Mendime
Idriz Zeqiraj: Nëndega e LDK-së në Bavarinë e Epërme kërkon shtesë të vend-votimeve
E enjte, 11.12.2025, 06:53 PM
NËNDEGA E LDK-SË NË BAVARINË E EPËRME KËRKON SHTESË TË VEND-VOTIMEVE
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Nëndega e LDK-ë në Bavarinë e Epërme,
në Gjermani, mbajti mbledhjen e Kryesisë të saj. Në rendin e ditës trajtoi tri
çështje:
1) Zgjedhjet e 28 dhjetorit;
2) Situata aktuale në Kosovë;
3) Të ndryshme.
Kryetari i kësaj Nëndege Dr. Rexhep
Nikçi përshëndeti të pranishmit dhe i ftoi ata për angazhim serioz, në
realizimin me sukses të procesit zgjedhor të fund-dhjetorit.
Dr. Nikçi ishte pjesë e takimit - one
live -, të cilin e realizoi kryetari i LDK-së, Dr. Lumir Abdixhiku, me 58
Nëndegët e Mërgatës, me ç`rast u bëri thirrjen e çiltër anëtarësisë dhe
qytetarëve të Kosovës, të bëhen pjesë e ndryshimit të madh, për ta sjellur
partinë zëmadhe të Presidentit Rugova, sërishmi në pushtet.
Kryetar Nikçi përshkroi shumëçka nga ai
takim frymëzues dhe mbresëlënës, me kryetar Lumirin dhe të bashkë partiakëve,
sa të çiltër, aq edhe të frytshëm.
Kryetari, Dr. Rexhep Nikçi, me anëtarët
e Kryesisë dhe veprimtarët tjerë të LDK-së, në ketë Republikë-shtet, siç
konsiderohet në Gjermani Bavaria, kanë një vërejtje serioze, që përkthehet në
sugjerim e lutje të madhe: Landi (Republika) e Thüringenit, që përfaqësohet nga
Konsullata e Bavarisë, është 450 km. largësi. Qytetet e Landit të Bavarisë, si:
Aschafenburg, Koburg, Würzburg, përkatësisht, 355, 325 dhe 280 km. Pastaj janë
disa qytete, si: Passau, Lindau, Nürnberg, Salzburg dhe të tjerë qytete, që kanë
një largësi nga Mynihu, ku është Konsullata rezidente e Landit të Bavarisë, nga
afro 200 km. largësi. Dhe, rrugëtimi ardhje-kthim, shifra dyfishohet,
respektivisht, nga 400 deri në 900 kilometra! Në këto rrethana, dështimi i
votimit është i pritshëm, i zorshëm, në mos i pamundur, shfrytëzimi i së
drejtës për të votuar.
Të kërkosh një sakrificë të tillë
stërmunduese nga mërgimtarët qytetarë të Kosovës, nuk na duket vendim i mençur
i zyrtarëve të Kosovës, për ta ndaluar votimin jashtë përfaqësive diplomatike
të Kosovës. Aq më pak, kur ka zgjidhje të gatshme dhe shumë më pak të
kushtueshme.
Ne sollem shembuj vetëm nga Gjermania.
Por, po ta llogarisim zgjatimin e Italisë, nga Brindisi në Ambasadën në Romë
572 km., dhe nga Trieste në Romë 673 km., vetëm rrugëtim një drejtim. Shumëzuar
me 2-in kthim, rezulton, respektivisht, me 1.144 dhe 1.346 km. Çfarëdo
arsyetimi i një vendimi absurd, siç është ai i kufizimit të votimit, ngujimit
vetëm në lokalet zyrtare, është barazi me zero (o)!
Kemi bindjen se asnjëri nga ata
zyrtarët, që kanë aprovuar një vendim të tillë, kurrë nuk do ta merrnin
mundimin, për të bërë qindra kilometra rrugë, për ta hedhur fletë-votimin e
tyre në kutinë përkatëse! Dorën në zemër, jemi skajshëm të hatëruar, për ketë
shkelje flagrante të së drejtës elementare, siç është e drejta ligjore e
votimit, qytetarë të devotshëm të Atdheut-Kosovë.
Megjithatë, keni kohën, mendjen dhe
nderin ta rishikoni vendimin absurd e skandaloz, siç është mohimi i të drejtës
të votimit të bashkë atdhetarëve tuaj në Mërgatë. Praktika e votimit të
mërgimtarëve, jashtë përfaqësive diplomatike, është e njohur në shtetet
ballkanike dhe evropiane. Sigurimin e votave e bëjnë të zotët, ndërsa
komisionarët, vëzhguesit e huaj, janë vetëm dekor. Prandaj, nuk ia vlen të
bëhet asnjë udhëtim dhe shpenzim i kujtdo qoftë, nga Kosova apo nga diku
gjetiu.
Hiç më pak diskriminuese nuk është as
kufizimi, mohimi i të drejtës për votim, për ata që kanë lënë shtetësinë e
Kosovës, përdhunshëm. Dhe, për ta realizuar të drejtën e dy shtetësisë, kemi
shkruar dhe ankuar deri në organet qendrore të disa shteteve të Evropës,
përfshi edhe protesta. Paradoksale, por mërgimtarëve tanë u kërkohej ta hiqnin
edhe shtetësinë e Serbisë, edhe pse fëmijët e tyre kurrë nuk e kishin pasur!
Ata humbisnin ditë pune dhe shpenzonin mijëra euro, për avoketërit dhe
burokracinë e zyrtarëve të Beogradit, sepse fëmijët shkollarë, pa shtetësinë
vendore, kishin një serë kufizimesh shkollimi, më sakt, specializimi dhe punësimi.
Kemi kërkuar që rimarrja e shtetësisë
të Kosovës, të bëhet në grup, pa sorollatje dhe burokracira të panevojshme.
Premtimi fillestar ishte i bujshëm, por, deri me tani nuk është realizuar! Se
ku është arsyeja e këtij hezitimi, ende nuk e kemi mësuar?
Na ishte një kohë, kur kryetarja
klasike e KQZ-së, Valdete Daka, nga 174 mijë zarfe, i skarconte 72 mijë zarfe.
Dhe, kur ajo e tepëroi, me provokimet e përsëritura dhe të porositura, nga
shefi i saj Hashim, se, kinse, shumësia e mërgimtarëve po votojnë për një parti
të preferuar, Presidentja Vjosë, me të drejtë e shkarkoi nga posti. PDK-ja edhe
sot e vajton shkarkimin e saj meritor.
Edhe në zgjedhjet e fundit KQZ-ja
aktuale, edhe pse simpatike, e bëri namin, me pavlefshmërinë e fletë-votimeve.
Edhe për çiftet pleq, kërkonin - e-mail - të veçantë. Kërkesat për procedurën e
regjistrimit dhe të tjera, duhet të reduktohen, sepse pavlefshmëria e
fletë-votimeve, e shprehur në shifra, është qesharake, madje tmerruese!
Nëse thuhet, madje është konfirmuar se
gjysma e popullsisë të Kosovës punon dhe jeton jashtë Kosovës, atëherë, pse të
mos jenë votuesit e Mërgatës, të paktën, sa gjysma e votuesëve vendorë, në
Kosovë?!
Rrjedhimisht, kjo është barazi me
mohim, me dashje, të së drejtës të votimit, për një pjesë të konsiderueshme të
mërgimtarëve tanë. Dhe, kjo nuk nderon as qeverinë dhe as shtetin tonë
demokratik. Mendoj se subjektet politike, me polarizimin artificial që
manifestojnë, ligjërisht, duhet shpërfillur, aq më parë kur bëhen pengesë hiç
reale, në rastin konkret, të realizimit të procesit zgjedhor.
Ne, mërgimtarët, përcollëm me vëmendje
mbledhjen e KQZ-së, ku u vendos për shtypjen e fletë-votimeve, dërgimin të
gatshme në Mërgatë dhe shpenzimin shtesë prej 4 milionë euro! Mall
"derzhave hesapi", thonin pleqtë! Zhvatje e pa dhimbshme e buxhetit
shtetëror! Një vendim alogjik dhe burokratik! Me të drejtë këtë vendim e
quajtën të dështuar anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi dhe kryetari KQZ-së,
Kreshnik Rodoniqi. Pra, vendimi shtesë i përgatitjes të fletë-votimeve në
Kosovë, është sa burokratik, i panevojshëm aq edhe abuzues i buxhetit
shtetëror.
Ne, mërgimtarët, kemi biseduar dhe
konsultuar mjaftueshëm, për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë, të drejtën e
shfrytëzimit të votimit, duke kursyer kohë
dhe shpenzime të panevojshme.
Shembullojmë me Gjermaninë e madhe:
Është një ambasadë dhe 4 konsullata.
Ministria përkatëse ka shtuar edhe 10 pika votuese jashtë këtyre. Për hapësirën
gjeografike gjermane edhe 50 vend-votime po t`i shtonte, nuk janë të tepërta.
Zhurmimi reagues i subjekteve politike, në Kosovë, nuk ka qenë fisnik, madje
hiç real. Banalizimi se nuk mbahen zgjedhje në klube, shoqata, kafenera e
tjera, është fyes, madje i turpshëm. Logjistika e votimit kërkon një tavolinë
gjatoshe me disa karrike dhe një komodinë gjysmë të mbyllur.
Komisioni i përbërë i nga 2 përfaqësues
të subjekteve politike. Numërimi i votave bëhet në prezencë të komisionit
komplet. Firmoset Proces-verbali, me nënshkrimet nga komisioni përkatës dhe
përcillet në KQZ, i fotografuar. Ndërsa i gjithë materiale mbyllet në kutinë votuese
dhe përcillet ngeshëm, në Komisionin Qendror Zgjedhor në Prishtinë, vetëm për
verifikim dhe përputhje të numrit të votuesëve me numrin e fletë-votimeve.
Mërgimtarët e inkuadruar në shoqërinë
evropiane, e marrin shumë seriozisht çështjen zgjedhore, në përgjithësi, dhe
procesin e votimit, në veçanti, madje i çfarëdo natyre qoftë. Sepse çdo tentim
për manipulim është i dënueshëm dhe turpërues. Pavarësisht lëvizjeve në
subjektet politike, bashkëjetesa e mërgimtarëve shtrihet në kohë prej dekadash.
Andaj, përzgjedhja e komisioneve përkatëse, është sa e lehtë, aq edhe e
sigurtë. Mërgata e përdorë shumë votimin e fshehtë dhe nuk njihet shitë-blerja
e votës.
Prandaj, e gjithë burokracia e vonesave
të panevojshme, bartja e kushtueshme, të paktën, nga Mërgata dhe pritjet me
ditë e javë, për ta shpallur rezultatin zgjedhor, është jashtë çdo
logjike normale!
Duke praktikuar ketë mënyrë zgjedhore,
mërgimtarët do ta gëzonin të drejtën e votimit, si qytetarë legjitim të
Kosovës, rrjedhimisht, si pjesë integrale e Atdheut-Kosovë.
Urojmë dhe besojmë për mirëkuptim nga
organet kompetente të Republikës të Kosovës!
NË EMËR TË KOMISIONIT PËR INFORMIM
Idriz Zeqiraj









