E marte, 02.12.2025, 09:20 PM (GMT)

Mendime

Anton Marku: Demokristianët e diasporës kundërshtojnë koalicionin PSHDK-VV

E marte, 02.12.2025, 06:55 PM


Demokristianët e diasporës kundërshtojnë koalicionin PSHDK-VV

Shkruan: Anton Marku

Koalicioni për zgjedhjet në nivel qendror të 28 dhjetorit mes Partisë Shqiptare Demokristiane  të Kosovës (PSHDK) dhe Vetëvendosjes (VV) është duke u kundërshtuar fuqishëm nga pjesa më e madhe e demokristianëve në diasporë, të shtrirë gjeografikisht kryesisht në Zvicër, Gjermani dhe Austri. Aktivistët demokristianë të këtyre shteteve kërkojnë me urgjencë mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshme të partisë dhe shkarkimin e dy incuesve të këtij koalicioni jo të natyrshëm dhe të dëmshëm, kryetarit aktual të PSHDK-së Zef Morinës dhe kryetarit të Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Gjakovë Anton Shala.

Anashkalimi i vullnetit të elektoratit

Në traditën e organizimit partiak fuqia e vetë këtij organizim buron nga votuesi, respektivisht elektorati, i cili zgjedh strukturat udhëheqëse të cilat më pas afirmojnë dhe mbrojnë interesat e tij. Në pluralizëm partitë nuk mund të funksionojnë vetëm por në rrugëtimin e tyre drejt realizmit të qëllimeve të definuara më parë hyjnë në marrëdhënie kontraktuale edhe me subjektet e tjera politike, zakonisht me ato të një profili të njëjtë apo të ngjashëm programor. Para se këto raporte të formalizohen në një marrëveshje të shkruar hapet debati i brendshëm, njoftohet anëtarësia dhe merret pëlqimi i saj. Këto parime themelore u injoruan dhe u shkelën me të dy këmbët në rastin e dakordimit për koalicion parazgjedhor mes PSHDK-së dhe VV-së. Bartës të këtyre lëvizje shkurtpamëse dhe për motive dhe interesa karrieriste dhe personale janë figurat më të larta të PSHDK-së, nisur nga kryetari i saj Zef Morina me bashkëpunëtorët e tij në kryesinë qendrore dhe bashkësinë e degëve në Gjakovë që ka vite që janë shndërruar në dekor dhe makineri votuese të vendimeve absurde duke mos përfaqësuar elektoratin demokristian. Mësimit nga e kaluara dëshmojnë për faktin se sa herë që nuk është marrë në konsideratë vullneti i shumicës brenda një subjekti politik po aq herë projektet e tilla kanë pasur përfundim jo të lavdishëm dhe për pasojë ka ardhur deri te dobësimi dhe defaktorizimi i partive të tilla në skenën politike të një vendi. I njëjti fat e pret edhe këtë tentativë që të mbulohen dështimet e deritashme të lidershipit të PSHDK-së duke u afruar me një parti me të cilën nuk ka asgjë të përbashkët, as ideologjikisht e as historikisht.

Llogaridhënia si akt moral

Koalicioni në fjalë është më shumë fiktiv se sa përmbajtjësor dhe i shërben disa individëve që njihen me emër dhe mbiemër si zhvatës dhe matrapazë politikë, të cilët, tash e disa dekada, kanë përfituar nga partia, qoftë me privilegje apo me marrje të posteve publike, të cilat më pas i kanë përdorur për pasurim personal apo interesa grupore. Është koha e fundit që anëtarësia demokristiane toleron personat e tillë të cilët kanë marrë peng të gjitha strukturat e saj. Këtyre manipuluesve duhet përfundimisht tu tregohet dera. Veprimet e tyre nuk i sjellin asnjë të mirë atyre që ata pretendojnë të përfaqësojnë, përkundrazi. Një pjesë të fajit e kanë edhe ata pak  mbështetës të tyre që me gjysmë zëri aprovojnë gjithçka që ju servohet. Marrëveshjet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me funksionalizimin partiak dhe mbijetesën e PSHDK-së, e cila më shumë është rrënuar nga brenda se sa nga jashtë.

Vendimet e gabuara

Që nga themelimi i saj, tash e 35 vite më parë, PSHDK-ja është parti e spektrit të djathtë e cila rrugëtimin e saj të derikëtushëm, në të shumtën e rasteve, e ka bërë bashkë me LDK-në. Vetëm atëherë ajo ka qenë origjinale në filozofinë e saj perëndimore. Lëshimet e paqëllimshme lënë gjithmonë hapësirë për mirëkuptimin, ato të qëllimshme duhet të demaskohen. Në këtë frymë, duke qenë të bindur se vendimi për lidhje të koalicionit PSHDK-VV nuk është dobiprurës, demokristianët në diasporë kërkojnë që sa më parë të thirret kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë në të cilin do të shkarkohen përgjegjësit për lidhjen e koalicionit me një subjekt politik të majtë i cili përfaqëson të kundërtën e të djathtës tradicionale dhe konzervative. Ky do të ishte hapi i parë drejt reformimit të partisë, hap i cili do të pasohej nga hapa të tjerë të nevojshëm për rivitalizimin dhe faktorizimin e saj.

Vota demokristiane

Duke marrë në konsideratë faktin se koalicioni PSHDK-VV nuk e ka pëlqimin e bazës dhe nuk i shërben asaj por vetëm disa emrave të përveçshëm, demokristianët e diasporës bëjnë apel që të mos pranohet një koalicion i tillë, kryekëput joparimor. Për më tepër vota e demokristianëve do të duhej të mos shkojë në taborrin e atyre që Kosovën e larguan nga Tirana, Roma, Berlini, Londra, Parisi e Uashingtoni. Demokristianët nuk duhet bërë patericë e një pushteti në largim e sipër, për më tepër të një pushteti i cili në pesë vitet e kaluara, sidomos në arenën ndërkombëtare, ka shënuar më shu-më regres se sa progres. Një opcion tjetër do të ishte bojkotimi i tërësishëm i këtyre zgjedhjeve me besimin se ka ardhur koha për ristrukturimin e tërësishëm të partisë i cili mund të nisë sapo që nga radhët e saj të largohen ata që atë e sollën deri në këtë pikë.

Anton Marku

Vjenë, 2 dhjetor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Zholi: Flet Prof. Asoc. Dr. Hasan Hoxha Don Fran Sopi: Ejani tek Unë… një mesazh i Kohës së Ardhjes për të rinjtë Nue Oroshi: Hijezimet e vendit, harresa e harruar dhe veprimet e gabuara Idriz Zeqiraj: Vetting-u që penalizon dhe Byroja që konfiskon, arsyeja e bllokadës së PAN-it! Ilir Çumani: Avokatia e kryeministrit ndaj zyrtarëve në hetim – një precedent rrezikshëm për shtetin ligjor Fritz Radovani: At Gjergj Fishta ka datat e daltueme në gur Asllan Dibrani (Luani): 28 Nëntori dhe Rënia e Maskave - Kur Kombi Detyroi BIK-un të Flasë Shqiptarisht Kalosh Çeliku: Xhadika në luftë me ferexhezezat Nue Oroshi: Mos e uroni 29 Nëntorin, duhet të shpallet ditë zie Rrezart Kalaja: PDK dhe koalicioni me ndikimet aziatike që rrezikojnë identitetin shqiptar Klajd Kapinova: Urdhër Ekzekutiv për Mbrojtjen e Amerikës nga kërcënimit e jashtëzakonshme terroriste radikale islamike Ben Blushi: Sot, dita e ndarjes nga sëmundja jonë më e madhe, otomanizmi Fahri Dahri: Ç’farë kuptohet me nocionin komb? Ilir Çumani: 28-29 Nëntori - Pasqyra ku shohim patriotët dhe e pseudopatriotët e vërtetë Lekë Mrijaj: Shqiptarët e Kosovës në Arkivat e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane – CIA-s Kalosh Çeliku: Zagarët e grazhdit të “kalit Shemës” Idriz Zeqiraj: Skuthëria klanore, kanceroze e LDK-së Nikoleta Kovaçi: Kush e kërcënon kryeministrin për Belindën? Ndue Dedaj: Drejtësi me dy “krena” Asllan Dibrani – Luani: Kriza politike në Kosovë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx