| E marte, 02.12.2025, 06:55 PM |
Demokristianët e diasporës kundërshtojnë koalicionin PSHDK-VV
Shkruan:
Anton Marku
Koalicioni për
zgjedhjet në nivel qendror të 28 dhjetorit mes Partisë Shqiptare
Demokristiane të Kosovës (PSHDK) dhe
Vetëvendosjes (VV) është duke u kundërshtuar fuqishëm nga pjesa më e madhe e
demokristianëve në diasporë, të shtrirë gjeografikisht kryesisht në Zvicër,
Gjermani dhe Austri. Aktivistët demokristianë të këtyre shteteve kërkojnë me
urgjencë mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshme të partisë dhe shkarkimin e dy
incuesve të këtij koalicioni jo të natyrshëm dhe të dëmshëm, kryetarit aktual të
PSHDK-së Zef Morinës dhe kryetarit të Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Gjakovë
Anton Shala.
Anashkalimi i vullnetit të elektoratit
Në traditën e organizimit partiak fuqia e vetë këtij
organizim buron nga votuesi, respektivisht elektorati, i cili zgjedh strukturat
udhëheqëse të cilat më pas afirmojnë dhe mbrojnë interesat e tij. Në pluralizëm
partitë nuk mund të funksionojnë vetëm por në rrugëtimin e tyre drejt realizmit
të qëllimeve të definuara më parë hyjnë në marrëdhënie kontraktuale edhe me
subjektet e tjera politike, zakonisht me ato të një profili të njëjtë apo të
ngjashëm programor. Para se këto raporte të formalizohen në një marrëveshje të
shkruar hapet debati i brendshëm, njoftohet anëtarësia dhe merret pëlqimi i
saj. Këto parime themelore u injoruan dhe u shkelën me të dy këmbët në rastin e
dakordimit për koalicion parazgjedhor mes PSHDK-së dhe VV-së. Bartës të këtyre
lëvizje shkurtpamëse dhe për motive dhe interesa karrieriste dhe personale janë
figurat më të larta të PSHDK-së, nisur nga kryetari i saj Zef Morina me bashkëpunëtorët
e tij në kryesinë qendrore dhe bashkësinë e degëve në Gjakovë që ka vite që janë
shndërruar në dekor dhe makineri votuese të vendimeve absurde duke mos përfaqësuar
elektoratin demokristian. Mësimit nga e kaluara dëshmojnë për faktin se sa herë
që nuk është marrë në konsideratë vullneti i shumicës brenda një subjekti politik
po aq herë projektet e tilla kanë pasur përfundim jo të lavdishëm dhe për pasojë
ka ardhur deri te dobësimi dhe defaktorizimi i partive të tilla në skenën politike
të një vendi. I njëjti fat e pret edhe këtë tentativë që të mbulohen dështimet
e deritashme të lidershipit të PSHDK-së duke u afruar me një parti me të cilën
nuk ka asgjë të përbashkët, as ideologjikisht e as historikisht.
Llogaridhënia si akt moral
Koalicioni në fjalë është më shumë fiktiv se sa përmbajtjësor
dhe i shërben disa individëve që njihen me emër dhe mbiemër si zhvatës dhe
matrapazë politikë, të cilët, tash e disa dekada, kanë përfituar nga partia,
qoftë me privilegje apo me marrje të posteve publike, të cilat më pas i kanë
përdorur për pasurim personal apo interesa grupore. Është koha e fundit që anëtarësia
demokristiane toleron personat e tillë të cilët kanë marrë peng të gjitha
strukturat e saj. Këtyre manipuluesve duhet përfundimisht tu tregohet dera.
Veprimet e tyre nuk i sjellin asnjë të mirë atyre që ata pretendojnë të
përfaqësojnë, përkundrazi. Një pjesë të fajit e kanë edhe ata pak mbështetës të tyre që me gjysmë zëri
aprovojnë gjithçka që ju servohet. Marrëveshjet e tilla
nuk kanë të bëjnë asgjë me funksionalizimin
partiak dhe mbijetesën e PSHDK-së, e cila më shumë është rrënuar nga brenda se sa nga jashtë.
Vendimet e gabuara
Që nga themelimi i saj, tash e 35 vite më parë, PSHDK-ja është parti e spektrit të djathtë e cila rrugëtimin e saj të derikëtushëm, në të shumtën e rasteve, e ka bërë bashkë me LDK-në. Vetëm atëherë ajo ka qenë origjinale në filozofinë e saj perëndimore.
Lëshimet e paqëllimshme lënë gjithmonë hapësirë për
mirëkuptimin, ato të qëllimshme duhet të demaskohen. Në këtë
frymë, duke qenë të bindur se vendimi për lidhje të koalicionit PSHDK-VV nuk është dobiprurës, demokristianët në diasporë kërkojnë që sa më parë të
thirret kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë në të cilin do të shkarkohen përgjegjësit
për lidhjen e koalicionit me një subjekt politik të majtë i cili përfaqëson të kundërtën e të djathtës tradicionale dhe
konzervative. Ky do të ishte hapi i parë drejt reformimit të partisë, hap i
cili do të pasohej nga hapa të tjerë të nevojshëm për rivitalizimin dhe faktorizimin e saj.
Vota demokristiane
Duke marrë në konsideratë faktin se koalicioni PSHDK-VV nuk e ka pëlqimin
e bazës dhe nuk i shërben asaj por vetëm disa
emrave të përveçshëm, demokristianët e diasporës bëjnë
apel që të mos pranohet
një koalicion i tillë, kryekëput
joparimor. Për më tepër
vota e demokristianëve do të duhej të mos shkojë në taborrin e atyre që Kosovën e larguan nga Tirana, Roma, Berlini, Londra, Parisi e
Uashingtoni. Demokristianët nuk duhet bërë patericë e një pushteti në largim e sipër, për më tepër të një pushteti i cili në pesë vitet e kaluara, sidomos në arenën ndërkombëtare, ka shënuar më shu-më regres se sa progres. Një opcion tjetër do të ishte bojkotimi i tërësishëm
i këtyre zgjedhjeve me besimin se ka ardhur koha për
ristrukturimin e tërësishëm të partisë i cili mund
të nisë sapo që nga radhët e saj të largohen ata që atë e sollën deri në këtë
pikë.
Anton Marku
Vjenë,
2 dhjetor 2025