Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Zaratustra
E diele, 14.12.2025, 06:49 PM
ZARATUSTRA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Zaratustra (Zaratushtra, Zoroastro, Zoroaster, midis shekujve XII
dhe VI para K.), ka qenë predikues dhe filozof iranian. Ka edhe të dhëna që
thonë se ka jetuar midis shekujve VII dhe VI para K. Është themelues i fesë së
vjetër persiane mazdaizmëm.
Mazdaizmi është fe e iranianëve të vjetër që flet për
dualizmin, përkatësisht për luftën e të Mirës dhe të Keqes.
Për jetën e tij dihet shumë pak. Edhe disa të dhëna që
ekzistojnë, janë tejet kundërthënëse. Zaratustra nuk ka qenë tip i mistikut dhe
i çudibërësit. Ka qenë njeri me orientim moral për të cilin, në
bazë të shkrimeve të mëvonshme dhe gojëdhënave, mund të konstatohet se në
mësimet e tij shpesh ka qenë i pranishëm zemërimi laik i reformuesit ndaj
pushtetmbajtësve shpirtërorë dhe laikë (profane, shekullare) të kohës së tij.
Si mendimtar i parë individual që e hasim në epokën arkaike në përgjithësi,
Zaratustra flet për supremacinë (epërsinë) e
ligjit dhe zhvillon pikëpamje të caktuar për botën që anon kah abstraksioni filozofik dhe i prin
epokës së re të teorive kozmopolite. Është mbrojtës i blegtorëve dhe
kundërshtarë i barbarëve nomadë, dënon derdhjen e gjakut të viktimave dhe
orgjitë, duke i quajtur “të marrë”.
Një prej karakteristikave të çuditshme dhe thelbësore të mësimit të tij është
synimi për “shërimin e shpirtit” i
drejtuar kundër disa pikëpamjeve nihiliste të kohës së tij që në mënyrë
pesimiste të shmangnin nga ekzistenca në këtë botë. Me etikën e vet të
vullnetit të lirë, duke synuar të çelë një orientim të ri për jetën dhe duke
viktimizuar edhe veten për shpëtimin e përgjithshëm, Zaratustra i afrohet
pikëpamjes greke mbi botën. Në këtë vështrim, shumë interpretues vënin në dukje
dualizmin e Zaratustrës me atë të filozofit grek Platonit (emri i vërtetë Aristokle, 427 – 347 para K.) që nuk
ekziston në filozofinë e mëhershme greke, e sidomos me gnostikët dhe me disa neoplatonistë.
Por edhe “ana tjetër” e mendimit të
Zaratustrës nuk është e huaj për grekët dhe nuk ka model përkatës në filozofinë
lindore. Duhet shtuar se negacioni i mënyrës mitologjike dhe religjioze të të
menduarit dhe synimi për abstrakten, po ashtu janë karakteristika që e dallojnë
nga rrethi lindor i të menduarit, gjë që vërehet edhe në urtësinë e tij që ka
qëndrim negativ ndaj pikëpamjes antropomorfistike ndaj botës. Koncepti i
Zarathustrës për mençurinë nuk është identik me gjithëdijeninë, as vetëm me
aftësinë racionale të të menduarit, por ka domethënie origjinale (që haset deri
diku te Buda) që duket si mosinteresim i të mençurve për botët e zotave dhe për
magjinë e ritualeve të tyre dhe si mosinteresim për personifikimin e tyre. Pra,
urtësia në këtë kuptim origjinal do të thotë shkëputje nga pikëpamja
antropomorfistike mbi botën dhe orientim kah njohja e ligjshmërive të së
vërtetës. Zaratustra zhvillon biseda me një “Zotëri” të paemër nga
personaliteti i të cilit ka hequr gradualisht çdo tipar të individualitetit dhe
konsideron se dallimi midis të mirës
dhe të keqes nuk është evident (nuk
vërehet drejtpërsëdrejti), por është fryt i njohjes me urtësi që arrihet me
mundin e shpirtit të orientuar si duhet. Mësimi i Zaratustrës mund të
konsiderohet edhe si emanacionizëm në
të cilin nuk ekziston raporti krijues i drejtpërdrejtë midis parimit suprem të
urtësisë dhe realizimit relativ të së mirës dhe të keqes. Mirëpo, ky
emanacionizëm assesi nuk do të duhej të konsiderohet si një teori evolucioniste
e krijimit të botës.
Mësimi i Zaratustrës rreth 1100 vjet, (prej vitit 550
para K. deri në vitin 650 pas K.) ka qenë religjion shtetëror, derisa Persinë
nuk e kishin pushtuar arabët. Deri para dyzet vjetëve, mësimi i tij ka pasur
rreth njëqind mijë ithtarë.
* * *
I frymëzuar prej Zaratustrës, filozofi dhe poeti
gjerman Fridrih Niçe (Friedrich
Nietzsche, 1844-1900) e shkroi rapsodinë prozaike “Kështu fliste Zaratustra” (Also
sprach Zarathustra, 1883-85). Në
veprën e sipërthënë vërehej sensibiliteti i Niçes, në aspektin poetik, në lirikën e tij me të cilën ai ishte
paraardhës i impresionizmit në poezinë gjermane. Sensibilizimi i tij shihej edhe në rapsodinë
prozaike të sipërthënë. Këtë vepër të tijën e cila glorifikimin ”e
mbinjeriut” e paraqiste në
mori parabolash, Niçeja e çmonte tej mase.









