E premte, 28.11.2025, 11:05 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Flamur kuqezi, sot po du, me ty me gëzu, e me fluturu!

E premte, 28.11.2025, 06:58 PM


Flamur kuqezi, sot po du, me ty me gëzu, e me fluturu!

Nga Albert Vataj

Po du me ty me u gëzu, sot n’ditën e mëvetsimit, n’valvim t’flamurit, në t’shenjten e t’shtrenjtën ditë, qi burrat e urtë t’motit 1912, guxuen e shpallne Shqypnin t’mosvarme. Guxuen n’goj t’zezonave, tue notue n’gjak, t’veshun me xhamadan të shpuem plumbash e plisa zhigun barutit... Me tan zemër me gëzu e me za qielli me lumnu e ju gazmue, atyne shqypeve qi njizanit, t’shtërnguem n’bes e t’yshtun n’amanet, t’lindën prej farës që rrugtoi kohnave t’largta, e mbrrini n’ket ditë fatlume.

Mbini e u harlis njatyne shkrepave, njaja farë mëkue prej t’epërmit vullnet, njaja and qi mugtoi stinëve t’acarta e fërgëlleu stuhive, e qëndroi e paepur kacafytjeve, deri n‘njat prag ku deshti Zoti e bashk i bani tan shqyptarët n’nji kuvend.

Asajkohe e njatyne ernave qi fryn, njasa pështjellie e njatij mërryltimi, kurrkush se deshti njat shend, njat hir e drit qi ra mbi ty. Se lypne me t’pas hesap n’pazaret e tyne, se deshtne me ngop orekset e babëzive. Por nana kishte kue gji zanash njatyne burrave, e t’nxuren prej thellë ku fatkobi t’kishte gjuajt, e n’drit t’çitën, diell qi shndrini kah flatroi e shkoi shqypja jote, qiejve e zemrave qi u çuen pesh e gazmuen.

Kohë e kijamet rrebeshi n’ty shkuen papra, e ti mbete hy në shpirtin e besim, naltove n’zemrat qi kallen n’gjakun tand, flatruan andërrtar n’krahët e shqipes dykrenshe tan’njata qi t’nxuren nga gjoksi e t’lanen me gjakun e vet.

E tash....?!

Shqype, me ty po dume ty me gëzu sot. Bash fort po ma don zemra me gazmue e me thirr sa za xen qielli. Po don e s’dron edhe njaja zemër qi n’copa asht ba, e tue t’braktis; djep e vorr, kull e krep, e tue i ra hasha gjuhës e pragut, yshtun kah dhenat t’tjera, ngasun prej ikjes, ngarkue n’shpirt me gurin e rand t’pragut, hupi.

Ikne nga syt kambët, e t’lanen.

Apo i dëbove?!

Po du me ty me gëzu flamur, anipse mbushun jam me idhnim e plagë, me andrra t’vrame e shpirt t’molisun. Mbetun me am e at, me sy t’ujtisun e zemër t’plasun, tue ba vesh se kthehet dikush e më mylmen me mall, e m’thot se s’jam braktisun.

Flamur i valvimës s’hyjshme t’atij motit, n’fillim t’nji shekulli rrëmetesh, nuk asht faji jot se shkuen e t’lan, po shkuen e t’harruen. E harrim ma t’idht nuk paska, se kur po ta stolisin mohin me flamuj, e tue gostit po duen, pa u drasht me gëzu me ty, larg, larg ku shkuen e t’lan n’dor t’ligut, t’njatij qi t’shiti e t’blevi si mall t’përdorun, e dert nuk pati me ba me ty ç’ka deshti.

S’ke faj ti, pse n’flamur tand luten, e tjetër yzmeqari i falen.

S’asht faji jot se t’duel pjell e keqe me t’ken zani dhe ftyra, njasi qi kurrfarë gajle s’kan me t’ra hasha, njaty ku bahet fjalë për pare, e s’po koriten kurrnjigrim, se nan flamurin tand qi lave me gjak, me u përmjerr n’orgjina e më u krekos n’shtirje atdhetarie.

Flamuri kuq e zi, s’po t’gjej n’faj, se amanetçart e tuj, me ty shkuekan n’gji dhe gjoksit i rakan gjëmimshëm për komb e kushtrim, e soskan tue ba hesape, se qysh me ta punue, e qysh me ba çajre e qar me ty, me t’korit e me mbet prep valvim n’flamur.

Ti shqipe, ti qi n’kuqen e gjakut flutron, kjosh beku edhe sot, si dikur motit, kur bijt e bijat e tuj, u ban fli e qiell i këtij fluturimi.

Na tash, po duem me e rishkrua historinë, me fillue s’parit, ku jena e kah bahna, t’gjuejt prej fatit n’katër anët e botës si zogj korbi.

Sot, ma t’ditun e ma t’kenun, i biem hasha njatij ngadhënjimi qi na pruni deri te kjo ditë lume, si mos me pas ken kurrë. Se po duem me e fillu historinë te hargalisja virtuale e tallavat patriotike, se dum me e ba kurrgjë luftën, gjakun e derdhun e jetet e flijume.

S’asht faji jot, se na s’ditme me ken mirnjohës, as nuk nxume me u përul.

Aniqysh, unë po du me festu me njata qi po duen si un’, me u përul, me kërku falje, e me u pendu për ç’ka s’mujtem me ba për ty flamur, me u ndi n’faj se s’guxuem me bëza e me çue pesh, kur t’shitne e t’blene, kur t’përdorën si petk e t’hedhën si vjetërsinë.

Unë po du me ty me gëzu flamuri i burrave t’motot 1912, me gëzu e me u mbush me qiellin e njatij fluturimi kuq e zi, se shqyptar jam e shqyp po due me ken, sot e sa t’ket jet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve Albert Vataj: Episode nga jeta dhe suksesi i gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart Albert Vataj: Ronald Tolkien dhe Edith Bratt, një histori dashurie në kufinjtë e legjendës Albert Vataj: Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë Albert Vataj: Në universin e piktorit shkodran, Gjergj Pali Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore Albert Vataj: Gjergj Spani, shkodrani që u doktorua në Paris e Padova, mjeku personal i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut Albert Vataj: Lotët që mbajnë ende të gjallë edhe sot pas 600 vjetësh pikëllimin biblik Albert Vataj: E paimagjinueshmja, në një realitet mahnitës krijimi Albert Vataj: Arnat në rroba, kujtesë e një kohe që vjen për të na treguar se çfarë është vërtetë lumturia Albert Vataj: Pavlina Mani – aktorja që i dha ngjyra artit shqiptar Albert Vataj: George Orwell tregon "Pse shkruaj" në një ese të vitit 1946 Albert Vataj: Tre brezat e familjes Ajnshtajn në një foto Albert Vataj: Kush është Gloria Steinem, gruaja e sfidave të pamundura që u shndërrua një ikonë e feminizmit Albert Vataj: I përkas asaj vetmie Albert Vataj: Mary Ellen Pleasant, gruaja me ngjyrë që punonte si shërbyese dhe ndërtoi një perandori Albert Vataj: Abdurrahim Buza, piktori që shkroi me penel historinë e shqiptarëve Albert Vataj: Helena Citronová dhe Franz Wunsch, dashuria e pamundur që u lind në zemër të ferrit Albert Vataj: Brunello Cucinelli, një miliarder i dashuruar me librin Albert Vataj: Atje ku shkojmë me përulje e pendim, e lutemi: "Paçin dritë e diell!"

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx