E enjte, 13.11.2025, 11:54 PM (GMT)

Kulturë

Migena Arllati: Drama e një shpirti që kërkon njohje, drejtësi dhe dritë për një komb

E enjte, 13.11.2025, 06:53 PM


Drama e një shpirti që kërkon njohje, drejtësi dhe dritë për një komb

ARTI, MBIJETESA KOMBËTARE; DIJA, RRUGË DREJT SHPËTIMIT SHPIRTËROR

Nga Prof. Dr. Migena Arllati

Intervista ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Brahim (Ibish) Avdyli, e realizuar nga gazetari Dashnim Hebibi, paraqet një rrëfim të thellë, emocional dhe reflektues mbi jetën, veprën dhe filozofinë jetësore të një intelektuali të përkushtuar ndaj kombit dhe kulturës shqiptare. Brahim Avdyli paraqitet si një figurë poliedrike: shkrimtar, publicist, gazetar dhe aktivist politik e kombëtar. I lindur më 5 shtator 1960 në Morinë të Gjakovës, ai jeton në Zvicër prej dekadash, duke mbetur i lidhur shpirtërisht me atdheun, pavarësisht braktisjeve, sprovave shëndetësore dhe vështirësive ekonomike. Ai është përfaqësues i atij brezi intelektualësh që u formuan nën shtypjen e regjimit jugosllav dhe që në mërgim nuk e harruan kurrë misionin e tyre kombëtar.

Në intervistë vihen në pah disa nga veprat më të rëndësishme të autorit, që përfshijnë një gamë të gjerë zhanresh, duke nisur nga publicistika dhe analiza deri te proza e poezia. Ndër to spikasin: “Sondazhe për Kosovën e kufirin e saj” (2019), vepër me karakter dokumentar dhe politik, që trajton kufijtë historikë të Dardanisë dhe padrejtësitë ndaj Kosovës; “Bota shpirtërore në krijime të veçanta” (2023), përmbledhje studimore që synon të bashkojë në mënyrë shpirtërore të gjitha trojet shqiptare; “Nëpër tingujt e zemrës” (2022), tri novela me temë kombëtare e autobiografike; “Thikat e mllefit” (2024), përmbledhje poetike që shpalos lirizmin dramatik të humbjeve dhe ringjalljeve njerëzore etj.

Këto vepra e përshkruajnë Avdylin si një autor me vizion të gjerë kombëtar, me ndërthurje të artit, historisë dhe filozofisë, që përdor letërsinë si mjet për të afirmuar identitetin shqiptar dhe për të ndriçuar të vërtetën historike.

Një pjesë e madhe e intervistës është e mbushur me reflektime mbi mërgimin, dhimbjen e ndarjes dhe përvojën e një jete të jetuar mes dy botësh: atdheut dhe mërgatës. Avdyli përshkruan largimin e tij nga Kosova si një akt të detyruar, të ndikuar nga përndjekja politike dhe kërcënimet ndaj jetës së tij, që nga demonstratat e vitit 1981. Në Zvicër, ai jo vetëm që gjeti strehë, por u shndërrua në një zë të diasporës shqiptare, duke themeluar dhe drejtuar revistën “Qëndresa” (1990-1995), një platformë e rëndësishme për mendimin kombëtar në mërgim. Megjithatë, Avdyli nuk fsheh zhgënjimin dhe vetminë që e kanë shoqëruar. Ai flet me ndjeshmëri për izolimin shpirtëror, mungesën e njohjes, ndarjen nga familja dhe ndjenjën e mospërfilljes nga bashkëkombësit dhe politika shqiptare. Në përgjigjet e tij, përdor një gjuhë të ngarkuar me simbolikë, duke përzier elemente filozofike, metafizike e mistike. Ai flet për “të mirën” dhe “të ligën” si forca universale që ndikojnë në jetën e njeriut, për demonët që ndjekin mendjen dhe për engjëjt që ndriçojnë rrugën e së vërtetës. Në këtë aspekt, intervista shkon përtej rrëfimit biografik dhe bëhet një meditim mbi ekzistencën, drejtësinë, dijen dhe fatin e kombit shqiptar në raport me botën moderne.

Avdyli e sheh veten si pjesë të pandarë të misionit kombëtar. Ai e konsideron çështjen shqiptare ende të papërfunduar dhe flet me pasion për bashkimin shpirtëror e territorial të shqiptarëve. Në interpretimin e tij historik, ai lidh lashtësinë e shqiptarëve me qytetërimet iliro-pellazge, duke u përpjekur të zbulojë rrënjët e vërteta të identitetit tonë kombëtar.

Kjo bisedë mediatike është një dëshmi e rrallë e përkushtimit, vuajtjes dhe qëndresës intelektuale. Ajo ngërthen në vetvete biografinë e një njeriu që i ka kushtuar jetën fjalës, dijes dhe kombit, shpesh në heshtje e pa mbështetje institucionale.

Nëpërmjet rrëfimit të tij, lexuesi ndesh jo vetëm një krijues të përvuajtur, por edhe një mendimtar që kërkon të kuptojë kuptimin e së vërtetës në një botë të dominuar nga gënjeshtrat dhe politika e interesit. Në thelb, kjo intervistë nuk është vetëm një bisedë me një shkrimtar, por një dokument shpirtëror që pasqyron dramën e intelektualit shqiptar në mërgim, të përndjekur nga idealet e larta dhe të harruar nga shoqëria që ai deshi t’i shërbejë.

I intervistuar nga Dashnim Hebibi, intervista me shkrimtarin e diasporës shqiptare vjen e gjerë, e thellë dhe e ngarkuar emocionalisht. Ajo përbën një dëshmi të rrallë të një intelektuali që flet pa frikë për të vërtetën kombëtare, për dështimet e politikës, për dhimbjet e mërgimit dhe për idealin e bashkimit gjithëshqiptar. Avdyli shpreh hapur zhgënjimin me “çështjen shqiptare” ende të pazgjidhur, duke theksuar se “asgjë nuk është gjithëkombëtare, përveç problemit tonë”. Sipas tij, shqiptarët janë shpërndarë në copëza shtetërore e politike, ndërkohë që vendet fqinje vazhdojnë të përfitojnë nga dobësia jonë e përçarja e brendshme.Në këtë kuptim, Avdyli paraqet një vizion të qartë kritik ndaj politikës aktuale shqiptare, të cilën e sheh si të shitur, të korruptuar dhe të ndarë nga interesat kombëtare. Ai përmend Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Çamërinë si plagë ende të hapura të kombit, duke i parë si pjesë të pandashme të “Shqipërisë së madhe shpirtërore”.

Vetmia e intelektualit dhe harresa e mërgatës

Një nga shtyllat më të forta të intervistës është rrëfimi për mërgatën shqiptare, të harruar, të shpërfillur e të përjashtuar nga vendimmarrja. Ai përmend përpjekjet e tij si Kryesues i Komisionit të Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës (ISHK). Por, pavarësisht këtij kontributi, Avdyli ndien se ai dhe bashkëmendimtarët e tij janë lënë pas dore, pa respekt e pa përkrahje institucionale. Kjo pjesë e intervistës përçon një ndjesi të thellë zhgënjimi, por edhe krenarie: krenarie të një njeriu që nuk ka pushuar së vepruari, edhe pse tashmë i lënë në harresë. Në analizat e tij, Avdyli i shikon fenomenet politike e shoqërore përmes një prizmi moral dhe metafizik. Ai flet për “gjarpërin në mes të tryezës politike”, për “shpirtrat e ligj” që helmojnë njeriun dhe për demonët që udhëheqin shoqërinë. Kjo gjuhë simbolike e ngarkon intervistën me një dimension filozofik, ku e mira dhe e liga shfaqen si forca të përhershme në luftë për shpirtin e kombit. Ai kritikon ashpër “poli-a-tikën”, duke e ndarë këtë fjalë për të treguar shumëllojshmërinë dhe ndotjen e politikës, dhe e cilëson atë si arenë ku helmohet çdo ideal kombëtar.

Avdyli flet me dhimbje për krijimtarinë e tij letrare, të shkruar në vetmi, varfëri dhe sëmundje. Ai e përshkruan procesin e shkrimit si një përpjekje për të mbijetuar shpirtërisht. Ndër veprat e tij, ai përmend: “Vetëvrasja e një poeti”, “Nëpër telat e zemrës”, “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, si dhe një sërë librash të papërfunduar, përfshirë studime, poezi, drama dhe romane.Krijimtaria e tij është një formë qëndrese, një mënyrë për të ruajtur kujtesën dhe shpirtin shqiptar në mërgim. Autori tregon shqetësim për ndikimin e teknologjisë moderne në kulturë. Ai e sheh digjitalizimin si “armik të librit”, që po e shkatërron leximin tradicional dhe po e zëvendëson me varësi teknologjike. Për Avdylin, kjo është një formë tjetër e kontrollit dhe humbjes së mendimit të lirë. Në fund, Avdyli jep një porosi të fuqishme për të rinjtë: të ndjekin dijen, kulturën, dritën dhe bashkimin. Duke e përkufizuar dijen si rrugën e vetme drejt shpëtimit shpirtëror e kombëtar, thekson se “dija është dritë, padija është errësirë”. Ai kërkon që brezat e rinj të ruajnë rrënjët e tyre, të mos asimilohen dhe të punojnë për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve, përtej feve, racave dhe kufijve.

Kjo intervistë është një mozaik rrëfimesh, dhimbjesh dhe urtësish. Avdyli del si një figurë e sinqertë, e papërkulur dhe e thellë, që flet me shpirt për plagët e kombit dhe për përvojën personale të një shkrimtari në mërgim. Ai nuk kursen kritika ndaj askujt, as ndaj vetes. Në fund, kur pyetet “çfarë nuk ia fal vetes”, ai përgjigjet: “Asgjë nuk ia fali vetes!”. Kjo fjali sintetizon gjithë dramën e tij: njeriun që kërkon të vërtetën, por që mbetet i vetëm në mes të një bote të padrejtë.

Në thelb, kjo intervistë nuk është vetëm një bisedë me një shkrimtar, por një dokument i rrallë i ndërgjegjes shqiptare, një rrëfim që ndërthur historinë, filozofinë, religjionin, letërsinë dhe politikën në një përpjekje të sinqertë për ta kuptuar fatin e kombit tonë në shekullin XXI.

***

Botimi që kemi në duar sjell edhe një tjetër intervistë dokumentare me shkrimtarin, publicistin Brahim (Ibish) Avdyli, një figurë e njohur e letrave shqipe dhe e diasporës shqiptare në Zvicër. Në këtë tekst ai shpalos biografinë personale dhe profesionale, veprimtarinë si krijues, gazetar dhe studiues; krijimtarinë e gjerë letrare ku përfshihen poezi, prozë, drama, e publicistikë. Ai përmend përvojat e vështira të jetës, ndalimet, humbjet, burgjet dhe pengesat e ndryshme që kanë ndikuar në veprën e tij. Në intervistën përballë Isuf Bajramit, Avdyli flet për frymën e tij krijuese, duke theksuar se e sheh veten si krijues, më shumë sesa vetëm si shkrimtar; stilet e ndryshme të shkrimit, që variojnë nga letërsia poetike e metaforike deri te studimet shkencore e publicistika; përkushtimin ndaj çështjes kombëtare shqiptare, duke kritikuar qeveritë e korruptuara dhe mungesën e një vetëdije të vërtetë kombëtare; humbjen e veprave të tij për shkak të rrethanave politike, grabitjeve dhe ndërhyrjeve të shërbimeve sekrete gjatë viteve të Jugosllavisë dhe më pas. Në pjesën e fundit të intervistës, trajton qasjen ndaj çështjes shqiptare, duke e parë kombin si të copëtuar, të mashtruar nga brenda dhe nga jashtë, por gjithsesi të fortë në rrënjët e tij ilire dhe dardane. Ai shfaq një ton kritik, patriotik dhe filozofik, duke e lidhur gjithnjë letërsinë me misionin kombëtar.

I intervistuar nga Gëzim Ajgeraj, kjo intervistë me Brahim Avdylin është ndër më tronditëset e gjithë rrëfimit të tij jetësor dhe intelektual. Ajo përfaqëson një dëshmi personale, politike dhe shpirtërore të një njeriu që e ka kaluar jetën në përndjekje, kërcënime dhe sakrifica për çështjen kombëtare shqiptare. Në këtë rrëfim, Avdyli zbulon për herë të parë publikisht detaje dramatike nga jeta e tij personale. Ai përshkruan me një realizëm të ftohtë dhe emocional një seri atentatesh, që, sipas tij, janë organizuar nga struktura të lidhura me shërbimet serbe. Këto përvoja e kanë shndërruar atë në një figurë të qëndresës, të bindur se “nuk i trembet vdekjes” dhe se. Këto rrëfime e vendosin Avdylin në rolin e një dëshmitari të një kohe të errët, ku fjalët, shkrimet dhe mendimi i lirë rrezikoheshin me jetë. Një pjesë e fortë e kësaj interviste është kritika e drejtpërdrejtë ndaj mosinteresimit të mediave shqiptare për rastin e tij dhe për çështjet madhore kombëtare. Ai thekson se “asnjë gazetë nuk ka shkruar asnjë rresht për mua”, duke e parë këtë si pasojë të bllokimit informativ që, sipas tij, kontrollohet nga “klanet e brendshme të lidhura me Serbinë”.

Më tej, në bisedën me intervistuesin, Avdyli përshkruan me qartësi filozofinë e tij politike kombëtare. Ai e ndan politikën shqiptare në dy rryma:

-Vija parciale, që ndjek ndarjet administrative dhe interesat e ngushta partiake;

-Vija integrale, që synon zgjidhjen e plotë të çështjes kombëtare shqiptare në të gjitha trojet ku flitet shqip dhe ku “bukës i thonë bukë e ujit ujë.”

Për Avdylin, integriteti kombëtar nuk është vetëm politik, por shpirtëror, kulturor dhe ekonomik. Ai propozon bashkim përmes vetëdijes kombëtare, bashkëpunimit ekonomik dhe dijes, jo përmes luftës, duke e parë këtë si rrugën e vetme drejt një lirie të vërtetë, jo të rreme.

Kombi, gjuha dhe identiteti

Në një pjesë filozofike e historike të intervistës, ai sjell tezën se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve dhe dardanëve, duke pretenduar se gjuha shqipe është “gjuha e parë simbolike e njerëzimit.” Ai përmend shembuj nga toponimia evropiane (si: “Alba Longa”, “Schwäbische Alb”, “Britania”) për të argumentuar lashtësinë e elementit “Alb” si rrënjë e identitetit shqiptar. Ky interpretim, megjithëse i debatuar, shfaq qartësisht botëkuptimin idealist dhe historik të autorit, që përpiqet të ndërtojë një identitet kombëtar mbi bazën e krenarisë dhe trashëgimisë së lashtë.

Në përmbyllje, Avdyli dërgon një mesazh të fortë për lexuesin: “Leximi është dije dhe dija i nxjerr zgjidhjet, për çdo kohë! Kush lexon, nuk gabon. Gabimi është pa dije.” Ky përfundim sintetizon gjithë filozofinë e tij jetësore se vetëm dija, ndërgjegjja dhe bashkimi shpirtëror mund ta shpëtojnë kombin shqiptar nga errësira e përçarjeve, mashtrimeve dhe pushtimeve të reja.

Kjo intervistë është një rrëfim dramatik, patriotik dhe filozofik. Ajo shpalos një njeri të lënduar nga jeta, por të pathyeshëm në shpirt, një krijues që jeton në mërgim, por që mban gjallë idealin e kombit të bashkuar. Në të gërshetohen dhimbja personale, urtësia filozofike dhe zëri i një intelektuali që kërkon të zgjojë vetëdijen e një kombi të lodhur nga politika, por që ende ka shpresë për ringjallje.

***

Intervista e tretë me Brahim (Ibish) Avdylin bëhet nga Gëzim Ajgeraj, ku fjalët marrin peshën e përvojës dhe plagës historike. Në këtë bisedë, Avdyli shfaqet si krijues që jeton në përthyerje mes dhimbjes dhe misionit, mes mërgimit dhe rrënjës, duke ndërtuar një urë të fortë midis letërsisë, publicistikës dhe fushës së kërkimeve. Avdyli e përshkruan jetën në mërgatë jo si një arratisje, por si një vazhdim të luftës shpirtërore për identitet dhe dinjitet. “Të jesh shqiptar në mërgatë do të thotë të jesh edhe i përbuzur”, - thotë ai, duke e përmbledhur me pak fjalë fatin historik të shqiptarëve jashtë atdheut. Për Avdylin, mërgata nuk është vetëm hapësirë gjeografike, por një gjendje e shpirtit kolektiv shqiptar, e mbushur me mall, përplasje, vetmi dhe mungesë drejtësie. Në këtë kontekst, krijimtaria e tij lind si akt kujtese dhe kthimi simbolik në atdhe: “Kur shkruajmë, është kthimi ynë në Atdhe.” Kjo fjali shënon thelbin e filozofisë së tij krijuese: shkrimi është forma më e lartë e mbijetesës kombëtare.

Krijimtaria si lidhje mes artit, shkencës dhe kombit

Avdyli është një autor që përpiqet të ndërthurë në mënyrë të vetëdijshme artin e fjalës me kërkimin dhe rrëfimin historik me mitin kombëtar. Ai i referohet dijetarëve, si Dhimitër Pilika dhe Sami Frashëri për të ndërtuar argumentin e vijimësisë etnike dhe kulturore të shqiptarëve që nga pellazgët e lashtë deri në ditët tona. Për të, lashtësia nuk është mit, por realitet i mohuar, që duhet rikthyer në ndërgjegjen e kombit.

Në këtë rrjedhë, ai e sheh krijimtarinë si një mision ndërgjegjësimi. Në fjalët e tij ndjehet përpjekja për të mbrojtur identitetin, gjuhën dhe historinë nga “harresa” që ia imponon Europa dhe nga “keqinterpretimet” që i përhapin fqinjët. Ai thotë me dhembje: “Europa nuk na njeh; nuk na sheh dhe nuk na vlerëson si të tillë.” Kjo është një thirrje e qartë për rikthim te vetëdija kombëtare dhe për njohje të vetvetes përmes dijes dhe kulturës.

Nga krijimtaria e tij e gjerë, Avdyli ndalet veçanërisht te drama “Gremina”, një vepër që ndërthur historinë, metafizikën dhe realitetin politik shqiptar. Ai e sheh këtë dramë si një akt artistik dhe një dëshmi historike që ngërthen në vetvete tragjedinë e kombit dhe shpirtin e tij hyjnor. “Gremina” është metaforë e rënies dhe ringjalljes, ku mitologjia pellazge, Zoti, Engjëlli dhe Shkrimtari përfaqësojnë rrugëtimin e njeriut shqiptar përmes shekujve. Në këtë mënyrë, drama bëhet një alegori e historisë sonë kolektive, që nga antikiteti deri te realiteti i sotëm politik e kulturor. Edhe pse i ndjekur nga humbjet, fatkeqësitë dhe përndjekjet, Avdyli mbetet një zë i pathyeshëm i mërgatës shqiptare, një njeri që ka vendosur ta flasë të vërtetën përmes artit. Ai shpjegon se për shumë vite e ndërpreu komunikimin publik, sepse “bota e kishte bërë veshin e shurdhët”, por tani rikthehet për të dëshmuar se fjala është arma më e fortë e një kombi të plagosur.

Intervista me Brahim Avdylin është shumë më tepër se një bisedë: është rrëfim i një jete të munduar, por të përkushtuar ndaj idealit të kombit dhe fjalës së lirë. Ajo shfaq një njeri që nuk e ndan artin nga identiteti, dijen nga historia, dhe dhimbjen nga dashuria për Atdheun. Në çdo përgjigje ndjehet përkushtimi i një krijuesi që e sheh shkrimin si mision shpirtëror, si formë e rezistencës kulturore dhe si amanet për brezat që do të vijnë.

“Vetëvrasja e një poeti”, dramë e shpirtrave të kryqëzuar

Emocioni arrin kulmin kur Avdyli përqendrohet në bisedën për veprën dramatike “Vetëvrasja e një poeti”, e cila sipas autorit përfaqëson një dramë televizive të karakterit historik, mitik dhe filozofik, ku ndërthuren realiteti dhe metafora, historia dhe mitologjia, Zoti dhe njeriu. Këtu ai shfaqet në një dimension më të thellë artistik e filozofik, ku fjalët tejkalojnë përvojën personale dhe shndërrohen në një manifest kulturor dhe kombëtar. Tema qendrore e veprës lidhet me të vërtetën e mohuar historike të shqiptarëve. Ai e shpjegon me pasion se “katër armiqtë përreth nesh” kanë krijuar “kanale të frikës” për të bllokuar shqiptarët nga faktet dhe historia e tyre e lashtë. Për të, shqiptarët nuk janë thjesht pasardhës të ilirëve, por trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të “yllirëve” dhe “pellazgëve hyjnorë”, duke u mbështetur në mendimet e studiuesve si Muzafer Korkuti dhe Dhimitër Pilika.

Në këtë kontekst, ai citon me domethënie të thellë: “Zoti pellazg thotë: prej jush ka filluar kultura e lavdia, dhe një ditë prapë te ju do të kthehet.” Ky është, në fakt, moti shpirtëror i gjithë krijimtarisë së Avdylit: rikthimi te origjina, te rrënja e lashtë e njerëzimit që sipas tij gjendet te shqiptarët. Autori e përshkruan dramën si kryqëzim të kohërave, fateve dhe ideve, ku linjat diakronike (historike) dhe sinkronike (aktuale) përplasen në një tablo të vetme. Kryepersonazhi, Florian Meta, përfaqëson poetin e kombit, njeriun që nuk kuptohet, që përjashtohet nga të vetët dhe që përballet me botën e pandjeshme e të shtrembëruar. “Vetëvrasja” është simbolike, një akt shpirtëror, një përpjekje për të vrarë errësirën e botës përreth me dritën e artit. “Ai nuk ka çka të bëjë pos të vrasë vetveten, pasi i ka lënë të gjitha dëshmitë në arkivat e shtetit ku jeton”, thotë autori. Por Zoti, në dramë, nuk e lejon të vdesë sepse misioni i tij nuk ka përfunduar. Kështu, “vetëvrasja” kthehet në ringjallje shpirtërore dhe artistike, në një metaforë të pavdekësisë së fjalës. Avdyli sqaron se vepra nuk është “dramë klasike”, por dramë televizive, e ndërtuar për t’u parë dhe përjetuar vizualisht. Personazhesi: shqiponja, sorra, zogjtë, macja dhe qentë janë pjesë e saj, çka e bën veprën simbolike. Në këtë mënyrë, natyra vetë bëhet pjesë e dramës, një aktor hyjnor dhe metafizik që e bashkon njeriun me Zotin dhe me historinë. Edhe natyra e ka domethënien e vet në këtë vepër, duke i dhënë dramës karakterin e një epopeje vizuale dhe shpirtërore.

Promovimi i dramës në Gjakovë, sipas Avdylit, ishte një moment kthimi pas shumë vitesh heshtjeje dhe vuajtjeje. Ai falënderon me përzemërsi kritikët, miqtë dhe lexuesit që e kanë mbështetur, duke theksuar se ky promovim ishte një “kurorëzim shpirtëror” i krijimtarisë së tij. Në vend që të fliste për veprën, autori zgjodhi të flasë për kritikën dhe kuptimin e tekstit, duke i ftuar lexuesit të mendojnë vetë dhe të nxjerrin kuptimet e tyre. Në përmbyllje, Avdyli lëshon një thirrje të fuqishme për vetëdije kombëtare dhe kulturore. Ai u drejtohet me shqetësim lexuesve të rinj, të cilët “nuk lexojnë më, sepse interneti ua ka marrë shpirtin e librit.” Kështu nuk e njohin të vërtetën e kombit të vet. Ata përsërisin gënjeshtrat që ua kanë mësuar të huajt. Sipas tij, historia botërore duhet rishikuar, sepse është e ndërtuar mbi “pseudoshkencë”. Vetëm e vërteta, mund të çlirojë njeriun dhe kombin.

Përgjithësisht, Brahim Avdyli na paraqitet si një autor me ndërthurje midis artit, historisë dhe filozofisë kombëtare. “Vetëvrasja e një poeti” nuk është vetëm dramë për një njeri; është dramë për një komb, për një shpirt që kërkon njohje, drejtësi dhe dritë. Në çdo fjali, Avdyli e shpall artin si formë të mbijetesës kombëtare dhe dijen si rrugë drejt shpëtimit shpirtëror.

Gjakovë, 25.10.2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx