E diele, 11.01.2026, 02:30 PM (GMT)

Speciale

Syrja Etemi: Shkupi dardan në dritëhijet e enciklopedisë serbo-kroato-sllovene

E shtune, 10.01.2026, 03:57 PM


SHKUPI DARDAN NË DRITËHIJET E ENCIKLOPEDISË SERBO-KROATO-SLLOVENE

Nga Syrja ETEMI

Në disponim të  atyre pak burimeve  të shkruara në gjuhën shqipe për kryeqendrën e Republikës së Maqedonisë së Veriut - Shkupin, do të shkëpusim kohë e t’u qasemi shkrimeve të autorëve të huaj në lidhje me të kaluarën  e këtij qyteti sa të zëshëm, po aq edhe të mbuluar me aureolën e misterit dhe pështjellimit. Kësaj radhe do të vë në spikamë disa dëshmi materiale e të shkruara, që kanë të bëjnë me Shkupin - kryeqendrën dardane. Ajo që më ka rënë në dorë dhe që më ka lënë mbresa në përshkrimin dhe prezentimin e të dhënave për këtë qytet, janë burimet që dalin nga literatura serbo-kroate që, për lajtmotiv kanë Shkupin. E, unë në këtë rast do t’i azhurnoj e ezauroj dy prej tyre:  “NARODNA ENCIKLOPEDIJA” - Srpsko-hrvatsko-slovena?ka, 1925  dhe “TURSKI SPOMENICI U SKOPLJU” - Gliša Elezovi?,1925. Me këtë rast nuk do të lëshohemi në vlerësimet  dhe kualifikimet kuturu se, a janë ato shkrime të vërteta apo jo, a i nënshtrohen metodologjisë adekuate – të saktësisë shkencore apo jo, por pretendoj që lexuesit shqiptar t’i ofroj material, të cilat mendoj se do të jenë me interes, sepse, që në fillim  iu përmbajtja primesës: “Detyrë imja është ta them të vërtetën e, jo t’i detyroj të tjerët të besojnë në të.” E, në këtë rast, e vërteta është se, shkrimet e eksploruara janë origjinale e të akceptueshme, ndërsa për përmbajtjen dhe vërtetësinë gjykoni vet…!

Në shkrimin e parë enciklopedik  për Shkupin, kështu shkruajnë hartuesit e saj:

“SHKUPI, kryeqendër i Serbisë Jugore, seli e qarkut të Shkupit; gjendet në veriperëndim të rajonit të Fushës së Shkupit, dhe është i shtrirë në brigjet e Vardarit aty ku bashkohen Treska dhe Lepenci. Numëron 9.130 shtëpi me 69.269 banorë. SH. ka kryesisht pozitë të rëndësishme gjeografike. Gjendet në mes të qarkut dhe në vet Gadishullin Ballkanik, në arterien kryesore transballkanike dhe vardaro - moravase, me të cilën këtu kryqëzohen edhe shumë rrugë tjera dytësore. Shtrihet në një tokë shumë të gjërë e pjellore, që bën  bereqet të bollshëm  edhe për vendbanimet dhe rajonet përreth tij. Për këtë, Sh. me këtë pozitë dhe pasuri mbushulluese, mbetet një qendër e madhe kulturore, bujqësore dhe politike.

SH. paraqitet në epokën e parë historike  të Siujdhesës Ballkanike si kryeqendër e fisit ilir të Dardanëve. Është quajtur: S c u p i , sipas të cilit ka mbetur edhe emri i sotëm i sllavizuar; por edhe nga emri i lashtë dardan i këtij qyteti, që fare pak ka ndryshuar.  Sh k u p, dëgjohet edhe sot tek Arbanasët…”

Pra, kjo paraqitje faktike për Shkupin si kryeqendër e fisit ilir të Dardanëve, vet realiteti apodiktiv i theksimit të tij nga shqiptarët me emërtimin shqip:  Sh k u p - është mjaft indikativ, të cilin fakt sot e anashkalon dhe shtrembëron historiografia sllavo-maqedonase  edhe pas eksplorimit të dekadës së parë dhe të dytë të këtij shekulli, ku historianët tanë shqiptarë - vazalë të pushtetarëve ku participojnë edhe partitë tona politike, vazhdojnë gjumin dhe kllapinë e thellë, mu ashtu si kanë qejf dhe i destinojnë padronët e tyre.

Të vazhdojmë më tutje shfletimin e enciklopedisë:

“Në fund të shekullit para Krishtit, bëhet kryeqytet i Provincës romake Dardania. Me romanizimin e popullatës rezidente, shumica e qytetarëve të Sh. kanë qenë veteranë të luftës. Shkupi dardan dhe romak është shtrirë në pjesën më të madhe të qytetit të sotëm, në fushën ndërmjet fshatit Bardhoc dhe Zlokuçan aty ku Lepenci derdhet në Vardar. Kështu Shkupin e përparuar romak gati deri në themel e shkatërron tërmeti i vitit 518 pas Krishtit, dhe, sot akoma mund të gjenden gërmadhat e qytetit të vjetër-me një mihje të vogël, sidomos në Fushën e gjërë të Bardhocit. Deri më tani këtu janë zbuluar dhe eksploruar disa ndërtime romake dhe në muzeun e Shkupit janë locuar disa sarkofagë dhe gurë arkitektonikë.

Në vendin e Sh. antik, perandori bizantin Justiniani I (527-565) ngriti Sh. e ri. të cilin e ka locuar në anën e majtë të brigjeve  të lumit Vardar në pjesën më të madhe të Seravës, ku gjindet edhe sot. Justiniani e ngriti Sh. deri në kulminacionin e qytetit perandorak duke e quajtur atë Justiniana Prima II. Në të e vendosi selinë e vetadministrimit arqipeskopal me të njëjtin emër, e në të cilin ka përfshi edhe pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik.

Justiniania si dhe Qytet i Shkupit, është  i gjallë dhe me pozitë të volitshme ushtarake, gjithashtu- me ujësjellësin e përkryer urban, i murosur me një stil të admirueshëm bizantin,me rrathë ornamentalë të tullave dhe gurëzve të radhitur në murin që përshkon tërthorë  Ultësirën e Thatë, në veriperëndim nga qyteti, mbas kazermës së sotme ushtarake, dhe që përbëhet nga 55 abazhure lustrues të shtyllave të larta, që mbajnë edhe kanalin e ujësjellësit që në mbarë Sh. e sjellin ujin që nga bjeshkët e largëta të Malit të Zi. Shkupin Justinia,  përshkruesit historikë e paraqesin si qytet të madh perandorak  e të shëndritshëm, kurse pak më vonë me ndryshimet që pësoi,  emri i bukur i tij sikur zuri të zbehet.

Sllovenët filluan të paraqiten nën muret e Sh. aty kah fundi i shekullit 6 (gjashtë). Kështu ata filluan të plaçkisnin, dhe pas shumë atakimeve  dhe luftërave të shumta gati njëshekullore, në fund të shekullit 7 (shtatë) pushtohet dhe, në të u vendosën përfundimisht.Pas një periudhe të bujshme prej tri shekujsh Sh. krejt nga fillimi i shekullit 9 u zhvillua në paqë, si një seli e re bizantine në Povardarje. Nga kjo periudhë e fundit e administrimit bizantin në Sh. slloven i rëndësishëm është manastiri Shën Pantelejmoni në fshatin Nerez, në Malin Vodno pas Sh., i ngritur në vitin 1164 si varosh i një shenjtori nga familja perandorake bizantine e Komnenëve.

Më vonë Sh. pas pak kohe i bashkangjitet shtetit serb të Rashkës në kohën e Stefan Nemanjës (1189), ai madje pas një shekulli përfundimisht i bashkangjitet Sërbisë së Vjetër - në fillim të qeverisjes së mbretit Milutin (1282 deri 1321). Sh. që atëherë shumë shpejtë bëhet kryeqytet i shtetit serb. Mbreti Milutin në të shumë manastire: Shën Mëria Trinia, Shën Gjergj Shpejti, Shën Konstantini dhe Shën Jovani. Sidomos është i njohur manastiri i Milutinit, Shën Gjergj Shpejti, i cili gjendet në Seravë, në malin Verpin karshi qytetit. Ka qenë i mbushulluar dhe pasuruar nga mbreti dhe rrethina e Sh. dhe ka shërbyer edhe për fqinjët e rrethinës.  Sh. në këtë kohë shndërrohet edhe në një kryqendër të gjallë tregtare, e panairin (vasharin) e tij e vizitonin tregtarë  vendasë, por edhe të huaj si: Serbë, madje edhe Grekë, Shqiptarë, Vllehë, Bullgarë dhe Latinë, bile edhe Raguzianë, Dallmatinasë, Mleqiçë etj. Në Sh. gjendej edhe oborri i mbretit Stefan Deçani (1321-1331).

Sido qoftë, përparimin më të vrullshëm Sh. e arrin në kohën e Car Dushanit (1331-1355). Në fronin e tij “ në qytetin e shndritshëm dhe mbretëror Sh.”, me aktin (16/4) 1346  u kurorëzua mbreti Dushan si mbret i parë serb, përderisa paraprakisht, në të njëjtin vit në Kuvendin shtetëror në Sh. arqipeshkvia serbe shpallet për patriarkanë. Këtë vit Dushani në Shkup i pasuroi edhe manastiret në Malin e Shenjtë apo Sv. Gora (Hilandar, Esfigmen, Vatoped etj.). Një vit më vonë në Sh. u themelua mitropoliti “ i fronit të parë Shën Trinia të qytetit të përshkënditur Sh. në vend të mitropolisë së vjetër.” Car Dushani ka patur oborrin e tij”nën Sh.”, edhe atë në anën  pas shpine të qytetit të Sh. - në Çahri”, madje në anën lindore të kështjellës, në bregun ku janë xhamia e Sulltan Muratit dhe Sahatkulla. Në kuvendin shtetëror në Sh. që u mbajt më maj të vitit 1349, u soll Zakoniku i Dushanit, vepër e rëndësishme e rregullimit të brendshëm shtetëror të mesjetës. Në Sh. kanë patur fronin edhe  mbreti Urosh (1355-1371), si dhe mbreti Vuk Brankoviç (1377) e, më vonë edhe Kraleviç Marko. Përkrah shumë manastireve në rrethin e Sh., e veçanërisht në Malin e Zi, këtu më të njohur janë ato të Mrnjaçeviçës: Manastiri i Markut, Shën Dhimitri në Sushicë dhe manastiri Andreash:  Shën Andria i Pari andej Matkës - në Treskë.

PËRFUNDIM

Shkrimi mbi Shkupin, i ndriçuar përmes dokumenteve dhe literaturës serbo-kroato-sllovene të fillimshekullit XX, sjell një pasqyrë të rëndësishme dhe domethënëse për historinë e këtij qyteti, duke dëshmuar qartë lashtësinë, vazhdimësinë dhe peshën e tij politike, kulturore dhe qytetëruese në hapësirën ballkanike. Pavarësisht se burimet e shfrytëzuara nuk janë shqiptare dhe burojnë nga një kontekst historiografik i pushtuesit serb, ato, tërthorazi, përmbajnë të dhëna të pakontestueshme që e pohojnë Shkupin si kryeqendër të Dardanisë ilire dhe si vatër të hershme të qytetërimit autokton.

Enciklopedia “Narodna Enciklopedija” dhe studimi i Gliša Elezoviçit e paraqesin Shkupin si një nyje strategjike gjeografike dhe ekonomike, por edhe si një qendër me identitet të formësuar shumë përpara ardhjes së sllavëve në këto troje. Emërtimi i lashtë Scupi, si dhe ruajtja e formës Shkup në përdorimin popullor shqiptar, përbën një dëshmi gjuhësore dhe historike me rëndësi të veçantë, që vërteton vazhdimësinë iliro-shqiptare të qytetit. Ky fakt, megjithëse i pranuar në burime të huaja, është shpesh i anashkaluar apo i deformuar nga historiografia zyrtare sllavo-maqedonase dhe, nga mungesa e një qëndrimi më të guximshëm shkencor shqiptar.

Rrjedha historike e Shkupit, nga kryeqendër dardane dhe romake, në qytet perandorak bizantin me emrin Justiniana Prima II, e deri te shndërrimi i tij në kryeqytet të shtetit mesjetar serb, dëshmon për një qytet që vazhdimisht është përvetësuar, rindërtuar dhe ripërdorur nga pushtete të ndryshme, por pa ia humbur kurrë rëndësinë e tij themelore. Tërmeti shkatërrimtar i vitit 518, rindërtimi nga Justiniani I, zhvillimi urban, fetar dhe administrativ, si dhe prania e monumenteve madhore, flasin për një qytet me jetë të pandërprerë dhe me rol qendror në historinë e Ballkanit.

Po ashtu, periudha mesjetare serbe, e dokumentuar gjerësisht në burimet e cituara, dëshmon se Shkupi ishte një qendër shumëetnike, tregtare dhe administrative, ku përveç elementit serb, përmenden qartë edhe shqiptarët, grekët, vllehët, bullgarët, latinët e popullsi të tjera. Kjo shumëllojshmëri rrëzon pretendimet për ekskluzivitet etnik dhe e vendos Shkupin në kontekstin e tij real historik: si qytet ballkanik me shtresa të shumta identitare.

Krejtësisht për fund, mund të rezonojmë se, ky shkrim dëshmon se dokumentet e pushtuesit, kur lexohen me sy kritik dhe të çliruar nga paragjykimet ideologjike, mund të shërbejnë si burime të vyera për zbardhjen e së vërtetës historike. Shkupi del nga këto dëshmi, jo si një krijesë e vonshme sllave, por si një qytet dardan i lashtë, me identitet të mohuar e të shtrembëruar ndër shekuj, por kurrë të zhdukur. Detyra e historiografisë shqiptare mbetet që këto fakte t’i nxjerrë nga hija dhe t’i vendosë në dritën që u takon.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (50) Qazim Namani: Konferenca për ruajtjen dhe konservimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (49) Qazim Namani: Programi rajonal për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Evropën Juglindore Bedri Tahiri: Ftonjtë e Tahirit Ndue Dedaj: Marie Kaçinari, heroina e Gjakovës Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (48) Syrja Etemi: Nga Kërpena e Petrushjani – në Neproshten Dorian Koçi: Fillimi i një rrugëtimi të shenjtë për gjuhën dhe kulturën arbërore Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (47) Qazim Namani: Zhvillimi i arsimit në tokat shqiptare pas pushtimit nga P. Osmane Mark Palnikaj: Beteja e Dytë e vitit 1448 në Kosovë dhe ndikimi i saj në zhvendosjen dhe islamizimin e popullsisë së Kosovës Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (46) Lutfi Alia: Shën Nënë Angjelina Arbërore (5) Sabile Basha: Libri si monument për Ylfete Humollin Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (44) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (43) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (42) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (41) Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (40)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx