Speciale
Syrja Etemi: Nga Kërpena e Petrushjani – në Neproshten
E marte, 06.01.2026, 06:59 PM

NGA KËRPENA E PETRUSHJANI - NË NEPROSHTEN
Shkruan Syrja
ETEMI
Vijimësia
historike dhe toponimike e një vendbanimi mesjetar
Studimi
i toponimisë dhe i vazhdimësisë së vendbanimeve përbën një nga çështjet
themelore të historiografisë mesjetare dhe osmane në rajonin e Pollogut.
Ndryshimet e emrave të fshatrave, zhdukja ose shfaqja e tyre në burime të
shkruara, si dhe ruajtja e kujtesës kolektive përmes gojëdhënave, paraqesin një
fushë të rëndësishme për analizë historike dhe antropogjeografike. Në këtë
kuadër, fshati i sotëm Neproshten, afër Tetovës, paraqet një rast domethënës
për shqyrtimin e transformimeve toponimike dhe identitetit lokal ndër shekuj.
Ky
punim ka për qëllim të hedhë dritë mbi çështjen e emrit më të vjetër të fshatit
Neproshten, duke u mbështetur në burime arkivore mesjetare dhe osmane, si dhe
në të dhëna nga literatura shkencore dhe tradita gojore. Nëpërmjet analizës së
kartave të manastireve, defterëve osmanë dhe dëshmive hapësinore, argumentohet
se fshati mesjetar Kërpene, i përmendur që në shekullin XIV, nuk është zhdukur,
por përfaqëson emrin e vjetër të Neproshtenit të sotëm. Gjithashtu, shqyrtohet
shfaqja e emrave Neproshten dhe Petrushjani në gjysmën e dytë të shekullit XVI,
si dhe kuptimi dhe origjina e tyre në kontekstin historik dhe legjendar lokal.
Shtruarje shënimesh e dokumentesh
Kërpene është një fshat i vjetër mesjetar, i cili për herë të parë përmendet në
kartën e manastirit të Treskavecit nga viti 1335. (L.
Slaveva, Karta, shënime dhe dokumente të tjera të dokumentuara të manastireve
dhe kishave në rajonin e Pollogut dhe zonat përreth. Monumente të historisë
mesjetare dhe moderne të Maqedonisë. Vëllimi III, Shkup, 1980, f. 133.)
Sipas
kësaj karte, manastiri i Treskavecit kishte prona në fshatin Kërpene. Më vonë,
Kërpene përmendet edhe në Kartën e manastirit të Htetovës nga viti 1343, ku mbreti Dushan i dhuron
lordit Pribec me oborrtarët e tij, kishën e Shën Gjergjit, livadhet dhe kodrën
manastirit të Htetovës. (I njëjti burim,
f. 175.)
Përveç
kartave, Kërpena
përmendet edhe në dokumente osmane. Fillimisht në vitin 1452/53, është shënuar si Krpane me 28 familje dhe 2 beqarë. (Dokumente osmane për historinë e popullit maqedonas. Defteri i gjerë i
regjistrimit nga shek. XV, Vilajeti i Tetovës, 1452/53, Shkup, 1976, f. 115.)
Ndër
taksat e tjera, është përmendur edhe taksa për 4 mullinj uji. Në regjistrimin e Isa-beg Isakoviqit
në vitin 1455, Krpene
figuron si: Krpanje, me
28 familje dhe 2 beqarë. (H. Šabanovi?,
Krajishta, Isa-beg Isakovi?a, Regjistrime të mbledhura nga viti 1445, Sarajevë,
1964, f. 38.)
Në
vitin 1467/68,
fshati Kërpanje kishte 28 familje, 2 beqarë, dhe 7 mullinj uji.
(Dokumente osmane për historinë e
popullit maqedonas. Defteri i gjerë i regjistrimit nr. 4, 1467/68, Shkup, 1971,
f. 337.)
Interesante
është që në këtë regjistrim përmendet një ushtar i ushtrisë osmane nga fshati Petrushinë, një
fshat që për ne është i panjohur. Mirëpo, në regjistrimin e vitit 1568/69, kur jepet regjistrimi
për fshatin Reçan, thuhet se Reçani kishte tokë bujqësore – mezrë në fshatin Neproshten ose Petrushjani. (Dokumente osmane për historinë e popullit
maqedonas. Defteri i gjerë i regjistrimit për Sanxhakun e Shkupit, 1568/69,
Vëllimi 6, Libri 1, Shkup, 1984, f. 280, nr. 33.)
Në regjistrimin
e fshatit Neproshten (Po aty, f. 267, nr. 20), nuk përmendet
emri i dytë Petrushjani.
Interesant është se aty përmenden ushtarët:
Nikola Gjon dhe Rade Gjon, të cilët ishin të
liruar nga obligimi ushtarak. Si falënderim ndaj Zotit, vëllezërit në vitin 1567 ndërtuan kishën e Shën Kryeengjëllit Mihailit
në fshatin Neproshten, e
cila është ruajtur deri më sot dhe emrat e tyre janë të shkruar si ktitorë.
Nga
sa u paraqit më lart, shihet se Neproshteni
kishte edhe një tjetër emër që quhej: Petrushjani.
Ky emër ndoshta vjen nga emri i ushtarit Petrushi.
Duhet theksuar se të dy emrat – Neproshten
dhe Petrushjani –
shfaqen në gjysmën e dytë të shekullit të 16-të, por emri Petrushjani nuk shfaqet më pas.
Tani
lind pyetja: Cili ka qenë emri më i vjetër
para se të shfaqeshin emrat Neproshten dhe Petrushjani?
Nga
të dhënat dhe dokumentet e paraqitura, sidomos ato që i jep antropogjeografi,
Ilija Petrushevski në shënimet e tija hulumtuese të përmbledhura në librin
monografik: “Isçeznati sellski nasellbi i sella so promeneti iminja vo Pollog”,
Shkup, 2009, vihet re se kur shfaqet
fshati Neproshten,
zhduket fshati Kërpene, duke
na çuar në përfundimin se Kërpene
nuk është braktisur, por është emri i vjetër i fshatit të sotëm Neproshten. Këtë e
përforcojnë të dhënat e mëposhtme.
Feudali Pribec më parë jetonte në fshatin Jeduarcë,
dhe më pas me familjen dhe oborrtarët, u shpërngul në Kërpene. (A. Seliš?ev, Polog dhe popullsia e tij bullgare, Sofje, 1929, f. 98).
Aty ai ndërtoi kisha e Shën Gjergjit.
Fshati Jeduarcë dhe Neproshten janë afër
njëri-tjetrit, të ndara vetëm 500-600
metra. Kisha e ndërtuar e Shën Gjergjit më vonë u shkatërrua,
por në vitin 1969 u
rindërtua. (Kisha ndodhet në pjesën veriperëndimore të fabrikës "Renofix"). Nëpër fshat
kalon një lumë, ku më
parë ishin ndërtuar mullinj
uji. Nga oborri i kishës së Shën Gjergjit ngrihet shkëmbi i Malit të Sharrit, pra
"kodra". Përballë
kodrës është një pjesë fushore
me livadhe, ara dhe kullota, të dhëna që përmenden në Kartën.
Në
fshat ruhen gojëdhëna se
fshati ka pasur një tjetër emër. Emri aktual Neproshten, sipas legjendës, lidhet me mallkimin "neprosto",
(mallku!) dhe me toponimin "Dushogubica",
që ndodhet në pjesën fushore të fshatit Neproshten.
Shpalosje e një shënimi gazetaresk për ndryshimin
e emrit të vendbanimit në fjalë
Që
në fillim të punimit – për këtë pretendim, do të paraqesim një legjendë ku
thuhet se, në fshatin fqinj Xhepçisht,
gjatë sundimit osman ndodhi një ngjarje e dhunshme dhe banorët u fshehën në
pyllin e quajtur sot Dushogubica.
Megjithatë, ata u tradhëtuan,
të gjithë u vranë dhe u varrosën aty. (Jovan
Trifunovski, Pollog. Studime antropogjeografike, Beograd, 1976, f. 346.)
Në
vazhdim do të shpalosim edhe një shënimin gazetaresk të paraqitur në gazetën
ditore në gjuhën serbe: “Vreme” të datës 5 janar të vitit 1937, ku, në këtë
kontekst shkruan se, fshati Neproshten afër Tetovës, mbi të cilin
është hedhur një mallkim para 300 vitesh, e ka ndryshuar emrin në
"Andrejevo".
Tradhtari ishte nga Kërpena,
të cilin të mbijetuarit e mallkuan me fjalën "të mos i falet" (neprosto), prej nga
vjen emri Neproshten.
Banorët e Neproshtenit kanë krijuar legjendën e tyre për emrin e fshatit,
për të shmangur lidhjen me tradhtinë
ndaj xhepçishtasve. Për ta shmangur këtë mallkim, në vitin 1931, e ndryshuan emrin e fshatit në
"Andrejevo", i cili qëndroi deri në vitin 1941.
Përfundim
Nga analiza e burimeve
historike të paraqitura, del qartë se ekziston një vijimësi e pandërprerë e
vendbanimit nga fshati mesjetar Kërpene deri te fshati i sotëm Neproshten.
Zhdukja e emrit Kërpene nga dokumentet përkon kronologjikisht me shfaqjen e
emrit Neproshten, gjë që përjashton mundësinë e braktisjes së fshatit dhe
përforcon tezën se bëhet fjalë për të njëjtin vendbanim me emër të ndryshuar.
Të dhënat nga kartat manastirore, regjistrimet osmane, përshkrimet topografike
dhe pozicioni gjeografik i kishave dhe tokave bujqësore përputhen plotësisht me
hapësirën e sotme të Neproshtenit.
Emri Petrushjani, i
dokumentuar përkohësisht në shekullin XVI, duket se ka qenë një emërtim
dytësor, i lidhur me një figurë ushtarake lokale, i cili nuk arriti të
konsolidohet në përdorim afatgjatë. Ndërkaq, emri Neproshten u ruajt,
pavarësisht ngarkesës së tij negative në kujtesën popullore, e cila u reflektua
në legjendat për mallkimin dhe tradhtinë, si dhe në përpjekjen e banorëve për
ta zëvendësuar atë me emrin Andrejevo në periudhën ndërmjet dy luftërave
botërore.
Në përfundim, ky punim
dëshmon se Kërpena përfaqëson emrin më të vjetër të fshatit Neproshten dhe se
ndryshimet toponimike të këtij vendbanimi janë rezultat i proceseve historike,
administrative dhe kulturore, të ndërthurura ngushtë me kujtesën kolektive
lokale. Studimi kontribuon në njohjen më të thelluar të historisë së Pollogut
dhe ofron një shembull konkret të rëndësisë së kombinimit të burimeve të
shkruara me traditën gojore në hulumtimet historike.









