Speciale » Basha
Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (11)
E enjte, 13.11.2025, 06:59 PM
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
DILEMAT PËR HELMIM APO
VRASJE TË HASAN REMNIKUT ME GRUPIN (11)
Nga Prof. Dr. Sabile
Keçmezi-Basha
Në shumë prej shkrimeve të botuara deri më tani, është
përhapur mendimi se Hasan Remniku me shokë ishte helmuar më parë, e më pas
ishte bartur në “Pritën e Bistricës”, ku më pas u inskenua likuidimi i tij nga
forcat policore dhe ushtarake jugosllave. Një pretendim i tillë ngre pyetje të
rëndësishme, që kërkojnë analizë të kujdesshme. Si mund të ndodhte që Hasan
Remniku dhe shokët e tij të helmoheshin pikërisht nga një familje shqiptare që
ua kishte hapur dyert e konakut dhe që i kishte furnizuar me ushqime të
bollshme për ditë me radhë? A do të kishte qenë e mundur që ata, të ushqyer e
të përgatitur për rrugëtimin e tyre, të binin pre e një akti kaq të pabesë në
prag të arratisjes?
Nëse shihet me logjikën e pushtetit jugosllav dhe të
praktikave të tij represive, rruga më e lehtë për t’i eliminuar do të kishte
qenë krejt tjetër: një atentat i shpejtë gjatë rrugës, në terren të hapur, ku
çdo aksion ushtarak ishte më i thjeshtë për t’u realizuar.
Bartja e tyre të helmuar në “Pritën e Bistricës” nuk do të
kishte sens praktik, as logjikë ushtarake. Prandaj, hipoteza e helmimit nga
mikpritësit shqiptarë bie ndesh jo vetëm me traditën e besës dhe mikpritjes,
por edhe me strategjinë e vet pushtetit, i cili vepronte më drejtpërdrejt.
Në të vërtetë, organizimi i pritës në Bistricë flet shumë më
tepër për frikën e madhe që pushteti kishte nga Hasan Remniku dhe shokët e tij.
Ky nuk ishte një aksion i rastësishëm apo një përballje spontane, ishte një
operacion i menduar me kujdes, ku u përfshinë forca të shumta policore dhe
ushtarake, të shpërndara në hark të gjerë, me qëllim që të sigurohej eliminimi
i plotë i grupit. Kjo tregon se pushteti nuk i shihte ata thjesht si një grup
ilegalistësh të zakonshëm, por si një rrezik serioz për rendin dhe stabilitetin
e tij.
Andaj, përgatitjet e shumta, angazhimi i elementëve më të
trajnuar të UDB-së dhe përdorimi i spiunëve më të stërvitur për ta ndjekur dhe
shuar këtë grup, dëshmojnë qartë se Hasan Remniku ishte një figurë e shquar dhe
e frikshme për regjimin jugosllav. Likuidimi i tij në pritë nuk ishte thjesht
një eliminim fizik, por një akt i menduar për të shuar simbolin e qëndresës,
për të thyer frymën e popullit dhe për të dërguar një mesazh frike në gjithë
Kosovën e më gjerë.
Do të ndalesha vetëm në disa argumente thelbësore, të cilat,
vetvetiu, hedhin poshtë versionin e përhapur se Hasan Remniku me shokë ishte
helmuar në ndonjë fshat shqiptar.
Nëse e shqyrtojmë me kujdes këtë çështje, shihet qartë se
hipoteza e helmimit bie ndesh jo vetëm me logjikën e ngjarjeve, por edhe me
vetë mënyrën e organizimit të arratisjes së Hasan Remnikut. Ai nuk ishte një
figurë naive, që do të linte fatin e tij në dorë të rastësisë apo të
improvizimeve të thjeshta. Përkundrazi, bëhej fjalë për një personalitet të
stërvitur në përballje të vazhdueshme me rrezikun, të kalitur nga përvoja e
gjatë e jetës ilegale dhe e konspiracionit politik.
Arratisja e tij nuk ishte veprim i papërgatitur, por një
proces i menduar deri në detaje. Hasan Remniku kishte angazhuar njerëzit më të
besueshëm për realizimin e këtij plani, duke i përzgjedhur me kujdes bazuar në
besnikërinë dhe përkushtimin e tyre. Trajektorja e rrugëtimit ishte hartuar dhe
verifikuar disa herë nga vetë ai, çka tregon një disiplinë dhe përpikëri që nuk
linin vend për improvizime të pamenduara. Ky rigorozitet ishte tregues i një
vizioni strategjik dhe i një përvoje që e bënte atë të papërshkrueshëm si
viktimë e ndonjë skenari kaq të thjeshtë si helmimi.
Në këtë kuadër, të supozosh se një personalitet i tillë, i
ushqyer me një instinkt të mprehtë për mbijetesë dhe me aftësi të provuara për
të shmangur grackat e armikut, mund të binte pre e një mashtrimi aq elementar,
është një absurditet që bie vetvetiu. Më shumë sesa një version i besueshëm i
ngjarjeve, kjo hipotezë shfaqet si një tentativë për të relativizuar figurën e
tij, për ta paraqitur si të brishtë dhe të pambrojtur përballë intrigave të
pushtetit.
Në analizën shkencore, ky diskutim hedh dritë mbi një aspekt
më të gjerë: përplasjen mes narrativës zyrtare, që shpesh përpiqej të prodhonte
versione të dobësuara të realitetit për të zbehur heroizmin e figurave
atdhetare, dhe narrativës faktike, e cila dëshmon për përgatitjen, vendosmërinë
dhe vigjilencën e tyre të jashtëzakonshme. Hasan Remniku, në këtë prizëm, del
jo si viktimë e rastësisë, por si shembull i një protagonisti që dinte të
menaxhonte rrezikun deri në detaj.
Së dyti, burimet e kohës na ofrojnë një fakt shumë
domethënës: Hasan Remniku kishte treguar kujdes të jashtëzakonshëm ndaj rrezikut
të helmimit. Madje, edhe gjatë shujtave më të zakonshme, nuk lejonte kurrë që
të gjithë shokët e grupit të ushqeheshin njëherësh. Ishte një rregull i
pashkruar brenda çetës së tij, lindur nga përvoja e përditshme e kohës, ku
qarkullonin vazhdimisht informacione për helmime të qëllimshme kundër
personaliteteve të shquara të kombit. Ky fakt e bënte kujdesin e tij jo thjesht
një veprim të zakonshëm, por një parim jetik.
Prandaj, ideja se Hasan Remniku me shokë u helmua nga
ushqimi që u shërbye në një familje shqiptare nuk qëndron. Ajo bie ndesh me
natyrën e karakterit të tij, me përgatitjen e kujdesshme të rrugëtimit dhe me
disiplinën e lartë të grupit. Përkundrazi, e vërteta historike qëndron më pranë
faktit se likuidimi i tyre ishte rezultat i një operacioni të planifikuar nga
organet e sigurimit jugosllav, të cilat nuk guxuan të përballeshin me ta në
mënyrë të hapur, por u detyruan të ndërtonin një pritë të sofistikuar në
Bistricë.
Nëse i qasemi kësaj çështjeje në mënyrë më shkencore, del
qartë se dilema nuk qëndron vetëm tek fakti i thjeshtë se çfarë u shkrua apo
jo, por mbi të gjitha, pse u tha dhe pse u shkrua në atë formë. Pyetja
thelbësore që shtrohet është: çfarë e shtyu sekretarin e UDB-së, Mazllum
Nimanin, të japë të dhëna kaq të ndjeshme Jovan Bullaiqit, i cili më pas i
botoi në formën e një fejtoni në gazetën “Rilindja”, në plot 22 vazhdime, nën
titullin “Prita në Bistricë”?
Nëse e analizojmë logjikën e atij konteksti politik e
propagandistik, më e thjeshta dhe njëkohësisht më e leverdishmja për organet e
ndjekjes do të kishte qenë përhapja e versionit se Hasan Remniku u helmua nga
ushqimi. Ky version jo vetëm që do të hiqte barrën e përgjegjësisë direkte nga
vetë organet shtetërore, por do të kishte edhe një ndikim të madh psikologjik
dhe shoqëror: do ta zbehte figurën e tij heroike duke e paraqitur si viktimë të
rastësisë ose të një neglizhence banale, e jo si luftëtar që ra nën përplasjen
e drejtëpërdrejtë me armikun.
Mirëpo, fakti që u përzgjodh rrëfimi tjetër, tregon një
kontradiktë të thellë brenda aparatit të propagandës dhe mekanizmave të
ndjekjes. Në vend se të shkatërrohej imazhi i Hasan Remnikut, ky version
përfundoi duke i dhënë atij një dimension më të madh në kujtesën popullore.
Përballë përpjekjes për të kontrolluar narrativën, ndodhi e kundërta: figura e
tij u ngrit mbi përditshmërinë dhe u shndërrua në simbol trimërie, në figurë të
përjetshme të patriotizmit. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se populli, në vend që
ta harrojë ose ta nënçmojë, nisi t’i thurte këngë dhe rrëfime që e madhështuan
edhe më shumë.
Pra, analiza e këtij episodi na nxjerr përpara një të
vërtetë më të gjerë: propaganda shtetërore shpesh ka synuar të manipulojë
kujtesën kolektive, por jo gjithmonë ka arritur të shlyejë atë që populli e ka
përjetuar dhe ruajtur si realitet të gjallë. Përkundrazi, sa më shumë është
tentuar zbehja e figurës së heroit, aq më e fortë është bërë shkëlqimi i tij në
kujtesën historike të kombit.
Në trajtimin e kësaj çështjeje, dimensioni i tretë që del në
pah ka të bëjë me vetë përmbajtjen e fejtonit, ku prezantohet e dhëna se gjatë
pritës u likuiduan pesë veta. Ky fakt, i kombinuar me dëshmitë e vetë
pjesëtarëve të UDB-së, të cilët pohonin se kishin qenë në përcjellje të
vazhdueshme të Hasan Remnikut dhe grupit të tij, si dhe me rrëfimet e personave
të tjerë të përfshirë drejtpërdrejt apo tërthorazi në operacionin e ndjekjes,
krijon një panoramë të qartë dhe të qëndrueshme për rrethanat e asaj ngjarjeje.
Nëse këto dëshmi i shohim në një prizëm analitik, bëhet e
vështirë të pranohet se një figurë me përvojë të gjatë ilegale, me aftësi të
jashtëzakonshme për t’i shpëtuar kontrollit policor dhe me vigjilencë të rrallë
patriotike, si Hasan Remniku, do të binte kaq lehtë pre e një darke të
kurdisur. Përvoja e tij, përkushtimi ndaj kauzës kombëtare dhe kujdesi i
vazhdueshëm për sigurinë personale dhe të shokëve të tij, e bënin pothuaj të
pamundur një naivitet të tillë.
Në këtë kuptim, narrativa e helmimit nga ushqimi shfaqet jo
vetëm e dobët, por edhe kontradiktë me vetë dëshmitë e institucioneve shtetërore
dhe agjentëve që e ndiqnin hap pas hapi. Vetë fakti se udbashët e përshkruajnë
ndjekjen si një proces të kujdesshëm e të vazhdueshëm, e përjashton mundësinë
që një element aq i thjeshtë si një “drekë e rrezikshme” të ketë qenë shkaku i
fundit i jetës së tij. Përkundrazi, këto të dhëna mbështesin idenë se Hasan
Remniku u përball drejtpërdrejt me forcat e shtetit dhe ra si një luftëtar, gjë
që më pas edhe e forcoi figurën e tij në kujtesën e popullit.
Kështu, analizuar nga ky këndvështrim, fejtone të tilla nuk
mund të shihen thjesht si rrëfime publicistike, por si pjesë e një beteje më të
gjerë narrative. Përpjekja për ta paraqitur vdekjen e heroit si rezultat të një
rrethane banale, kundrejt realitetit të përjetuar nga populli, që e kujtoi dhe
e nderoi si simbol të vigjilencës, burrërisë dhe sakrificës kombëtare.
Kur ndalemi tek dimensioni i katërt i këtij diskutimi, hasim
një nga çastet më të ndërlikuara të jetës së Hasan Remnikut, dilemat e tij të
brendshme. Ai gjendej përballë një trileme të vështirë, që në thelb mishëronte
dramën e një atdhetari të kohës – të arratisej jashtë Kosovës për të shpëtuar
veten, të tërhiqej në një ilegalitet të thellë me strehim konspirativ, apo të
dilte haptazi në luftë dhe, ballë për ballë me armikun, të binte heroikisht. Këto
tri rrugë nuk ishin vetëm zgjedhje strategjike, por edhe prova morale, ku
secila bartte në vetvete peshën e sakrificës dhe të pasojave për kauzën
kombëtare.
Megjithatë, ajo që mbetet e qartë është se Hasan Remniku nuk
kishte arritur të merrte një vendim përfundimtar në lidhje me këto opsione. Në
këtë pasiguri shfaqet edhe dimensioni njerëzor i tij, një luftëtar i paepur,
por edhe një njeri i vendosur të mendojë jo vetëm për veten, por edhe për
shokët dhe popullin që e përfaqësonte. Ky hezitim nuk ishte shenjë e dobësisë,
por tregues i përgjegjësisë së thellë që mbante mbi supe.
Nga ana tjetër, ideja se ai dhe grupi i tij mund të ishin
helmuar nga ndonjë fshatar shqiptar mbetet pothuajse e pamundur. Në realitetin
e asaj kohe, strukturat e shoqërisë rurale shqiptare ishin të ndërtuara mbi
kode nderi, besnikërie dhe solidariteti. Të pranosh një mision kaq të
rrezikshëm si helmimi i Hasan Remnikut dhe shokëve të tij, do të thoshte jo
vetëm të përballeshe me turpin e përjetshëm, por edhe me hakmarrjen e pashmangshme
të familjeve të tyre, të njohura në mbarë anën për trimëri dhe vendosmëri të
hekurt.
Në këtë kuptim, përjashtohet çdo mundësi që ndonjë shqiptar
të ishte instrument i një akti kaq të ulët, sepse normat e kohës nuk e lejonin
një kompromis të tillë. Përkundrazi, populli i shihte këta atdhetarë si bij të
vetët, dhe çdo sulm kundër tyre shihej si sulm ndaj nderit kolektiv. Kjo e bën
edhe më të qartë se narrativat mbi helmimin nuk mund të qëndrojnë, sepse binin
ndesh me të vërtetat sociale, morale dhe kulturore të mjedisit ku ata jetonin.
Kur kalojmë tek aspekti i pestë i kësaj analize, del në pah
vetëdija historike dhe politike e Hasan Remnikut për kohën në të cilën jetonte.
Ai ishte i ndërgjegjshëm për rrethanat e pas Luftës së Dytë Botërore
(1945–1951), kur strukturat shtetërore jugosllave, me një fushatë represive të
planifikuar mirë, kishin vrarë e likuiduar, arrestuar e burgosur pjesën
dërrmuese të udhëheqësve të NDSH-së. Ky realitet tragjik kishte bërë që rrjeti
i organizuar i rezistencës së armatosur në Kosovën Lindore të dobësohej deri në
prag të shuarjes.
Në këtë kuadër, Hasan Remniku nuk mund të ushqente iluzione
për një ringjallje të shpejtë të lëvizjes ilegale. Ai e dinte se terreni ishte
i djegur, strukturat ishin goditur rëndë dhe besimi në organizim ishte i
brishtë. Vetë përvoja e përgjakshme e viteve të para pas luftës kishte dëshmuar
se armiku ishte i pamëshirshëm dhe se çdo përpjekje për riorganizim, në atë
fazë, do të ishte i rrezikuar të shuhej pa e marrë veten.
Megjithatë, kjo vetëdije nuk e zvogëlon figurën e Hasan
Remnikut, përkundrazi, e bën edhe më të ndritshme. Ai nuk ishte një idealist i
shkëputur nga realiteti, por një patriot i kthjellët që e kuptonte mirë se
rrethanat politike dhe shoqërore nuk ofronin hapësirë të mjaftueshme për
veprim. Kjo e vendos atë në radhën e atyre personaliteteve që, pavarësisht
dashurisë për atdheun dhe gatishmërisë për sakrificë, nuk e humbën sensin e
realitetit.
Në një kuptim më të thellë, ky moment tregon edhe dramën e
një brezi të tërë luftëtarësh shqiptarë pas vitit 1945. Ata që kishin besuar në
mundësinë e çlirimit të shpejtë e panë veten të rrethuar nga një makineri
shtetërore që synonte shuarjen e çdo rezistence. Hasan Remniku e ndiente këtë
peshë historike dhe e dinte se përpjekjet ilegale nuk mund të merrnin më atë
formë të organizuar si më parë. Kjo është arsyeja pse, në dilemat e tij
strategjike, mungonte bindja se ekzistonin kushte reale për një organizim të ri
të qëndrueshëm.
Nëse e shohim nga ky këndvështrimi, ky reflektim i Hasan
Remnikut ilustron përplasjen mes idealeve të larta patriotike dhe kufizimeve
objektive historike. Ai përfaqëson një gjendje tipike të lëvizjeve rezistuese
në periudha represioni. Vullneti për liri përplaset me realitetin e
pamëshirshëm të humbjeve dhe kontrollit të plotë nga regjimi.
Nëse e analizojmë dimensionin e gjashtë të kësaj çështjeje,
bëhet e qartë se realiteti politik dhe shoqëror i kohës ishte i dominuar nga
një gjendje e qëllimshme tensioni, e krijuar dhe e mbajtur gjallë nga vetë
pushteti. Regjimi kishte organizuar një klimë represioni të tillë që çdo
lëvizje ilegale, qoftë politike apo kombëtare, bëhej praktikisht e pamundur. Ky
kontekst përforcohej nga një aparat shtetëror që shfrytëzonte të gjitha mjetet
– policore, ushtarake dhe propagandistike – për të paralizuar çdo shenjë të
rezistencës.
Dëshmi të këtij përqendrimi të forcës shtetërore gjenden në
përgatitjet e larta policore dhe ushtarake, në rrjetin e gjerë të informatorëve
e ndjekësve që kishin vënë çdo hap të Hasan Remnikut nën kontroll, si dhe në organizimin
e pritës ku ai më në fund u likuidua. Këto masa nuk ishin të rastësishme, por
tregojnë qartë se shteti i perceptonte atë si një kërcënim të madh dhe të
vazhdueshëm. Frika nga figura e tij ishte aq e madhe, saqë aparati shtetëror
nuk e la në dorë të rastësisë fatin e tij, por ndërtoi një strategji të
planifikuar për eliminimin e tij fizik.
Nga ana tjetër, narrativat alternative që qarkulluan, sipas
të cilave Hasan Remniku mund të ishte helmuar me ushqim, shfaqen jo vetëm të
pabesueshme, por edhe të pamundura në kuadrin kulturor dhe shoqëror të kohës.
Për fshatarët shqiptarë, të pranonin një mision të tillë do të ishte një
“kafshatë e pakapërdishme”, e papajtueshme me kodin moral të besës dhe nderit
që rregullonte marrëdhëniet në popull. Edhe nëse pushteti kishte ushtruar
presion, kërcënime apo premtime, përmasat e nderit dhe frika e hakmarrjes e
bënin të paimagjinueshme një tradhti të tillë.
Në këtë dritë, versioni i helmimit bie ndesh me realitetin
historik dhe moral të shoqërisë shqiptare, ndërsa provat dhe dëshmitë e
mbledhura e përforcojnë bindjen se Hasan Remniku u likuidua në pritë nga forcat
shtetërore. Kjo tregon se ai nuk ishte viktimë e një rrethane të rastësishme,
por shënjestër e drejtpërdrejtë e një aparati shtetëror që e kishte shpallur
armik të rrezikshëm.
Në këndvështrim shkencor, ky episod nxjerr në pah dy
fenomene të ndërlidhura: nga njëra anë, funksionimin e shtetit represiv
jugosllav në Kosovë, që e ndërtonte legjitimitetin e tij mbi frikën dhe
eliminimin e kundërshtarëve; dhe nga ana tjetër, kufijtë moralë dhe kulturorë
të komunitetit shqiptar, ku besa dhe kodi i nderit përbënin një mburojë të
fuqishme kundër përfshirjes në veprime të turpshme e të dënueshme.
Në analizën e shtatë, del në pah një realitet i pamohueshëm:
pushteti kishte kohë që i kishte rënë në gjurmë lëvizjes së Hasan Remnikut dhe
shokëve të tij, duke e mbajtur çdo hap të tyre nën vëzhgim të përhershëm.
Rrjeti i përcjelljes dhe kontrollit ishte aq i ngjeshur, saqë dita-ditës rrethi
i tij ngushtohej, duke e lënë atë me pak hapësirë për manovrim. Në këtë kuptim,
çdo mendim se ai mund të shpëtonte vetëm duke shmangur një rrugë të caktuar,
ishte thjesht një iluzion, për një figurë të tillë të shënjestruar nga regjimi,
nuk kishte më vend për liri të lëvizjes, e aq më pak për veprim të fshehtë.
Kjo gjendje na çon në përfundimin se fati i Hasan Remnikut
ishte tashmë i paracaktuar nga një realitet politik e shoqëror tepër i
ngarkuar. Në vitet e turbullta pas luftës, aparati shtetëror kishte ngritur një
mekanizëm represiv që shtrihej mbi çdo cep të Kosovës. Çdo strehë e mundshme,
çdo përpjekje për arratisje apo për konspiracion, ishte e minuar nga rrjeti i
gjerë i kontrollit dhe nga frika e përhapur sistematikisht në popullatë. Në
këto kushte, për atdhetarin nuk kishte më shtegdalje, dyert ishin të gjitha të
mbyllura, horizonti i lirisë i zymtë dhe okupimi i vendit i pathyeshëm.
Ky dimension i historisë së tij nuk e zbeh aspak figurën e
Hasan Remnikut, përkundrazi, e ngre atë në një nivel të ri heroizmi. Ai nuk ra
thjesht si një individ i kapur rastësisht nga një aparat represiv, por si një
simbol i sakrificës në kohë kur vetë mundësia për të jetuar i lirë ishte e
zhdukur. Përballë një okupimi “të hekurt”, siç e përshkruan metafora e kohës,
ai mbeti deri në fund shembull i qëndresës së pashuar, duke dëshmuar se edhe në
rrethana të pamundura, dinjiteti dhe besnikëria ndaj idealit kombëtar nuk
zbehen.
Në këndvështrimin analitik, ky episod është ilustrim i qartë
i logjikës së represionit totalitar, sistemi nuk lejonte hapësirë për
kompromis, as për neutralitet, por vetëm për nënshtrim ose sakrificë. Hasan
Remniku dhe shokët e tij zgjodhën të dytën, duke hyrë kështu në panteonin e
kujtesës kolektive si dëshmi e tragjedisë së një populli që u gjend i mbyllur
nga të gjitha anët, por që megjithatë nuk reshti së prodhuari figura të
qëndresës.
Nëse ndalemi tek dimensioni i tetë i kësaj analize, shohim
se epilogu i jetës së Hasan Remnikut dhe shokëve të tij, i shënuar me “Pritën
në Bistricë”, nuk ishte një ngjarje e izoluar apo thjesht e lidhur me një vend
specifik. Përkundrazi, ajo ishte pasojë e një vargu rrethanash të ndërlidhura
që rëndonin mbi tërë lëvizjen ilegale shqiptare të asaj kohe. Nëse ajo pritë
nuk do të ishte organizuar në Bistricë, shumë gjasa kishte që një ngjarje e
ngjashme të ndodhte diku tjetër në Kosovë, sepse kushtet politike dhe shoqërore
të kohës ishin bërë pothuajse të papërballueshme për çdo formë veprimtarie
ilegale.
Kjo e vërtetë nxjerr në pah se Bistrica, edhe pse mbeti si
simbol i vendit ku u mbyll një kapitull tragjik i rezistencës, në fakt ishte
vetëm një nga shumë skenat e mundshme të kësaj drame historike. Struktura
represive e pushtetit, rrjeti i gjerë i ndjekjes dhe frika e imponuar mbi popullsinë,
kishin krijuar një gjendje të përgjithshme ku çdo hap i atdhetarëve gjendej i
rrethuar nga rreziku. Në këtë kuptim, vendi i likuidimit nuk ka rëndësi të
veçantë sa vetë logjika e ngjarjeve, që me çdo kusht synonte shuarjen e çdo
zëri kundërshtie.
Nga perspektiva shkencore, kjo na lejon të kuptojmë një
dimension më të thellë të luftës së asaj kohe. Lëvizja ilegale shqiptare nuk u
shua vetëm nga një përballje e vetme, por nga një bashkësi faktorësh
strukturalë, ku përfshiheshin: kontrolli total i pushtetit, humbja e elitës së
organizuar, izolimi i figurave kryesore dhe imponimi i një atmosfere të
vazhdueshme terrori. Prandaj, rënia e Hasan Remnikut në Bistricë ishte një
manifestim i pashmangshëm i një realiteti të përgjithshëm, ku çdo përpjekje për
liri e rezistencë ishte e destinuar të përplasej me dhunën e organizuar të
shtetit.
Në këtë prizëm, “Prita në Bistricë” duhet të shihet jo vetëm
si një ngjarje konkrete e kufizuar në hapësirë, por si simbol i gjendjes së
përgjithshme të Kosovës në ato vite – një vend i mbyllur në darën e okupimit,
ku heronjtë ranë jo pse u mungoi trimëria, por sepse vetë rrethanat historike u
shndërruan në një mur të pakapërcyeshëm.
Në përmbyllje, mund të thuhet se figura e Hasan Remnikut dhe
e shokëve të tij mbetet një ndër dëshmitë më të fuqishme të qëndresës shqiptare
në vitet e pasluftës. Me guximin e pathyeshëm dhe luftën e pa kompromis që
zhvilluan nëpër vite, ata arritën të trazojnë në themel jo vetëm organet e
ndjekjes që vepronin në Kosovë, por edhe vetë strukturat e ish-Jugosllavisë, të
cilat e perceptuan lëvizjen e tyre si një kërcënim të vazhdueshëm. Kjo
përballje e vazhdueshme, ku idealizmi kombëtar u përplas me makinerinë e
pushtetit, e shndërroi Hasan Remnikun në një simbol të pamposhtur të
sakrificës.
Në këtë dritë, vdekja e tij nuk duhet parë thjesht si një
akt eliminimi nga ana e pushtetit, por si një kulmim logjik i rrugës që ai
kishte zgjedhur. Lufta me okupatorin i siguroi atij jo vetëm një fund të
pashmangshëm, por një vdekje që mbartte peshën dhe dinjitetin e një heroi,
ashtu siç i ka hije një patrioti të vërtetë. Në vend që të shuhej në heshtje,
ai u përjetësua si figurë e rezistencës, duke hyrë në kujtesën historike dhe në
këngët e popullit si një shembull burrërie dhe qëndrese.
Në perspektivën shkencore, kjo përmbyllje përfaqëson
dialektikën e sakrificës. Pushteti synon ta shkatërrojë figurën e kundërshtarit
përmes eliminimit fizik, por në realitet ky akt vetëm sa e forcon përmasën e
tij simbolike. Hasan Remniku, i cili e jetoi jetën e tij në luftë e sfidë të
vazhdueshme, e gjeti vdekjen jo si një dështim, por si një vazhdimësi të
natyrshme të misionit të tij atdhetar. Kjo është arsyeja pse, në kujtesën
kolektive të shqiptarëve, ai nuk u shfaq si viktimë, por si hero që ra me nder,
duke mishëruar idealin e lirisë dhe të qëndresës pa kompromis.
Vijon









