Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (34)
E marte, 16.12.2025, 06:58 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
SHUMËSIA E BUNKERËVE TË ILEGALES SHQIPTARE NË KOSOVËS (34)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore,
kur Kosova u shpall zyrtarisht si pjesë e Federatës Jugosllave, realiteti
politik që pasoi solli një valë të thellë zhgënjimi ndër shqiptarët atdhetar.
Vendimet arbitrare të fuqive fituese dhe ripërcaktimi i kufijve pa vullnetin e
popullit shqiptarë krijuan një ndjenjë të hidhur padrejtësie, e cila u përhap
në çdo shtresë të shoqërisë. Për këta nacionalistë, prania e pushtetit
jugosllav nuk përfaqësonte një zgjidhje politike, por një formë tjetër të
robërisë që duhej kundërshtuar.
Ata shprehën pakënaqësinë e tyre në mënyra të ndryshme
– herë hapur, nëpërmjet veprimtarive publike e deklaratave të guximshme, herë
fshehurazi, duke organizuar grupe dhe lëvizje të strukturuara në ilegalitet.
Kjo rezistencë, qoftë e heshtur apo e shpallur hapur, ishte shenjë e qartë se
pranimi i status quo-së nuk ishte i mundur për një popull që e ndiente veten të
ndarë nga trungu i tij kombëtar.
Nga ana tjetër, edhe shteti okupues zhvillonte lojën e
tij represive me një mjeshtëri të pamëshirshme. Organet e sigurisë jugosllave
ndiqnin me vigjilencë çdo lëvizje, arrestonin pa hezitim ata që dyshoheshin për
veprimtari kundër pushtetit dhe i dënonin me vite të tëra burgimi, shpesh me
akuza të fabrikuara. Në këtë mënyrë, paslufta në Kosovë nuk solli paqen e
premtuar, por një kapitull të ri të përplasjes së përhershme midis aspiratës
për liri dhe mekanizmave të shtypjes së organizuar.
Për
t’i shpëtuar valës së pamëshirshme të arrestimeve dhe dënimeve që kishte
përfshirë Kosovën në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, shumë veprimtarë
shqiptarë u detyruan të zhvendosnin aktivitetin e tyre në terrenin e errët dhe
të rrezikshëm të ilegalitetit. Kjo nuk ishte një zgjedhje e lirë, por një
domosdoshmëri e imponuar nga realiteti politik dhe represioni shtetëror, ku çdo
shenjë mospajtimi me pushtetin jugosllav mund të sillte pasoja të rënda.
Në
këtë mënyrë, veprimtaria e tyre mori trajta të reja, duke u organizuar në forma
të fshehta, të strukturuara dhe të kujdesshme, jo vetëm në Kosovë, por edhe në
të gjitha hapësirat ku shqiptarët jetonin brenda kufijve të ish-Jugosllavisë.
Rrjeti i kësaj lëvizjeje ilegale shtrihej nga qytetet në fshatra, nga zonat
malore në qendrat urbane, duke u përshtatur me terrenin dhe rrethanat,
gjithmonë me synimin për të ruajtur gjallë frymën e rezistencës.
Ky
veprim i detyruar në hije nuk ishte vetëm një strategji mbijetese, por edhe një
formë e organizimit politik dhe kombëtar që synonte të mbante të paprekur
idealin për liri dhe vetëvendosje. Ilegaliteti u bë hapësira e vetme ku mund të
mbrohej identiteti kombëtar dhe të projektohej e ardhmja e një Kosove të lirë,
larg strukturave shtypëse të pushtetit të huaj.
Me
kalimin e kohës, në gjirin e popullatës shqiptare, ndjenja e përkrahjes ndaj
veprimtarëve të çështjes kombëtare jo vetëm që nuk u zbeh, por u rrit në mënyrë
të pandalshme, duke u shndërruar në një rrjedhë të fuqishme solidariteti. Çdo
ditë, ky bashkëpunim i heshtur e i guximshëm merrte trajta më të organizuara,
duke u konkretizuar në krijimin e strehimeve të sigurta dhe ndërtimin e
bunkerëve të ndryshëm, të menduar e realizuar posaçërisht për t’i mbrojtur ata
nga rreziku i arrestimeve të pashmangshme nga aparati represiv i pushtetit
jugosllav.
Këto
vendstrehime nuk ishin vetëm hapësira fizike për t’u fshehur, por simbole të
rezistencës së përbashkët mes popullit dhe atyre që kishin marrë mbi vete
barrën e luftës për liri. Çdo derë që hapej fshehurazi, çdo dhomë e fshehtë në
thellësi të një shtëpie apo çdo bunker i ngritur në skaj të fshatit,
përfaqësonte një akt të qëllimshëm kundërshtie ndaj pushtuesit dhe një premtim
të pashkruar se idealet e lirisë nuk do të shuheshin.
Në
këtë mënyrë, populli shqiptar u bë jo vetëm dëshmitar i asaj kohe të vështirë,
por edhe pjesëmarrës aktiv në mbrojtjen e atyre që përfaqësonin shpresën e një
të ardhmeje të lirë e sovrane. Solidariteti dhe besa e dhënë u kthyen në armët
më të fuqishme përballë një pushteti që përpiqej me çdo mjet të shkatërronte
frymën e rezistencës.
Në
Kosovën e pas vitit 1945, e cila tashmë ndodhej nën një regjim të konsoliduar
jugosllav, rrjeti i rezistencës ilegale shqiptare gjeti mënyra të shumta për të
mbijetuar dhe për të vepruar. Një ndër elementët më të rëndësishëm të këtij
rrjeti ishin strehimoret dhe bunkerët, të cilët u shndërruan në hapësira
strategjike për ruajtjen e jetëve të veprimtarëve dhe për zhvillimin e
aktiviteteve të fshehta politike. Këto vendstrehime nuk ishin thjesht struktura
të improvizuara; ato përfaqësonin një infrastrukturë të tërë të qëndresës, të
ngritur me kujdes, me besim të ndërsjellë dhe me një përkushtim të palëkundur ndaj
çështjes kombëtare.
Megjithëse
në të gjitha trevat shqiptare të Kosovës mund të gjendeshin hapësira të tilla,
ato spikatnin veçanërisht në zonat ku lëvizja ilegale ishte më e gjallë dhe më
aktive. Në këto rajone, terreni, përbërja shoqërore dhe traditat atdhetare
krijonin kushte të favorshme për të mbrojtur veprimtarët e kërkuar nga
pushteti. Disa prej këtyre zonave u bënë të njohura në histori si qendra të
qëndresës së organizuar, ku çdo shtëpi, çdo kasolle dhe çdo skutë mund të
shndërrohej në një pikë të sigurt strehimi.
Këto
hapësira nuk shërbenin vetëm për mbrojtje fizike; ato ishin gjithashtu
vendtakime për planifikim, qendra për ruajtjen e materialeve propagandistike,
dhe shpeshherë depo të armëve apo të shtypshkronjave ilegale. Në këtë kuptim,
ato përbënin jo vetëm një pjesë të infrastrukturës së lëvizjes, por edhe një
simbol të gjallë të rezistencës kolektive shqiptare kundër pushtetit jugosllav.
Harta
e qëndresës ilegale shqiptare në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore është e
mbushur me zona që u bënë simbole të përkushtimit kombëtar dhe të vendosmërisë
për liri.
Në
krye të këtyre hapësirave qëndron Drenica, një trevë me një traditë të thellë
atdhetare dhe me histori të pasur rezistence, ku qëndresa nuk ishte vetëm akt
politik, por edhe pjesë e identitetit kolektiv. Territori i saj, i njohur për
trimëri dhe lidhje të forta fisnore, u shndërrua në një strehë të sigurt për
shumë veprimtarë të kërkuar nga pushteti.
Dukagjini,
me theks të veçantë në Deçan, Gjakovë dhe Rahovec, ishte një tjetër vatër e
rëndësishme e lëvizjes ilegale. Këto hapësira, të mbështetura mbi një rrjet të
ngushtë solidariteti, shërbenin si korridore të lëvizjes së njerëzve dhe
materialeve të rezistencës.
Rrafshi
i Dukagjinit dhe zona e Karadakut, duke përfshirë Gjilanin, Preshevën dhe
Kamenicën, u dalluan për aktivitet të dendur ilegal, ku terreni dhe struktura
shoqërore favorizonin ruajtjen e fshehtësisë dhe zhvillimin e planifikimeve
strategjike.
Prishtina,
si kryeqendër e Kosovës, nuk ishte vetëm qendra administrative, por edhe zemra
e organizimit intelektual dhe politik. Aty u mbrujtën shumë ide, u përgatitën
dokumente e platforma, dhe u zhvilluan rrjete komunikimi mes qyteteve e zonave
të tjera.
Ulqini,
si një zonë bregdetare me histori të thellë dhe identitet të qëndrueshëm shqiptar,
ka qenë gjithmonë një hapësirë ku rezistenca ndaj pushtimeve të huaja merrte
trajta të veçanta e të organizuara. Pozita e tij gjeografike, lidhja e fortë me
detin dhe tradita e hershme e komunikimit me botën shqiptare përtej kufijve
politikë, e bënte këtë trevë një vatër të qëndrueshme të vetëdijes kombëtare.
Në
periudhën e pasluftës, sidomos në vitet e para të vendosjes së pushtetit
jugosllav, Ulqini u dallua për një rezistencë të fortë dhe të vazhdueshme. Ky
reagim nuk ishte i rastësishëm; ai rridhte nga një histori e dhimbshme e
copëtimit të tokave shqiptare dhe nga një dëshirë e thellë për të mbrojtur
identitetin dhe të drejtat kombëtare në një klimë politike armiqësore.
Fshatrat
shqiptare përreth—nga Kraja, Ana e Malit, Shtoji, Katërkolla dhe më gjerë—u
shndërruan në hapësira ku strehoheshin dhe vepronin shumë ilegalë, burra që
kishin vendosur të mos i nënshtroheshin pushtetit të ri, por të vazhdonin
rezistencën e tyre. Këta njerëz, të lidhur me rrjete të gjera familjare,
fisnore e patriotike, krijuan një formë të veçantë qëndrese: të heshtur, të
shpërndarë, por të pandalshëm.
Kështu,
Ulqini dhe trevat e tij nuk qenë thjesht dëshmitarë të rezistencës
shqiptare—ato u bënë pikat më të gjalla të saj, duke ruajtur gjallërinë e një
fryme të vjetër, që nuk e pranonte asimilimin dhe as nënshtrimin. Rezistenca
këtu nuk ishte vetëm akt politik; ajo ishte vazhdimësi e një identiteti dhe e
një kulture që kishte mësuar të qëndronte, edhe kur gjithçka dukej e humbur.
Malisheva
shpeshherë u bë strehë për ilegalët e ndjekur, duke dëshmuar njëherësh trimëri
dhe përkushtim të banorëve të saj. Ndërkohë, Mitrovica dhe Vushtrria u shquan
për praninë aktive të studentëve dhe profesorëve në organizimet ilegale, duke
krijuar ura lidhëse mes botës akademike dhe lëvizjes së armatosur.
Këto
zona, secila me veçantinë e saj, përbënin një mozaik të qëndresës kombëtare, ku
çdo fshat, qytet apo lagje mund të shndërrohej në një stacion të sigurt për ata
që luftonin për lirinë e Kosovës.
Në
mjaft shtëpi të besueshme, aty ku fjala e dhënë kishte peshën e një betimi të
shenjtë dhe mikpritja ishte pjesë e kodit moral, familjet shqiptare nuk ofronin
vetëm një çati mbi kokat e veprimtarëve të ndjekur. Ato bëheshin kështjella të
padukshme të rezistencës, ku streha nuk ishte thjesht një vend për të fjetur,
por një hapësirë sigurie dhe besimi të plotë.
Në
këto mure, të mbushura me kujdes dhe diskrecion, përgatitej buka e ngrohtë për
të mbajtur trupin e lodhur nga arratisja. Përcillej fjala e koduar që lidhte
qelizat e shpërndara të lëvizjes. Ruheshin me fanatizëm dokumente, trakte dhe
materiale të cilat, në duart e pushtuesit, mund të ktheheshin në prova për
dënime të rënda.
Këto
shtëpi e këta bunker nuk ishin vetëm vendstrehime fizike — ato ishin qendra të
heshtura të një komunikimi të padukshëm, ku çdo gjest i banorëve ishte i
menduar dhe i matur, për të mbrojtur jo vetëm jetën e të strehuarit, por edhe
vetë vazhdimësinë e kauzës kombëtare. Në to, besnikëria merrte trajtë konkrete:
një bunker i ndërtuar, një dhomë e fshehur, një fjalë e pakthyer, një derë që
hapej në mes të natës vetëm për ata që ecnin në hijet e lirisë së ardhshme.
Bunkerët - Dëshmi të një qëndrese të heshtur
Këta
bunkerë nuk ishin thjesht hapësira fizike për mbrojtje. Ato ishin simbol i
rezistencës së heshtur, i sakrificës dhe i betimit për liri. Në to u formuan
strategji politike, u ruajtën dokumente me rëndësi jetike për lëvizjen, u
strehuan figura që më vonë u bënë pjesë e historisë politike të Kosovës.
Në
shumë raste, njerëzit që strehoheshin në këto vende nuk dilnin për muaj të
tërë; jetonin në errësirë, me frikën e përhershme të zbulimit. Por, edhe në ato
kushte, shkruhej, organizohej, botoheshin trakte dhe manifestohej guxim.
Në
mozaikun e rezistencës shqiptare në Kosovë gjatë dekadave të sundimit
jugosllav, një kapitull i veçantë mbetet ende i pakërkuar siç duhet nga
historiografia zyrtare: historia e bunkerëve, atyre hapësirave të fshehta që u
bënë strehë, shtëpi, seli, tipografi dhe front lirie, të ngujuara nën dhe, në
shpate kodrash apo brenda shtëpive të ndershme që i hapnin dyert ilegalëve.
Këta
bunkerë nuk ishin objekte të zakonshme: ata ishin mekanizma të mbijetesës
kombëtare, ndërtuar me durim, frikë dhe besim të thellë, për të ruajtur njeriun
dhe fjalën e lirë në një kohë ku çdo frymëmarrje jashtë doktrinës shtetërore
përbënte rrezik.
Emra dhe zona të njohura në këtë rrjet të padukshëm
Në
rajonin e Drenicës, në fshatra si Tërstenik, Likoshan, Çikatovë e Vjetër dhe
Prekaz, janë dokumentuar shumë raste ku shtëpitë e familjeve të njohura për
veprimtari ilegale përfshinin hapësira
të fshehta, ku strehoheshin veprimtarë të ndjekur nga UDB-ja. Në këta bunkerë u
ruajtën armë, trakte, libra, flamuj dhe gjithsesi, personalitetet të
rëndësishëm të lëvizjes ilegale, si Mulla Idriz Gjilani, Gjon Serreqi, Hasan
Remniku, Avdyl Dura, Aziz Zhilivoda, Cafo Beg Ulqini e shumë të tjerë.
Në
Anamoravë, veçanërisht në Gjilan dhe rrethinë, Kamenicë e fshatrave të Vitisë janë
dëshmuar disa raste të bunkerëve që shërbenin si pikë takimi për ndërlidhësit e
Lëvizjes ilegale. Malisheva dhe rrethina e saj njihej si zonë e organizuar me
rrjetë të mirëfilltë jatakësh dhe mbështetësish të ilegales. Në Podujevë,
rrëfime nga ish-veprimtarë tregojnë se shumë bunkerë ishin të improvizuar në
pjesë të braktisura të hambarëve apo stallave, të ndërtuara me materiale të
zakonshme, por me plan të kujdesshëm për të mbijetuar hetimeve të UDB-së.
Pasojat dhe ndëshkimet nga zbulimi i një bunkeri
Zbulimi
i një bunkeri gjithmonë ishte jo vetëm ndëshkim për ilegalin që fshihej, por
për tërë rrethin familjar e edhe për tërë fshatin. Raste të shumta dëshmojnë se
bastisjet e UDB-së përfundonin me burgime kolektive, dëbime, rrahje dhe
nënshtrime brutale psikologjike. Në Drenas, një familje e tërë – përfshirë
fëmijët e mitur – u internua për shkak të një hapësire të vogël të zbuluar në
bodrumin e shtëpisë, ku dyshohej se ishte fshehur një veprimtar i lëvizjes, e
këso rastesh ishin të shumta
Ndëshkimet
nuk ishin vetëm fizike: kishte ndalesa në arsim, përjashtime nga puna, gjoba të
mëdha dhe ndjekje të vazhdueshme nga policia sekrete, duke e kthyer jetën e
shumë familjeve shqiptare në një ekzistencë të mbushur me ankth, vëzhgim dhe
frikë.
Bunkerët si monumente të padukshme
Sot,
shumë prej atyre bunkerëve nuk ekzistojnë më fizikisht – janë shembur, zhdukur
me kohën, ose janë përthithur nga ndërtimet e reja. Por kujtesa për to mbetet e
gjallë në rrëfimet e familjeve, në heshtjen e të mbijetuarve, në heshtjen që
nuk është më frikë, por dinjitet.
Dhe
për këtë arsye, dokumentimi i tyre është urgjencë historike. Këto hapësira,
sado të vogla dhe të errëta, mbajnë brenda tyre një dritë të madhe rezistence,
që e mban të gjallë frymën e një kohe kur fjala e lirë fshihej nën dhe, por
kurrë nuk pushonte së jetuari.
Në
heshtjen e bunkerëve të fshehur, në thellësinë e bodrumeve të errëta e në
dyshemetë që mbulonin më shumë se një sekret, është ndërtuar një nga kapitujt
më të pashkruar të historisë së qëndresës shqiptare. Ata ishin hapësira të
vogla, por bartnin një kuptim të madh – qendra mikroskopike të idealit, të
sakrificës dhe të një kombi që refuzonte të heshtte përballë padrejtësisë.
Vijon









