E hene, 15.12.2025, 10:42 AM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Si t’i bësh të bukura flatrat e tragjikes?

E diele, 14.12.2025, 06:55 PM


SI T’I BËSH TË BUKURA

FLATRAT E TRAGJIKES?

- Triptik me tre zogj në tre romane -

Nga Visar Zhiti

1.

Roman për zogun e pikturuar:

…është një episod tronditës, një zog kapet, lyhet me bojë dhe lëshohet sërish dhe në qiell tufa nuk e njeh më si të vetin. Ngjyrat ndryshe, të huaja e bëjnë të duket si një rrezik biologjik. Zogjtë e sulmojnë egërsisht, derisa ai bie dhe copëtohet.

Po bisedonim me profesorin universitar Gëzim Basha, ai gjithmonë të thotë një gjë të re, vepër a emër shkrimtari dhe po e dëgjova me vëmendje, kur po më tregonte për romanin “The Painted Bird” i hebreut polako-amerikan Jerzy Kosi?ski.

Dhe e kërkova.

Ja, si mund të jenë në shqip ato rreshta për të cilat po flisnim:

“Duhet të ketë qenë një model i rrallë, sepse të gjithë zogjtë e tjerë e sulmuan menjëherë. U hodhën të tërbuar mbi të nga të gjitha anët dhe ajri u mbush me pendë që fluturonin. Zogu i pikturuar përpiqej të shpëtonte, por të tjerët vazhdonin ta sulmonin, duke e çukitur pa mëshirë derisa ra përdhe. Pastaj vazhduan sulmin e tyre të pamëshirshëm, derisa zogu i pikturuar u copëtua në grimca të vogla.”

Është një nga simbolet më të fuqishme të letërsisë pas-Holokaust, të ndëshkohesh jo për atë që bën, por për atë që je.

Në qendër të kësaj parabole të egër është vetë titulli “Zogu i pikturuar” a i ngjyrosur mbase, më afër përmbajtjes. Kjo metaforë e dhimbshme është kyçi për të kuptuar atë denoncim universal të urrejtjes ndaj Tjetrit dhe si një reflektim mbi mungesën e etikës në botën moderne.

Romani, shpesh i lexuar si autobiografik, është më shumë se një rrefim për një fëmijë gjatë Luftës II Botëroe, por dhe një pasqyrë e përçudnimit njerëzor, e mekanizmave të dhunës kolektive dhe e përjashtimit të atyre që duken ose janë të ndryshëm. Pra zogu nuk është fajtor që s’është si të tjerët dhe ekzistenca e tij është krimi. Dhuna që buron nga kjo frikë s’është më akt vetanak, por ritual shoqëror i përjashtimit.

Zogu i pikturuar bëhet një anomali që duhej neutralizuar.

Kosi?ski përshkruan mënyrën se si vetë shoqëria bëhet totalitare në instinktet e saj duke ndëshkuar ndryshimin, duke e përjashtuar pa mëshirë, pa pyetje.

Pra, e keqja nuk lind vetëm nga diktaturat, por edhe nga turma që nuk sheh më individin, por devijimin që duhet eliminuar.

Përjashtimi është dhe krizë etike, i asaj etike që e kuptojmë kur ballafaqohemi me fytyrën e Tjetrit dhe ndjejmë përgjegjësi.

Nga këndvështrimi i Jungut, do të thoshim se turma që sulmon zogun, është duke projektuar mbi të hijen e vet, atë të mospranimit brenda vetes. Viktima kështu bëhet mbartëse e mëkatit të tjetrit, një kurban i ndërgjegjes së përbashkët.

2.

Roman për zogun e gjëmbave:

“Sipas një legjende, ekziston një zog që këndon vetëm një herë në jetën e tij, më bukur se çdo krijesë tjetër mbi këtë Tokë. Që nga çasti kur lë folenë, ai zog kërkon një pemë me gjemba dhe nuk gjen paqe derisa ta arrijë. Ai çan mes degëve të saj të ngatërruara egërsisht dhe, duke kënduar, ngul trupin në gjembin më të gjatë e më të mprehtë. Ndërsa vdes, dhimbja e tij shndërrohet në një këngë shumë më të bukur se ajo e bilbilit apo e laureshës. Çmimi i asaj kënge të bukur është jeta, por e gjithë bota ndalet për ta dëgjuar dhe Zoti në qiell buzëqesh.”

- Colleen McCullough, nga “Zogu i gjembave” -

E sillte këtë pjesë botuesi i njohur dhe përkthyesi Bujar Hudhri. “Zogu i gjëmbava” e quan ai romanin “The Thorn Birds” të shkrimtares australiane Colleen McCullough që u bë e famshme në botë pikërisht me këtë vepër.

Më parë ajo ishte neuroshkencëtare, punonte në një spital…

Letërsia e saj, - mendojnë kritikët, - bashkon dashurinë tragjike me sakrificën, konfliktin mes dëshirës dhe ndalimit moral.

Fjala s’është për një zog real, por një simbol mitik, metaforë e sakrificës për dashurinë dhe artin, figurë që vjen nga legjenda të vjetra keltike dhe orientale

Ai fragment është çelësi simbolik jo vetëm për romanin, por dhe për njeriun që dashuron deri në dhimbje. Artisti krijon duke u plagosur. Shpirti arrin bukurinë përmes flijimit.

Ai zog nuk këndon për të jetuar, por vdes që të këndojë bukur, qoftë dhe një herë. Bukuria më e lartë lind nga dhimbja më e thellë. Një metaforë universale për artin, jetën, besimin, dhe sakrificën njerëzore.

Është një alegori e pastër ekzistenciale për marrëdhënien mes jetës dhe dhimbjes,  bukurisë dhe  kuptimit.

Filozofia e bukurisë është dhe si akt absolut, jo si zbukurim i jetës, por si qëllim i saj i fundit. Bukuria nuk është thjeshtë komoditet, por kulm sakrifice, mbase e përafërt me idenë platonike se Bukuria e vërtetë kërkon dalje nga vetja, deri në vetëzhdukje.

Dhe gjëmbat mund të emërtohen si ndalim, kufi, ligj, mëkat, fat, por edhe trup, etj. Zogu nuk vritet nga rastësia, por nga zgjedhja, dramatikisht kierkegaardiane, të vuash për diçka më të lartë se vetja.

Kënga bëhet dhe tejkalim i vdekjes, dhimbja ka marë kuptim, ndërsa trupi shndërrohet në shpirt dhe vdekja në përjetësi.

Duket si një paradoks teologjik, kur Zoti nuk e ndalon “gjembin”, por buzëqesh ndaj këngës. Zoti nuk e shfuqizon dhimbjen,, por e shndërron në kuptim. Siç duket kjo është ideja e dhimbjes, si rrugë drejt dritës, jo si gabim i botës.

Në fund të fundit Zogu i Gjembave është metafora e njeriut që pranon të vritet nga kuptimi i vet më i lartë.

3.

Një zog tjetër në romanin

“Perëndia mbrapsht dhe e dashura”:

Ndodh dhe kështu!

…sa bukur këndon, mahnitshëm… Dhe ai zog… për fat të keq, këndon vetëm natën, - po thoshte ai me zërin e violintë. - Gjindja dëshiron ta dëgjojë cicërimën fantastike ditën dhe a e dini ç’bëjnë? Ia shpojnë sytë zogut, e verbojnë për t’iu dukur natë dhe të këndojë i verbër, të këndojë në natën e vet prej dhune dhe të përjetshme mes ditës mëkatare të të tjerëve. Të këndojë…

…Ndoshta dhe vendi juaj… bën me ju siç bëjnë në vendin tim me zogun. Krijon natën, që të vajtoni bukur. Jo, jo, kundërshtoi Feliksi duke u dridhur… E si i shpojnë yjet, që të mbeten të verbra?

Është në romanin tim “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”. E solla për historinë, ma kishte treguar një poet brazilian në një takim ndërkombëtar poezie dhe unë e futa në libër… Është kënga e atij që di të këndojë, e dalë nga dhuna, është arti i nxjerrë prej errësirës, tashmë të krijuar vetë.

Zogu i verbuar këndon, sepse nuk sheh. Në këtë kuptim ai është si artisti që krijon nga mungesa, nga dëmtimi, nga pushteti i errësirës. A është kënga dhuratë e lirë?

Zogu në librin tim nuk është i pikturuar, ai shkoi te gjëmbat, po aq sa dhe gjëmbat shkuan te ai, nuk ishte i verbër, por e verbuan. Dhe përbindëshi nuk është natyra, por shoqëria. Edhe tirania kërkuaka “art”, por nga gjaku i viktimave.

Bukuria është një dhuratë që u gjendka dhe nga shkatërrimi.

“Zogu Brazilian” nuk është vetëm viktimë, por edhe një “produkt estetik” i një shoqërie mizore që e do këngën, por jo zogun e lirë. Kënga kështu është e kolonizuar.

Albert Camus te “Miti i Sizifit” flet për absurditetin e jetës dhe mënyrën se si njeriu e tejkalon atë me revoltë dhe krijim. Kënga e zogut të verbuar është dhe një revoltë, prandaj nuk pushon së kënduari. Absurditet i bukur, një ekzistencë që përmbushet në vetvete, edhe kur është pasojë e një dhune, më shumë të pashpjegueshme.

Në roman dashura vazhdon dha pas vdekjes…

Nga zogtë te yjet

si një epilog

Më sipër unë bëja një pyetje, që i kalonte kufijtë e fabulës:                         “E si i shpojnë yjet, që të mbeten të verbra?”

Të jetë kjo dilema e fundit e ekzistencës, se edhe yjet verbohen dhe atëherë nuk mbetet më as dritë, as shpresë, as transhendencë?

“A është e mundur që edhe Zoti të ketë vdekur në kampet e përqendrimit?” - pyeste Primo Levi. Po ajo ishte një klithmë metafizike nga tmerri i zhdukjes së dritës absolute.

Zogu i pikturuar i Jerzy Kosinskit, Zogu i gjëmbave i Colleen McCullough dhe Zogu i verbuar në romanin tim na vendosin dhe përballë dilemave të Foucault me teorinë e tij biopolitike mbi pushtetin që individi kur devijon nga norma, duhet ndëshkuar për të ruajtur “ekuilibrin” shoqëror, të Adornos, që thoshte se “të shkruash poezi pas Auschwitz-it është një akt barbar” dhe të Camus-it që flet se si njeriu e tejkalon absurditetin e jetës me revoltë dhe krijim, na shpalosin kështu natyrën e dhunës, të artit dhe lirisë.

Kënga e atyre zogjve është veçantësi, njëkohësisht dhuratë dhe mallkim, bukuri dhe dëshmi dhe njëherësh sakrificë dhe dënim, protestë dhe mbijetëse përtej vetvetes.

Tani mjerisht ka zëra gricës që kritikën e bëjnë me AI, pa i lexuar veprat, thjeshtë duan të bëjnë të njohur qendrimin e tyre ndaj autorëve dhe pa qenë kritikë ndonjëherë, pa përsiatje dhe pa empati, vazhdojnë prirjen e tyre ideologjike të mynxyrshme të të qenit jo “me “zogjtë” e kërcënuar, por “me pushkët e gjahtarëve”…

Megjithatë shqetësimi im është shumë larg tyre, pyetja s’mund të jetë për ata, edhe pse ajo duket sikur mbetet e hapur për të gjithë:

a do të mund të kenë yjet sy?

Gjersa të ketë dritë përtej çdo vdekjeje, ashtu siç ka dhe dashuri, do të ketë natyrisht dhe art të jetës…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx