Mendime
Ilir Çumani: 28-29 Nëntori - Pasqyra ku shohim patriotët dhe e pseudopatriotët e vërtetë
E premte, 28.11.2025, 06:50 PM

28-29 NËNTORI - PASQYRA KU SHOHIM PATRIOTËT DHE E PSEUDOPATRIOTËT E VËRTETË
Nga
Ilir Çumani
Në
këtë foto të vjetër bardhë e zi, shfaqen pranë njëri-tjetrit Ndre Mjeda, Gjergj
Fishta dhe Luigj Gurakuqi, me fytyra të lodhura, por të qeta. Shikimet e tyre
janë të prerë, por me një dritë që nuk të lë indiferent. Janë fytyrat e burrave
të vërtetë që e panë Shqipërinë jo si burim përfitimi, por si një fëmijë që
duhej rritur, arsimuar, edukuar e mbrojtur.
Ata
nuk e shihnin shtetin kurrë si pronë, por si amanet; nuk prisnin duartrokitjet
e momentit, sepse e dinin se koha ishte gjykatësi më i saktë dhe i rreptë
njëkohësisht.
Mjeda
punoi për gjuhën amëtare, Fishta për kulturën, Gurakuqi për shtetin. Të tre,
secili në mënyrën e vet, punuan vetëm për Shqipërinë.
Sot,
ndërsa shumë fotografi të politikanëve shfaqen përditë në media dhe rrjete
sociale, në ceremoni, në aktivitete të pafundme “zyrtare”, është e pamundur të
mos vëresh kontrastin e thellë mes atyre që ndërtuan shtet dhe atyre që sot
harrojnë edhe kuptimin e fjalës “shtet”.
Ndërtuesit
e dikurshëm nuk e panë veten si heronj; politikanët e sotëm shpesh kërkojnë të
duken si të tillë. Ata dikur ia dhanë jetën Shqipërisë; shumë prej atyre sot ia
marrin Shqipërisë, dhe nuk i japin thuajse asgjë.
Në
çdo nëntor, rituali është i njëjtë: flamuj që valëviten, bërr - bërret lëshohen
pa doganë, fjali të mëdha recitohen me një solemnitet të stisur.
Politikanët,
shpesh në rresht të parë, mbajnë fjalime që flasin për liri, sakrificë,
pavarësi, shtetformim — ndërkohë që, në përditshmëri, janë vetë të parët që i
rrënojnë institucionet, i shpërfillin ligjet, i nëpërkëmbin qytetarët.
Në
këtë teatër të përvitshëm, festimi bëhet dekor, historia sfond, ndërsa
realiteti hesht poshtë tapetit. Patriotizmi i tyre, i fotografuar nga çdo kënd,
qëndron vetëm në imazh.
Por
shteti nuk ndërtohet me pamje, as me statuse në rrjete siciale, as me fjalime
të rënda pompoze kinse “patriotike”.
Shteti
ndërtohet me punë, me drejtësi, me përgjegjësi, me transparencë, me ndershmëri,
me sakrifica që nuk i sheh kamera.
Pikërisht
këtë kishin të tre emrat e mëdhenj që shohim në këtë fotografi: një përkushtim
të heshtur, por të palëkundur, që nuk kërkoi as përfitime, as privilegje.
Ndërsa
politikanët e sotëm shpesh shfaqen të rrethuar nga një luks i shfrenuar,
protokolle e privatizime të interesave, ata të dikurshmit jetuan në varfëri,
por lanë pas një pasuri kombëtare që nuk shteron.
Realiteti
i Shqipërisë sot i ngjan një shtëpie të ndërtuar dikur me themele të forta, por
të lënë nën mëshirën e atyre që e shohin si plaçkë.
Institucionet
që duhej të ishin të pavarura shpesh janë kthyer në vegla politike. Ligjet që
duhej të ishin të shenjta interpretohen sipas interesit politik të radhës.
Shumë
shërbime publike janë katandisur në forma burokratike që lodhin qytetarin dhe
ushqejnë klientelizmin e nepotizmin. Besimi tek shteti është tretur. Dhe
gjithmonë, në çdo krizë, në çdo keqfunksionim, shfaqet e njëjta fytyrë politike
që flet për patriotizëm.
Kjo
është një plagë e madhe morale që nuk fashitet me protokolle ceremoniale
shtetëtore. Shqipëria po zbrazet nga truri, nga rinia, nga energjia, ndërsa
politika zbrazet nga përgjegjësia. Në vend që të ndërtohet shtet, ndërtohen
fasada; në vend që të prodhohet drejtësi, prodhohen justifikime; në vend që të
forcohen institucione, forcohen individë të gjithëpushtetshëm.
Dhe
ndërsa populli përballet me sfida reale, politikanët e sotëm shpesh zhyten në
retorikë boshe, në pretendime të lodhura për atdhedashuri, në performanca që
nuk lënë gjurmë.
Por
historia nuk është naive; ajo nuk i ngatërron lehtë ndërtuesit me rrënuesit.
Ajo i shikon qartë dallimet, i shfleton me qetësi dhe i lë të shkruara me
ngjyrë të pashlyeshme: dikush ndërtoi ditë pas dite, dhe dikush tjetër ndërroi
vetëm dekorin.
Ndërkohë
që politikanët sot vendosen në podiume për të “nderuar” të shkuarën, është vetë
e shkuara që nuk i nderon ata.
Mjeda,
Fishta, Gurakuqi nuk u shpallën patriotë — ata u bënë të tillë me vepra të
çmuara në shërbim të kombit. Politikanët e sotëm shpesh shpallen atdhetarë pa
dhënë prova për vepra të mira.
Dita
e Flamurit dhe ajo e Çlirimit nuk janë vetëm ditë feste, por ditë e gjykimit
moral. Janë ditë kur kombi shikon pas për të kuptuar se nga jemi nisur, dhe
shikon rreth e rrotull për të parë se ku kemi mbërritur.
Janë
ditë që na kujtojnë se shteti nuk është trashëgimi biologjike, nuk është pronë
partie, nuk është instrument për të mbuluar mungesat e sotme me lavdinë e
djeshme.
Shtetbërja
është një arkitekturë e brishtë që kërkon kujdes dhe përgjegjësi të përditshme.
Dhe kur kjo arkitekturë lihet në dorë të atyre që nuk dinë, ose nuk duan ta
mirëmbajnë, gjithçka fillon të rrënohet pak nga pak.
Në
fund, Shqipërisë i duhet një kthim tek modeli i atyre që vepruan për kombin, jo
tek modeli i atyre që veprojnë për vete. Sot, më shumë se kurrë duhet të
rikthehemi në seriozitetin e ndërtimit të shtetit, në idealin që e ngriti një
komb të vogël drejt lirisë dhe identitetit të tij.
Ngase
ata që ndërtuan shtet nuk u morën kurrë me protagonizëm; ata lanë një
trashëgimi të pasur. Ndërsa ata që harrojnë të ndërtojnë shtet, edhe kur
afrohen nëpër festa kombëtare, e dinë fare mirë se historia nuk do t’i vendosë
kurrë pranë Mjedës, Fishtës e Gurakuqit. Historia i vendos njerëzit jo sipas
fjalëve që shqiptojnë para flamurit, por sipas veprave që lënë pas.
Dhe
pikërisht këtu qëndron dilema e madhe e kohëve tona: Shqipëria është ende në
udhëkryqin mes atyre që e ngritën dhe atyre që rrezikojnë ta rrënojnë.
Brezat
që vijnë do ta kuptojnë lehtësisht se kush e meriton nderimin e përjetshëm dhe
kush ka jetuar vetëm për duartrokitjen e një dite. E vërteta është e thjeshtë:
shteti ndërtohet vetëm nga ata që e duan më shumë se veten.
Dhe
Shqipëria pret që këta njerëz të kthehen.
Tiranë, e premte, 28 nëntor, 2025









