Speciale
Dorian Koçi: Fillimi i një rrugëtimi të shenjtë për gjuhën dhe kulturën arbërore
E hene, 05.01.2026, 07:57 PM
Fillimi i një rrugëtimi të shenjtë për gjuhën dhe kulturën arbërore
Nga
Dorian Koçi
Të
mbartur ndër shekuj nga kultura arbërore, arbrit nuk qëndruan jashtë zhvillimeve
të mëdha të qytetërimit europian, edhe pse rrethanat historike i vunë përballë
sfidave të jashtëzakonshme politike, fetare dhe kulturore. Përkundrazi, përmes
ruajtjes së gjuhës, traditës dhe kujtesës historike, ata arritën të ndërtojnë
ura të qëndrueshme lidhjeje me botën kulturore të Perëndimit. Një nga dëshmitë
më të hershme dhe më domethënëse të kësaj lidhjeje është përkthimi dhe botimi i
Mesharit të Gjon Buzukut, më 5 janar 1555, vepra e parë e njohur e shkruar në
gjuhën shqipe.
Meshari
përbëhej nga 110 fletë, por kopja e vetme e ruajtur deri në ditët tona është e
cunguar: i mungojnë 16 faqet e para, përfshirë edhe faqja e titullit dhe
parathënia e plotë. Ky fakt e rrit edhe më shumë vlerën e librit si relike
kulturore dhe monument gjuhësor. Sipas botimit faksimilar të Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë, teksti përfshin pjesë të liturgjisë katolike, si
mesha, psalme, lutje dhe rite të tjera fetare, të përkthyera me kujdes në një
shqipe të pasur dhe të strukturuar gjuhësisht.
Gjon
Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, me
shumë gjasë në hapësirën e dioqezës së Sapës ose Shkodrës. Ai konsiderohet një
nga lëvruesit më të rëndësishëm të hershëm të gjuhës shqipe, jo vetëm për
faktin se botoi librin e parë në shqip, por sepse me veprën e tij konsolidoi
traditën e shkrimit të shqipes me alfabet latin, duke e përshtatur atë me
nevojat fonetike të gjuhës. Kjo vepër monumentale nuk lindi në izolim, por si
pjesë e rrymave intelektuale të Rilindjes Europiane. Rilindja, me idealet e saj
për humanizmin, kthimin tek burimet, dinjitetin e individit dhe përhapjen e
dijes, la gjurmë të thella edhe në hapësirat periferike të Europës, përfshirë
Ballkanin Perëndimor. Vendimi i Buzukut për të shkruar në gjuhën amtare
pasqyron një nga shtyllat themelore të mendimit rilindas: përdorimin e gjuhëve
popullore në vend të latinishtes, për ta bërë fenë dhe dijen të kuptueshme për
besimtarin e thjeshtë.
Në
këtë kontekst, Meshari i Buzukut duhet parë jo vetëm si tekst fetar, por si akt
kulturor dhe politik, në kuptimin e gjerë të fjalës. Ai shënon një hap
vendimtar drejt vetëdijes gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve, duke e
ngritur shqipen në nivel gjuhe shkrimi dhe liturgjie. Siç thekson Eqrem Çabej,
“Buzuku nuk shkruan thjesht për të përkthyer tekstin kishtar, por për të
ndërtuar një normë të qëndrueshme shkrimi”
Në
thelbin e veprës së tij qëndron përkushtimi për ndriçimin shpirtëror dhe
intelektual të bashkëkohësve të vet. Kjo përpjekje është në përputhje të plotë
me frymën e Rilindjes Europiane, e cila i dha rëndësi edukimit, përgjegjësisë
individuale dhe formimit moral përmes dijes. Përkushtimi i Buzukut për të
ruajtur dhe lartësuar gjuhën shqipe shkon paralelisht me lëvizjet kulturore në
Itali, Gjermani dhe Francë, ku autorët rilindas kërkonin të ringjallnin gjuhët
kombëtare dhe trashëgiminë e lashtë.
Meshari reflekton gjithashtu ndikimin e Reformacionit, një lëvizje
bashkëkohore e Rilindjes, e cila nxiste përkthimin e teksteve të shenjta në
gjuhët popullore dhe përfshirjen direkte të besimtarëve në praktikën fetare.
Edhe pse Buzuku mbetet brenda traditës katolike, përdorimi i shqipes në
liturgji përfaqëson të njëjtin ideal themelor: afrimin e fjalës së Zotit me
popullin.
Fjalët
e Gjon Buzukut në përfundim të Mesharit përbëjnë një testament të rrallë për
vetëdijen e autorit mbi peshën historike të veprës së tij. Ai i drejtohet
lexuesit me përulësi, duke kërkuar ndjesë për gabimet dhe duke theksuar
vështirësitë e punës së kryer “me shumë mund e djersë”. Kjo pasthënie është një
nga dokumentet më të hershme të ndërgjegjes autoriale në letërsinë shqipe dhe
dëshmon për rolin e Buzukut si figurë kyçe në formimin e kulturës sonë të
shkruar . .Meshari i Gjon Buzukut përfaqëson një pikë themelore të kryqëzimit
midis kulturës shqiptare dhe qytetërimit europian. Ai nuk është thjesht libri i
parë në shqip, por akt themelues i identitetit kulturor shqiptar, një dëshmi e
qartë se arbrit ishin pjesë aktive e proceseve të mëdha intelektuale të Europës
së shekullit XVI. Fjalët e Gjon Buzukut në përfundim të Mesharit janë një
testament për përkushtimin dhe përulësinë e tij:
“U
doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë
kish gjë të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë,
desha me u fëdigunë, për së mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne
qi të ëndiglonjinë…”
Ai
pranon me përulësi sfidat që hasi, duke vënë në dukje se kjo vepër ishte një
përpjekje e parë dhe e vështirë:
“E
se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai
qi të jetë më i ditëshim se u, ata faj e lus t’a trajtonjë ënde e mirë; për-se
nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë më e para vepërë e fort e
fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t’anë.”
Përmes
Mesharit, Gjon Buzuku mishëroi shpirtin e Rilindjes dhe e përshtati atë në
kulturën shqiptare. Vendosmëria e tij për të promovuar gjuhën shqipe dhe
ndriçuar mendjet e shqiptarëve e vendosi atë si një figurë kryesore në
historinë e letrave dhe identitetit kombëtar. Më 5 janar 1555, filloi një rrugëtim
i ri për gjuhën dhe kulturën shqipe, një rrugëtim që vazhdon të frymëzojë
brezat e sotëm përmes fjalëve të pavdekshme të Gjon Buzukut.

Tablo,
Gjon Buzuku nga Danish Jukniu









