Mendime
Adil Fetahu: Pse në Kosovë nuk bëhet “vettingu” i diplomave të dyshimta?
E diele, 07.12.2025, 12:56 PM
PSE NË KOSOVË NUK BËHET ‘VETINGU’’ I DIPLOMAVE TË DYSHIMTA?
Nga
Adil Fetahu
Është
e ditur, madje shumë herë është shkruar e publikuar për rastet dhe dukurinë ‘’kryerjes’’
së provime dhe marrjes së diplomave të fakultetit në mënyrë të paligjshme. Kjo dukuri ka të bëjë me të gjitha nivelet e
arsimit, prej shkollës fillore e deri te doktorata, varësisht se kujt për çfarë
i nevojitet. Mënyrat e ardhjes deri te diploma të tilla janë të ndryshme: me
‘’dhënien’’ e provimeve të lëndëve me njoftësi, me preferenca, me paracaktimin
e pyetjeve, me blerjen e punimeve të seminareve e të diplomave nga firma të
cilat publikisht shpallin se përgatisin seminare e diploma të gatshme’’, me
pagesë të një çmimi të caktuar. Natyrisht, pa e ndjekur procesin mësimor, pa iu
nënshtrua procedurave të provimeve, pa e ditur se kah e ka derën fakulteti!
Gjithmonë
ka pasur raste të izoluara të ‘’dhënies së provimeve’’ me njoftësi apo për
motive tjera, por aso raste kanë qenë shumë më të rralla. Dukuria e marrjes së
diplomave të fakultetit në mënyrë të paligjshme ka marrë hov sidomos prej
dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Dhe kjo ka ndodhur jo vetëm në
Kosovë, por në shumicën e vendeve të Ballkanit. Një kohë ka qenë në zë marrja e
diplomave të rrejshme të fakultetit të mjekësisë në Rumani. Nga ish-republikat
e Jugosllavisë, Maqedonia ka qenë në sy për korrupsionin e përhapur në shëndetësi dhe arsim.
Prej periudhës së luftërave në ish-Jugosllavi,
dukuria e marrjes pa meritë të diplomave të fakultetit është bërë dukuri në
Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Serbi, Mali Zi, Bosnje-Hercegovinë e deri diku edhe
në Kroaci. Diploma të rrejshme kanë marrë politikanë, zyrtarë e kryetar shteti
(Nikolliqi në Serbi), kryetar e funksionarë tjerë të partive politike, bznismenë, menaxherë firmash dhe deri te
policët dhe portierët. Aq ishte e përhapur kjo dukuri e shëmtuar, sa që dolën
barcoleta se: ‘’para dite diplomon në bachellor, e pasdite në master’’, apo
tjetra: ‘’Sikur ta kisha ditur se është kaq lehtë të kryej fakultetin, do ta
kisha kryer edhe shkollën e mesme’’!
Kjo
dukuri jo vetëm se paraqet shkelje të normave ligjore, por është dukuri e
shëmtuar e normave të etikës dhe moralit, si për ata që marrin, ashtu edhe për
ata që japin dokumente të tilla. Në mënyrë të jashtëligjshme diploma marrin
njerëz nga të gjitha strukturat dhe segmentet shoqërore: të arsimit,
shëndetësisë, ekonomisë, administratës publike,partive politike, gjyqësisë. Me
diploma të tilla e me njoftuesi dhe lidhje tjera, avancohen në pozita, në
thirrje profesionale dhe në kategori (koeficiente) të pagave. Me diplomë të
rrejshme e me librezë të partisë zënë vende pune e pozita udhëheqëse, pa
kurrëfar merite as përgatitje profesionale. Ndërkaq, ata që kryejnë fakultetet
me mund e meritë, nuk mund të punësohen në punët për të cilat janë përgatitur,
por janë të detyruar të pranojnë çfarëdo pune tjetër jashtë profesionit.
Shtetet
fqinje po e luftojnë këtë dukuri, në Kosovë as e përmendin
Në
Serbi, afera e shit-blerjes së diplomave të fakultetit lidhet edhe me
ish-kryetarin e atij Shteti, Nikoliqin, për të cilin është vërtetuar se ‘’ka dhënë’’
provime në Fakultetin Juridik të Kragujevcit edhe në ditët kur ka qenë
zyrtarisht jashtë shtetit! Përndryshe, dukuria e shitblerjes së diplomave të
Fakultetit Juridik të Kragujvcit ka shpërthyer me aferën ‘’Index’’(2019), kur
Gjykata e Lartë e Smederevës i dënoi 12 profesorë të atij Fakulteti, me
gjithsej 61 vje6 burgim, për shitje të diplomave dhe të provimeve. Në atë
aferë, përveç tjerëve, përmenden me emër e mbiemër edhe 15 persona shqiptarë
nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët paskan blerë diploma të doktoratës për
drejtësi ose ekonomi (në vitin 2016)?! Për ironi të turpit, mediat serbe
informonin se në mesin e diplomave të doktoratës së shqiptarëve nga Kosova, ka
pasur tema patriotike: ‘’Kosova shtet i pavarur’’, ‘’Procesi i integrimit të
Kosovës në BE’’, ‘’Roli i Prokurorit publik në procesin penal’’,etj.
Kjo
dukuri e shit-blerjes së diplomave është bërë e mundur në saje të bashkëpunimit
të Universitetit të Kragujevcit me njëfar Qendre Europiane për Paqe dhe
Zhvillim të KB, në qendra të ndryshme në Serbi, Bosnje e Kroaci. Hetimet kanë vërtetuar se 44 motra
medicinale kanë marrë diploma të tilla të Fakultetit të Mjekësisë të
Universitetit të Kragujevcit, i cili gjoja ka zhvilluar aktivitetin mësimor në
qytetin Pullla (Kroaci)! Po aty janë dhënë edhe dy diploma të doktoratës: njëra
një shtetasi të Kroacisë e tjetra një shtetasi bë Bosjje-Hercegovinës. Pas
kësaj afere, Kragujevci ishte qyteti i parë në Serbi, që ka vendosur të bëjë
verifikimin e diplomave të të gjithë funksionarëve dhe të nëpunësve të
administratës së atij qyteti, dhe për këtë qëllim ia ka dërguar Ministrisë së
Arsimit 600 diploma të dyshuara për t’i verifikuar.
Diploma
të dyshimta kanë dhënë edhe fakultetet e universiteteve tjera në Serbi, sidomos
universitetet private në Beograd e Novisad etj. Në Universitetin privat
‘’Megatrend’’ në Beograd, diploma fakulteti kanë marrë shumë funksionarë të
lartë të pushtetit qendror dhe lokal, duke filluar nga ish-ministri i punëve të
brendshme Nebojsha Stefanoviq, etj. Çmimet për diploma fakulteti varen nga
lloji i fakultetit, profili profesional dhe niveli, prej bachellorit deri në
doktoratë. Për shembëll, në Fakultetin e Menaxhmentit në Sremski Karllovac,
çmimi i diplomës është prej 6000 deri në 10000 euro! Në Serbi diplomat blehen
edhe për shkolla të mesme ,të profileve teknike dhe medicinale, me të cilat do
të gjenin punë më lehtë.
Në
luftimin e kësaj dukurie të shëmtuar, të shitblerjes së diplomave, Republika e
Malit të Zi ka bërë punën më të madhe. Duke ndjekur aferën e diplomave të
rrejshme nga Serbia, në Republikën e Malit të Zi kanë ngritur fletëparaqitje
penale kundër 54 punonjësve të mjekësisë të cilët kanë marrë diploma në
fakultetet e Serbisë. Po verifikohen diplomat edhe të punonjësve tjerë në të
gjitha e segmentet e sektorit publik. Sidomos janë në shnjestër diplomat e
Universitetit të Beogradit, Novisadit, Tutinit dhe të Mitrovicës (universiteti
paralel serb, në Kosovë). Thonë se së paku 25000 punonjës të sektorit publik në
Mal të Zi kanë diploma të rrejshme! Janë përgatitur edhe 300 fletëparaqitje
tjera për raste të tilla. Prokuroria publike e shtetit ka formuar 70 lëndë
penale të kësaj natyre. Edhe në tetor të këtij viti (2025) ka pasur
fletëparaqitje penale për falsifikim ose diploma të rrejshme
Ministria
e Arsimit dhe Shkencës e Republikën së Kroacisë ka bërë verifikimin e 75000
diplomave të të punësuarve në sektorin e arsimit, prej të cilave 10% kanë dalë
të paligjshme. Janë zbuluar raste, kur mësimdhënësi ka punuar 20 vjet, me
diplomë të rrejshme. Janë vërtetuar 27 diploma dhe 33 dëftesa të rrejshme në
mesin e punonjësve të arsimit. Është vërtetuar se 90 femra dhe 21 meshkuj, në
arsim ose shëndetësi kanë punuar me diploma të rrejshme. Ministria e Arsimit e
asaj Republike u ka dërguar shkollave dhe universiteteve Udhëzimin për
verifikim të diplomave, dhe u ka
rekomanduar edhe ministrive tjera që në resorët e tyre të bëjnë verifikimin e
diplomave e çertifikatave të rrejshme apo të falsifikuara.
Në
Shqipëri më shumë zhurmë bëhet fjalë për nostrifikimin e diplomave dhe
çertifikatave të lëshuara nga institucionet e hueja, sesa për problemin e lëshuarjes
së diplomave të rrejshshme nga institucionet e vendit. Ndërkaq, është evidente
se në universitetet private, por edhe ato publike, ka pasur raste të shumta të
shitblerjes së diplomave, për nivele e profile të ndryshme. Përmendet në mënyrë
të posaçme Kolegji universitar ‘’Wesdom’’, dhe Universiteti privat ‘Kristal’’,
të Tiranës, të përfshirë në dukurinë e shitjes së diplomave
false. Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë të atij Universiteti ka shitur 170 diploma e
certifikata të rrejshme për stomatologë, motra medicinale, infermierë.
‘’Insajderi’’ (2016) bënte të ditur se mbi 220 diploma të Universitetit
‘’Kristal’’ të Tiranës, nuk do t’iu njihen si valide qytetarëve të Kosovës. Bëte
të ditur se ato janë blerë me çmime nga 4500 deri 5000 euro për çdo vit
fakulteti. Ai dhe 17 universitete tjera private u mbyllën, pasi u vërtetuan kepërdorime dhe nuk iu dha
licenca për punë.
Po
në Kosovë, ku jemi me ‘’vetingun’’ e diplomave?
Në
janar (16 janar) të vitit 2021, unë e botova një shkrim në disa media, të
titullaur: ‘’Një veting diplomave të dyshimta të arsimit të lartë’’. Atë
shkrim timin e mori dhe botoi edhe ‘’Fokus-i’’. Asnjë reagim i institucioneve
të shtetit as i universiteteve publike as private ndaj atij shkrimi. Asnjë veprim
i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës në lidhje me këtë
problem. E dihet fare mirë se një numër i madh i njerëzve kanë zënë punë e
pozita me diploma të rrejshme, diploma të blera ose të marruna në mënyra tjera të
paligjshme, qoftë nga universitetet dhe kolegjet private ose atyre publike të
Kosovës, qoftë nga ato të vendeve fqinje. Në këtë mënyrë kanë degradua
autoritetin e arsimit, profesionalizmit dhe meritokracisë. Jam i indinjuar ndaj
atyre njerëzve, të cilët pa kurrëfar mundimi as merite marrin diplomë fakulteti, masteri a
doktorate, kapardisën e shesin mend, ua zënë vendet e punës dhe pozitat atyre
të cilët me mund e mërit i kanë fituar diplomat e tyre. Të mos flasim për
pasojat e punës së të diplomuarve të rrejshëm, qoftë në arsim, në shëndetësi,
në administratë, në gjyqësi, në politikë. Me njerëz të tillë, shoqëria kosovare
nuk mund të lëvizë përpara në asnjë
segment. Prandaj, Ministria e Arsimit, universitetet dhe organet tjera
(policia, prokuroria, gjyqësori) duhet të merren me këtë problem, t’i ndalet
hovi, të anulohen diplomat dhe të dënohen
të gjithë akterët e përfshirë në këtë dukuri të shëmtuar.









