Kulturë
Ndue Dedaj: 'Fija e barit vdes si heroinë'
E diele, 09.11.2025, 06:50 PM
NDUE DEDAJ
Cikli poetik: “FIJA E BARIT VDES SI HEROINË”
ILUZION KRENAR
Sonet
Shkruan fjalë nazike
në tjegullën e fatit
beson se mrekullia
ndodhi për herë të parë
dhe fluturon si
shterg, zgalem, albatros
po deti askund nuk
duket në horizont...
Rrathët e lisit
s’vizatohen në flamur
gjurmët e dëborës
tretën në ujë e në gur,
i vërtetë është veç
plisi i dheut me vlagë
fija e barit që lind
e vdes si heroinë...
Mos u turr me e puth
veten në ballë
se të shfaqet si
lungë syri i katallanit,
mister është aleluja
- këndellja e fatit.
Para se me e shpallë
veten kalorës të yllit
thuaje si psalm
apologjinë e Sokratit,
njih vetveten - është
lufta e humbur.
THETHI
Thethi ka një ujëvarë
t’argjandët në mal
Islanda thonë ka nja
dhjetë mijë;
Islanda është Islandë
dhe pa ujëvarat e saj,
Thethi s’është Theth
pa ujëvarën e tij.
ANDRRAT
Nuk kam shkrue për
andrrat kur isha i ri
Poezitë me andrra më
dukeshin fluturake.
Si zogj pranvere që
shkonin degë m’degë...
Melodi alegro për
adoleshentë.
E dija se andrra
kishin vetëm ata
Se andrra kishte veç
ajo moshë.
Nuk kam shkruar për
andrrat kur isha i ri
Por nuk asht çudi që
për to shkruaj tani!...
SHESHI “SKËNDERBEJ”
Sheshi “Skënderbej në
Tiranë
Sillëm e përsillëm si
kali në lëmë.
Përziej baltën e
pllakave katrore
Që do të piqen nga
saçi i mesditës.
Më merren mendët, më
merren këmbët
Prej gjatinave
ekstravagante rrokaqiej.
Gjergji i pafuqishëm
sodit karuselin
Ku ngrihën zogjtë e
ulën fëmijët.
Kali i tij pesëqind
vjet me lot në sy,
Pse e bëre, biri im,
këtë të pabërë!?
Kjo asesi nuk është
një kështjellë...
Është klithmë e ajrit
të xanë!
Sheshi “Skënderbej”
në Tiranë
Sillëm e përsillëm si
kali në lëmë.
Kërkoj një levë ta
ngre njerinë
Përmbi grataçela,
përmbi hënë...
2025
ATOGRAF PËR PEMËT
Flas me dorë në
zemër,
zemra kërcen nga
foleja në lis
më futet në grusht si
zog...
Më duhet një autograf
për pemët
gjethet një për një i
njoh
janë ato që ishin
vjet
me ndonjë penel më
tepër.
Vitet e mija aty i
lexoj
herë qeshin, herë
vrahen
aq sa rritën,
zvogëlohen...









