Kulturë
Albert Zholi: Flet piktori Aleksandër Dragoti
E enjte, 06.11.2025, 06:53 PM
Flet piktori Aleksandër Dragoti:
- Ne dhe pse jemi lënë në heshtje jemi krenar
që nga gjiri ynë ka dalë një kryeministër
- Pikturat e Edi Ramës janë të ndikuara nga
ekspersionizmi Abstrakt
- Edi Hila, mbetet një piktor i talentuar, me
vizion që ka zbuluar talentin e Edi Ramës
-Që në rini Rama shfaqte ide tepër moderne në
pikturë
- Si kryeministër Rama është larguar nga
familja e tij e piktorëve ndaj piktura
nuk vlerësohet nga politika e sotme
- Nuk harroj Sali Shijakun, Myrteza
Fushekatin, Perikli Çulin, skulptorin
Janaq Paço, Shaban Hadëri, Mumtaz Dhrami.
- Piktura nuk vlerësohet nga politika e sotme
por kryeminsitri e ka mundësinë të hap ekspozitë jashtë shtetit, por ne jo.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Aleksandër
Dragoti është një piktor i cili ka lënë gjurmë jo vetëm në Shqipëri por
edhe në Greqi. Punimet e tij tashmë ndodhen në shumë vende të Evropës, pasi ai
është mjeshtër si i pikturës klasike po ashtu dhe i asaj abstrakte, surreale.
Ai është një mik i gazetës Telegraf dhe shpesh herë mban qëndrimet e tij për
pikturën bashkëkohore por edhe për politikën shqiptare.
Sot në
botë si vetë piktorët po ashtu dhe kritikët apo të dashuruarit pas pikturës
rendin pas pikturës abstraksioniste, surrealiste. Çfarë përbën në thelb kjo
pikturë?
Ekspresionizmi
Abstrakt shpesh i njohur edhe si pikturim
informal (art informal, joformal) është një stil pikture, i cili u krijua pas Luftës së Dytë Botërore, kur si
pasojë drejtimet e Kubizmit, Konstruktivizmi dhe Surrealizmit u
zbehën. Ajo u bë lëvizja kryesore artistike në Shtetet e Bashkuara në vitet
1950, kur moda kaloi nga Realizmi shoqëror i viteve
1930, të ndikuar nga depresioni i madh dhe
muralizmi meksikan. Ishte
drejtim arti që u krijua për një kohë në Francë (Paris)
dhe SHBA (Neu York).
Improvizimet e para të Kandinskit ishin
improvizimet pararendëse të stilit të ri të artit, ekspresionizmit abstrakt.
Termi u përdor për herë të parë në artin amerikan në vitin 1946 nga
kritiku i artit Robert Coates. Figurat kyçe në Shkollën e Nju Jorkut, e cila
ishte qendra e kësaj lëvizjeje, përfshinte artistë të tillë si Arshile Gorky, Jackson
Pollock, Franz Kline, Mark Rothko, Norman Leëis, Willem de
Kooning, Adolph Gotlieb, Clyfford Still, Robert Motherëell, Theodoros Stamos
dhe Lee Krasner ndër të tjerë. Lëvizja nuk kufizohej vetëm te piktura, por
përfshinte kolazhistë dhe skulptorë me ndikim, si David Smith, Louise Nevelson
dhe të tjerë.
Ju keni njohur dhe keni miqësi me
shumë piktorë shqiptarë dhe të huaj. Por të ndalemi tek piktorët shqiptarë. Kë
do të veçosh nga piktorët që ke njohur?
Të gjithë piktorët shqiptarë kanë shkëmbyer
eksperienca në vite për pikturat e tyre. Ka një miqësi në heshtje mes
piktorëve. Sidomos në sistemin monist shoqëria mes piktorëve shqiptarë ka qenë
shumë korrekte dhe ndihmuese. Në atë kohë studiot e piktorëve kanë qenë në
stabilimentin "Mihal Duri", që nga Sali Shijaku, Myrteza Fushekati,
Perikli Çuli, skulptori Janaq Paço, Shaban Hadëri, Mumtaz Dhrami u rritëm
në ato studio.
Po kryeminsitri Rama a ishte pjesë e
këtyre studiove në rininë e vetë?
Sigurisht që ishte pjesë. Jo vetëm se vinte nga një
familje artistësh por ai i shfaqi prirjet e tij për pikturë që në vitet e
vegjëlisë. Pra qysh në fëmini në këto studio që thashë më lart vinte dhe Edi
Rama. Në ato vite ai kishte për zemër pikturat apo skicat me laps.
Po vetë ju nga këta piktorë, kë
kishit më për zemër që vërtetë ndiheshe i obliguar?
Unë do të veçoj piktorin e mirënjohur Edi Hila, një
piktor i talentuar, një piktor me vizion. Mund të them se Edi Hila dhe Sali
Shijaku ishin ata që na ndihmonin shumë ne të rinjtë. Ata zbulonin talentet e
reja dhe një nga talentet që ata shpreheshin ishte Edi Rama. Ndërsa për
skulptorët, Kristaq Rama hapi dyert për talentet e reja. Një ndër ta ishte Agim
Rada që punoi shumë në studion e Kristaq Ramës ku bëri shumë vepra të mira që
diskutohen dhe sot. Ai bëri Barletin, Onufrin, Mikelanxhelon, ku zuri disa
çmime. Ndërsa në atë kohë shikoja nga afër shpërthimet e Edi Ramës në pikturë.
Ai shfaqte ide tepër moderne në pikturë. Mes miqve të tij ai diskutonte për
piktorët dhe skulptorët më të mëdhenj të kohërave, i lexonte ata dhe pse shumë
libra mund të themi ishin të ndaluar. Në rrethet e tij shoqërore ku disa herë
isha i pranishëm Edi diskutonte gjerësisht për Van Gogun, Matisi,
Pikasso, impresionistët dhe kritikët e artit me mendim filozofik si Andre
Breton, Xhuliano Apolenieri, të cilët kanë bërë analiza të famshme të
piktorëve të mëdhenj, që ishin të ndaluar. Edi punonte shumë në shtëpi
dhe në studio. Të gjithë këta kanë ndikuar në formimin Profesional të Edi
Ramës, por më shumë tek ai ndikoi piktori shumë i talentuar Edi Hila. Piktori
Hila ka qenë pedagog për shumë kohë, një mjeshtër i penelit, korrekt dhe tepër
aktiv. Ai ka qenë jo vetëm ndër pedagogët e pakët me nivel të lartë por edhe
një ndër themeluesit e RTSH për artet figurative, për emisionet dhe për
ndërtimin si strukturë. Ai mbetet një piktor me shumë bagazh dhe me shumë
kulturë. Pikturat e tij ndodhen aktualisht në galeritë më të famshme të
Parisit, aty ku kanë ekspozuar Pikasso, Renuari dhe emrat më të mëdhenj të
piktorëve botërorë. Ai për nga niveli i pikturave qëndron përkrah të gjithë
piktorëve të mëdhenj me pikëpamje kontemporane, me një këndvështrim të niveleve
botërore. Edi Hila si pedagog mbetet ndër më të rrallët për nivelin e
mësimdhënies. Mes tyre kam mësuar shumë për artin impressionist deri tek
surrealistët dhe rryma Pop, art i përfqësuar nga Andi Uarrlo në lulëzimin e
këtij arti në Paris. Por flitej edhe për Xhorxh Brak, Hart Benton, Xhekson Pollok.
Si do ta cilësoni Edi Ramën si
piktor?
Rama si piktor është shumë ndryshe se Rama
kryeministër. Në krijimtarinë e tij artistike do të veçoj se Edi Rama ka pasur
inteligjencë artistike, një këndvështrim avangardë për kohën shumë
kontenporan, dhe gjithmonë ai përkrahte dhe gërshetonte lidhjen midis artit,
kulturës që kishte fituar me studimet e tij dhe traditës shqiptare të pikturës.
Gjatë kohës së viteve të fundit të regjimit Edi Rama ka marrë pjesë në disa
ekspozita të përbashkëta kryesisht në ekspozitat e nëntorit. Ai mbahet
mend për veshjet karakteristike të malësisë dhe të Labërisë, ku për mua do të
mbetet piktura e Azem Galicës në shkëmb që do të mbahet mend tek të
gjithë. Ai ka fiksuar aty një moment historik, të bukur, të veçantë, të
spikatur që rrallë mund ta kapi piktor tjetër. Kjo mbetet ndër pikturat më të
bukura të tij. Por në vitet e para të demokracisë ka mbetur në mendjen e shqiptarëve
si një intelektual kurajoz dhe një publicist ndër më të spikatur. Por si kryeministër Rama është larguar nga familja e
tij e piktorëve ndaj piktura nuk vlerësohet nga politika e sotme.
Kryeminsitri e ka mundësinë të hap ekspozitë jashtë shtetit, por ne jo. Por
megjithatë jemi krenar që nga gjiri ynë ka dalë një kryeministër.









