Speciale
Mark Palnikaj: Beteja e Dytë e vitit 1448 në Kosovë dhe ndikimi i saj në zhvendosjen dhe islamizimin e popullsisë së Kosovës
E diele, 04.01.2026, 07:00 PM

BETEJA E DYTË E VITIT 1448 NË KOSOVË DHE NDIKIMI I SAJ NË ZHVENDOSJEN DHE ISLAMIZIMIN E POPULLSISË SË KOSOVËS ME RRETHINA BAZUAR NË DOKUMENTET E ARKIVAVE TË VATIKANIT
Nga
Mark Palnikaj
Beteja
e Kosovës e vitit 1448, nga organizatorët e saj ishte planifikuar si një luftë
e koalicionit të vendeve me popullsi të krishterë kundra pushtuesit turk. Sipas
parashikimit, në këtë koalicion do të ishin të përfshira forcat e Janosh
Huniadit dhe 20 mijë luftëtar shqiptar të komanduar nga Skëndërbeu por edhe
aleatë të tjerë fqinj të Hungarisë dhe nga gadishulli Apenin. Nga pengesat që i
nxorri Skëndërbeut aleati i fshehtë i turqve, despoti Gjuragj Brankoviqi,
udhëheqësi serb, aleat i dhëndrit dhe
sovran i vetë Muratit të II, i cili ia mbylli këtij të gjitha rrugët dhe
shtigjet nga mund të kalonte, ai nuk mori pjesë në këtë betejë dhe për pasojë
betejën e fituan turqit. Nuk kam ndërmend të ndalem mbi këtë luftë sepse
studjues të tjerë kanë paraqitur tema me të dhëna serioze për të por, unë do të
përqëndrohem mbi efektet që pati humbja e kësaj beteje në popullsinë e Kosovës
dhe të zonave për rreth, më së pari për Dioqezat e Pultit dhe të Sapës, për
dhunën që ushtruan turqit mbi këto popullsi, islamizimin dhe eksodet.
Nga
relacionet e prelatëve të kishës katolike të ruajtura në arkivat e Vatikanit,
ne jemi në gjendje të marrim vesh disa të dhëna me rëndësi për atë çfar ka
ndodhur mbi popullsinë e këtyre zonave.
Pukëvili
në Histoire fq. 306 ka shkruar se në vitin 1447, shtatë vjet para marrjes së
Kostandinopojës, Murati i II urdhëroi të ktheheshin në xhami të gjitha kishat e
Shqipërisë, dhe të detyroheshin banorët të përqafonin islamizmin. Por duhet
dijtë se në vitin 1447, një pjesë e mirë e popullsisë së Shqipërisë së veriut
shqiptar si Shkodra, Peja dhe vendbanime të tjera të Kosovës akoma nuk ishin
pushtuar nga turqit. De fakto, pushtimi turk ka ndodhur për Kosovën në vitin
1448.
Më
25 prill të vitit 1479 forcat osmane u futën edhe në Shkodër. Banorët e
Shkodrës dhe të rrethinave të sajë i braktisën masivisht trojet e tyre dhe u
vendosën kryesisht në rajonin e Venedikut. Bashkë me ta emigruan edhe
personazhe të shquara të jetës politike shqiptare.
Zonat
fushore të Kosovës dhe të Shkodrës ju nënshtruan një dhune të pamëshirshme nga
ana e pushtuesit për ndërrimin e fesë dhe për nënshtrim. Nga relacionet e
arkivit të Propagandës Fide dhe të arkivave të tjera të Vatikanit, Napolit,
Venedikut, Dubrovnikut etj janë ruajtur dokumenta që hedhin dritë mbi mjerimin
e madh që ra mbi popullsitë e këtyre vendeve. Banorëve të këtyre vendeve u janë
marrë me dhunë pronat, ju janë marrë familjarët gra dhe fëmijë si skllevër,
janë masakruar njerëz deri duke u rjepur ose ngulur në hunj për së gjalli.
Kronikat e kohës së pushtimit, tashmë të publikuara dhe të njohura, e
përshkruajnë Shkodrën dhe rrethinat si një vend i shkretë dhe i braktisur nga
banorët e sajë dhe ku janë vendosur kolonë aziatikë të sjellë nga pushtuesit
turk për popullimin e vendit. Nisur nga ky fakt, shkodranët e përdorin edhe sot
pas më shumë se pesëqind vjetësh shprehjen se në Shkodër “vendali janë vetëm
jevgjit” duke nënkuptuar se të gjithë banorët shqiptar janë afruar nga
rrethinat e qytetit duke gjetur aty kolonët turq, banorë me popullsi me ngjyrë.
Popullsia e qytetit të Shkodrës, sipas kronikave të kohës, u larguan të gjithë
për në qytetin e Venecies ku janë pritur me shumë dashamirësi nga autoritet e
kohës të këtij qyteti. Nga ajo kohë është trashëguar një shkollë e hapur
posaçërisht për këta banorë ardhacakë dhe është quajtur “Scuola degli Albanesi” e cila ruhet edhe
sot. Gjithashtu, me porosi të organeve drejtuese të bashkisë së asaj kohe në
Venecia, është kopjuar dhe ruajtur
“Statuti di Scutari”, që ishte kodi udhëheqës i këtyre banorëve të rinj
të qyteti. Ky dokument me rëndësi është përkthyer në gjuhën shqipe dhe është
botuar me titullin STATUTET E SHKODRËS në vitin 2002 dhe në vitin 2010 nga
shtëpia botuese Onufri në Tiranë.
Edhe
popullsia e Kosovës pati një fat aspak më të mirë se popullsia e Shkodrës por
për fat të keq ajo nuk pati një aleat të jashtëm të fuqishëm siç e pati Shkodra
mbrojtësen e vet, Republikën e Venedikut. Popullsia e Kosovës ju nënshtrue një
dhune të paparë nga ana e turqve. Një pjesë e kësaj popullsie pranoi kushtet e
pushtuesit, ndërroi besimin dhe pranoi bashkëjetesën me pushtuesin. Pjesa
tjetër e kësaj popullsie u vra ose u morën robër për tu përdorur si skllevër në
Perandorinë Osmane. Një pjesë e kësaj popullsie u fsheh në male dhe me njëmijë
sakrifica dhe vuajtje, në kushtet e një mbijetese të pazakontë, arriti të
mbijetojë deri në largimin e pushtuesit turk nga Shqipëria duke ruajtur gjuhën,
besimin dhe kulturën e të parëve të vet. Një entitet i madh kësaj popullsie që
u detyrua të zhvendosej me dhunë nga pushtuesi, është popullsia e Mirditës. Kjo
popullsi dihet mirë se u largue nga rrethinat e Prizrenit dhe krahina të tjera
të Kosovës dhe u vendos në zonat me terren të thyer të Mirditës ku banojnë edhe
sot.
Katrëmbëdhjetë
vjet pas betejës së Kosovës të vitit 1448, me datën 8 nëntor 1462, kryeipeshkvi
i Durrësit dhe këshilltari i Skëndërbeut, Pal Ëngjëlli, në një sinod me
pjesëmarrjen e disa meshtarëve nga e gjithë Shqipëria, shkruan një Qarkore që
kishte fuqinë e një Kushtetute (Constitute) baritore që u drejtohej meshtarëve
të fshehur nëpër male dhe shpella të Malësive, mbi aktivitetin baritor që
nevojitej të ndërmerrnin, dhe mbi doktrinën e krishterë të sakramenteve bazë,
themelore. Kushtetuta baritore e Pal Ëngjëllit është e shkruar në gjuhën
latine, por duke marrë parasysh se shumë meshtarë “fshatarë” nuk e kuptonin
gjuhën latine, ai spjegon se si duhet të pagëzohen fëmijët. Ai shkruan: “Duke
qitur ujë të rrjedhshëm tre herë në ballë në formë kryqi dhe duke thënë një
herë Uratën, FORMULËN E PAGËZIMIT, të cilën ai e ka shkruar në gjuhën shqipe
“E... (Emri i fëmijës).. Unë po të pagëzonj n’emër të Atit, të Birit dhe të
Shpirtit të Shenjtë”.
Ky
dorëshkrim ruhet në Biblioteca Laurenziana në Firenze të Italisë.
Asnjë
meshtar nuk kishte në këtë Dioqezë por shërbimet kryheshin nga persona brenda
komunitetit, pa asnjë shkollim, të quajtur meshtarë fshatarë që në atë kohë në
gjuhën latine quheshin “sacerdotes rusticis”.
Këta meshtarë fshatarë kishin të drejtë të bekonin lidhjet e martesave
dhe të pagëzonin fëmijët ashtu siç ishte vendosur nga Pal Engjelli në vitin
1462.
Me
datë 5 tetor 1480 gjenerali turk Gjedik Ahmet Pasha me ushtarët e tij ka
masakruar 800 shqiptarë brenda një dite. Kjo masakër është mbajtur mend për një
kohë të gjatë si një vepër terrori kundra popullsisë shqiptare dhe efekti i
sajë ka qënë i dyfishtë. Nga njëra anë njerëzit e lëkundur kanë vrapuar për të
kaluar në islamizëm për të qënë të mbrojtur nga një akt tjetër terrori. Nga ana tjetër ky akt terrorist mbi
popullsinë katolike shqiptare, ka qënë një kambanë e fortë për të mobilizuar të
gjitha forcat për qëndresë kundra kësaj lubie aziatike që shkatërronte pa
mëshirë çdo vlerë kombëtare të popullsisë vendase. Sipas sheriatit, ligjit
zyrtar të sunduesit turk, të krishterët nuk ishin të barabartë me myslimanët,
por njerëz të rangut të dytë. Për këtë arësye, në zonat fushore, disa nga ata
që zotëronin pasuri, e gjetën me arësye të ndërronin besimin e tyre dhe të
pranonin fenë e pushtuesit. Por pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare nuk e
pranoi ndërrimin e besimit por një pjesë zgjodhi të largohej nga vendi në
drejtim të Greqisë dhe Italisë kurse pjesa tjetër zgjodhi të jetonte në male
dhe të luftonte kundra pushtuesve. Dhe pa bërë komente dhe pa ju referuar
dokumenteve sepse nuk janë të nevojshme, fenë katolike e ruajtën Mirdita, Puka,
Pulti me fiset Nikaj, Mërtur, Shalë, Shosh, Kiri, Toplana, Duzhmani, Pogu,
Mëgulla etj. Në Malësinë e Madhe fenë e ruajtën Këlmendi, Hoti, Gruda dhe
fshatrat deri në Gusi.
Për
një periudhë dyqindvjeçare, sipas dokumentave të shkruara, pati gjashtë eksode
të popullsisë së krishterë në drejtim të Italisë dhe të vendeve të tjera. Me datë 25 prill 1467, katolikët shkodranë
morën figurën e Zojës së Këshillit të Mirë ose Zojës së Shkodrës siç e quanin
ata dhe e dërguan në Gjenacano të Romës në Itali. Kjo datë festohet edhe sot
dhe çdo vit me datën 25 prill në orën nëntë bien të gjitha kambanat e kishave
të qytetit të Gjenocanos.
Pushtuesi
turk, sipas dokumenteve të propagandës fide, në dioqezën e Pultit e cila
shtrihej deri në birgjet e Drinit të Bardhë, shkatërroi 78 kisha duke mos
kursyer asnjërën prej tyre. Stefano Gaspari në relacionin e datës 25 gusht 1671
duke folur për këtë rrënim shkruan se kishin qënë kishat por tani ishin
“atterrato” pra të rrënuara rrafsh me tokën. Po të shikojmë listën e
Ipeshkvinjëve të Pultit do të vemë re se nga viti 1574 deri në vitin 1636 nuk
ka patur fare ipeshkëv çka tregon se jeta kishtare ishte afër shuarjes.
Popullsia katolike e trevave shqiptare ka qënë e ritit të Basilianëve dhe mbas
pushtimit turk të Kosovës dhe të Shkodrës, kisha e Romës për rreth një shekull
nuk mbajti lidhje me popullsitë e këtyre trevave. Ishin priftërinjtë
Françeskanë ata që mbas vitit 1620 mundën të ringrinin jetën kishtare të këtyre
trevave. Nga një dokument i vitit 1664 të publikuar në “Cronologia e cronotassi
di:Vescovi nominati da Ocrida, Vescovi ordinanti per gli Italo-Albanesi in
Italia, di Calabria fino al 1919, Vescovi di Lungro ,Vescovi di
Piana (e ordinanti di Sicilia fino al 1937), Abati (Nullius dal 1937) di
Grottaferrata ” lexojmë:
-
“ 1660 Atanasio è l'ultimo Arcivescovo di Ocrida a professarsi cattolico.
-
1664 Sesta migrazione : gli albanesi proveniente da Maida (in Morea) si
installano a Barile. Il monastero di
Mezzojuso viene affidato ai Basiliani che (fortemente latinizzati) tentano
invano di eliminare il rito neo-sabaita. A Firmo , in Calabria, viene fondato
il seminario dei S.S. Pietro e Paolo”.
Nga
ky dokument merret vesh se deri në vitin 1664 ka patur gjashtë valë emigracioni
në drejtim të Italisë Jugore por edhe drejt Venedikut.
Mbas
luftës austro turke, mbas vitit 1689, nuk bëhej më fjalë për emigrim por për
shpërngulje të dhunëshme të popullsisë katolike për në vende të tjera ku ishte
bërë pushtimi dhe konvertimi i popullsisë në islamizëm. Nga dokumentat e
Propagandës fide shkruhet qartazi për zhvendosjen e popullsive të viseve malore
për rreth Kosovës në drejtim të Janjevës, Dibrës, Tetovës etj. Këtë fat e kanë
pësuar banorët e fiseve të Gashit, Krasniqes, Nikajt, Mërturit, Shoshit,
Shalës, Këlmendit, Hotit, Grudës dhe viseve të tjera që nuk pranuan
islamizimin.
Në
një relacion që frati katolik Fra Egidio d’Azmanto, të nisur nga Gruda me 30
gusht 1693, duke folur për dhunën e turqve ndaj popullsisë katolike që
mbështeti forcat austriake në këtë luftë dhe për zhvendosjen e popullsisë së
krishterë nga zonat për rreth shkruan:
“Di
Pulati Superiore ove si trattenevano gli frati, sono state discacciare le
seguenti, le, cioè Salsa, Palci, Niccagni, Peppagni Plaia, Anechiti, Gasci, e
Castuni e trasportate dal Pascia di Pecchi nella Diocesi di Agneve, la onde
doppo esser stata bruggiata la casa da turchi et anco cercati, per esser presi
li frati fù no sario fugire, e doppo allontanata l’armata de turchi, hò inviato
il P. Giusepe da Orvieto per mantenere Bugnani Colaghezzagni, e Colamenciagni,
e sono sin hora nella Diocesi di Pulati.
Haveva
destinato un altro sacerdote per Pulati inferiore acci? no restasse senza esser
tain tato, ma all’aviso del Vicario l’ho richiamato, havendomi disacricata la
presenza.”1)
Nga
ky dokument merret vesh se Pashai i Pejës nga fshatrat e shënuar më sipër ka
zhvendosur shumë banorë për në Janjevë.
Në
një relacion të datës 24 prill 17102), nisur nga Xhani i Pultit, shkruar nga
Ipeshkvi Marin Gjini marrim vesh se një numër familjesh në disa fshatra të
pultit kishin ndërruar besim. Sipas relacionit ishin islamizuar një numër i
papërcaktuar familjesh në fshatrat Gashi, Bujani, Kolgecaj, Kolmekshaj, Shoshan
dhe një numër më i paktë në disa fshatra dhe konkretisht: Në fshatin Dushman kishte 2 familje të
islamizuara, në Shosh 3, në Shalë 3, në Sumë 12, në Bukmirë 6, në Daiza 3 dhe
në Kiri kishte 10 familje që ishin bërë të besimit musliman. Në fshatrat e tjera
të kësaj dioqeze nuk kishte familje që kishin ndërruar besim. Për ti bërë ballë
fenomenit të islamizimit, popullsia e Pultit e cila ishte e organizuar mbi bazë
fisesh të konsoliduara fort, morën vendime ku parashikoheshin masa të ashpra
për ata që jepnin vajza tek muslimanët dhe vendosën se askush nuk mund të
kthehej musliman dhe të vazhdonte të banonte në fisin e tij. Kushti për tu bërë
musliman ishte largimi përgjithmonë nga fisi. Në regjistrimet e popullsisë të
raportuara nëpërmjet relacioneve në Vatikan, vërehet se në disa fshatra ka një
numër të vogël të popullsisë muslimane por mbas vitit 1740, në asnjë rast, në
fshatrat e Pultit nuk ka më shumë se 3 familje të besimit musliman. Dhe këta
ishin “të islamizuarit e kthyer në vendlindje” por që nuk lejoheshin të
ndërtonin xhami. Me kalimin e kohës këto familje ose janë kthyer në besimin e
mëparshëm ose janë larguar. Një pjesë e popullsisë qe e detyruar ta pranonte
islamizimin për arsye të politikës që ndiqte shteti i kohës për ti detyruar të
krishterët të ndërronin besim. Kjo bëhej për arësye ekonomike dhe politike që
kushtëzoheshin nga mardhënjet me shtetin për taksa dhe punësim në administratë.
Por në fshehtësi ata e ruanin besimin e vjetër. Këta janë quajtur
kriptokatolikë ose laramanë. Në zonën e Gashit dhe të Krasniqes, islamizimi ka
filluar me dhunë por ky proces ka vazhduar shumë gjatë. Sipas relacionit të Fra
Rufino nga Kastelnuovo të vitit 1744, banorët e fshatrave Palçi, Bujani dhe
Kolgecaj nga pashai i Pejës, Ota Pasha (Choda Verdi Pascha Mahmutbegoviç i
Shkodrës i detyroi të puthin kuranin), u dhunuan për tu detyruar të bëhen
musliman.3)
Ky
proces në zonat e Gashit dhe Krasniqes ka vazhduar gjatë dhe janë dashur rreth
180 vite për të përfunduar. Në mënyrë përfundimtare sipas relacioneve, në vitin
1769, Gashi dhe Krasniqja kishin pranuar fenë islame por qëndresa ka vazhduar
përsëri. Në regjistrat kishtare të ruajtura në Arkivin Qëndror të Shtetit
Shqiptar, fondi 133, gjënden pagëzime të fëmijëve nga Bujani, Geghyseni,
Dushajt, Gria etj deri në vitin 1880. Këta banorë pagëzonin fëmijët e tyre në
Kishën e Nikajve dhe në kishat e tjera dhe bënin kumbarë banorë të fiseve
katolike ku ishin kishat. Më poshtë po paraqesim një dokument nga dhjetëra që
disponojmë, që tregon për pagëzimin e një fëmije nga Krasniqja në Kishën e
Nikajve.
Në
numrin 95 të këtij dokumenti shkruhet “Crasniqe, kam pagëzuar Ukshinin, djalin
e Macel Kolës dhe Zade Hajdares nga Berisha rreth pesë muajsh, kumbara Sadri
Mehmeti (nga Gjonpepajt M.P.)4)
Në
regjistart kishtare të kishës së Shalës gjënden një numër i madh dokumentash të
këtij lloji që tregojnë e martesat dhe pagëzimet kanë vazhduar për një kohë të
gjatë midis banorëve me besime të
ndryshme të këtyre fiseve.
Është
me rëndësi të shënohet se edhe pse e ndërruen besimin, popullsia shqiptare e
këtyre zonave nuk e ndërpreu luftën kundër pushtuesit turk dhe në të gjitha
betejat e zhvilluara, popullsia muslimane kërkoi ndihmën edhe të fqinjëve të
tyre katolikë dhe luftuan krah për krah.
Në
luftën kundër Maxharr Pashës, paria e fisit të Krasniqes kërkon ndihmën e
fiseve katolike Nikaj, Mërtur, Shalë dhe Shosh për të luftuar së bashku kundër
ushtrisë turke. Kënga popullore e përshkruan kështu këtë betejë ku mbetën të
vrarë tridhjet djem nga Shala dhe u varrosën në Cerrnicë në vendin që quhet
“Vorret e Shalës”.
Disa
nga fjalët e kësaj kënge që shërben edhe si kronikë e ngjarjeve të asaj kohe
janë:
Maxhar
Pasha bjen n’pazar
Mic
Sokolit po i çon fjalë
N’daç
Krasniqen me e kthye mbar
Falja
Mbretit njanin djalë
Mos
ja dhaç njat djal Dovletit
Ja
shef sherrin hyqymetit
Tan
Krasniqes treqind shpi
Ja
u vndoj flakën me zapti
Mic
Sokoli po pisket
S’njef
Krasniqja Pash as Mbret
S’rrin
krasniqja peng per ni djal
Kurr
mos ndejt flaka pa i dalë
Dajt
e babës i kam në Shalë
Për
një zog mali me u çue fjalë
Krajl
as Mbret s’mundet me i ndalë
Pa
kcye qafat këndej me dalë
Mic
Sokoli i Sokol Ramës
Po
i çon fjal Mark Lulës së Shalës
Ndihmom
pak more daja i babës
Më
kan vu topat bregut të arës
...........................................
Fjala
n’Pecaj kur ka mbrri
Jan
mbledh Shala 700 shpi
Gjasht
sahat nuk kan vonue
N’Kodra
t’Fangut me pushue
Mic
Sokoli duel n’oborr
I
duket Shala sa ni taborr
Maxharr
Pashës ja ban me sy
Se
Krasniqja s’pyet për ty.
Edhe
në luftërat që janë zhvilluar në Plavë dhe Guci kundra forcave pushtuese të
Malit të Zi, kanë luftuar krah për krah fiset me besim të krishterë dhe ata me
besim musliman, pa dallime fetare. Ky unitet nuk ishte i imponuar nga ndonjë
pushtet shtetëror por buronte nga motive atdhedashurie dhe lidhje gjaku.
Në
luftën që u zhvillue në Caralevë, luftoi si luan edhe Idriz Seferi përkrah
luftëtarëve të tjerë të Isa Boletinit dhe të tjerëve. Vetëm mbasi është
plagosur në luftë është marrë vesh se Idrizi ishte me besim i krishterë.
Nga
popullsia shqiptare e veriut e cila u vendos në teritoret italjane dolën shumë
familje fisnike të cilat i dhanë Perandorisë romake udhëheqësa të shtetit dhe
disa Papë dhe shumë kardinal me origjinë shqiptare. Se sa i madh ka qënë
presioni i pushtuesve turq ndaj popullsisë katolike shqiptare del e qartë po të
kemi parasysh veprimet tejet vandale që ka kryer kundra popullsisë së pa
fajëshme por edhe kundra personelit të kishës katolike romake, prezente në
trevat shqiptare në atë kohë.
Imz.Pjetër
Bogdani, kur u emërua (ipeshkëv) në Shkodër, u burgos nga i biri i pashait dhe
u dënua me një muaj burg, ja grabitën kalin dhe iu ndalua letërkëmbimi me
Italinë. Më 1689 Imz. Pjetër Bogdanit, forcat ushtarake osmane i dogjën
shtëpinë, kurse atë vetë e arrestuan, e zhveshën lakuriq dhe e shëtitën nëpër
qytetin e Prizrenit. Me ndërhyrjen e pashait të Prizrenit ai u lirua dhe u
fal.5)
Trupin
e Pjetër Bogdanit, të vdekur me datën 6 dhjetor 1689 në Prishtinë, tatarët dhe
turqit e kanë nxjerrur nga varri dy javë pas varrosjes, me datën 20 dhjetor
1689 ua kanë hedhur qenve në tregun e Prishtinës.
Klerikët
provuan prej pushtetit turk dhe bashkpunëtorëve të tyre dhunë fizike, morale
deri në ekzekutim me vdekje nën tortura.
Nga
gjithë kjo mori klerikësh që u vranë nën tortura të tmerrshme mund të përmenden
Pjetër Budi, Dom Ndre Kalamashi, prift i Gjakovës, Pjetër Mazreku, vikar
apostolik në malet e Shqipërisë, Dom Nikë Grubësin, Anton Pavlloviqin, misionar
apostolik i Trepçës, i Vuçiternës dhe i Prishtinës, Pardre Hilarionen
famullitar i kishës së Grisë bashkë me ndihmësin e tij dhe shumë të tjerë.
“Don
Anton Pavloviqin, misionar apostolik i emëruar në Trepçë, Vuçiternë dhe
Prishtinë, është rrahur për vdekje nga turqit për shkak se rrugës për në Romë
kishte marrë me vete deri në Raguzë një djalosh të shkretë të cilin turqit e
kidhin ndjekur dhe munduar deri sa e detyruan ta mohojë fenë.6)
Në
një letër të ipeshkvit të Stefanisë Nikollë Mekajshi, dërguar në vitin 1599
kardinalit S.Xhorxhio, bëhet paralajmërimi i frikshëm se, në teritoret tona
etnike, ku kemi jetuar shekuj me radhë, po duken qartë dukuritë që paraqesin
rrëzikshmëri rrënqethëse për shpërbërjen tonë përfundimtare dhe kërkonte ndihmë
nga Perendimi: Një pjesë e popullsisë po kalonte në ortodoksinë greke, një
pjesë tjetër në ortodoksinë prosllave dhe një pjesë në besimin islam. Fill mbas
këtij alarmi, i cili dihet se nuk ishte i pari që shkonte në Europë, në trojet
e Arbërore u mbajtën tre kuvende të rëndësishëm. I pari u mbajt më 1602 dhe
1603 në Dukagjin të Matit, me 1600 delegatë. Kuvendi i dytë u mbajt në afërsi
të Podgoricës, në kullën e madhe të Lalë Drekalit të Kuçit, krahinë e cila
akoma nuk ishte sllavizuar. Kuvendi i tretë u mbajt në Prokuple, në njërën nga
pikat më veriore të Arbërisë. Nga të tre këto kuvende u dërguan në Europë
mesazhe alarmi shumë të fuqishëm, por rezultati qe i kotë kotë: Duhej që
popullsia Arbërore t’a përballonte vetë rrezikun e pushtimit dhe asimilimin.
Por
dhuna e pushtuesit ka vazhduar pa ndërprerje. Në Dioqezën e Pultit, dikur me 78
kisha dhe manastire të bukura tashmë ishin rrënura të gjitha. Në dioqezën e
Shkodrës që dikur kishte më shumë se 300 kisha, tani pothuaj të gjitha ishin të
rrënuara. Në vitin 1602 Kisha e Zojës së Ngjitun në Qiell, në Prizren, u dogj
tre herë dhe u plaçkitet prej pushtuesit turk dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Po
në atë vit është prishur dhe rrënuar tërësisht abacia e Shënkollit në Breg të
Bunës, në afërsi të Ulqinit. Në vitin 1603, kundër ipeshkvit të Shkodrës,
Imz.D.Andreasit, është shpifur, është arrestuar dhe dënuar me vdekje. Është
shpëtuar nga disa të krishterë, pasi kanë paguar një sasi të madhe parashë. Në
fshatin Letnicë, në Malin e Zi të Karadakut të Shkupit, është vrarë një prift
katolik shqiptar.
Pashai
i Ohrit, pasi e sulmon dhe e djeg Mirditën, gjen në shtëpinë e ipeshkvit të
Lezhës 38 njerëz të fshehur dhe i vret të gjithë, bashkë me famullitarin Dom
Markun.7)
Në
vitin 1611 kisha e Shën Markut në Mirditë është e rrafshuar përgjysmë prej
pushtuesit kurse më 1611, kisha e
Shënkollit në Lezhë ku ka qënë varrosur heroi ynë kombëtar Skënderbeu, mbasi
është dhunuar varri, është zaptuar prej pushtuesve dhe është kthyer në xhami.
Edhe në Prizren dy kishat më të bukura të qytetit janë kthyer në xhami. Në
Ulqin, kisha e ndërtuar sipas stilit të rilindjes e përfunduar në vitin 1510, u
shndërrua në xhami. Më 1613, me urdhër të sulltanit u shkatërruan të gjitha
kishat e ndërtuara në sanxhakun e Ohrit me pretendimin se nuk ishte marrë leje nga pushtuesi. Më 1624, priftin shqiptar
Dom Markun, pushtuesit me akuza fallco dhe të pabazuara, mbasi e torturuan, pa
kryer asnjë faj e vranë dhe donin ta hidhnin në lumin e Bunës. Komuniteti
katolik në rrethinat e Shkodrës pagoi shumë para dhe bleu kufomën e tij për ta varrosur
në kishën e Shën Mërisë së Madalenës. Në
vitin 1628 Dom Dhimitrin e kanë arrestuar dhe e kanë sjellë në kështjellën e
Shkodrës. E kanë kërcënuar se do ta ngulin në hu, por shokët dhe besimtarët e
tij, paguan 60 talerë dhe e shpëtuan nga një vdekje e mundimëshme. Ipeshkvi i
Lezhës, Imz. Benedict Orsini, gjatë shtatë viteve është grabitur katër herë
prej autoriteteve turke. Në vitin 1632 kisha e Shën Palit në Dukagjin është
rrënuar dhe është plaçkitur çdo pasuri e sajë. Në Durrës u shkatërrua misioni i
kishës katolike dhe dy misionarë u ngulën në hunj. Dom Andre Kalamashi u
torturua i lidhur këmbë e duar, u var në sheshin e qytetit të Gjakovës, iu pre
dora, ju rop koka dhe, dora së bashku me lëkurën e kokës, iu dërgua Vezirit të
Madh.
Në
vitin 1688, me urdhër të pashait është plaçkitur kisha e Janjevës dhe është
shkatërruar çdo gjë që nuk mund të merrej me vete. Ky vandalizëm në Janjevë nga
ana e pushtuesit është përsëritur tre herë.
Historiani
Jahja Drançolli, në emisionin “Komiteti” ka deklaruar se në bazë të regjistrave
turk, në vitin 1430 nuk kishte asnjë mysliman shqiptar në Kosovë, ndërsa në
regjistrin tjetër atë të vitit 1455 ishte vetëm një banor i Kosovës mysliman.
Por
mbas vitit 1448 gjërat ndryshuan shumë në drejtimin negative për popullsinë shqiptare
në Kosovë dhe në rrethinat e sajë. Më së pari nga dhuna dhe persekutimi turk e
ka pësuar popullsia e zonave fushore dhe qytetare në qytetet kryesore të asaj
kohe Ohri, Shkupi, Prizreni, Peja, Prishtina, Janjeva etj.
Në
relacionin e datës 20 shkurt 1769 dërguar në Romë nga Fra Luigi Maria di Roma
Prefekt Apostolik, duke folur për gjendjen e Shoshit shkruan: “Sciosci quinta
ospizia e lontano da Dusmani una buona giornata di camine per strade le piu di
sastrose, che sono in Pulati. Questa villa puo esser la magior parte gente
selvatica, bellicista, assassin di strada, e ribelli quasi sempre al Turco,
perche non vogliano darli il tribute, l’anno 1761, come anche nel 1732 fu
abrigiata dal Passia di Pecchia: non essendovi ne chiesa, ne casa, ma solo una
picola capanna per abitazione del missionario, quale con un poco di limosina
dopo la abbrugiamente a tali effetto radunata tra li missionary, acrebbe
rifabbricato almeno l’ospizio, se avesse volute e volesse la villa ajutarla,
non vedendosi pero finora alcuna disposizione questa parrochia numera case 138
= anime 1013 = di comunione 300 = in circa: Batezzati 39 = matrimony 16 e per
le loro iniquita la maggior parte senza legge. Qui Presidente ritrovasi il
P.Gabrielle da Monzoro della provincial di Principata di anni 49, di
missione 9 in Albania, ora neza
campagna.”9)
Nga
ky relacion merret vesh se sa i madh ishte presioni i pushtuesve turq për të
ndërruar besim dhe sa e madhe ishte rezistenca e popullsisë për ti qëndruar
dhunës së pushtuesit.
Në
një relacion të datës 2 gusht 1786, të nisur nga Plandi prej Fra Michelangelo
da Carpineto, marrim vesh për largimin me dhunë të shumë banorëve të fshatrave
Nikaj, Salcë dhe Alshiqe nga komanda turke. Ai shkruan: “L’ospizio di Nichagni
consiste in case numero 68; Anime numero 494; di communione 339; battezzati
numero 30; matrimoni numero 2; senza legge numero 9;
ove
risiede Presidente il Prefetto Cherubino da Braviliano missionario, che si
adopera con tutto zelo nel suo offizio.
Mi
resta l’obbligo d’umilmente rappresentare all’Eminenze Vescovo, che essendosi
ribellata la Parrocchia di Nichagni al commandante turco, furono l’anno scorso
dal questa scacciati, ed versare ad abbitare le case, e terreni loro, case
numero 22 della Parrocchia di Salza, della Parrocchia di Aragna case numero 26,
dalla Parrocchia di Alziecca Diocesi di Sappa case numero 6; eppercio si sono
diminuite le case di Cole. tre Parrocchie di Nichagni, Aragna; e Salza.10)
Në
një letër të datës 13 shkurt 1761 në Shosh dhe të nënshkruar nga “Fretënit e
Pultit”, të shkruar në gjuhën shqipe dhe drejtuar autoriteteve shtetërore në
Pejë, merret vesh se Shoshi dhe Kiri u dogjën tërësisht, kishat u plaçkitën dhe
u shkatërruan dhe u mor peng një fëmijë vetëm nëntë vjeç, Gjergj Jak Tuzi, i
cili ishte nxënës që po mësonte zanatin e meshtarit dhe u dënua me vdekje sepse
nuk pranonte të ndërronte besim. Për lirimin e këtij fëmije, populli i
Dukagjinit i pagoi Pashait të Pejës shumën marramendëse për atë kohë prej 300
realësh. U arrestuan personeli fetar i kësaj dioqeze që jetonin në Shosh në
besën dhe mbrojtjen e Ahmet Agës, që ishte adjutant i Kahreman Pashës dhe
drejtonte ushtrinë shkatërrimtare që ndëshkoi banorët e Pultit. Këto ishin
metoda të pa mëshirëshme dhe shumë burracake që përdorte pushtuesi për nënshtrimin
dhe plaçkitjen e pasurisë së banorëve të vet me besim katolik.11)
Në
relacionet e Propagandës Fide në Vatikan janë ruajtur shumë vendime që janë
marrë nga komunitetet e krishtera për të ruajtur besimin e vjetër dhe për të
mos pranuar fenë e pushtuesit. Po radhitim disa prej tyre me shkurtime.
Në
vitin 1866, Frati Pal Berisha nga rrethinat e Prizrenit, Ipeshkv i Pultit, në
prani të parisë s katër bajrakëve të fiseve Nikaj, Mërtur, Shalë dhe Shosh, me
datat 8, 9 dhe 10 qershor 1866, kanë
marrë vendim në lidhje me martesat me muhamedan dhe mbi konkubinatin. Më poshtë
po vendosim pjesë nga ky dokument të përkthyer.
Legge,
Vëndim
Proposta
ala sancita delle 4 tribu di Nikaj, Mertur, Shala, Shoshi nella generale
adunanza delle me fatta nei di 8,9, e 10 giunio 1866.
Propozime
të sanksionuara të 4 bajrakëve Nikaj, Mërtur, Shalë dhe Shosh në kuvëndin e
përgjithshëm me mua me datat 8, 9, dhe 10 qershor 1866.
1.
Non osi alcuno vendeve donne al
moamettano, e a concubina.
Nuk
do të guxojë të shesë grua ndër musliman, ose të mbajë dy gra.
2.
La pena per la violazione di questa legge sara: L’essilia e l’abrucciamente
della casa. Dënimet për moszbatimin e
këtij vendimi do të jetë: Nxjerrja jashtë fisit dhe djegia e shtëpisë.
3.
Le sicurta per l’essecuzione di questa legge sono quelle messe per la tregua
dei pastori come nell’elenco qui dopo.
Siguria
për zbatimin e këtij vendimi janë ato që janë vendosur për ndjekjen dhe
mbikqyrjen sipas listës këtu poshtë.
Presidente
all’ adunanza sud. Fu M. Paolo Berisha Vescovo di Pulati assistenti i
missionari
delle singolo Parrochie.
Presidenti
i këtij kuvendi ishte Pal Berisha, Ipeshkv i Pultit i ndihmuar nga
misionari
i vetëm i kësaj famullie.
In
fede di cio. Besojmë tek kjo.12)
Një
tjetër vendimi që është marrë në lagjen Rreshpe të fshatit Peraj të fisit
Nikaj, në vitin 1881 nga komuniteti i fisit të Nikajve dhe i bajraktarit Bash
Bajrami, i shkruar në një ditar të titulluar “Memorie Varie” dhe të shkruar në
gjuhën italjane nga Fr. Antonio Peloni.
Meqënëse
relacioni është relativisht i shkurtër, po e paraqesim të shkruar në origjinal
dhe të përkthyer.
“Memorie
Varie
Alla
mia venuta trovai otto fanciulle vendute al turco, ne salvamo quatro e quatro
andarono perdute. Allora in una adunanza di tutte Nikaj a Rescpe pregai la
tribu a fare la leggie all’intiera.
L’Alfiere
Bash Bairami all’intiera addunanza dicendo: Kush ep çiken n’turq, asht i djegun
e i piekun e i dalun.
Sicurta
sono quelle della chiesa. Ma questi semibarbari popoli ovendo piu a cuore il
denaro che la propia religione e meglio l’anima propia, tre case fissare non
volare stare alla legge, e tutte tre le feci
brucciare dalla tribu.”AQSH, F 133,D20, Fl 4.
“Ngjarje
me rëndësi
Kur
unë erdha këtu, gjeta tetë vajza të shitura tek turqit, ne shpëtuam katra,
kurse katra i humbëm. Atëherë në një mbledhje të të gjith fisit në Rreshpe ju
luta fisit që të bënin një urdhëresë të brendëshme. Bajraktari Bash Bajrami me
urdhër të brendshëm vendosën: Kush jep vajzën tek muslimanët, është i djegun
dhe i pjekun dhe i nxjerrun jashtë fisit. Garanci për këtë është kisha. Por
këta popuj gjysëm barbar kanë më për zemër paratë se sa fenë e tyre dhe më mirë shpirtin se
fenë, tre shtëpi fiksuen mos me e zbatue vendimin, dhe të treja këto shtëpi u
dogjën nga fisi.” 13)
Siç
mund të shifet e shkruar edhe me translitarim edhe në dorëshkrimin origjinal,
vendimi është shkruar me një shqipe të lakmueshme edhe nga ana gjuhësore edhe
si kaligrafi shkrimi.
Në
fshatin Curraj, në vitin 1844 një person ka vrarë kushëririn e tij sepse ka
dhënë motrën një muhamedani. Në regjistrat kishtare është shënuar:
Fu
ammazzatto Sciuta Aiddari dal suo Cugino, e fu privo di sepoltura
Ecclisisastica per aver affidate la sorella all’ottomano. Fra Rafaelo
Curraj
Poshtër, 13 janar 1844, është vrarë Shytan Hajdari nga kushëriri i tij dhe ju
ka ndalue varrosja si i krishterë, sepse
ka dhënë motrën tek ottomanët. Fra Rafaele. 14)
Nga
këto relacione del e qartë se tendenca për islamizim dhe rezistenca për të mos
u islamizuar nuk është ndërprerë asnjëherë deri në shpalljen e pavarësisë nga
pushtimi turk në vitin 1912.
Rezistenca
kundër ndryshimit të besimit nuk ka qënë vetëm një kërkesë e priftërinjëve
katolikë si masë për të mos humbur ndikimin e tyre mbi popullsinë e krishterë.
Kjo rezistencë ka patur një vizion më të gjerë dhe shumë më të rëndësishëm.
Përmes mbrojtjes së fesë së krishterë, mbrohej Evropa e krishterë. Kjo ka
sjellë që Austrohungaria ka mbrojtur në vazhdimësi popullsinë e Shqipërisë
veriore nga asimilimi islamik. Në luftën Austro Turke të viteve 1683 deri 1689
shqiptarët u radhitën përkrah forcave Austrohungareze. Këtë aleancë popullsia e
fiseve të veriut shqiptar e pagoi shum shtrenjt më vonë. Mbas përfundimit të
luftës qeveria turke i ndëshkoi shumë ashpër përkrahësit e austrohungarisë duke
ju shkatërruar pronat, duke i vrarë , duke i marrë robër, duke i zhvendosur me
dhunë në vende të tjera dhe duke i dhunuar me të gjitha mënyrat e mundëshme. Në
shenjë hakmarrjeje për aleancën me austrohungarezët, trupin e vdekur të Pjetër
Bogdanit e zhvarrosën dhe lanë në mëshirën e qenve në qytetin e Prishtinës. Kjo
ka qënë një hakmarrje e verbër, sepse ndaj të vdekurit vetëm njerëz shum të
paqytetëruar mund të marrin hak. Por pushtuesit turq të tillë ishin. Nga
relacionet marrim vesh se në shekullin e XVIII dhe XIX, pas Selisë së Shenjtë
në Romë ishte Austrohungaria ajo që më së shumti u kujdes për popullsinë
katolike të Shqipërisë së veriut. Mbas kësajë kontributin më të madh e ka dhënë
shteti Francez. Kjo ndihmë ka ardhur në formën e konsullatave në qytetet
kryesore, në dhënien e fondeve për hapjen e shkollave dhe në arsimimin falas të
personave nga Shqipëria në shtetet e tyre, në dhënien e fondeve për ndërtimin e
kishave dhe objekteve të tjera fetare, në sjelljen në shqipëri të personelit
fetar nga vendet e tyre etj. Me fondet e shtetit francez është ngritur kisha në
fshatin Curraj Epër në vitin 1898 në distancë gjasht orë rrugë nga Famullia e
Fisit Nikaj. Ky fshat edhe sot në shekullin XXI nuk ka rrugë makine, pra është
një fshat tejet i izoluar por nuk i ka shpëtuar interesit të qeverisë franceze.
Për banorët e Pultit në mesin e shekullit XIX, konsullata e Austrohungarisë ka
intervenuar pranë organeve perandorake të Turqisë për zvogëlimin e taksave.
Është i njohur kontributi i Austrohungarisë për pavarsinë dhe konsolidimin e
Shtetit Shqiptar në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Për
lexuesit janë të njohura punimet e Karl Steinmetz dhe Baronit Franz Nopsca mbi
kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Menjëherë mbas shpalljes së pavarësisë së
Shqipërisë, në vitet 1916 deri 1918, forcat austrohungareze të vendosura në
Shqipëri kanë hapur 432 shkolla shqipe. Ky ka qënë një kontribut shumë i madh
po të kemi parasysh se për 432 vjet të pushtimi turk, pushtuesi nuk ka hapur
asnjë shkollë në gjuhën shqipe megjithëse shqipja në forma të ndryshme kishte
filluar të shkruhej qysh në kohën kur Turqia e pushtoi vendin tonë. Ka qënë
politikë zyrtare e pushtuesit që Shqipëria të asimilohej tërësisht si fe, si
gjuhë dhe si kulturë në fenë, gjuhën dhe kulturën e pushtuesit. Por falë
qëndresës mbinjerëzore të popullit shqiptar dhe veçanarisht të fiseve katolike
të veriut të Shqipërisë, ky asimilim nuk ka ndodhur. Por megjith këtë qëndresë,
kultura dhe gjuha kombëtare shqiptare kanë pësuar dëmtime shumë të rënda. Në
fjalorin e gjuhës shqipe sot kanë mbetur në përdorim një numër i madh i fjalëve
në gjuhën turke. Gjithashtu gjatë tërë kohës së pushtimit dhe sot mbas njëqind
vjet pavarësie vazhdojnë të përdoren me shumicë emra njerëzish nga gjuha turke.
Në Kosovë mbas vitit 1945, me qëllime dhe prapavijë politike antishqiptare dhe
pro serbe, një numër i madh i popullsisë shqiptare në Prizren dhe në rrethina,
janë shkruar në dokumenta si të nacionaliteti turk edhe pse nuk kanë qënë të
tillë. Pra, ka vazhduar turqizimi i vendit pa turqinë.
Në
disa fshatra në Shqipëri dhe në Kosovë ka patur nisma për kthimin në identitet
të popullsisë shqiptare të islamizuar forcërisht. Mbas më shumë se njëqind vjet
pavarësi, populli shqiptar vazhdon të mbajë në pjesën më të madhe fenë e
pushtuesit të tij Turqisë aziatike, për 432 vite. Në Rugovë, fshatarët me besim
islam, në nderim të të parëve të tyre, kanë ndërtuar kishën katolike. Në
qytetin e Prishtinës, me një popullsi simbolike të krishterë është ndërtuar
kisha katolike më e madhe në Ballkan dhe frekuentohet me shumicë jo vetëm nga
popullsia e besimit katolik por edhe nga shqiptarët me besim musliman dhe
ortodoks. Shqiptarët ortodoks e frekuentojnë këtë kishë ngase shikohet më tepër
si kishë shqiptare. Sepse për nacionalitetin serb, çdo ortodoks është një serb,
kurse për popullsinë shqiptare çdo katolik nuk konsiderohet i një nacionalieti
tjetër por shqiptar katolik. Në mediat e shkruara dhe elektronike ka vazhduar
një debat i gjatë midis studjuesve të ndryshëm mbi mentalitetin fetar të
shqiptarëve. Duke marrë shkas nga pjesmarrja e një numri të pa përfillshëm shqiptarësh
në luftën në Siri, ka vazhduar një lumë akuzash për popullin shqiptar në
Shqipëri dhe në Kosovë si vend me mendësi fondamentaliste islamike. Kjo
propogandë godet fort në integrimin europian të vendeve tona duke i paraqitur
shqiptarët si fondamentalistë. Edhe mbas njëqind vjet pavarvsie nga Turqia
populli jonë vazhdon të vuaj pasojat e islamizimit të dhunshëm të diktuar në
shekuj prej pushtuesit turk. Pasojat e betejës së vitit 1448 në Kosovë, populli
shqiptar po i vuan edhe sot. Dhe kjo duhet të bëjë të reflektojë në qëndrimin e
tij fetar çdo shqiptar kudo që ndodhet. Të shpresojmë që pasojat negative të
këtij fenomeni të vijnë duke u zvogëluar deri në zhdukjen e plotë të tyre.
Shënime për referencat
APF - Arkivi i
Propagandës Fide
ASV - Arkivi Sekret i
Vatikanit
AQSH - Arkivi Qëndror i
Shtetit (shqiptar)
1)APF,SC Albania, Vol 4,
faqe 561
2)Archivio Segreto
Vaticano, Sacra Cong. Conc. Visite ad Limin, Pulaten, botuar në “Il
cattolichesimo in Albania nei secoli XVII e XVIII”, Lorenzo Tacchella, Verona 1984,
faqet 41 deri 46
3)APF, SC Albania, Vol
9, faqe 217
4)AQSH, Urdhëri
Françeskan, Fondi 133, dosja 4, fleta 23
5) APF, SOCG, vol 504,
faqet 369 - 370
6) APF SC
SERVIA1669-1760, vol 1, faqet 96 deri 98
7)APF SC Albania, vol 3,
faqe 88 -90
8)APF, SOCG, vol 499,
faqet 270-271
9)APF, SC Albania, Vol
12, faqe 554r
10)APF, SC Albania, Vol
18, faqe 222
11) Letra e Fretënve të
Pultit drejtue në vitin 1762 pashës së Shkodrës, në: Hylli i Dritës 2
(2007), faqet 163-164
12)AQSH, Urdhëri
Françeskan, Fondi 133, dosja 4, fleta 126
13)AQSH, Urdhëri
Françeskan, Fondi 133, dosja 4, fleta 132
14)AQSH, Urdhëri
Françeskan, Fondi 133, dosja 4, fleta 136









