E marte, 18.11.2025, 11:00 PM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Në universin e piktorit shkodran, Gjergj Pali

E marte, 18.11.2025, 06:57 PM


KUMTIM PER NJE MJESHTER

Harmonia e tingullit dhe trupëzimi i ngjyrës, në universin e shpirtjes krijuese të piktorit shkodran, Gjergj Pali

Nga Albert Vataj

Një ëndërr që u shpërfaq në çapitjet e hapave të parë, si një dritë e brishtë që kërkon të zgjatet mbi një horizont ende të pashfaqur. Një ëndërr që në fillim dridhej, më shumë se merrte formë, që lëvizte ngadalë nëpër damarët e një fëmijërie të mbushur me tinguj e ngjyra, derisa u shndërrua në një thirrje të brendshme, të papërmbajtshme. Në atë pikë të largët ku një sens i hershëm bukurie takon dëshirën për t’u mishëruar, filloi udhëtimi i një artisti që do të mësonte t’i jepte botës jo vetëm pamje, por edhe ritëm, jo vetëm formë, por edhe frymë.

Kështu nisi gjithçka për Gjergj Palin, me një intuitë të butë, të heshtur, që më vonë do të shpërthente si një realitet triumfues arti. Në atë ndërmjetje hyjnore ku ëndrrat fillestare shndërrohen në rrugë të jetës, ai zgjodhi të ecë përmes një universi ku ngjyra flet dhe tingulli merr trajtë. Dhe në këtë udhë, që në dukje nis e thjeshtë, por përbrenda ka thellësinë e padukshme të shpirtit krijues, Pali nisi të ngjitej drejt një kulmimi që s’kishte të bënte vetëm me suksesin, por me vetëdijen e të qenit artist.

Çdo hap i tij është një shteg i formësuar nga brishti dhe guximi, nga kërkimi dhe dridhja e shpirtit për të prekur një tjetër dimension të së bukurës. Sepse arti i tij nuk ishte kurrë një strehë—ai ishte gjithmonë një ngjitje. Një ngjitje drejt një hapësire ku piktura nuk është më vetëm figurë, por akt i jetuar; ku ngjyra nuk është ngjyrë, por kujtesë; ku muzika nuk është tingull, por lëvizje e padukshme që përfton trajtë në kanavacë.

Kështu, ëndrra e vogël e nisur dikur në Shkodrën e fëmijërisë, u lartësua në një univers ku artisti nuk njeh më kufij gjeografikë, por vetëm kufijtë e pandarë të vetes dhe të krijimit. Dhe ndërsa kjo ëndërr ngjitej, po ngjiteshin me të edhe ngjyrat, fragmentet, kujtimet, ritmi i jetës, ashtu si një melodi që gjen më në fund instrumentin e vet.

Piktura dhe muzika, këto dy gjuhë të mistershme që kanë aftësinë të rrëqethin shpirtin dhe të trazojnë kujtesën, janë dy brigjet e një lumi të përbashkët që rrjedh nëpër krijimtarinë e piktorit shkodran, Gjergj (George) Pali. Në veprat e tij, tingulli dhe ngjyra nuk funksionojnë si dy realitete të veçuara, por si dy shtylla që mbështesin një botë të ndërthurur, ku forma shpesh thyhet qëllimisht, për t’i hapur vend shtresëzimit emocional, komunikimit estetik dhe një përsiatjeje të vazhdueshme që buron prej nënvetëdijes.

Në këtë udhëtim artistik, muzika nuk është thjesht motiv apo ornament kompozicional; ajo është një prani organike që ngjiz strukturën e pikturës, e cila shpesh shfaqet si një partiturë e vizatuar me penel. Në këtë simbiozë, Pali arrin t’i japë penelit forcën e një oratorie të fuqishme, ku përthuret mendimi dhe ku forma merr frymë përmes ritmit.

Kjo qasje poetike dhe lirike ndaj artit e çon Palin në një territor ku shkujdesja e dukshme e trajtës është në të vërtetë një disiplinë e rafinuar, një mënyrë për të çliruar energjinë që mbart ngjyra. Pikturat e tij janë akorde të vendosura mbi kanavacë, janë momente të pezulluara që shpalosin fragmente kujtimesh, intuite, melodish të brendshme, që ndërthuren me përvojën e tij të gjatë mes dy brigjeve të Atlantikut.

Piktura e Gjergj Palit nuk kuptohet plotësisht pa Shkodrën, pa dritën e saj të ashpër e të njomë, pa kujtesën e saj kulturore dhe pa mjeshtrit që kanë lënë gjurmë në brezin e tij. Ai është trashëgues i një tradite që e nisën kolosë si Ismail Lulani e Danish Jukniu, artistë që krijuan një estetikë të veçantë të pikturës shqiptare, të pajisur me simbolikë, dritë dhe një poetikë të trupëzuar në ngjyrë.

Gjergj Pali lindi në Shkodër në vitin 1957, në një familje ku ndjeshmëria artistike ishte pjesë e natyrshme e gjakut. I ati, Zef Pali, gazetar, poet dhe autor i këngëve tashmë ikone si “Luleborë”, i trasmetoi djalit shijen e artit, të fjalës dhe të tingullit. Pikërisht kjo lidhje e hershme me muzikën shënjon një moment themelor në formimin e tij, në fëmijëri fillimisht studion muzikë, e cila më pas i hap rrugën një dashurie edhe më të madhe, pikturës.

Ky kalim nuk ishte braktisje, por transformim. Muzika mbeti në trupin e tij si gjuhë e brendshme, si strukturë, si ritëm, dhe sot është një shtyllë që e përshkon pikturën e tij në çdo nivel, nga kompozimi te përzgjedhja e formës e deri te energjia ekspresioniste që ai përdor.

Pas diplomimit në Akademinë e Arteve në vitin 1980, Pali punoi dhe ekspozoi rregullisht deri në vitin 1988, kur u largua nga Shqipëria për të ndjekur dimensionin e lirisë artistike, në një kohë kur vendi ishte ende i mbyllur. Arritja e tij në Amerikë, e cila shpesh shfaqet me një ngarkesë të fortë emocionale në pikturat e tij, nuk ishte vetëm një lëvizje fizike, por një udhëtim shpirtëror, pothuaj mitik.

Në vitin 1991 ai diplomohet Master në Artet e Bukura në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, duke hapur një faqe të re në krijimtarinë e tij. Amerika, vendi i të mundshmes, bëhet për Palin një laborator ku ai e zgjeroi gjuhën e tij vizuale, eksperimentoi me kolazhin, me teksturat, me ndërthurjen e objekteve reale dhe me përdorimin e shenjave muzikore si elemente vizuale.

Në ekspozitat e shumta në galeri amerikane, si Art Essex, Coconut Grove e Ëard-Nasse, Pali shfaqet si një piktor që i mbijeton kohës duke e ripërcaktuar veten vazhdimisht.

Kuratorët e kanë quajtur krijimtarinë e tij “një hulumtim intensiv artistik”, një shprehje që i rri për mrekulli punës së Palit, sepse ajo është një kërkim i pandalshëm për thelbin e kujtesës, për ritmin e brendshëm të jetës së tij, për meloditë e pashkëputura nga fëmijëria dhe migrimi.

Vladimir Myrtezai vëren se puna e Palit qëndron mbi dy kolona të pandashme, kujtesa e nënvetëdijshme e lidhur me muzikën, e cila në pikturat e tij merr trajtën e një instrumenti të brendshëm; udhëtimi traumatik i migrimit, të cilin Pali e përpunon me një humor tragjik, shpesh të hidhur, por gjithnjë human.

Në shumë prej pikturave të tij, ai përfshin kolazhe notash muzikore, fragmente instrumentesh, objekte të jetës së përditshme, duke krijuar kompozime që lëvizin ndërmjet reales dhe abstraktes, ndërmjet të njohurës dhe të panjohurës. Ai i quan këto kompozime “Jazz” ose “Klasike”, sipas ritmit që mbartin.

Teknika e tij është ekspresioniste, por një ekspresionizëm i përpunuar, i frenuar, i teknikuar deri në atë pikë ku ngjyra bëhet gjuhë, jo shpërthim. Kanavacat e tij janë të teksturuara, të dendura, shumëngjyrëshe, por gjithmonë të ekuilibruara në një strukturë të brendshme që i ngjan një partiture të padukshme.

Këto janë piktura që nuk shikohen në heshtje: ato kërkojnë vesh, jo vetëm sy. Në to gjen ritmin e një kontrabasi, shpërthimin e një trombe, pizzicato-n e një violine. Gjergj Pali pikturon tinguj, dhe vepra e tij krijon një hapësirë ku vizualja dhe muzikorja ndërfuten në mënyrë organike.

Edhe pse jeton prej dekadash në SHBA, Pali mbart gjithmonë Shqipërinë si një shtresë të pandashme të krijimtarisë së tij. Motive folklorike, elemente ballkanike, trillime arkitektonike të qytetit të vjetër, kujtime të dritës shkodrane, të gjitha janë pjesë e ADN-së së artit të tij.

Ai i mbetet besnik dialogut artistik me vendin e origjinës, si në kontaktet me artistët shqiptarë ashtu edhe me iniciativat për të mbështetur brezat e rinj.

Në vitin 2012 ai u nderua me çmimin prestigjioz Leone d’Oro dell’Arte, një vlerësim që e konsolidon pozitën e tij në artin bashkëkohor ndërkombëtar.

Në artin e Gjergj Palit, piktura nuk është një dritare për të parë botën, por një instrument për ta dëgjuar atë. Vepra e tij është një polifoni që përfshin kujtesën, lëvizjen, muzikën, migrimin, traditën dhe përvojën njerëzore. Në këtë univers, ngjyra nuk është thjesht pigment; ajo është tingull, është frymë, është melodi.

Dhe kështu, piktura e Palit bëhet një akt i dyfishtë, një ecuri drejt thellësisë së vetes dhe një projektim i kësaj thellësie drejt botës. Ajo është një gjendje, një gjendje që duhet parë, por mbi të gjitha duhet dëgjuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Beso në diçka të lartë, mund të jetë Zoti, mirësia apo paqja shpirtërore Albert Vataj: Gjergj Spani, shkodrani që u doktorua në Paris e Padova, mjeku personal i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut Albert Vataj: Lotët që mbajnë ende të gjallë edhe sot pas 600 vjetësh pikëllimin biblik Albert Vataj: E paimagjinueshmja, në një realitet mahnitës krijimi Albert Vataj: Arnat në rroba, kujtesë e një kohe që vjen për të na treguar se çfarë është vërtetë lumturia Albert Vataj: Pavlina Mani – aktorja që i dha ngjyra artit shqiptar Albert Vataj: George Orwell tregon "Pse shkruaj" në një ese të vitit 1946 Albert Vataj: Tre brezat e familjes Ajnshtajn në një foto Albert Vataj: Kush është Gloria Steinem, gruaja e sfidave të pamundura që u shndërrua një ikonë e feminizmit Albert Vataj: I përkas asaj vetmie Albert Vataj: Mary Ellen Pleasant, gruaja me ngjyrë që punonte si shërbyese dhe ndërtoi një perandori Albert Vataj: Abdurrahim Buza, piktori që shkroi me penel historinë e shqiptarëve Albert Vataj: Helena Citronová dhe Franz Wunsch, dashuria e pamundur që u lind në zemër të ferrit Albert Vataj: Brunello Cucinelli, një miliarder i dashuruar me librin Albert Vataj: Atje ku shkojmë me përulje e pendim, e lutemi: "Paçin dritë e diell!" Albert Vataj: “Gazeta e Sportit”, sot kremton 100-vjetorin e kurorëzimit në Shkodrën e mbretërimit të fjalës dhe shpirtit të garës Albert Vataj: Prenk Jakova dhe Gjoni Athanas, kur muzika dhe historia bashkohen në një himn për Skënderbeun Albert Vataj: Nexho Shabani, njeriu i mirë dhe komiku i lindur Albert Vataj: At Shtjefën Gjeçovi dhe Imzot Pjetër Bogdani, kthehen nga përjetësia dhe vijnë në shtatore, në Zym të Hasit Albert Vataj: Roza Anagnosti, rrezatuesja e një Epoke të Artë

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx