Kulturë
Ndue Ukaj me libër të ri: 'Mund të jetë si në fillimet e kohëve'
E diele, 09.11.2025, 06:54 PM

Shkrimtari Ndue Ukaj ka kënaqësinë të njoftojë botimin e librit të tij më të ri me poezi, “Mund të jetë si në fillimet e kohëve”, nga Shtëpia Botuese “Onufri”.
Ai shpreh mirënjohjen
e tij ndaj Anton Berishajt, Elsa Skënderit dhe Kadia Dedjajt, që lexuan
dorëshkrimin dhe, me sugjerimet e tyre të çmuara, e pasuruan atë. Falenderon
gjithashtu Bujar dhe Enxhi Hudhrin për realizimin kaq të bukur të këtij libri.
Librin e gjeni në
Panairin Kombëtar të Librit që fillon më 12 nëntor.
Ndue Ukaj:
Mund të jetë si në fillimet e kohëve
Sot është ditë e re
dhe mund të jetë
si në fillimet e
kohëve.
Qielli është i
kthjellët si një stinë e hareshme,
ku rrëshqasin sytë e
tu kërkimtarë.
Ti mos lejo askënd ta
ngulfatë bulëzimin e zemrës sate.
Qielli është i bukur
si një enë e mbushur lumturi
dhe kujto se vetëm
zemrat e bulëzuara japin jetë.
Ky mëngjes i bardhë
si bora
është çast kur sytë
duhet të lirohen
nga imazhet e
shkretuara,
nga ëndrrat e zeza
dhe të ecin ditës së
re me mendime të reja.
Dhe në një ditë të re
mund të futesh në një
kopsht të bukur,
ku gjithçka mund të
kthehet në pranverë,
duke ta kujtuar se
dielli
përherë gjen të çarat
nëpër mjegull
dhe të prek,
dhe të prek
butësisht,
dhe të prek
ëmbëlsisht,
si duart e një
dashurie përvëluese.
Se një ditë e re është
njëlloj përsëdytje e krijimit,
ku ti mund të krijosh
gjithçka të bukur,
gjithçka të bukur që
nuk ka ndodhur kurrë më parë
dhe nuk ka mundësi të
përsëritet kurrë më si atë ditë.









