuilibrave shoqërorë dhe, mbi të gjitha, si burrë me guxim të rrallë.
Udhëheqja për të nuk ishte privilegj, por përgjegjësi, një detyrim moral që e
shihte të lidhur ngushtë me të ardhmen e qytetit të tij.
Në
krye të bashkisë, Cafoja qëndroi plot 20 vjet, një periudhë e gjatë dhe e
qëndrueshme që flet vetë për besimin që gëzonte te komuniteti. Gjatë këtyre dy
dekadave, Ulqini ndryshoi ndjeshëm. Ai përjetoi një transformim të dukshëm
administrativ dhe shoqëror, ku puna e tij si kryetar la gjurmë të prekshme.
Një
ndër arritjet më të rëndësishme ishte ulja e tensioneve dhe zbutja e ndasive
nacionale, të cilat dikur e kishin trazuar qytetin. Me udhëheqjen e tij
përfshirëse dhe vizionin e tij diplomatik, Cafoja krijoi hapësira bashkëpunimi
aty ku më parë kishte dyshim, distancë apo mosbesim.
Po
ashtu, gjatë mandatit të tij u bë e mundur që në administratën shtetërore të
punësoheshin shumë shqiptarë, duke u dhënë atyre hapësirën e merituar në
strukturat vendimmarrëse. Ky ndryshim nuk ishte vetëm formal; ai i dha
popullsis shqiptar ndjenjën e dinjitetit dhe të barazisë institucionale, duke
ndikuar drejtpërdrejt në klimën e përgjithshme shoqërore.
Falë
kësaj qasjeje, shqiptarët në Ulqin gëzonin më shumë respekt, zë më të fuqishëm
dhe rol të dukshëm në ndërtimin dhe zhvillimin e qytetit. Ata punonin dhe
kontribuonin me përkushtim për vendin e tyre, jo më si komunitet i
margjinalizuar, por si pjesë e pandashme dhe aktive e jetës qytetare.
Në
këtë mënyrë, periudha njëzetvjeçare e udhëheqjes së Cafo Beg Ulqinit mbetet një
kapitull i rëndësishëm në historinë e Ulqinit—një kohë e transformimeve të
qëndrueshme, e diplomacisë së mençur dhe e një përpjekjeje të përditshme për të
ndërtuar një qytet më të drejtë, më të bashkuar dhe më demokratik.
Vijon









