Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (27)
E shtune, 06.12.2025, 07:18 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
PROCES
GJYQËSOR NDAJ JATAKËVE TË FSHATIT KABASH (27)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Ndaj
jatakëve, si pjesë e atij rrjeti të heshtur të solidaritetit kombëtar, u
zhvilluan një numër i madh procesesh gjyqësore, të cilat në thelb shërbenin si
pretekst i përshtatshëm për të mbushur burgjet me shqiptarë. Këto gjyqe nuk
ishin gjithmonë të mbështetura në prova të besueshme apo fakte të qëndrueshme,
përkundrazi, shumë prej tyre bazoheshin mbi akuza të sajuara dhe argumente të fabrikuara
me kujdes nga aparati represiv. Një rol të veçantë në këtë mekanizëm shpesh
luanin fqinjët serbë – komshinj të përditshëm – të cilët, për motive personale,
hakmarrjeje ose përfitimi, jepnin informacione të rreme që më pas përdoreshin
nga pushtetarët si bazë për arrestime.
Shpesh
ndodhte që një familje ose një rajon të ishte nën vëzhgim të keqdashur nga
autoritetet, dhe mjaftonte një shkëndijë – një alibi e fabrikuar për
ekzistencën e të arratisurve – që zinxhiri i akuzave të hapej. Pas kësaj, “zbulohej”
edhe rrjeti i supozuar i jatakëve, dhe pa gdhirë mirë, milicia jugosllave
kryente bastisje të befasishme: rrethohej shtëpia, lagjja, e jo rrallë i tërë
fshati. Fshatarët, shpesh të kapur në gjumë dhe pa kurrfarë ideje për akuzat që
po bëheshin, shihnin se si disa prej tyre etiketoheshin si “armiq të popullit”
dhe merreshin me vete drejt hetuesisë.
Në
këtë skenar represiv, shpikeshin jo vetëm të arratisurit, por edhe
“dëshmitarët” – persona të gjetur e të paguar posaçërisht për të ndërtuar një
narrativë publike që justifikonte dhunën dhe krimet e pushtetit. Në këtë
mënyrë, para opinionit të gjerë krijohej përshtypja se këto masa ishin të
domosdoshme për “sigurinë” dhe “rendin publik”, ndërsa në realitet nuk ishin
gjë tjetër veçse mjete për të shtypur një popullatë të pafajshme, të cilës i
ishte imponuar për dekada një regjim dhune të institucionalizuar.
Një
rast i ngjashëm me skemat e mëparshme represive ishte edhe procesi gjyqësor i
zhvilluar kundër katër shqiptarëve në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, i cili
dëshmon vazhdimësinë e modelit të ndjekjes penale ndaj atyre që akuzoheshin për
lidhje me “rastin Hasan Remniku dhe jatakët e tij”. Kryetar i trupit gjykues
ishte sërish Ratomir Paternogiq, i cili, për nga përsëritja e shpeshtë e rolit
të tij në këto procese, dukej sikur ishte shndërruar në një “ekspert” të
gjykimeve politike kundër shqiptarëve të akuzuar për ndihmën ndaj të
arratisurve.
Anëtarët
e trupës gjykuese ishin Musa Shabija dhe Emrullah Sadiku, ndërsa procesmbajtës
ishte Stanimira Vuqetiqi. Ky konfigurim gjyqësor, tashmë i njohur për publikun
e kohës, mbante të njëjtën frymë të inskenimit të proceseve të parapërgatitura,
ku emrat dhe akuzat përforconin narrativën politike të regjimit.
Të
pandehurit në këtë rast ishin katër burra: Qemajl Elez Azizi, Sylë Agushi, Jahi
Elezi dhe Ismail Selman Elezi. Të gjithë ata u vunë përballë një gjyqi ku
vendimi nuk ishte thjesht rezultat i shqyrtimit të provave, por pjesë e një
strategjie të qëllimshme për të vazhduar kriminalizimin e çdo lidhjeje me rrjetin
e mbështetjes ndaj figurave të rezistencës. Ky proces, si shumë të tjerë në atë
periudhë, nuk ishte vetëm një akt gjyqësor, por një hallkë tjetër në zinxhirin
e gjatë të presionit dhe frikësimit politik që pushteti ushtronte mbi
shqiptarët.
Të
gjithë të arrestuarit në këtë rast u kapën brenda një harku kohor të shkurtër,
mes datave 15 dhe 19 maj të vitit 1952, në një operacion të koordinuar nga
organet e sigurimit të shtetit. Arsyeja e ndjekjes së tyre ishte e njohur dhe e
qartë për të gjithë: gjatë viteve 1950 dhe 1951, ata kishin pasur lidhje të
drejtpërdrejta me disa persona të arratisur nga pushteti dhe organet jugosllave
të ndjekjes, mes të cilëve përmendeshin Ahmet Agushi, Shaqir Xhemajli dhe një i
tretë, identiteti i të cilit nuk kishte mundur të përcaktohej nga autoritetet.
Këto
kontakte nuk ishin të rastësishme, por pjesë e një rrjeti të strukturuar
mbështetës, i ndërtuar mbi besim të plotë dhe mbi lidhje të sigurta, të cilat u
mundësonin të arratisurve të lëviznin përtej kufijve të vendosur nga regjimi.
Përmes këtyre kanaleve të besueshme, të arratisurit kishin kaluar kufirin dhe
ishin futur në territorin e Jugosllavisë, duke sfiduar kontrollin dhe
autoritetin e aparatit shtetëror.
Në
sytë e pushtetit, ky veprim përbënte një shkelje të rëndë politike dhe
juridike, por në realitet, ai ishte shprehje e guximit dhe e solidaritetit të
atyre që nuk pranonin të pajtoheshin me dhunën dhe represionin. Arrestimet e
majit 1952 nuk ishin thjesht një masë sigurie, ato përbënin një akt të
qëllimshëm për të goditur çdo nyje të mbështetjes që i jepte jetë dhe
vazhdimësi rezistencës ilegale shqiptare.
Personat
e përmendur më sipër kishin treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe guxim
të rrallë në mbështetje të Ahmet Agushit dhe Shaqir Xhemajlit. Ata u kishin ofruar
jo vetëm strehim të sigurt, por edhe një mbrojtje të organizuar me kujdes, duke
i fshehur nga organet e ndjekjes dhe duke u siguruar kushte të qëndrueshme për
të mbijetuar në rrethana tepër të rrezikshme. Në shtëpitë e tyre u kishin dhënë
ushqime, ngrohtësi dhe siguri, duke u bërë hallka vendimtare në një rrjet të
heshtur ndihme që sfidonte kontrollin e pushtetit.
Më
vonë, ata i kishin lidhur të arratisurit me grupe të tjera të ikurish, duke
krijuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet strukturave të shpërndara të
rezistencës. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, Agushi dhe Xhemajli kishin
marrë nga këta mbështetës një sasi të madhe informacionesh të vlefshme mbi
organet e pushtetit popullor dhe mbi gjendjen politike e shoqërore në
Anamoravë. Këto të dhëna u shërbenin për të planifikuar me saktësi lëvizjet e
tyre dhe për të shmangur rreziqet e kapjes.
Falë
këtij rrjeti të mirëorganizuar dhe mbështetjes së pakursyer, të arratisurve iu
bë e mundur të qëndronin në mënyrë të sigurt në këtë trevë, duke e bërë
praktikisht të pamundur zbulimin e tyre nga organet e ndjekjes. Kjo mbrojtje
dhe ky koordinim i kujdesshëm çuan, pas një organizimi të gjerë në terren, në
kalimin e tyre të suksesshëm përsëri përtej kufirit, ku ata vazhduan misionin
dhe veprimtarinë e tyre politike, duke mbetur një sfidë e vazhdueshme për
regjimin e kohës.
Pas
një periudhe të zgjatur hetimesh, të shoqëruar me mbledhjen e një numri të madh
dëshmish nga dëshmitarë të ndryshëm, procesi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve
arriti kulmin më 3 dhe 4 shtator, kur u zhvillua seanca kryesore. Në këtë
seancë, e cila përmbylli një fazë të gjatë procedurash, gjykata shqyrtoi
akuzat, dëshmitë dhe provat e paraqitura, duke nxjerrë vendimin përfundimtar më
4 shtator 1952.
Sipas
aktgjykimit të asaj date, të akuzuarit u shpallën fajtorë në bazë të neneve 244
dhe 249 të Ligjit Penal të Jugosllavisë, të cilat parashikonin ndëshkime për
veprime të konsideruara si kërcënim për rendin dhe sigurinë e shtetit.
Gjithashtu, vendimi u mbështet edhe në nenin 250 të po të njëjtit ligj, duke i
dhënë procesit një bazë juridike që, në logjikën e kohës, justifikonte
sanksionet e rënda ndaj tyre.
Ky
aktgjykim nuk ishte vetëm një vendim formal ligjor; ai pasqyronte një klimë
politike dhe gjyqësore të ngarkuar, ku ligji shpesh përdorej si mjet për të
legjitimuar ndëshkimin e kundërshtarëve politikë dhe për të konsoliduar
pushtetin e regjimit. Në këtë kuptim, data 4 shtator 1952 nuk shënonte vetëm
përfundimin e një procesi gjyqësor, por edhe një moment tjetër në historinë e
gjatë të përplasjes ndërmjet individëve dhe një sistemi represiv.
Në
aktgjykim, ndër të tjera, jepet një përshkrim i detajuar i profilit personal
dhe shoqëror të të akuzuarit Xhemajl Elez Azizi. Ai ishte i lindur në vitin
1908, në fshatin Kabash, nga babai Aziz dhe nëna Salë, e lindur Kamberi, dhe
aty kishte jetuar deri në ditën e arrestimit, më 17 maj 1952. Jeta e tij ishte
e lidhur ngushtë me bujqësinë, burimin kryesor të të ardhurave për të dhe
familjen e tij. Ishte i martuar dhe baba i shtatë fëmijëve, duke mbajtur mbi
supe barrën e rëndë të përkujdesjes për një familje të madhe në kushte të
vështira ekonomike.
Xhemajli
ishte analfabet, gjë që e kufizonte në marrëdhëniet e tij me administratën dhe
botën formale, por që nuk ia zvogëlonte rolin si punëtor i përkushtuar në jetën
rurale. Shërbimin ushtarak e kishte kryer në kohën e ashtuquajturës Jugosllavi
e Vjetër, duke u përballur me realitetet e një shteti që do të pësonte
ndryshime të mëdha politike pas Luftës së Dytë Botërore. Në aspektin ekonomik,
konsiderohej njeri i varfër dhe, deri në momentin e arrestimit, nuk kishte qenë
kurrë i dënuar.
Ky
përshkrim në aktgjykim nuk është vetëm një paraqitje e thjeshtë biografike, ai
krijon sfondin e një jete të zakonshme fshatare, të thyer papritur nga një
proces gjyqësor që do ta nxirrte atë nga rutina e përditshme dhe do ta vendoste
në përplasjen e drejtpërdrejtë me aparatin gjyqësor e politik të kohës.
I
akuzuari i dytë, Sylë Agushi, kishte origjinë nga fshati Kabash. Ai ishte i
lindur në vitin 1933, nga babai Rexhep dhe nëna Rukije, e lindur Ademi, në një
fshat të Shqipërisë, por më vonë familja e tij ishte vendosur në Kosovë, ku ai
vazhdoi jetën e tij. Aktiviteti i tij jetësor ishte i lidhur ngushtë me
bujqësinë, profesion të cilin e ushtronte vazhdimisht, duke jetuar në përputhje
me ritmet dhe vështirësitë e jetës rurale.
Ndryshe
nga shumë bashkëfshatarë të tij, Sylë Agushi zotëronte shkrim-leximin, gjë që e
bënte disi më të aftë për të komunikuar me strukturat administrative të kohës.
Megjithatë, ai kishte mbetur i pamartuar dhe deri në momentin e arrestimit nuk
kishte qenë kurrë i dënuar për ndonjë vepër penale.
Nga
data 15 maj 1952, ai ndodhej në arrest në burgun hetues, duke u përballur me
një proces gjyqësor që do ta nxirrte nga normaliteti i përditshëm i punës së
tij në bujqësi dhe do ta vendoste në qendër të një përplasjeje me autoritetet,
në një kohë kur klima politike dhe juridike ishte e ngarkuar me tensione dhe
dyshime ndaj çdo individi që shihej si i pakonfirmuar me vijën zyrtare të
regjimit.
I
akuzuari i tretë, Jahi Elezi, ishte i lindur në vitin 1890, në fshatin Kabash,
nga babai Selman dhe nëna Gjylsime, e lindur Jashari. Ai kishte jetuar në këtë
fshat gjatë gjithë jetës së tij, deri në ditën e arrestimit më 15 maj 1952,
duke qenë i lidhur ngushtë me tokën dhe punët bujqësore, të cilat përbënin
burimin e vetëm të jetesës së tij.
Jahi
Elezi ishte i martuar dhe baba i katër fëmijëve, mbi të cilët rëndonte
përgjegjësia e sigurimit të ushqimit dhe mbijetesës, në kushte të një gjendjeje
ekonomike të varfër. Ai përfaqësonte tipin e fshatarit të thjeshtë dhe të
ndershëm, që për dekada kishte jetuar duke u marrë vetëm me punë dhe familje,
pa u përfshirë në asnjë veprimtari që mund ta kishte vënë në përplasje me
ligjin. Deri në momentin e arrestimit, ai ishte i padënuar, duke mbajtur një
jetë paqësore në komunitetin e tij.
Megjithatë,
arrestimi i tij në pranverën e vitit 1952 e shkëputi papritur nga kjo jetë e
qetë rurale dhe e përfshiu në vorbullën e një procesi gjyqësor të rëndë, tipik
për realitetin represiv të kohës, ku edhe individët me një profil krejtësisht
të thjeshtë mund të bëheshin objekt i akuzave të rënda.
I
akuzuari i katërt, Ismail Selman Elezi, ishte i lindur në vitin 1901 në fshatin
Kabash, nga babai Selman dhe nëna Gjylsime, e lindur Halili. Ai kishte jetuar
tërë jetën e tij në këtë vend, duke qenë pjesë e pandarë e popullit dhe ritmeve
të përditshme të jetës rurale. Arrestimi i tij, më 19 maj 1952 nga organet e
ndjekjes, e shkëputi papritur nga kjo jetë e zakonshme dhe e vendosi përballë
një procesi gjyqësor që do ta ndryshonte rrjedhën e saj.
Me
profesion bujk, Ismaili ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, mbi shpatullat
e të cilit rëndonte përgjegjësia për sigurimin e jetesës së familjes. Ai nuk
kishte pasur mundësinë të arsimohej, çka e bënte të pa shkolluar dhe pa aftësi
shkrim-leximi – një realitet i zakonshëm për shumë bashkëkohës të tij në zonat
rurale.
Deri
në momentin e arrestimit, ai kishte mbajtur një jetë të thjeshtë, paqësore dhe
pa ndonjë konflikt me ligjin. Por përfshirja e tij në këtë proces, si dhe
vendosja përballë akuzave të rënda në klimën politike të kohës, tregojnë se në
realitetin represiv të asaj periudhe, edhe njerëzit më të thjeshtë dhe më të
padëmshëm mund të bëheshin lehtësisht objekt i ndëshkimit dhe i përdorimit
politik të drejtësisë.
Aktakuza
ndaj këtyre katër të pandehurve i ngarkonte ata me kryerjen e veprave penale me
karakter politik gjatë viteve 1950–1951, duke i akuzuar se kishin krijuar dhe
mbajtur lidhje me një grup personash që kishin kaluar kufirin në mënyrë
ilegale. Sipas akuzës, këta persona, me të cilët të pandehurit kishin
bashkëpunuar, ishin angazhuar në veprimtari të drejtpërdrejtë kundër shtetit
dhe popullit të ish-Jugosllavisë.
Në
logjikën e sistemit politik të kohës, një veprim i tillë përbënte jo vetëm
shkelje të ligjit, por edhe një akt armiqësor që rrezikonte integritetin e
rendit shtetëror dhe stabilitetin politik. Për këtë arsye, lidhjet e tyre me
individët që vepronin jashtë kufijve ligjorë dhe ideologjikë të regjimit
interpretoheshin si provë e qëllimeve subversive dhe e përfshirjes në një rrjet
veprimtarie që sfidonte autoritetin e pushtetit.
Ky
formulim akuze pasqyronte qartë frymën e kohës, ku çdo kontakt me mërgatën
politike ose me strukturat ilegale trajtohej si krim politik, duke e vënë
individin nën goditjen e një drejtësie të instrumentalizuar për qëllime
politike dhe represive.
Sipas
aktakuzës, Xhemajl Elez Azizi ngarkohej me akuzën se, në një datë të
papërcaktuar gjatë muajit tetor të vitit 1950, kishte strehuar në shtëpinë e
tij tre të arratisur nga pushteti popullor: Ahmet Agushin, Shaqir Xhemajlin dhe
një person tjetër. Ata qëndruan aty për dy ditë e tri net, gjatë të cilave ai
jo vetëm që i kishte gostitur me ushqim, por edhe u kishte siguruar të dhëna të
konsideruara tepër të rëndësishme mbi lëvizjet, numrin dhe organizimin e
njësive të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë (APJ), të punonjësve të UDB-së,
të policisë popullore, të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) dhe të
organizatave të tjera popullore.
Aktakuza
theksonte gjithashtu se, pas një viti, në muajin gusht të vitit 1951, Xhemajl
Elezi kishte vepruar në të njëjtën mënyrë, duke e pranuar sërish në shtëpinë e
tij të ikurin Shaqir Xhemajlin, të cilit i kishte ofruar strehim dhe ushqim të
bollshëm. Në tërësinë e periudhës kohore 1950–1951, ai akuzohej se kishte
shërbyer me besnikëri të arratisurve, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me
jatakë të tjerë të lëvizjes ilegale shqiptare.
Në
kontekstin politik dhe juridik të kohës, këto veprime interpretoheshin jo vetëm
si ndihmë ndaj personave të shpallur armiq nga regjimi, por edhe si pjesë e një
rrjeti të organizuar rezistence, që synonte sfidimin e pushtetit dhe
strukturave të tij. Për pasojë, roli i tij shihej nga organet e ndjekjes si një
hallkë e rëndësishme në mbështetjen logjistike e operative të ilegales
shqiptare në Kosovë.
Sipas
aktakuzës, Sylë Agushi akuzohej se, në muajin tetor të vitit 1950, me ftesën e
Ahmet Agushit, ishte takuar me të arratisurit e tjerë në shtëpinë e Xhemajl
Elezit. Gjatë këtij takimi, ai kishte sjellë me vete ushqime për t’i gostitur
dhe, njëkohësisht, u kishte dhënë informacione të shumta mbi përbërjen
kombëtare të ushtrisë që vepronte në atë zonë, si dhe mbi strukturat dhe
veprimtarinë e policisë.
Në
të njëjtën kohë, Sylë Agushi kishte njoftuar të pranishmit edhe për sjelljet e
organeve të policisë dhe të UDB-së ndaj popullatës, duke përshkruar mënyrat e
trajtimit të tyre, si dhe veprimet e autoriteteve lidhur me grumbullimin e
tepricave bujqësore për nevojat e pushtetit. Këto informacione, sipas akuzës,
përbënin të dhëna me rëndësi të veçantë për veprimtarinë e grupit të
arratisurve.
Në
këtë mbledhje, si shenjë mirënjohjeje dhe përforcimi të lidhjeve, Ahmet Agushi
i kishte dhuruar Sylë Agushit një revole, një pallto të gjatë dhe një këmishë.
Po ashtu, në të njëjtin muaj tetor të vitit 1950, ai akuzohej se kishte pranuar
në shtëpinë e tij të arratisurit, duke i qerasur me ushqime dhe duke u ofruar
strehim të përkohshëm.
Në
optikën e gjyqësorit të kohës, këto veprime interpretoheshin si bashkëpunim
aktiv me elementë armiqësorë ndaj pushtetit, duke e pozicionuar Sylë Agushin si
një ndër mbështetësit logjistikë e informativë të lëvizjes ilegale shqiptare në
atë periudhë.
Sipas
aktakuzës, Jahi Elezi ngarkohej me veprimtari të ngjashme me ato të dy të
akuzuarve të parë. Pretendohej se, në muajin tetor të vitit 1950, me ftesën e
Xhemajlit dhe sipas kërkesës së Ahmet Agushit, ai ishte takuar me këta të
fundit dhe me Shaqir Xhemajlin, në një mbledhje ku të pranishëm kishin qenë
gjithashtu Xhemajli, Syla dhe Ismaili.
Gjatë
këtij takimi, Ahmet Agushi – sipas përmbajtjes së akuzës – kishte njoftuar të
pranishmit se në Jugosllavi pritej së shpejti një ndryshim i madh i situatës politike.
Ai kishte deklaruar se kishte ardhur nga Greqia me një mision të caktuar, që
konsistonte në vendosjen e kontakteve dhe kryerjen e përgatitjeve të nevojshme
për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në kuadër të këtij misioni, ai u kishte
bërë thirrje të pranishmëve që të angazhoheshin për grumbullimin e të dhënave
të sakta mbi organizimin dhe veprimtarinë e strukturave ushtarake dhe policore
në rajonin e Moravës së Epërme.
Në
interpretimin juridiko-politik të kohës, një veprimtari e tillë përbënte një akt
të hapur kundër rendit shtetëror, pasi synonte jo vetëm mbledhjen e
informacionit të klasifikuar, por edhe krijimin e një rrjeti të strukturuar për
realizimin e një qëllimi politik që binte në kundërshtim të plotë me politikën
e shtetit jugosllav. Për pasojë, Jahi Elezi u konsiderua si pjesë e një
organizimi të gjerë që, sipas akuzës, synonte rrëzimin e pushtetit ekzistues
dhe ndryshimin e kufijve shtetërorë.
I
akuzuari i katërt, Ismail Selman Elezi, sipas aktakuzës, ngarkohej se gjatë
muajit tetor të vitit 1950, me ftesën e Xhemajlit dhe me kërkesë të Ahmet
Agushit, ishte takuar me ta në shtëpinë e Xhemajlit. Gjatë zhvillimit të
takimit, roli i tij kishte qenë ai i rojës, duke vëzhguar dhe përcjellë
lëvizjet e policisë përreth. Më pas, ai kishte marrë përsipër të siguronte dhe
shoqëronte gjatë largimit nga shtëpia e Xhemajlit drejt shtëpisë së Sylës tre
persona: Ahmet Agushin, Shaqir Xhemajlin dhe një individ të tretë, të panjohur
për pjesën tjetër të grupit.
Në
aktgjykim theksohej se të katër të akuzuarit kishin kryer vepra penale me
karakter politik, të cilat binin në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjet e
kohës në Jugosllavi. Sipas gjykatës, ata, në mënyrë të fshehtë dhe të
organizuar, kishin ofruar ndihmë logjistike dhe strehim për persona që konsideroheshin
si elementë armiqësorë, të cilët kishin “luftuar” kundër popullit dhe shtetit.
SHPALLET AKTGJYKIMI I JATAKËVE NGA KABASHI
Në
optikën e sistemit gjyqësor të asaj kohe, ky bashkëpunim, pavarësisht se ishte
kryer në rrethana të kufizuara, interpretohej si pjesë e një veprimtarie të
qëllimshme për të mbështetur rezistencën politike dhe për të sfiduar rendin e
vendosur, duke e bërë secilin nga të akuzuarit përgjegjës për një shkelje të
rëndë politike dhe penale.
Më
4 shtator 1952, Gjykata e Qarkut në Gjilan shpalli aktgjykimin përfundimtar
ndaj katër shqiptarëve, duke iu shqiptuar atyre dënime të rënda, vetëm pse
kishin pranuar në shtëpitë e tyre persona që i njihnin prej kohësh dhe që i
kishin pasur miq të familjes. Ky vendim gjyqësor, i dhënë në bazë të nenit 120
të Ligjit Penal të Jugosllavisë, përfaqësonte një nga rastet ku miqësia dhe
solidariteti njerëzor interpretoheshin nga pushteti si akt armiqësor ndaj
shtetit.
Me
aktgjykimin nr. K-46/52, të akuzuarit u dënuan si më poshtë:
Xhemajl
E. Azizi (1908), bujk nga Kabashi – 10 vjet burg të rëndë.
Sylë
Agushi (1933), bujk nga Kabashi – 8 vjet burg të rëndë.
Jahi
Elezi (1890), bujk nga Kabashi – 6 vjet burg të rëndë.
Ismail
S. Elezi (1901), bujk nga Kabashi – 6 vjet burg të rëndë.
Të
gjitha dënimet nisnin të llogariteshin nga data e arrestimit të secilit prej
tyre, duke u bërë pjesë e një mase ndëshkimore që në total arrinte 30 vite burg
të rëndë.
Ky
aktgjykim nuk ishte thjesht një vendim juridik; ai ishte një pasqyrë e
realitetit politik të kohës, ku gjykata shndërrohej në instrument të pushtetit,
ndërsa ligji përdorej për të goditur çdo formë të afërsisë apo ndihmës ndaj
atyre që regjimi i konsideronte “armiq të shtetit”. Në këtë kuptim, ky proces
gjyqësor mbetet një dëshmi e qartë e klimës represive që mbizotëronte në Kosovë
në vitet e pasluftës









