E hene, 01.12.2025, 08:29 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (23)

E hene, 01.12.2025, 06:59 PM


JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË

ARRESTIMI DHE PROCESI GJYQËSOR NDAJ JATAKËVE TË AVDYL DURËS (23)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në periudhën në fjalë, krahas grupeve të të ashtuquajturve jatakë që përballeshin me dënime për strehimin e grupit të Avdyl Durës, evidentohen edhe një numër i konsiderueshëm individësh të gjykuar në mënyrë të veçantë. Këta persona nuk ishin pjesë e ndonjë rrjeti të organizuar, por gjithsesi u vunë në shënjestër të organeve represive, vetëm pse kishin ofruar strehë për patriotin dhe shokët e tij. Ky fakt dëshmon për natyrën e gjerë dhe përfshirëse të fushatës ndëshkuese, e cila nuk synonte vetëm strukturat e organizuara të rezistencës, por çdo individ që, në mënyrë të vetëdijshme apo të thjeshtë njerëzore, kishte shprehur solidaritet dhe ndihmë ndaj atyre që përfaqësonin idealet e lirisë dhe të qëndresës kombëtare. Kështu, akti i strehimit, pavarësisht se kryhej nga motive humane apo atdhetare, në klimën politike të kohës interpretohej si krim dhe trajtohej me të njëjtin rigorozitet si çdo veprim i drejtpërdrejtë kundër pushtetit.

Menjëherë pas ngjarjeve të dyfishta – arrestimit dhe më pas arratisjes spektakulare të Avdyl Durës nga burgu – aparati represiv i UDB-së jugosllave nisi një fushatë të koordinuar ndëshkuese. Objektivi i saj ishin individë të caktuar, për të cilët organet e sigurimit kishin siguri ose dyshime të forta se kishin ofruar strehim, mbrojtje dhe ndihmë për Avdyl Durën dhe bashkëluftëtarët e tij. Ky veprim shënoi fillimin e një periudhe të re represioni të hapur, ku akti i mikpritjes dhe solidaritetit njerëzor kriminalizohej dhe barazohej me kundërshtim aktiv ndaj pushtetit.

Më 10 tetor 1947, Gjykata e Qarkut në Gjilan organizoi një proces gjyqësor, i cili do të bëhej pararendës i dhjetëra e dhjetëra gjykimeve të ngjashme që do të pasonin. Në bankën e të akuzuarve u soll Murat Latif Dauti, bujk nga fshati Biqevc, i lindur në vitin 1895 nga babai Latif dhe nëna Rabije, e lindur Emini. Dauti ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, analfabet, me një gjendje të rëndë ekonomike që pasqyronte realitetin social të shumicës së popullsisë rurale shqiptare të kohës. Arrestimi i tij kishte ndodhur më 8 shtator 1947, dhe prej asaj date ai ndodhej në burgun hetues. Ky rast nuk ishte thjesht një çështje juridike, por edhe një manifestim i politikës së frikës dhe kontrollit, ku gjykatat shndërroheshin në instrumente të disiplinimit politik e shoqëror, ndërsa individë të thjeshtë bëheshin shembuj ndëshkimi për të trembur të tjerët nga çdo akt i mundshëm mbështetjeje për rezistencën.

Akuza e ngritur ndaj tij mbështetej në pretendimin se, më 7 shtator 1947, ai kishte pranuar në shtëpinë e tij Avdyl Durën së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Jo vetëm që u kishte ofruar strehim, por gjithashtu i kishte furnizuar me ushqime, duke u siguruar atyre mbështetjen e nevojshme për të vazhduar veprimtarinë e tyre. Sipas dosjes hetimore, në të njëjtën shtëpi ai kishte ftuar edhe Ahmet Limanin, me qëllim që ky të merrte pjesë në një mbledhje ku, përveç të ftuarit, kishte marrë pjesë edhe vetë.

Ky veprim, i interpretuar nga organet jugosllave të ndjekjes si akt bashkëpunimi me elementë “armiqësorë” ndaj shtetit, në fakt paraqet një dëshmi të qartë të kulturës së solidaritetit dhe të lidhjeve të ngushta ndërmjet njerëzve në rrethana të jashtëzakonshme historike. Në logjikën e pushtetit të kohës, çdo mikpritje, çdo shtrirje dore ndihmëse, edhe kur ajo buronte nga detyrime morale dhe tradita shekullore të mikpritjes shqiptare, përkthehej në një akt armiqësor dhe meritonte ndëshkim të rreptë. Në këtë mënyrë, një takim i zhvilluar brenda mureve të një shtëpie fshatare, i cili për vendasit mund të kishte karakter këshillimor e organizativ për çështje të lirisë, për organet e pushtetit bëhej provë për të ngarkuar me përgjegjësi penale dhe për të shënjestruar individët e përfshirë si pjesë e një “rrjeti të organizuar kundër rendit socialist”.

Duke u mbështetur në këto të dhëna të mbledhura gjatë hetuesisë, organet gjyqësore arritën në përfundimin se Latifi kishte kryer një vepër penale të cilësuar si “kundër popullit dhe shtetit”, sipas përcaktimeve të nenit 3, pika 14, të Ligjit Penal Jugosllav. Në këtë kontekst juridik, çdo veprim që perceptohej si ndihmë ndaj atyre që konsideroheshin “armiq të rendit socialist” mjaftonte për t’u interpretuar si kërcënim ndaj stabilitetit politik e shoqëror të vendit.

Në bazë të këtij kualifikimi, gjykata vendosi t’i shqiptonte atij një dënim prej gjashtë muajsh burgim. Ky vendim, megjithëse i kufizuar në kohëzgjatje, përmbante një ngarkesë të thellë simbolike, ai shërbente si paralajmërim për të gjithë të tjerët se edhe aktet më elementare të ndihmës njerëzore, kur interpretoheshin përmes optikës së pushtetit represiv, mund të sillnin pasoja të rënda ligjore. Në këtë mënyrë, drejtësia e kohës nuk ishte thjesht një instrument për zgjidhjen e çështjeve juridike, por edhe një mjet politik për të ushtruar kontroll, frikësim dhe disiplinim mbi popullsinë shqiptare.

Rendi i të akuzuarve dhe të dënuarve për “jatakëllëk” ishte i gjatë dhe përfshinte një gamë të gjerë individësh nga shtresat më të ndryshme shoqërore, të cilët pushteti i kohës i trajtonte si pjesë të një rrjeti mbështetës të “elementëve armiqësorë”.

Në këtë listë ndëshkimesh bënte pjesë edhe Ismail Haxhikadri Goga, i lindur në vitin 1877 në Ferizaj, nga babai Haxhikadri dhe nëna Izetëhane, e lindur Ademi. Ai ishte i martuar dhe baba i nëntë fëmijëve, duke mbajtur mbi supe barrën e një familjeje të madhe në kushte të vështira ekonomike.

Ismaili nuk dinte shkrim e lexim, gjë që dëshmon për mungesën e qasjes në arsim, sidomos në mjediset shqiptare të asaj kohe, ku strukturat shtetërore nuk investonin në përfshirjen dhe zhvillimin e popullsisë vendase. Ai vinte nga një familje e varfër qytetare, e cila ndante të njëjtin realitet të mprehtë socio-ekonomik me shumë familje të tjera shqiptare të periudhës. Arrestimi i tij ishte bërë më 15 gusht 1947, dhe që nga ajo ditë ai mbahej në burg.

Rasti i Gogës nuk ishte një përjashtim, por një hallkë e një zinxhiri më të gjerë ndëshkimesh, ku individë të moshuar, me përgjegjësi të mëdha familjare dhe pa asnjë fuqi politike apo ekonomike, shndërroheshin në shembuj publik për të përhapur frikë e për të thyer vullnetin e rezistencës së heshtur që mbështeste figurat e luftës dhe idealet kombëtare. Në këtë kuptim, dënimi i tij nuk ishte vetëm një akt gjyqësor, por edhe një mesazh i qartë politik i një regjimi që nuk bënte dallim mes luftëtarit dhe atij që e ushqente, e strehonte apo thjesht nuk e tradhtonte.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykata, Ismail Haxhikadri Goga akuzohej se më 12 shtator 1947, në një vend mbi fshatin Pleshinë, ishte takuar me Riza Gogën dhe, gjatë atij takimi, i kishte dorëzuar një bohçe me bukë. Ky veprim, i cili në rrethanat e zakonshme do të ishte interpretuar si një gjest i natyrshëm njerëzor e solidar, në optikën e pushtetit të kohës u kualifikua si akt armiqësor dhe u cilësua vepër penale sipas nenit 3, pika 14 të Ligjit Penal, e përkufizuar si “kundër popullit dhe shtetit”.

Në bazë të këtij interpretimi juridiko-politik, gjykata vendosi t’i shqiptonte dënimin me një vit burgim. Ky rast ilustron qartë mënyrën sesi regjimi i kohës kriminalizonte format më elementare të ndihmës, duke i shndërruar aktet e thjeshta të mikpritjes ose bamirësisë në prova të “bashkëpunimit” me kundërshtarët politikë. Në thelb, nuk gjykohej vetëm veprimi konkret – një copë bukë e dhënë me dorë – por qëllimi i supozuar që pushteti i atribuonte atij, duke e përdorur si argument për të ushtruar kontroll, frikësim dhe disiplinim mbi komunitetet shqiptare. Në këtë mënyrë, drejtësia e kohës shërbente më shumë si një mjet represioni sesa si një instrument i paanshëm ligjor.

Në radhën e gjatë të të dënuarve për “jatakëllëk” e përkrahje të veprimtarëve politikë, bënte pjesë edhe Halil Sahit Haliti, bujk nga fshati Sllatinë, i lindur në vitin 1882 nga babai Sahit dhe nëna Hajrije. Ai ishte i martuar dhe baba i një fëmije, duke jetuar në kushte të thjeshta rurale, ku jeta e përditshme ishte e lidhur ngushtë me tokën dhe punën bujqësore.

Sipas aktgjykimit, në tetor të vitit 1946, në shtëpinë e tij kishte pranuar atdhetarin e njohur nga fshati Duraj, së bashku me shokët e tij, Ramë Bekën dhe Sadik Tushën. Mikpritja e tij nuk ishte e kufizuar në ofrimin e një strehe, por përfshinte edhe sigurimin e ushqimit për ta. Ky gjest, i cili në traditën shqiptare përbënte një detyrim moral dhe një virtyt të çmuar të mikpritjes, në logjikën e pushtetit të kohës u konsiderua vepër politike penale, në bazë të nenit 3, pika 14, të Ligjit Penal, si “kundër popullit dhe shtetit”.

Për këtë arsye, gjykata i shqiptoi një dënim prej shtatë muajsh burgim. Ky rast dëshmon qartë mënyrën se si strukturat represive kriminalizonin aktet më të natyrshme të solidaritetit, duke i interpretuar ato jo në dritën e vlerave shoqërore e njerëzore, por sipas një kornize të ngushtë ideologjike, ku çdo ndihmë e dhënë një figure të rezistencës barazohej me sfidim të drejtpërdrejtë ndaj rendit politik ekzistues. Në këtë mënyrë, gjykimi i Halitit nuk ishte vetëm një akt ligjor, por edhe një instrument politik për të thyer lidhjet e mbështetjes morale e materiale që lidheshin me veprimtarinë atdhetare.

Më 25 shkurt 1948, në sallën e Gjykatës së Qarkut në Gjilan, u zhvillua një nga proceset e shumta politike të asaj kohe, nën kryesinë e Sime Miliniqit, me anëtarët porotë Voja Kostiq dhe Sala Shabi, si dhe procesmbajtësin Sllobodan Jevtiqin. Para këtij trupi gjykues u paraqit Shefki M. Mehmeti, punëtor nga fshati Gatnje i rrethit të Nerodimës, i lindur më 1912 nga babai Metush dhe nëna Hajrije, e lindur Azizi.

Shefkiu ishte analfabet, duke pasqyruar gjendjen e përgjithshme arsimore të popullsisë shqiptare të asaj periudhe, ku mundësitë për shkollim ishin jashtëzakonisht të kufizuara. Deri më 5 dhjetor 1947 – datë kur u arrestua nga forcat jugosllave – ai nuk kishte qenë i dënuar për çështje politike. Ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, me një gjendje ekonomike të rënduar, tipike për shtresën punëtore e fshatare të asaj kohe.

Ky proces, ashtu si shumë të tjerë, shërbente jo vetëm për të gjykuar një individ mbi bazën e akuzave konkrete, por edhe për të demonstruar fuqinë e aparatit shtetëror, duke e paraqitur përpara publikut si një shembull paralajmërues për të gjithë ata që mund të shfaqnin qoftë edhe shenja minimale të solidaritetit me veprimtarë të cilësuar “armiq të shtetit”. Në këtë mënyrë, figura e Shefki Mehmetit – një punëtor i thjeshtë, pa arsim dhe me përgjegjësi familjare të rënda – shndërrohej në një simbol të cenueshmërisë së individit përballë një sistemi represiv që nuk bënte dallim midis veprimit të vetëdijshëm politik dhe aktit humanitar.

Pas dy muajve të kaluar në qelitë e hetuesisë, ku qëndrimi i zgjatur shpesh shërbente jo vetëm për mbledhjen e “provave” por edhe për thyerjen psikologjike të të pandehurit, gjykata e shpalli Shefki M. Mehmetin fajtor për kryerjen e një “vepre penale politike kundër popullit dhe shtetit”. Akuza ishte ndërtuar mbi bazën e nenit 3, pika 14, të Ligjit Penal Jugosllav, duke e kualifikuar veprimtarinë e tij si bashkëpunim aktiv me kundërshtarët e regjimit.

Sipas aktgjykimit, gjatë vitit 1947, teksa punonte në organizatën “Ibri”, në malet e “Bukovikut”, ai kishte mbajtur lidhje të rregullta dhe të qëndrueshme me të arratisurit Avdyl Durën dhe bashkëluftëtarët e tij. Këta, në disa raste, i kishte pranuar në kasollen e vet pranë punëtorisë së “Ibrit”, ku jo vetëm u ofronte strehë, por i furnizonte edhe me ushqime. Qëllimi i kësaj ndihme, sipas përshkrimit të gjykatës, ishte të mundësonte vazhdimin e qëndrimit të tyre në arrati deri në momentin e largimit nga Kosova, duke shmangur çdo mundësi që ata të binin në duart e forcave jugosllave.

Në arsyetimin e vendimit, gjykata e cilësoi Mehmetin si “jatak besnik” të Avdyl Durës dhe shokëve të tij, duke theksuar se besnikëria dhe ndihma e dhënë prej tij përbënin një mbështetje të drejtpërdrejtë për lëvizjen ilegale shqiptare. Në këtë kuptim, veprimtaria e tij nuk shihej thjesht si një akt humanitar, por si një pjesë integrale e rezistencës politike. Për këto arsye, gjykata, duke u mbështetur në nenin 3, pika 14, të LPJ-së, i shqiptoi një dënim prej një viti burg të rëndë. Ky vendim ilustron qartë se si pushteti i kohës kriminalizonte çdo formë solidariteti ndaj lëvizjes ilegale, duke e barazuar ndihmën materiale e morale me veprimin e drejtpërdrejtë politik kundër regjimit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (22) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (20) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (19) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (18) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (17) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (16) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (15) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (14) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (13) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (12) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (11) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (10) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (9) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (8) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (7) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (5) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (4) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (3) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (2) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (1)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx