| E premte, 28.11.2025, 06:58 PM |

Flamur kuqezi, sot po du, me ty me gëzu, e me fluturu!
Nga
Albert Vataj
Po
du me ty me u gëzu, sot n’ditën e mëvetsimit, n’valvim t’flamurit, në
t’shenjten e t’shtrenjtën ditë, qi burrat e urtë t’motit 1912, guxuen e
shpallne Shqypnin t’mosvarme. Guxuen n’goj t’zezonave, tue notue n’gjak,
t’veshun me xhamadan të shpuem plumbash e plisa zhigun barutit... Me tan zemër
me gëzu e me za qielli me lumnu e ju gazmue, atyne shqypeve qi njizanit,
t’shtërnguem n’bes e t’yshtun n’amanet, t’lindën prej farës që rrugtoi kohnave
t’largta, e mbrrini n’ket ditë fatlume.
Mbini
e u harlis njatyne shkrepave, njaja farë mëkue prej t’epërmit vullnet, njaja
and qi mugtoi stinëve t’acarta e fërgëlleu stuhive, e qëndroi e paepur
kacafytjeve, deri n‘njat prag ku deshti Zoti e bashk i bani tan shqyptarët
n’nji kuvend.
Asajkohe
e njatyne ernave qi fryn, njasa pështjellie e njatij mërryltimi, kurrkush se
deshti njat shend, njat hir e drit qi ra mbi ty. Se lypne me t’pas hesap
n’pazaret e tyne, se deshtne me ngop orekset e babëzive. Por nana kishte kue
gji zanash njatyne burrave, e t’nxuren prej thellë ku fatkobi t’kishte gjuajt,
e n’drit t’çitën, diell qi shndrini kah flatroi e shkoi shqypja jote, qiejve e
zemrave qi u çuen pesh e gazmuen.
Kohë
e kijamet rrebeshi n’ty shkuen papra, e ti mbete hy në shpirtin e besim,
naltove n’zemrat qi kallen n’gjakun tand, flatruan andërrtar n’krahët e shqipes
dykrenshe tan’njata qi t’nxuren nga gjoksi e t’lanen me gjakun e vet.
E
tash....?!
Shqype,
me ty po dume ty me gëzu sot. Bash fort po ma don zemra me gazmue e me thirr sa
za xen qielli. Po don e s’dron edhe njaja zemër qi n’copa asht ba, e tue
t’braktis; djep e vorr, kull e krep, e tue i ra hasha gjuhës e pragut, yshtun
kah dhenat t’tjera, ngasun prej ikjes, ngarkue n’shpirt me gurin e rand
t’pragut, hupi.
Ikne
nga syt kambët, e t’lanen.
Apo
i dëbove?!
Po
du me ty me gëzu flamur, anipse mbushun jam me idhnim e plagë, me andrra
t’vrame e shpirt t’molisun. Mbetun me am e at, me sy t’ujtisun e zemër
t’plasun, tue ba vesh se kthehet dikush e më mylmen me mall, e m’thot se s’jam
braktisun.
Flamur
i valvimës s’hyjshme t’atij motit, n’fillim t’nji shekulli rrëmetesh, nuk asht
faji jot se shkuen e t’lan, po shkuen e t’harruen. E harrim ma t’idht nuk
paska, se kur po ta stolisin mohin me flamuj, e tue gostit po duen, pa u drasht
me gëzu me ty, larg, larg ku shkuen e t’lan n’dor t’ligut, t’njatij qi t’shiti
e t’blevi si mall t’përdorun, e dert nuk pati me ba me ty ç’ka deshti.
S’ke
faj ti, pse n’flamur tand luten, e tjetër yzmeqari i falen.
S’asht
faji jot se t’duel pjell e keqe me t’ken zani dhe ftyra, njasi qi kurrfarë
gajle s’kan me t’ra hasha, njaty ku bahet fjalë për pare, e s’po koriten
kurrnjigrim, se nan flamurin tand qi lave me gjak, me u përmjerr n’orgjina e më
u krekos n’shtirje atdhetarie.
Flamuri
kuq e zi, s’po t’gjej n’faj, se amanetçart e tuj, me ty shkuekan n’gji dhe
gjoksit i rakan gjëmimshëm për komb e kushtrim, e soskan tue ba hesape, se qysh
me ta punue, e qysh me ba çajre e qar me ty, me t’korit e me mbet prep valvim
n’flamur.
Ti
shqipe, ti qi n’kuqen e gjakut flutron, kjosh beku edhe sot, si dikur motit,
kur bijt e bijat e tuj, u ban fli e qiell i këtij fluturimi.
Na
tash, po duem me e rishkrua historinë, me fillue s’parit, ku jena e kah bahna,
t’gjuejt prej fatit n’katër anët e botës si zogj korbi.
Sot,
ma t’ditun e ma t’kenun, i biem hasha njatij ngadhënjimi qi na pruni deri te
kjo ditë lume, si mos me pas ken kurrë. Se po duem me e fillu historinë te
hargalisja virtuale e tallavat patriotike, se dum me e ba kurrgjë luftën,
gjakun e derdhun e jetet e flijume.
S’asht
faji jot, se na s’ditme me ken mirnjohës, as nuk nxume me u përul.
Aniqysh,
unë po du me festu me njata qi po duen si un’, me u përul, me kërku falje, e me
u pendu për ç’ka s’mujtem me ba për ty flamur, me u ndi n’faj se s’guxuem me
bëza e me çue pesh, kur t’shitne e t’blene, kur t’përdorën si petk e t’hedhën
si vjetërsinë.
Unë
po du me ty me gëzu flamuri i burrave t’motot 1912, me gëzu e me u mbush me
qiellin e njatij fluturimi kuq e zi, se shqyptar jam e shqyp po due me ken, sot
e sa t’ket jet.