E marte, 23.12.2025, 10:46 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Konfuçie

E marte, 23.12.2025, 04:56 PM


KONFUÇIE

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Konfucçie (kinezisht Kung-fu-ce, Kung-fu-tse, lat. Confucius, 551-479 para K.) është filozof kinez. Sipas gojëdhënave, ka jetuar në shekullin VI para K. Thuhet se ky mendimtar gjysmë-legjendar është themelues i shkencës religjioze-filozofike të konfucianizmit. Është një prej tre religjioneve kryesore në Kinë, krahas daosizmit dhe budizmit.

Ndonëse vinte prej një familjeje të respektuar (babanë e kishte guvernator), Konfuçie rininë e kaloi në varfëri. Ai thotë: “Si fëmijë, kam qenë i varfër prandaj di një numër të madh shkathtësish, të cilat nuk më vlejnë gjithaq. Mendimtari a është i detyruar të dijë shumë? Jo! Sasia nuk ka rëndësi”. Në moshën 50-vjeçare e ftuan në oborr. U bë ministër i Jurisprudencës. Zbaton shumë reforma shoqërore, por për shkak të mospajtimit me princin mendjelehtë, e lë oborrin dhe udhëton nëpër vise të ndryshme të Kinës. Para mbarimit të jetës i përkushtohet rregullimit dhe ekspozimit të mësimit të vet (paskësh pasur kinse mbi 3.000 nxënës). Sot është vështirë që në bazë të shkrimeve të nxënësve të tij – që kanë kaluar nëpër redaktime të ndryshme – të konstatohet me saktësi se cilat kanë qenë pikëpamjet e vetë Konfuçies dhe cilat – shtesa të nxënësve dhe të komentuesve të tij të shumtë. Megjithëkëtë, mund të veçohen disa elemente dhe tendenca themelore të pikëpamjeve të tij për botën dhe jetën.

Në radhë të parë, Konfuçie dëshiron ta paraqesë traditën në mënyrë sa më të plotë dhe sa më besnike dhe jo të krijojë sistem filozofik burimor. Ai thotë: “Nuk kam lindur i ditur. E dua të vjetrën dhe përpiqen ta studioj”. Por ai nuk dëshiron që vetëm të merret me çështje teorike të kota dhe abstrakte. Dëshiron që diturinë e vet ta zbatojë praktikisht. Si model i shërbejnë shtatë sundimtarë të ditur. Për këtë arsye, ai është edhe reformues social, edhe reformues etik. Kërkon shembuj në të kaluarën sipas të cilëve duhet të jetojnë brezat e tashëm dhe të ardhshëm.

Sipas Konfuçies, ekzistojnë vetëm dy lloje njerëzisht të rrallë të cilët kurrë nuk ndryshojnë: këta janë më të diturit (ngase gjithmonë janë të përsosur) dhe më të marrët (domethënë ata të cilët nuk duan të mësojnë asgjë dhe në çfarëdo mënyre të përmirësohen). Njeriu gjithmonë duhet t’i zhvillojë prirjet e veta natyrore dhe me këtë rast të jetë aktiv, për arsye se vetëm talenti, po nuk bën ndonjë përpjekjeje tjetër, nuk e bën të përsosur. Prandaj, nxënësi i vërtetë i urtësisë shkon rrugës së përsosmërisë, duke e dalluar të vërtetën nga ajo që është e gënjeshtërt, të drejtën nga e padrejta.

Por njeriu i cili vërtetë është i ditur, kur flet, gjithmonë është modest, më shumë punë bën se flet, veprat dhe veprimet e tij gjithmonë janë mbi fjalët e tij. Prandaj ai nuk i do “oratorët e mirë që përzihen me njerëzit e ndershëm”. “S’i dua llafazanët!” Përballë përkohshmërisë së përgjithshme, përballë paqëndrueshmërisë dhe ndryshueshmërisë së karakterit, Konfuçie dëshiron të krijojë njerëz të palëkundshëm të urtësisë dhe të virtytit, njerëz të pandryshueshëm, “sikur malet”. Ai thotë: “Çdo gjë kalon sikur ky uji. Asgjë nuk ndale, as ditën, as natën”.

Lidhur me sundimin dhe shtetin, maksimat e tij të njohura kanë pasur për qëllim racionalizimin e raporteve shoqërore. Ai thotë: “Po qe se sundimtari është i drejtë, punët do të kryhen edhe pa dhënë urdhra ai. Po qe se nuk është i drejtë, ai mund të japë urdhra, por punët nuk do të kryhen”.

Edhe ligjin kozmik tao, Konfuçie e interpreton si parim aktiv, të mishëruar veçanërisht ne funksionin e sundimtarit, i cili si “bir i qiellit”, rendin mikrokozmik njerëzor duhet ta harmonizojë në mënyrë të përhershme me rendin makrokozmik qiellor. Po qe se nuk e bën këtë, , atëherë qielli do ta damkosë sundimtarin me shenjat e veta: me thatësira, me përmbytje dhe me katastrofa natyrore të tjera. Në atë rast, populli ka të drejtë ta rrëzojë atë.

Përkundër theksimit të prejardhjes “qiellore” dhe fataliste të taos, si dhe të rëndësisë së traditës, të nderimeve mortore dhe të viktimave, kur është fjala për çështjet fetare, s’ka dyshim se mësimi i Konfuçies është i orientuar në mënyrë agnosticiste. Ai thotë: “Po qe se nuk dimë t’u shërbejmë njerëzve, atëherë si mund t’u shërbejmë shpirtrave. Po qe se nuk e njohim jetën, atëherë si mund ta njohim vdekjen?”

Si mbrojtës i etikës, Konfuçije beson në radhë të parë në mirësinë burimore të njeriut. Nocion themelor i etikës së tij është jen-i, ligj i përgjithshëm i cili duhet t’i administrojë të gjitha marrëdhëniet në familje, në shoqëri dhe në shtet sipas “rregullit të artë”: Mos ia bëj tjetrit atë që nuk do dikush tjetër të ta bëj ty!”

Përkundër këtyre elementeve që janë të ngjashme me krishterimin, te Konfuçie shumë më parë dhe shumë më lehtë do të gjejmë një sërë parimesh që janë në kundërshti me çdo mësim etik dhe fetar që ngërthejnë në vete disa parime të mësimit të krishterë të mëvonshëm. Ai thotë: “Dikush pyeti: Ç’do të kishte ndodhur sikur të keqes do t’i përgjigjeshim me të mirë?” Mësuesi u përgjigj: “Atëherë me çka do ta shpërblenim të mirës? Të keqes duhet t’i përgjigjemi me drejtësi, kurse të mirës me mirësi”.

Për zbatimin praktik dhe etik të plotë të mësimit të Konfuçies, është tejet karakteristik arsyeja për të cilën ai e kërkon parimin e rektifikimit (korrigjimit) të fjalëve. Ai thotë: “Çdo send duhet ta thërrasim me emrin e tij të vërtetë”. Kjo nuk është vetëm mënyrë e arritjes së një interpretimi të drejtë, por është diçka shumë më tepër, është diçka që duhet të vë rend edhe në marrëdhëniet shoqërore. Sipas Konfuçies, në një shoqëri të rregulluar si duhet, çdo send e ka emrin e tij të vërtetë, çdo emërtim të jetë në përputhje me përmbajtjen që i përgjigjet në realitetin konkret: “Që sundimtari të jetë sundimtar, ministri – ministër, babai – baba, kurse djali të jetë djalë” Kështu, kjo shkencë “për korrigjimin e emrave” – e cila ngërthen në vete edhe disa elemente konservatore të mësimit të Konfuçies – bëhet kërkesë etike, domethënë kërkesë që secili detyrën e vet ta kryejë në mënyrë konsekuente dhe me nder, si funksion të dhënë në shoqëri, pra sipas emrit të vet të përcaktuar, qoftë si sundimtar, qoftë si shërbëtor i fundit, të pajtohet me funksionin e vet, ta ushtrojë ashtu si duhet dhe të mos kërkojë ndërrimin e funksioni.

Në atë pikëpamje, si dhe në një sërë tezash të tij për aristokratizmin njohës të caktuar, shkenca e Konfuçies – e cila ka hyrë thellë në mentalitetin e popullit kinez – ka ndikuar shoqërisht edhe në mënyrë tejet regresive, duke pamundësuar, të paktën në planin shpirtëror, ndryshimin e strukturave hierarkike shoqërore të caktuara. Ai thotë: “Mund t’i kërkosh popullit t’i zbatojë virtytet, por s’mund t’i jepet atij njohje racionale”

Më vonë, shkenca e Konfuçies ka përjetuar shumë ndryshime të cilat konfuçionizmin e kanë larguar nga mësimi burimor i mësuesit, kështu që me transformimin e tij prej mësimit filozofikreligjion popullor, Konfuçie prej mendimtarit u bë shenjtor, madje edhe hyjni për të cilin therorizonin viktima dhe të cilit i përkushtonin edhe lutje.

Fushata kundër filozofisë së Konfuçies të cilës një kohë në Kinë, e sidomos gjatë të ashtuquajturit revolucion kulturor i ngjisheshin të gjitha të këqijat duke e cilësuar edhe si terr reaksionar ndër më të errëtat – nuk përbën analizë serioze të atij mësimi të veçantë. Vlerësimi i tillë nuk është veçse anatemë ideologjike me të cilën etiketohej negativisht çdo mendim që nuk përputhej me nevojat politike në fuqi.

*   *   *

Konfuçie shkencën e tij nuk e ka shkruar vetë. Gjatë disa gjeneratave pas tij, mësimi i tij është rregulluar dhe është shkruar në tre libra. Prej tyre, më të rëndësishëm dhe më të drejtpërdrejtë janë “Biseda” (Lung-yü), “Mësimi i madh”  (Ta-hsio) dhe “Mjedisi i palëkundur” (Cung-yung).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx