Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (37)
E hene, 22.12.2025, 04:59 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
DASMA NË BUNKER- KUSH
ISHTE UKSHIN KOVAQICA (37)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari
shaljan Ukshin Kovaçica lindi në vitin 1904, në fshatin Kovaçicë të Shalës së
Bajgorës – një trevë që historia shqiptare e njeh si vatër të pashuar të
qëndresës. Në këtë krahinë, ku malet ngritën kështjellë e nderi, popullsia e
Mitrovicës dhe e rrethinës ka mbajtur barrën më të rëndë të mbrojtjes kombëtare.
Shaljanët, brez pas brezi, u shquan si njerëz të gatshëm që të ngrihen në këmbë
sa herë që rreziku rëndonte mbi atdhe, digë e pathyeshme kundër çetave çetnike,
mburojë e një toke që ata e quajnë të shenjtë. Burrat dhe gratë e kësaj ane, të
stërvitur nga historia në guxim e nder, lanë prapa vepra që ende sot përmenden
me krenari në gojën e popullit.
Ukshin
Kovaçica vinte nga një familje e njohur për traditën e saj të përhershme të
rezistencës. Ishin kushërinj të Isa Boletinit, një fakt që e afronte Ukshinin
me njërën prej figurave më emblematike të atdhetarizmit shqiptar. Edhe babai i
tij, Nuhë Kovaçica, kishte qenë luftëtar i palodhur: dy herë i plagosur në
betejat e zhvilluara në kullën e Isa Boletinit dhe përherë i pranishëm në vijën
e parë të mbrojtjes ndaj çetave që synonin shuarjen e shqiptarëve. Ai jetoi dhe
u flijua në luftë kundër pushtuesve, duke mishëruar fatin e shumë brezave të
kësaj treve: luftë të pandërprerë kundër çdo ushtrie që tentonte t’i zinte
frymën Kosovës – qoftë ajo turke, qoftë serbe.
Rritur
në këtë mjedis burrërie e sakrifice, Ukshin Kovaçica trashëgoi jo vetëm emrin,
por edhe amanetin e përhershëm të rezistencës. Ai u edukua me rrëfimet e
betejave dhe me shembullin e babait të tij, i cili e mbrojti tokën shqiptare
deri në frymën e fundit. Kështu, pritej që Ukshini i ri të ishte vazhdim i
natyrshëm i kësaj historie heroizmi.
Dhe
kështu ndodhi. Pas vitit 1945, kur Kosova pa vullnetin e saj u rikthye nën
thundrën jugosllave, Ukshin Kovaçica nuk e uli pushkën, as u pajtua me padrejtësinë.
Me një përkushtim që buronte nga tradita e familjes dhe nga ndjenja e thellë e
dinjitetit kombëtar, ai vazhdoi rezistencën antijugo¬sllave, duke u bërë një
ndër figurat më të vyera të rezistencës së pasluftës. Tek ai u mishëruan
virtytet e brezave të mëparshëm, ndërsa guximi i tij u shndërrua në një
kapitull të ri të qëndresës shqiptare në Shalë të Bajgorës.
Kështu,
jeta dhe veprimtaria e Ukshin Kovaçicës qëndrojnë në një vijë të pandërprerë të
heroizmit shaljan – një rrëfim që nga e kaluara ushqen kujtesën tonë kombëtare
edhe sot. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ukshin Kovaçica u shqua si një ndër
figurat kyçe të mbrojtjes së trojeve etnike në Shalë të Bajgorës dhe më gjerë.
Ai udhëhoqi komandën e xhandarmërisë në Bare, duke marrë përsipër një barrë të
rëndë në një kohë të trazuar, kur kufijtë politikë ndryshonin me shpejtësi dhe
popullsia shqiptare gjendej e ekspozuar para rreziqeve të njëpasnjëshme.
Ukshini nuk ishte thjesht një komandant në detyrë; ai ishte drejtues i një
rezistence që buronte nga nderi dhe përgjegjësia historike.
Nën
udhëheqjen e tij, forcat vullnetare shqiptare zmbrapsën sulmet e çetave çetnike
në veri të Kosovës, duke i mbrojtur me vendosmëri kufijtë e trojeve etnike.
Betejat e zhvilluara në zonën e Pazarit të Ri e më gjerë mbeten dëshmi e fortë
e guximit të tij dhe e sakrificës së shumë vullnetarëve që e ndiqnin. Ato nuk
qenë thjesht përleshje lokale, ishin akte të mirëfillta mbrojtjeje të popullit
shqiptar nga një strategji e gjerë e zhdukjes së tij.
Por
heroizmi i Ukshin Kovaçicës nuk mbaron me përfundimin e luftës. Përkundrazi,
epoka më e rrezikshme e veprimtarisë së tij fillon pikërisht pas vitit 1944,
kur në Kosovë instalohet regjimi komunist jugosllav dhe fillon fushata
sistematike e shtypjes ndaj shqiptarëve. Ndaj këtij realiteti të ri, Ukshini
nuk heshti e nuk u pajtua. Ai u rreshtua sërish në vijën e parë të qëndresës,
duke formuar një grup të rezistencës dhe duke iu bashkuar Ahmet Selacit, një
emër tjetër i shquar i lëvizjes antijogosllave të asaj kohe.
Në
këtë fazë, Ukshin Kovaçica nuk ishte thjesht një luftëtar i vjetër që vijonte
traditën. Ai ishte pjesë e një Lëvizjeje Çlirimtare që shtrihej ndërmjet dy
luftërave botërore dhe që kishte për qëllim ruajtjen e identitetit shqiptar dhe
mbrojtjen e të drejtave të popullit në një periudhë dhune, represioni dhe
padrejtësie flagrante. Ai kishte qenë pjesë e formacioneve vullnetare në vitet
1941–1944, të cilat u përpoqën të kthenin stabilitet dhe siguri në trojet
shqiptare, ndërsa pas vitit 1944, kur Kosova u aneksua pa dëshirën e saj në
Jugosllavi, Ukshini u bë një shtyllë e qëndresës që kërkonte çlirimin e tokave
të pushtuara.
Në
këtë mënyrë, figura e Ukshin Kovaçicës shfaqet si një vijë e pandërprerë
rezistence — prej Lëvizjes Çlirimtare të periudhës së mes luftës, te lufta
kundër çetnikëve gjatë pushtimit, e deri te rezistenca e pasluftës ndaj
aneksimit jugosllav. Ai mishëron tiparin më të thellë të luftëtarit shqiptar:
vendosmërinë për të mos u përkulur, pavarësisht epokës, rreziqeve apo regjimeve
që ndryshonin.
Trashëgimia
e tij është, pra, më shumë se një rrëfim individual, është vazhdimësi e
shpirtit të Shalës së Bajgorës dhe e rezistencës shekullore të popullit
shqiptar.
Përveç
angazhimeve të shumta që e karakterizonin figurën e tij si luftëtar i
pandalshëm, Ukshin Kovaçica mbante mbi supe edhe përgjegjësi të nivelit të
lartë udhëheqës. Ai shërbente si komandant i grupit të tretë të Divizionit të
Ibrit dhe njëkohësisht ishte anëtar i Shtabit Suprem të Forcave Ushtarake të
Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, nën komandën e Shaban Polluzhës — një
nga figurat më emblemë të rezistencës shqiptare në vitet e pasluftës.
Në
këtë hierarki të rëndësishme ushtarake, Ukshin Kovaçica kishte rol të
pakontestueshëm strategjik. Ai nuk ishte vetëm një burrë i armëve, por një
mendje organizuese, që koordinonte rezistencën në një nga zonat më të
ekspozuara ndaj operacioneve jugosllave.
Kjo
u dëshmua fuqishëm më 27 janar të vitit 1945, në një nga betejat më të
përgjakshme dhe më simbolike të Shalës së Bajgorës: rrethimi i hekurt i Kovaçicës
dhe i kullës së Ukshin Kovaçicës. Ajo kullë, e cila ndër shekuj kishte qenë
vatër burrërie dhe mbrojtjeje, u shndërrua sërish në fortesë të rezistencës
shqiptare. Luftimet e zhvilluara këtu zgjatën mbi njëmbëdhjetë ditë — një kohë
e gjatë dhe rraskapitëse që flet qartë për intensitetin e rezistencës dhe
vendosmërinë e burrave që mbroheshin brenda saj.
Sipas
të dhënave jugosllave — të cilat zakonisht minimizonin humbjet e veta — vetëm
në betejën e kullës së Ukshin Kovaçicës kishin rënë 45 ushtarë, mes tyre një
kapiten dhe një major, ndërsa rreth 200 të tjerë figuronin të humbur. Humbjet e
armikut ishin edhe më të mëdha në përleshjet e tjera të zhvilluara paralelisht
në Bare dhe në male të ndryshme të Shalës së Bajgorës, ku sipas dokumenteve
zyrtare ishin vrarë edhe 120 ushtarë të tjerë jugosllavë.
Këto
shifra, të cilat flasin më shumë se çdo rrëfim, dëshmojnë se në Shalën e
Bajgorës nuk po zhvillohej vetëm një luftë e zakonshme. Aty po përplaseshin dy
botë: njëra që kishte dalë për të zhdukur identitetin shqiptar, dhe tjetra që,
përmes njerëzve si Ukshin Kovaçica, betohej se do të qëndronte në këmbë deri në
pikën e fundit të gjakut. Në këtë kontekst, Ukshin Kovaçica ngrihet si figurë
emblematike e një rezistence që nuk e njihte dorëzimin, dhe kullat e tij si
simbole të qëndresës shekullore shqiptare kundër çdo pushtimi.
Ukshin
Kovaçica, si një ndër figurat më të spikatura të rezistencës së Shalës së
Bajgorës, u përball me disa nga betejat më të ashpra të kohës. Kronikat e asaj
periudhe përmendin se luftimet më të rëndësishme dhe më të përgjakshme i
zhvilloi fillimisht në kullën e vet — atë fortesë shekullore që shtëpitë
shqiptare e shndërronin gjithmonë në simbol të qëndresës — për të vazhduar më
pas në Vesekovcë, në Firishte, te Guri i Mullirit, në Barel, te Guri i Sokolit,
në Batahir dhe në shumë pika të tjera të rajonit, ku çdo pëllëmbë toke duhej
mbrojtur me gjak.
Secila
prej këtyre betejave përbën një kapitull të veçantë në historinë e rezistencës,
sepse aty nuk luftohej vetëm për mbijetesë fizike, por për një ideal të
pandashëm: mbrojtjen e tokës dhe të dinjitetit kombëtar.
Në
këtë sfond të rëndë, të përshkuar nga dhunë, rrethime dhe represione, më 11
gusht 1946 ndodh një ngjarje vendimtare: falë iniciativës së Ahmet Selacit, në
malet e lira të Kosovës u formua Divizioni i Ibrit — një strukturë e organizuar
ushtarake e rezistencës shqiptare, që synonte t’i jepte luftës një karakter më
të koordinuar dhe më të qëndrueshëm.
Mbledhja
themeluese u mbajt në malin e fshatit Senjak të Vushtrrisë. Aty ishin tubuar
figura të njohura të rezistencës: Ahmet Selaci, Hilmi Zariqi, Brahim Luta,
Istref Sheqa, Muhamet Meqa, Shaqir Zariqi dhe shumë të tjerë. Qëllimi ishte i
qartë: të krijohej një shtab që do t’i jepte drejtim strategjik përpjekjeve të
armatosura kundër pushtetit jugosllav.
Ndër
zërat më të rëndësishëm të asaj mbledhjeje del qartësisht Ukshin Kovaçica. Ai
nuk ishte thirrur aty rastësisht; ishte prania e një burri me autoritet, me
përvojë luftarake dhe me besim të palëkundur në çlirimin e vendit. Kontributi i
tij në këtë takim ishte i çmuar, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë
moral.
Në
këtë mbledhje morën pjesë edhe anëtarë të grupit të Ahmet Selacit, ndër ta
Smajl Jashari, Bajrami nga Selaci, Arif Selaci, Ymer Selaci, por edhe Hashim
Kovaçica — djali i Ukshinit, i cili po ndiqte rrugën e babait dhe po vendoste
hap pas hapi bazat e brezit të ri të rezistencës shqiptare.
Këto
zhvillime dëshmojnë se rezistenca nuk ishte veprim i shpërndarë apo i
rastësishëm, por një lëvizje e organizuar, e menduar dhe e udhëhequr nga njerëz
që kishin vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës. Në këtë mozaik të
qëndresës, figura e Ukshin Kovaçicës shfaqet si një shtyllë e fortë, si
vazhdues i një tradite të shenjtë luftëtarësh, dhe si një prej arkitektëve të
strukturimit të rezistencës së pasluftës.
Në
atë tubim historik në malet e Senjakut, përballë qiellit të hapur të Kosovës,
ishin mbledhur krerët më të rëndësishëm ushtarakë të disa prej krahinave më të
goditura nga represioni jugosllav: të rrethit të Mitrovicës, të Vushtrrisë, të
Llapit, të Skenderajt dhe të Novi Pazarit. Të gjithë këta burra kishin
mbërritur aty jo thjesht si individë, por si përfaqësues të një realiteti të
përgjakur dhe të një populli që kërkonte organizim dhe drejtim të qartë në
rezistencën e tij.
Mbledhjen
e hapi Ahmet Selaci, një nga figurat më të respektuara të lëvizjes së
armatosur, i cili me një ton vendimtar i drejtoi fjalët e para të pranishmëve:
“Ne
në këtë mbledhje duhet ta zgjedhim udhëheqësin e divizionit dhe komandantët e
batalionit, dhe duhet menjëherë të kalojmë në propozime konkrete, se koha nuk
pret.”
Kjo
fjali, e shkurtër por tejet e ngarkuar me peshë, e përcaktoi kursin e mëtejmë
të takimit: nuk kishte më vend për diskutime të gjata apo hamendësime, duhej
veprim, duhej strukturë dhe duhej hierarki komanduese për t’i bërë ballë
aparatit të fuqishëm ushtarak të Jugosllavisë.
Pas
fjalës së Selacit, të pranishmit nisën të propozonin emrat dhe pozicionet, duke
ndërtuar me maturi arkitekturën e divizionit të ri. Së pari u vendos që
Divizioni i Ibrit të përbëhej nga pesë grupe të mëdha operacionale, secili me
komandën dhe strukturën e vet të brendshme.
Në
krye të Grupit I u zgjodh Faik Boletini, pasardhës i denjë i familjes së njohur
të Boletinëve dhe mbartës i një tradite të hershme të kryengritjes shqiptare.
Krahas tij, si zëvendëskomandant u propozua dhe u miratua Bislim Bajgora, një
luftëtar i njohur për besnikërinë dhe guximin e tij të palëkundur.
Struktura
u plotësua me komandantët e batalioneve të këtij grupi, të cilët do të mbanin
përgjegjësi të dorës së parë në terren: Ali Ismaili, Arif Selaci, Ziadin Ceraja
dhe Nebih Zasella. Të katër ishin burra të përgatitur, të kalitur në përleshje
të shumta dhe me reputacion të konsoliduar në zonat ku vepronin.
Kjo
mbledhje, e mbajtur larg syve të pushtetit jugosllav, në një hapësirë të lirë
malore, u shndërrua në themelin organizativ të një rezistence të re. Ajo
dëshmoi se, pavarësisht represioneve dhe përpjekjeve për shuarje, shqiptarët
kishin ditur të ruanin bërthamën komandante dhe aftësinë për të strukturuar një
luftë që nuk ishte vetëm fizike, por edhe morale, kombëtare dhe shpirtërore.
Pjesë
e organizimit të Divizionit të Ibrit ishte edhe struktura e pesë grupeve
kryesore operacionale, secila e ndërtuar mbi parimet e disiplinës, të aftësisë
luftarake dhe besimit të ndërsjellë midis luftëtarëve. Përbërja e këtyre
grupeve flet për një qasje serioze në organizimin e rezistencës, ku secili emër
kishte historinë, peshën dhe kontributin e vet të pagabueshëm.
Grupi
i II-të u vu nën komandën e Osman Bunjakut, një figurë e njohur për urtësinë
dhe vendosmërinë e tij, ndërsa zëvendës i tij u caktua Hashim Basholli.
Formacioni i këtij grupi u plotësua nga komandantët e batalioneve: Lah
Cicilija, Aziz Zhilivoda, Qerim Shahu dhe Bajram Tërbonja, burra të kalitur në
rrethana të vështira dhe të dëshmuar për guxim të rrallë.
Grupi
i III-të, një ndër më të rëndësishmit, iu besua Ukshin Kovaçicës, figurës së
njohur shaljane dhe simbolit të qëndresës së pandalshme. Ai u shoqërua nga
zëvendësi i tij Smajl Svarça, një luftëtar i lidhur ngushtë me terrenin dhe me
strukturat lokale të rezistencës. Komandantët e batalioneve — Imer Selaci,
Sherif Tërstena, Mehmet Selaci dhe Rrahman Selaci — i jepnin këtij grupi edhe
dimensionin e një rrjeti të gjerë fisnor e krahinor, i cili forconte kohezionin
e brendshëm të lëvizjes.
Grupi
i IV-të u drejtua nga Avdi Halit Tashevci, ndërsa rolin e zëvendëskomandantit e
mbante Musli Dumoshi, i njohur për disiplinën dhe metodologjinë e tij të
organizimit. Komandantët e batalioneve të këtij grupi — Aka Marevci, Feriz Dobërdoli
dhe Ibrahim Majanci — përfaqësonin shtresën e luftëtarëve që e kishin përjetuar
në lëkurë dhunën e okupatorit dhe që e kishin shndërruar plagën në forcë.
Së
fundi, Grupi i V-të iu besua Ilmi Zariqit, ndërsa zëvendës komanda i takoi
Jetullah Rezallës. Batalionet drejtoheshin nga Ymer Radisheva, Ibrahim Lutani,
Hysen Lutani dhe Hysen Bajraktari, të gjithë të njohur për aftësitë e tyre në
organizimin e rrjeteve të rezistencës në terren të hapur dhe të vështirë.
Kjo
strukturë e gjerë, e përbërë nga burra të viseve dhe ngjyrimeve të ndryshme të
Kosovës, përbënte në thelb një sintezë të forcave shpirtërore, fisnore dhe
kombëtare që u bashkuan për një ideal të vetëm: mbrojtjen e tokës dhe lirisë.
Vendimet e marra në mbledhjen e Senjakut nuk qenë thjesht organizime të radhës;
ato shënuan kulmin e përpjekjeve për të krijuar një rezistencë të strukturuar,
të disiplinuar dhe të qëndrueshme, e cila do të mbetej si një kapitull madhor
në historinë e qëndresës shqiptare.
Në
kulmin e mbledhjes së Senjakut, ndërsa strukturat e pesë grupeve të Divizionit
të Ibrit tashmë ishin përcaktuar, u desh të merrej vendimi më i rëndësishëm
strategjik: caktimi i komandantit të përgjithshëm. Pa asnjë hezitim dhe me një
unanimitet domethënës, të pranishmit zgjodhën Ahmet Selacin si komandant të
Divizionit të Ibrit — një zgjedhje që pasqyronte respektin, autoritetin dhe
besimin që gëzonte ndër luftëtarët e rezistencës. Krahu i tij i djathtë dhe
zëvendës u caktua Jusuf Boletini, pasardhës i denjë i traditës luftarake të
Boletinëve, ndërsa roli i eprorit të lidhjeve iu besua Ali Poterës.
Këto
të dhëna dalin nga procesverbalet e hetuesisë së Hilmi Zariqit të datës 17
shkurt 1947, si dhe nga shënimet e ruajtura me kujdes nga Shaban Bunjaku, të
cilat sot përbëjnë burime të çmuara për të rindërtuar mozaikun e rezistencës
sonë të armatosur.
Pasi
u caktua struktura komanduese, vjen në pah një element tjetër i rëndësishëm:
arsenali i divizionit. Të gjitha grupet ishin të armatosura — në mënyrë
modeste, por efektive, duke marrë parasysh rrethanat e pasluftës dhe
represionin e ashpër jugosllav.
Grupi
i Ahmet Selacit kishte në dispozicion vetëm tre shmajzera, armë automatike të
çmuara në luftimet e afërta.
–
Njërin prej tyre, të prodhimit bullgar, zakonisht e mbante Ukshin Kovaçica,
figura qendrore e Grupit III.
–
Tjetër shmajzer, i prodhimit rus, mbahej nga një luftëtar nga Selaci.
–
Dhe i treti, i prodhimit gjerman, ishte në duart e Arif Selacit.
Përveç
këtyre armëve automatike, grupi kishte një numër të konsiderueshëm pushkësh dhe
disa bomba dore — armë të thjeshta, por të nevojshme për aksione guerile dhe
për mbrojtjen e territoreve malore.
Ndërkohë,
grupi i Osman e Shaban Bunjakut, edhe pse nuk kishte shmajzerë në të njëjtin
numër, posedonte armë të tipit mashinka, të prodhimit italian dhe bullgar —
armë gjysmë automatike që jepnin mbështetje të rëndësishme zjarri në përleshje.
Hashim
Ibishi, një nga luftëtarët më të besuar të këtij grupi, mbante një mashinger
gjerman, të shoqëruar me municion të mjaftueshëm për funksionimin e njësisë së
tij. Kjo armë, e fuqishme dhe e besueshme, ishte një nga pjesët më të
rëndësishme të arsenalit të grupit.
Ky
inventar armësh, sado modest të duket sot, në atë kohë përbënte një kapital të
jashtëzakonshëm ushtarak për rezistencën shqiptare. Secila armë ishte e fituar
me mund, shpesh me rrezik jete, dhe trajtohej si thesari më i çmuar në duart e
një populli të zhveshur nga liria, por i pasur me vullnet për të mos u
dorëzuar.
Në
këtë konstelacion komandues, armatosjeje dhe disipline, Divizioni i Ibrit
shndërrohej jo vetëm në një formacion ushtarak, por në një simbol të besimit se
liria e Kosovës nuk do të mbetej e pashpërblyer.
Vijon









