E shtune, 15.11.2025, 11:01 PM (GMT)

Kulturë

Ilir Muharremi: Fryma e Gështenjës me peizazhe magjike

E shtune, 15.11.2025, 06:57 PM


Fryma e Gështenjës me peizazhe magjike

Nga Ilir Muharremi, kritik i artit

Natyra është frymëzim për çdo artist, melodia e gjetheve, aroma e luleve, kaltërsia e qiellit të pafund prek ndjenjën artistike e cila rrafshon nën tingujt e ngjyrës. Peneli tregon mprehtësinë aty ku qielli e toka krijojnë sonete. Natyra ringjallet brenda bukurisë së saj, optika e syrit ndez fenerin e magmës së brendësisë dhe rrëshqet pa kushte nën këtë impresion. Mbrëmja poetike u mbush me kujtime dhe zëra të njohur  artistë, ish-studentë të profesor Agim Vincës dhe dashamirës të poezisë që kapën fjalën e tij me vëmendje. Profesor Vinca rrëfeu me ndjeshmëri episodet e shumta të vizitave të tij në Deçan dhe rrethinat, udhëtimet në Drenoc, Kodrali, Voksh, Prilep, Strellc dhe takimet në Dubovik vendet që përbëjnë një auditori të ngrohtë kujtimesh për të. Ai përmendi me mall edhe emra njerëzish dhe vende që i kanë shënuar shpirtin, duke treguar se lidhja e tij me këtë trevë është e thellë dhe e qëndrueshme. Fjalët e tij, të thëna në një ton mes melankolie dhe mirënjohjeje, kthyen mbrëmjen në një homazh të përbashkët ndaj atyre peizazheve dhe njerëzve që e kanë shoqëruar gjatë rrugës së krijimit.

Dita e tretë e manifestimit  i kushtohej letërsisë. Në ditën e katërt të manifestimit u hap ekspozita me punimet e realizuara gjatë Kolonisë së Piktorëve (tri netë e katër ditë) në Belle Resort. Ekspozita u organizua në Qendrën Rinore “Fitnete Ramosaj” dhe paraqiti një përzgjedhje të veprave të krijuara gjatë qëndrimit në ambientin tradicional prej guri e druri, të rrethuar nga Bjeshkët e Nemuna. Në të njëjtën hapje u zhvillua edhe panairi i prodhimeve vendore dhe një program artistik që pasuroi më tej atmosferën kulturore të ditës.

Fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj më pas përshëndetën të pranishmit Ramush Haradinaj dhe piktori Musa Prelvukaj. Hapja zyrtare u përmbyll me një interpretim tradicional vallen e Ansamblit të Deçanit që theksoi lidhjen midis trashëgimisë dhe krijimit bashkëkohor.

Ekspozita përfaqësoi frymën dhe pasionin e kolonisë piktorët prezantuan punime të ndryshme, nga portreti dhe peizazhi deri te kompozimet që marrin frymëzim nga tradita dhe natyra vendore. Përmes këtyre veprave, Deçani u promovua si vend i pasur me identitet artistik dhe si hapësirë e bashkëpunimit ndërmjet artistëve nga trevat mbarë shqiptare.

Një falënderim i veçantë shkon për menaxheren Saranda Ahmetaj dhe stafin e Belle Resort për mikpritjen, si dhe për të gjithë piktorët që dhuruan nga një vepër për fondin artistik të komunës. Piktorët pjesëmarrës: Musa Prelvukaj, Skender Idrizi, Sabri Behramaj, Xheneta dhe Agim Kadillari, Agron Ujkashi, Xhevdet Dula, Nagip Berisha, Bija Jasiqi, Saba Berisha Ismajli, Kaltrina Hoti, Greta Tahiraga, Lindita Dedvukaj, Katarina Kushi, Musa Kalaveshi, Genc Gjoka, Cano Duli, Fatos Bylykbashi, Nexhmi Bardhi, Fehmi Hoxha, Arianit Alimusaj, Blerim Tahiraj, Besim Dedaj, Anton Krasniqi, Afrim Fetahu, Bledar Cakalli dhe Agron Mulliqi , Isa Alimusaj, Nezir Ramosaj, Melisa Ukshinaj.

Peizazhi si triumf dhe sfidë. Aty ku ngjyrat nuk janë thjesht pigmente, por dëshira që bëhen pamje,  e kuqja shpërthen si një vullkan i fshehur, e verdha si një klithmë e diellit, bluja zbeh si një mendim i thellë. Në këto tablo ngjyrat sillen si forca që kërkojnë formë   dhe forma është përkohësia që i bën të kuptueshme.

Tonet,  një hierarki e fshehtë. Tonet e errëta sillen si kujtimet dhe hije që shtyjnë ngjyrat drejt lartësisë, tonet e lehta janë afirmim i vetëgjallërisë. Kur e kuqja përplasët me të kaltrën dhe e verdha thyhet në portokalli, na shfaqet një dialog i dhunshëm midis dhimbjes dhe gëzimit  midis dhimbjes që krijon thellësi dhe gëzimit që ndez sipërfaqen. Harmonia është një marrëveshje e dhunshme, piktori nuk kërkon paqe, ai kërkon një pajtim midis kontrasteve. Në njërin punim, dorëzimi i furishëm i impastos krijon relievin e një bote të gjallë, ku dora shtyp dhe lëshon njëherësh. Në tjetrën, majat shkëmbore ngrihen si dëshmitarë të një morali natyror  të pamëshirshëm, të bukur, të egër. Lëvizja, kthehet nga brendia. Veprat tregojnë një ritëm diagonal, një drejtim që ngjitet   si një vullnet drejt majës. Përdorimi i lëvizjeve të forta dhe harmonia e ngjyrave  tregon se natyra këtu nuk është e qetë  ajo kërkon, shtyn, përplaset. Kjo lëvizje është instinkti i njeriut për të kapërcyer veten vullneti për t’u ngjitur, për të bërë nga peizazhi një pasqyrë të shpirtit. Trashësia e ngjyrës, gërvishtja e shpërndarja e pigmentit tregojnë për një gjendje ku autori është betuar të mos fshehë dot emocionin. Aty ku furça është e ashpër, gjuha e piktorit flet me zë të lartë, aty ku shtresat janë të holla, tingëllon një heshtje e përgatitur. Së bashku, krijojnë një orkestër me dinamikë estetike.

Malet që ngrihen të kristalizuara përfaqësojnë prozën, strukturën, apo edhe moralin,  shpirtëzimi i ngjyrave dhe lavërdisja e ngjeshjeve ngjajnë me një Dionisian që feston dhimbjen si lindje. Ekspozita e kësaj kolonie na thërret të pranojmë të dy, lojën, uraganin ngjyror,  urtësinë, dinamikën, bukurinë e peizazheve të Deçanit. Çdo   mal, çdo   pemë, çdo gërvishtje tregon një histori të brendshme.  Natyra nuk është thjesht ambient,  ajo është mësuese, gjyqtare, shpresë dhe jetë. Kur shikon këto punime, mos kërko vetëm imitim të realitetit , kërko atë që realiteti do të bëhet pasi t’i kemi përballuar, një forcë e përfytyruar, një dokument i vullnetit njerëzor.

Ekspozita nuk ofron vetëm rehati estetike  ajo kërkon pjesëmarrje aktive. Ngjyrat janë urdhra, tonalitetet provokime. Harmonitë janë fitore të përkohshme mbi kaosin. Kush hyn këtu, le të shkojë i gatshëm të shohë, sonete ngjyrore dhe del i ndryshuar. Sepse në fund, piktura e peizazhit është vetë një thirrje për afirmim  bëhet nga jeta, nga dhimbja dhe nga bukuria   një vullnet për ekzistencë më të lartë.

I gjithë manifestimi u organizua nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës z. Bashkim Ramosaj dhe Ajne Iberhysaj. Ky ishte edicioni i shtatë , i cili u mbajt prej datës: 21 - 24 tetor 2025.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx