Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Himni i Flamurit prej At Gjergj Fishtës
E shtune, 06.12.2025, 06:50 PM
Pergatiti Fritz RADOVANI: II
HYMNI I
FLAMURIT

PREJ AT GJERGJ FISHTES
Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i
lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh
rrethim kishin hi në Shkoder. Me gjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë
nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e kremtes së Shna’
Ndout, 12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që se Fuqitë nderkombtare kishin
marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji).
At Fishta , këshillue me disa bashkëvllazen të vet,
kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte
hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane.
Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej
Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija me njiherë, si u patne porositë
perpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue: “Porsi
fleta....”.
Me njiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit,
Kolonel De Philipps, qi t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën
kurrsesi urdhnit të tij.
Flamuri Kombtar valvitej në Kompanjelin e Kishës së
Fretenve !
Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.
Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,
Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vehet m’ t’ leta.
Bini, Toskë!....
Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”
Bini, Toskë!....
Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhanun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?
Bini, Toskë!....
Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkri me gra, me fmi!
Kem’ me mbetë kortarë nder ara,
Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.
Bini, Toskë!..
M’ kambë, Sokola të Shqypnis!
Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet
Si pol veshet t’ Perendis,
Kah na ban hije prej qiellet.
Bini, Toskë!....
Ma mirë dekë me u shue nen hije
T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.
Bini, Toskë!....
Armët e Besen na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoi Kastrjota:
Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!
Bini, Toskë!....
Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qé, u nis perpara:
Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!
Bini, Toskë!....
Shenim nga F.R.:
Ky ishte kompanjeli i Kishes Françeskane Shkoder
ku u ngrit Flamuri nga At Gjergj FISHTA OFM.
SHKODER,13 QERSHOR 1913.
Melbourne, 6 Dhetor 2025.









