E hene, 15.12.2025, 12:25 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Zaratustra

E diele, 14.12.2025, 06:49 PM


ZARATUSTRA

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Zaratustra (Zaratushtra, Zoroastro, Zoroaster, midis shekujve XII dhe VI para K.), ka qenë predikues dhe filozof iranian. Ka edhe të dhëna që thonë se ka jetuar midis shekujve VII dhe VI para K. Është themelues i fesë së vjetër persiane mazdaizmëm.

Mazdaizmi është fe e iranianëve të vjetër që flet për dualizmin, përkatësisht për luftën e të Mirës dhe të Keqes.

Për jetën e tij dihet shumë pak. Edhe disa të dhëna që ekzistojnë, janë tejet kundërthënëse. Zaratustra nuk ka qenë tip i mistikut dhe i   çudibërësit. Ka qenë njeri me orientim moral për të cilin, në bazë të shkrimeve të mëvonshme dhe gojëdhënave, mund të konstatohet se në mësimet e tij shpesh ka qenë i pranishëm zemërimi laik i reformuesit ndaj pushtetmbajtësve shpirtërorë dhe laikë (profane, shekullare) të kohës së tij. Si mendimtar i parë individual që e hasim në epokën arkaike në përgjithësi, Zaratustra flet për supremacinë (epërsinë) e  ligjit dhe zhvillon pikëpamje të caktuar për botën  që anon kah abstraksioni filozofik dhe i prin epokës së re të teorive kozmopolite. Është mbrojtës i blegtorëve dhe kundërshtarë i barbarëve nomadë, dënon derdhjen e gjakut të viktimave dhe orgjitë, duke i quajtur “të marrë”. Një prej karakteristikave të çuditshme dhe thelbësore të mësimit të tij është synimi për “shërimin e shpirtit” i drejtuar kundër disa pikëpamjeve nihiliste të kohës së tij që në mënyrë pesimiste të shmangnin nga ekzistenca në këtë botë. Me etikën e vet të vullnetit të lirë, duke synuar të çelë një orientim të ri për jetën dhe duke viktimizuar edhe veten për shpëtimin e përgjithshëm, Zaratustra i afrohet pikëpamjes greke mbi botën. Në këtë vështrim, shumë interpretues vënin në dukje dualizmin e Zaratustrës me atë të filozofit grek Platonit (emri i vërtetë Aristokle, 427 – 347 para K.) që nuk ekziston në filozofinë e mëhershme greke, e sidomos me gnostikët dhe me disa neoplatonistë. Por edhe “ana tjetër” e mendimit të Zaratustrës nuk është e huaj për grekët dhe nuk ka model përkatës në filozofinë lindore. Duhet shtuar se negacioni i mënyrës mitologjike dhe religjioze të të menduarit dhe synimi për abstrakten, po ashtu janë karakteristika që e dallojnë nga rrethi lindor i të menduarit, gjë që vërehet edhe në urtësinë e tij që ka qëndrim negativ ndaj pikëpamjes antropomorfistike ndaj botës. Koncepti i Zarathustrës për mençurinë nuk është identik me gjithëdijeninë, as vetëm me aftësinë racionale të të menduarit, por ka domethënie origjinale (që haset deri diku te Buda) që duket si mosinteresim i të mençurve për botët e zotave dhe për magjinë e ritualeve të tyre dhe si mosinteresim për personifikimin e tyre. Pra, urtësia në këtë kuptim origjinal do të thotë shkëputje nga pikëpamja antropomorfistike mbi botën dhe orientim kah njohja e ligjshmërive të së vërtetës. Zaratustra zhvillon biseda me një “Zotëri” të paemër nga personaliteti i të cilit ka hequr gradualisht çdo tipar të individualitetit dhe konsideron se dallimi midis të mirës dhe të keqes nuk është evident (nuk vërehet drejtpërsëdrejti), por është fryt i njohjes me urtësi që arrihet me mundin e shpirtit të orientuar si duhet. Mësimi i Zaratustrës mund të konsiderohet edhe si emanacionizëm në të cilin nuk ekziston raporti krijues i drejtpërdrejtë midis parimit suprem të urtësisë dhe realizimit relativ të së mirës dhe të keqes. Mirëpo, ky emanacionizëm assesi nuk do të duhej të konsiderohet si një teori evolucioniste e krijimit të botës.

Mësimi i Zaratustrës rreth 1100 vjet, (prej vitit 550 para K. deri në vitin 650 pas K.) ka qenë religjion shtetëror, derisa Persinë nuk e kishin pushtuar arabët. Deri para dyzet vjetëve, mësimi i tij ka pasur rreth njëqind mijë ithtarë.

*   *   *

I frymëzuar prej Zaratustrës, filozofi dhe poeti gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900) e shkroi rapsodinë prozaike “Kështu fliste Zaratustra” (Also sprach Zarathustra, 1883-85). Në veprën e sipërthënë vërehej sensibiliteti i Niçes, në aspektin poetik,  në lirikën e tij me të cilën ai ishte paraardhës i impresionizmit në poezinë gjermane.  Sensibilizimi i tij shihej edhe në rapsodinë prozaike të sipërthënë. Këtë vepër të tijën e cila glorifikimin ”e mbinjeriut” e paraqiste në mori parabolash, Niçeja e çmonte tej mase.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx