| E marte, 18.11.2025, 06:57 PM |

KUMTIM PER NJE MJESHTER
Harmonia e tingullit dhe
trupëzimi i ngjyrës, në universin e shpirtjes krijuese të piktorit shkodran,
Gjergj Pali
Nga
Albert Vataj
Një
ëndërr që u shpërfaq në çapitjet e hapave të parë, si një dritë e brishtë që
kërkon të zgjatet mbi një horizont ende të pashfaqur. Një ëndërr që në fillim
dridhej, më shumë se merrte formë, që lëvizte ngadalë nëpër damarët e një
fëmijërie të mbushur me tinguj e ngjyra, derisa u shndërrua në një thirrje të
brendshme, të papërmbajtshme. Në atë pikë të largët ku një sens i hershëm
bukurie takon dëshirën për t’u mishëruar, filloi udhëtimi i një artisti që do
të mësonte t’i jepte botës jo vetëm pamje, por edhe ritëm, jo vetëm formë, por
edhe frymë.
Kështu
nisi gjithçka për Gjergj Palin, me një intuitë të butë, të heshtur, që më vonë
do të shpërthente si një realitet triumfues arti. Në atë ndërmjetje hyjnore ku
ëndrrat fillestare shndërrohen në rrugë të jetës, ai zgjodhi të ecë përmes një
universi ku ngjyra flet dhe tingulli merr trajtë. Dhe në këtë udhë, që në dukje
nis e thjeshtë, por përbrenda ka thellësinë e padukshme të shpirtit krijues,
Pali nisi të ngjitej drejt një kulmimi që s’kishte të bënte vetëm me suksesin,
por me vetëdijen e të qenit artist.
Çdo
hap i tij është një shteg i formësuar nga brishti dhe guximi, nga kërkimi dhe
dridhja e shpirtit për të prekur një tjetër dimension të së bukurës. Sepse arti
i tij nuk ishte kurrë një strehë—ai ishte gjithmonë një ngjitje. Një ngjitje
drejt një hapësire ku piktura nuk është më vetëm figurë, por akt i jetuar; ku
ngjyra nuk është ngjyrë, por kujtesë; ku muzika nuk është tingull, por lëvizje
e padukshme që përfton trajtë në kanavacë.
Kështu,
ëndrra e vogël e nisur dikur në Shkodrën e fëmijërisë, u lartësua në një
univers ku artisti nuk njeh më kufij gjeografikë, por vetëm kufijtë e pandarë
të vetes dhe të krijimit. Dhe ndërsa kjo ëndërr ngjitej, po ngjiteshin me të
edhe ngjyrat, fragmentet, kujtimet, ritmi i jetës, ashtu si një melodi që gjen
më në fund instrumentin e vet.
Piktura
dhe muzika, këto dy gjuhë të mistershme që kanë aftësinë të rrëqethin shpirtin
dhe të trazojnë kujtesën, janë dy brigjet e një lumi të përbashkët që rrjedh
nëpër krijimtarinë e piktorit shkodran, Gjergj (George) Pali. Në veprat e tij,
tingulli dhe ngjyra nuk funksionojnë si dy realitete të veçuara, por si dy
shtylla që mbështesin një botë të ndërthurur, ku forma shpesh thyhet
qëllimisht, për t’i hapur vend shtresëzimit emocional, komunikimit estetik dhe
një përsiatjeje të vazhdueshme që buron prej nënvetëdijes.
Në
këtë udhëtim artistik, muzika nuk është thjesht motiv apo ornament
kompozicional; ajo është një prani organike që ngjiz strukturën e pikturës, e
cila shpesh shfaqet si një partiturë e vizatuar me penel. Në këtë simbiozë,
Pali arrin t’i japë penelit forcën e një oratorie të fuqishme, ku përthuret
mendimi dhe ku forma merr frymë përmes ritmit.
Kjo
qasje poetike dhe lirike ndaj artit e çon Palin në një territor ku shkujdesja e
dukshme e trajtës është në të vërtetë një disiplinë e rafinuar, një mënyrë për
të çliruar energjinë që mbart ngjyra. Pikturat e tij janë akorde të vendosura
mbi kanavacë, janë momente të pezulluara që shpalosin fragmente kujtimesh,
intuite, melodish të brendshme, që ndërthuren me përvojën e tij të gjatë mes dy
brigjeve të Atlantikut.
Piktura
e Gjergj Palit nuk kuptohet plotësisht pa Shkodrën, pa dritën e saj të ashpër e
të njomë, pa kujtesën e saj kulturore dhe pa mjeshtrit që kanë lënë gjurmë në
brezin e tij. Ai është trashëgues i një tradite që e nisën kolosë si Ismail
Lulani e Danish Jukniu, artistë që krijuan një estetikë të veçantë të pikturës
shqiptare, të pajisur me simbolikë, dritë dhe një poetikë të trupëzuar në
ngjyrë.
Gjergj
Pali lindi në Shkodër në vitin 1957, në një familje ku ndjeshmëria artistike
ishte pjesë e natyrshme e gjakut. I ati, Zef Pali, gazetar, poet dhe autor i
këngëve tashmë ikone si “Luleborë”, i trasmetoi djalit shijen e artit, të
fjalës dhe të tingullit. Pikërisht kjo lidhje e hershme me muzikën shënjon një
moment themelor në formimin e tij, në fëmijëri fillimisht studion muzikë, e
cila më pas i hap rrugën një dashurie edhe më të madhe, pikturës.
Ky
kalim nuk ishte braktisje, por transformim. Muzika mbeti në trupin e tij si
gjuhë e brendshme, si strukturë, si ritëm, dhe sot është një shtyllë që e
përshkon pikturën e tij në çdo nivel, nga kompozimi te përzgjedhja e formës e
deri te energjia ekspresioniste që ai përdor.
Pas
diplomimit në Akademinë e Arteve në vitin 1980, Pali punoi dhe ekspozoi
rregullisht deri në vitin 1988, kur u largua nga Shqipëria për të ndjekur
dimensionin e lirisë artistike, në një kohë kur vendi ishte ende i mbyllur.
Arritja e tij në Amerikë, e cila shpesh shfaqet me një ngarkesë të fortë
emocionale në pikturat e tij, nuk ishte vetëm një lëvizje fizike, por një
udhëtim shpirtëror, pothuaj mitik.
Në
vitin 1991 ai diplomohet Master në Artet e Bukura në Universitetin Shtetëror të
Miçiganit, duke hapur një faqe të re në krijimtarinë e tij. Amerika, vendi i të
mundshmes, bëhet për Palin një laborator ku ai e zgjeroi gjuhën e tij vizuale,
eksperimentoi me kolazhin, me teksturat, me ndërthurjen e objekteve reale dhe
me përdorimin e shenjave muzikore si elemente vizuale.
Në
ekspozitat e shumta në galeri amerikane, si Art Essex, Coconut Grove e
Ëard-Nasse, Pali shfaqet si një piktor që i mbijeton kohës duke e ripërcaktuar
veten vazhdimisht.
Kuratorët
e kanë quajtur krijimtarinë e tij “një hulumtim intensiv artistik”, një
shprehje që i rri për mrekulli punës së Palit, sepse ajo është një kërkim i
pandalshëm për thelbin e kujtesës, për ritmin e brendshëm të jetës së tij, për
meloditë e pashkëputura nga fëmijëria dhe migrimi.
Vladimir
Myrtezai vëren se puna e Palit qëndron mbi dy kolona të pandashme, kujtesa e
nënvetëdijshme e lidhur me muzikën, e cila në pikturat e tij merr trajtën e një
instrumenti të brendshëm; udhëtimi traumatik i migrimit, të cilin Pali e
përpunon me një humor tragjik, shpesh të hidhur, por gjithnjë human.
Në
shumë prej pikturave të tij, ai përfshin kolazhe notash muzikore, fragmente
instrumentesh, objekte të jetës së përditshme, duke krijuar kompozime që
lëvizin ndërmjet reales dhe abstraktes, ndërmjet të njohurës dhe të panjohurës.
Ai i quan këto kompozime “Jazz” ose “Klasike”, sipas ritmit që mbartin.
Teknika
e tij është ekspresioniste, por një ekspresionizëm i përpunuar, i frenuar, i
teknikuar deri në atë pikë ku ngjyra bëhet gjuhë, jo shpërthim. Kanavacat e tij
janë të teksturuara, të dendura, shumëngjyrëshe, por gjithmonë të ekuilibruara
në një strukturë të brendshme që i ngjan një partiture të padukshme.
Këto
janë piktura që nuk shikohen në heshtje: ato kërkojnë vesh, jo vetëm sy. Në to
gjen ritmin e një kontrabasi, shpërthimin e një trombe, pizzicato-n e një
violine. Gjergj Pali pikturon tinguj, dhe vepra e tij krijon një hapësirë ku
vizualja dhe muzikorja ndërfuten në mënyrë organike.
Edhe
pse jeton prej dekadash në SHBA, Pali mbart gjithmonë Shqipërinë si një shtresë
të pandashme të krijimtarisë së tij. Motive folklorike, elemente ballkanike,
trillime arkitektonike të qytetit të vjetër, kujtime të dritës shkodrane, të
gjitha janë pjesë e ADN-së së artit të tij.
Ai
i mbetet besnik dialogut artistik me vendin e origjinës, si në kontaktet me
artistët shqiptarë ashtu edhe me iniciativat për të mbështetur brezat e rinj.
Në
vitin 2012 ai u nderua me çmimin prestigjioz Leone d’Oro dell’Arte, një
vlerësim që e konsolidon pozitën e tij në artin bashkëkohor ndërkombëtar.
Në
artin e Gjergj Palit, piktura nuk është një dritare për të parë botën, por një
instrument për ta dëgjuar atë. Vepra e tij është një polifoni që përfshin
kujtesën, lëvizjen, muzikën, migrimin, traditën dhe përvojën njerëzore. Në këtë
univers, ngjyra nuk është thjesht pigment; ajo është tingull, është frymë,
është melodi.
Dhe
kështu, piktura e Palit bëhet një akt i dyfishtë, një ecuri drejt thellësisë së
vetes dhe një projektim i kësaj thellësie drejt botës. Ajo është një gjendje,
një gjendje që duhet parë, por mbi të gjitha duhet dëgjuar.


