E premte, 09.01.2026, 04:50 PM (GMT)

Faleminderit

Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (2)

E merkure, 07.01.2026, 06:56 PM


Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (2)

(Mendime nga autorë të ndryshëm)

Nga Ismet M. Hasani

Citat: "Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizimin e shtetit civil një njeri malok, matrahull, qi me m'zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djersët kurr i duhet me shkru emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shqiptar e edukata familjare, qi shumë kend ndër ta e ban krejt të nevershëm e ekcentrik.

Ky babën gjaks, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer, rritë me katila, me gjakës, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hase të kulturës e të qytetnisë, kah mund të mendohen se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e një kombi ende primitiv? Pse sundhënji shtet nuk asht rohatëzia, dreqnija, intriga, batakçilleku, rrena. Po, por a din, ndër burrni, se shka duhet, e, madje, me shumë mund e djersë u nxejshin në shkollë. Tiranës, t'u ulëritë: 'tavëll', e 'bigjoz', e tuj pi 'mastikë'."

(Gjergj Fishta)

*

Një shkrim interesant dhe voluminoz për Lahutën e Malësisë së Fishtës e jep edhe Faik Konica. "Atë Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm. Mirëpo, jashtë Shqipërisë ai është i njohur vetëm si autor i Lahutës së Malësisë – një epope pastorale e kalorësake, përkthimi gjerman i së cilës, i botuar në Lajpcig para disa vitesh, të lë një përshtypje të dobët, meqë nuk ka qenë e mundur të përkthehet muzika e ritmit të Fishtës dhe koloriti i tij verbal."??

Ndërsa Ernest Koliqi do të shkruan kështu: "duke lexuar Lahutën e tij (të Fishtës) përplot me teprica këngësh rapsodike të pa emër, të duket se duke e vështruar popullin shqiptar kah i këndon vetvetes, me fjalët e Fishtës, me këngë të kulluara, e cila shpërthen nga një gjak misterioz, që rrjedh në zemrën e tij ilire."??

Eqrem Çabej për Fishtën, shkruante: "...Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbaron te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalëngadalë botën në një brendi më të fortë nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare. Kështu vepra e tij merr karakterin e një eposi kombëtar... duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës...".

*

"...Fishta është kolos i mendimit dhe letërsisë shqipe, i cili me tërë veprimtarinë e vet – meshtarake, intelektuale, politike dhe letrare – e ka sintetizuar historinë e popullit shqiptar. Ky françeskan ka qenë apostull i atdhetarizmit të sinqertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion, por një jetë intensive..."

(Zef Mirdita)

Lasgush Poradeci për epikën e Fishtës do të shkruante: "Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar, ky është si të thosha 'monopoliteti' gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t'i thosha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit..."?¹

Sipas Sterjo Spasses: "Lahuta e Fishtës shfaq ndjesitë më të thella dhe karakteristikat më të kristalizuara që i ruajti raca shqiptare përmes shekujve plot shtrëngata... Shqipëria e tërë përfshihet e dehur në vargjet e kësaj Lahute, e cila bëhet pronë kombëtare, mish e gjak, ndjenjë e mendim i përbashkët."?²

*

Për Fishtën dhe krijimtarinë e tij letrare është prononcuar edhe Sejfulla Malëshova në vitin 1945, me pseudonimin e vet Lame Kodra. Ai botoi konferencën e mbajtur më 10 qershor 1945 në Kinema – teatrin "Kosova", me titullin: Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme. Te faqja 21 e këtij botimi Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) thotë: "Kam dëgjuar, p.sh. se në disa rrethe ka tendenca që Faik Konica dhe Fishta të fshihen fare nga defteri..."

*

"...mbudha të Shqipërisë në fushën e kulturës. Bashkë me K. Kristoforidhin dhe Naim Frashërin ata janë lëronjësit e mëdhenj të gjuhës shqipe, janë ata që kanë ngritur gjuhën shqipe në dinjitetin e një gjuhe letrare... Kontributin e tyre e quajmë pjesë të pandarë të trashëgimit tonë nacional, të pasurisë sonë kulturore".

*

Në monografinë e tij kushtuar Gjergj Fishtës, Vehbi Bala shkruan: "Me gjeninë e tij, Fishta ka ditur ta shfrytëzojë me plot fantazi thesarin e popullit dhe duke i dhuruar atij trillin e vet krijues, ka arritur në majat më të larta të artit poetik të letërsisë sonë."?³

*

Ndërsa në monografinë tjetër kushtuar jetës dhe veprës së Fishtës, Daniel Gjeçaj shkruan: "Fishta, si çdo shkrimtar tjetër i Rilindjes sonë, hyri thellë në shpirt ndërgjegjja kombëtare, që në fund të fundit ishte dhe shpirti i tij... Fishta këndon pa ditë se si t'ia thoshin emrit; këndon pse në këngë të tija ishte shqiptari: shqiptari në dokë, në kanun, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngadhënjime... Shqiptari pa Lahutë është pa epokë kombëtare: Lahuta pa shqiptarin është pa subjekt."??

*

Kryeredaktori i kësaj Historie të letërsisë shqiptare – Dhimitër Shuteriqi për Fishtën thotë: "Për të, interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe cinizmin, dhe e kishte vënë në themel të punës së tij si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike Lahuta e malësisë, duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve të veriut, propagandonte antislavizimin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër pushtuesit osman.

Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekulonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarjet dhe figurat e historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë... Ai kishte një qëndrim të theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste".

Në këtë Histori të letërsisë shqiptare që përmban 629 faqe, të hartuar nga Vehbi Bala, Razi Brahimi, Klara Kodra, Ali Xhiku, Dhimitër Fullani, Shaban Çollaku, të drejtuar nga Prof. Dhimitër S. Shuteriqi (njëherazi edhe kryeredaktor) dhe të redaktuar nga Prof. Mahir Domi, Dr. Jorgo Bulo, Prof. Vebi Bala dhe Dr. Razi Brahimi, Fishtës i kushtohen 22 reshta. Pushteti i pasluftës katër dekada e quajti Fishtën "poet klerik e fashist".

Por, populli i Shqipërisë së veriut, e sidomos shkodranët, nuk e kishin harruar. Vepra e tij ka qarkulluar fshehurazi dorë më dorë dhe është lexuar ndër breza. Pas afro gjysmëshekulli, Gjergj Fishta u përkujtua hapur për herë të parë më 5 janar 1991 në Shkodër. Gjatë një recitimi, aktori në një çast kishte ngecur, por menjëherë dhe në mënyrë spontane u ndihmua nga salla, e cila Lahutën e Malësisë ende e dinte përmendësh.

( V i j o n )



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjekë Gjonaj: Prof. Dr. Mark Camaj, një pedagog erudit dhe humanist i përkushtuar i dijes Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (2) Shyqyri Fejzo: Një konsull i kudo ndodhur, dinamik e i palodhur Dr. Hekuran Sejdiu – Një personalitet i heshtur Lekë Mrijaj: Jeta e Anton K. Berishës na kujton se shërbimi ndaj atdheut është forma më e lartë e përjetësisë Gjekë Marinaj: Frank Shkreli, zëri i ndërgjegjes shqiptare në mbrojtje të demokracisë Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të At' Gjergj Fishtës – "Homerit të shqiptarëve" (1) Dorian Koçi: Një ditëlindje, një përjetësi poetike Kujtim Mateli: Urim për ditëlindjen e 87 të prof. Eshref Ymerit Ilir Çumani: Lamtumirë Ismet Bellova! Gjekë Gjonaj: Zana Kurti – fizioterapistja e re që po forcon standardet e kujdesit rehabilitues në Ulqin Sadbere Emshiu: Kënga që mbajti malin Fran Gjoka: Një jetë e tërë në shërbim të atdheut, të komunitetit dhe të vërtetës Gjon Keka: Politika këmbëngulëse dhe largpamëse e presidentit vizionar Dr. Ibrahim Rugova Fran Gjoka: Mark Vuji, ish edhe mbetet thesari i dijes në arsim Gani S. Pllana: Akademik Minir Dushi – një korife me vlera universale shkencore europiane Prend Buzhala: Profili idealist i Luigj Gurakuqit Hysen Ibrahimi: Gani Azemi - Nga historia te angazhimi për pavarësinë Albulena Pllana Breznica: Profesoresha Dr. Safete S. Juka: 'Dora d’Istria e dytë shqiptare' Gani S. Pllana: Profesoresha Hëna Pasho – Terminologe dhe Leksikografe shqiptare

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx