E enjte, 04.12.2025, 09:01 PM (GMT)

Mendime

Lekë Mrijaj: “Çfarë politikani i madh që do të kishte qenë Juda”, thënie e shkrimtarit francez Achille Tournier që pasqyron kohët tona

E enjte, 04.12.2025, 07:20 PM


“Çfarë politikani i madh që do të kishte qenë Juda”, thënie e shkrimtarit francez Achille Tournier që pasqyron kohët tona

Shkruan: Lekë Mrijaj

Para disa ditësh në rrjetin social Facebook, më ra në sy një thënie e vjetër lapidare e shkrimtarit francez Achille Tournier, e cila vërtetë më la pa fjalë nga realiteti dhe ironia e mprehtë që mbart: “Çfarë politikani i madh që do të kishte qenë Juda”.

Kjo shprehje e tij monumentale dhe shpotitëse, me gjithë peshën e fjalës së thanë,  është një shpatë me dy tehe e drejtuar drejt shtyllës së politikës sonë të zhveshur nga morali. Judë Iskarioti i cili është një simbol biblik i tradhtisë, ai që Kajfës ia shiti Krishtin vetëm për tridhjetë sikla argjendi, pra, nuk përmendet këtu për mirënjohje, por për të treguar se në një politikë të sëmurë e të deformuar shpërblehen dredhia, mashtrimi dhe pabesia, e jo ndershmëria. Dhe sa shumë i ngjan kjo thënie ironike realitetit tonë politik të pasluftës!

Pas qershorit të vitit 1999, Kosova jonë martire, falë heroizmit të veprimtarëve të devotshëm, intelektualëve, martirëve, heronjve, UÇK-së dhe mbi të gjitha falë trupave të NATO-s, vëndi ynë hyri në një epokë të re lirie, por jo medoemos në një epokë morali. Institucionet tona, të ngritura me mund, përkushtim dhe gjak, shumë shpejt nisën të grabiteshin nga grupe interesash amoraliste, administrata u politizua skajshëm, korrupsioni u kthye në përditshmëri të zymtë, ndërsa meritokracia e idealistëve e atyre që sakrifikuan u rrënua. Në këtë amulli e mjegull të dendur, në krye nuk ngjiteshin njerëzit e idealeve, por tetkalemshit dhe brekgrisurit, ata që dinin ta luanin lojën e pushtetit me forcë e dinakëri.

Prandaj thënia e Tournierit dukej si të ishte thënë e shkruar për ditët tona. E njëjta frymë e sëmurë vazhdoi edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më patronazhizëm, më familjarizëm, më nepotizëm, më pazare tenderësh nën dorë dhe më një administratë që funksionon më shumë si vegël partiake sesa si shërbyese e shtetit dhe e qytetarëve. Ndërkohë njerëzit e ndershëm, profesionistët dhe idealistët liheshin anash, sepse sistemi nuk i donte të tillët. Edhe kjo ishte mënyra më e heshtur, dhe më e shëmtuar, për t’i “shpërblyer” Judenjtë e politikës.

Për më tepër ia vlen të potencohët se që nga paslufta e deri në liberalizimin e vizave e këtej, vendi ynë ka nisur të zbrazet më të madhe nga të rinjtë dhe kuadrot e reja elitare, të cilët janë larguar dhe po largohen nga mungesa e perspektivës dhe padrejtësitë e përditshme. Megjithatë, një gjë mbetet e patundur, kujtesa historike e popullit tonë, ajo që e ka mbajtur gjallë nderin dhe lirinë ndër shekuj. Pikërisht kjo kujtesë është forca që mund t’i rikthejë moralin vendit dhe politikës së sotme, e cila shpesh endet pa busull etike.

Në fund të këtij opinioni reflektues e themi se politika pa moral nuk ndërton shtet, por prodhon zhgënjim, kaos dhe humbje shprese dhe rrënim të Republikës së Kosovës. Vetëm atëherë kur pushteti ynë fillon ta shpërblej vlerën, besën dhe përkushtimin, populli mund të shpresojë sërish.

Përndryshe, koha sikurse deri më sot, do të vazhdojë të prodhojë “Judenj” të rinj, dhe thënia e shkrimtarit francez Achille Tournierit do të mbetet e saktë dhe tejet trishtuese për popullin dhe institucionet e Republikën së Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Asllan Dibrani – Luani: Dështimi i Koalicioneve në Opozitë dhe Tkurja e Partive Tradicionale Anton Marku: Demokristianët e diasporës kundërshtojnë koalicionin PSHDK-VV Albert Zholi: Flet Prof. Asoc. Dr. Hasan Hoxha Don Fran Sopi: Ejani tek Unë… një mesazh i Kohës së Ardhjes për të rinjtë Nue Oroshi: Hijezimet e vendit, harresa e harruar dhe veprimet e gabuara Idriz Zeqiraj: Vetting-u që penalizon dhe Byroja që konfiskon, arsyeja e bllokadës së PAN-it! Ilir Çumani: Avokatia e kryeministrit ndaj zyrtarëve në hetim – një precedent rrezikshëm për shtetin ligjor Fritz Radovani: At Gjergj Fishta ka datat e daltueme në gur Asllan Dibrani (Luani): 28 Nëntori dhe Rënia e Maskave - Kur Kombi Detyroi BIK-un të Flasë Shqiptarisht Kalosh Çeliku: Xhadika në luftë me ferexhezezat Nue Oroshi: Mos e uroni 29 Nëntorin, duhet të shpallet ditë zie Rrezart Kalaja: PDK dhe koalicioni me ndikimet aziatike që rrezikojnë identitetin shqiptar Klajd Kapinova: Urdhër Ekzekutiv për Mbrojtjen e Amerikës nga kërcënimit e jashtëzakonshme terroriste radikale islamike Ben Blushi: Sot, dita e ndarjes nga sëmundja jonë më e madhe, otomanizmi Fahri Dahri: Ç’farë kuptohet me nocionin komb? Ilir Çumani: 28-29 Nëntori - Pasqyra ku shohim patriotët dhe e pseudopatriotët e vërtetë Lekë Mrijaj: Shqiptarët e Kosovës në Arkivat e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane – CIA-s Kalosh Çeliku: Zagarët e grazhdit të “kalit Shemës” Idriz Zeqiraj: Skuthëria klanore, kanceroze e LDK-së Nikoleta Kovaçi: Kush e kërcënon kryeministrin për Belindën?

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx