Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Data më e bukur e jetës!
E hene, 10.11.2025, 06:57 PM
Nga Fritz RADOVANI:
OH
DATA MA E
BUKUR E JETES!
ASHT DATA 11,XI, ORA 11.00

11
NANDOR 1990
Erdhi per mos me u kthye kurrma!
Pa kalue as dy vjet
nga vdekja e At Meshkallës, Sigurimit i duhet me angazhue prap spijunët për
survejimin e një tjetër “arre nyçe” në atë rrugë 4-5 dyer ma larg se At
Meshkalla,
Ishte Don Simon
Jubanin, prifti belbacuk që do të bajnë një Epokë si belbacuku i 1924, Luigj
Gurakuqi.
Shqipnia pa kete Date shkonte drejte zhdukjes!
Binte shi me rrëshekë si bie zakonisht në Shkodër në
muejn e Purgatorëve. Nuk mungojnë njerëzit në të dielën e parë në vorret
e Rrëmajit. Edhe pse pjesa ma e madhe ishin vorre të vjetra, mbasi në vitin
1970 u pat ndalue vorrimi i qytetarëve në këta vorre, siç e kam shpjegue me
mendim rrafshimi, prap se prap kujdesi i qytetarëve në muejn nandor nuk ka
mungue. Të paktën një tubë me lule secili e vente tek kryet e vorrit edhe pse
pjesa ma e madhe tashti nuk kishin as Kryqa. Shumë ishin thye, shumë ishin
kalbë, shumë ishin shkatrrue e, gjithshka, shkonte drejt shumjes në atë vend të
bekuem…
Një qytetar që banonte
në një prej apartamentëve karrshi vorrëve i quejtun Mark Murana, sjell një
tavolinë me mbulesë mushamaje mbi të cilën hante bukë në shtëpinë e tij dhe
vrapon në shtëpinë e Don Simon Jubanit, e sjellë ndër vorre priftin e veshun si
gjithmonë me kostum të zi, tue lajmërue njerëzit e lagun prej shiut: “Eni,
se tashti do të shohim MESHË prej Don Simonit!” Jo, ma shumë se 300 vetë që nuk u besojnë as syve, as veshëve dhe
as kambëve, drejtohën nga Kapela e djegun e pa çati dhe me të vërtetë aty asht
edhe Don Simoni.
Don Simoni ven Kryqin
e mëshefun mbi tavolinë bashkë me pak gjana të ruajtuna ndër vite, pa i shkue
mendja ndonjëherë kur ishte në “birucën e tij” në Burrel, se do të vijë kjo
ditë dhe mbasi ban Kryq, u drejtohët të pranishëmve:
“Vëllazën
e motra!
Dizidenti
Mark Murana sot ka shkrue një datë historike, që do të përmendët ndër analet e
kronikat historike të qytetit tonë
martir të Shkodrës së famëshme, që po vuen për liri e demokraci, por, që sot,
po fillon për té dhe gjithë Shqiptarët një Epokë e Re…” dhe përfundon
fjalën e tij: “Sot një javë, më 11 nandor 1990 kemi Meshën ora 12.00, këtu ndër
vorre!”
Për pak minuta të
pranishmit shpërndahën në katër anët e qytetit. Fjala merr dheun. Të gjithë
vrapojnë me shpërnda lajmin “Në Shkodër ka ardhë Mesia!” Si dikur, ndër
katakombe njerëzit nuk besojnë, shumica kujtojnë se janë në andërr. Ka shumë që
nuk harrojnë fjalët e Shën Tomës: “Unë, pa e pa Don Simonin me sytë e mijë tue
thanë Meshë, e pa vue dorën ndër plagët e tija, që i kanë hapë komunistët në
trupin e tij, NUK BESOJ!”
Të gjithëve u dukët se ndër dyer përgjohen nga
xhullinjët e shekullit të elektronikës, të gjithë me lot ndër sy
pranojnë:
“Kjo asht mbrekullia!”
Edhe pse shiu vazhdon
me ra, rruga e Ballabanës edhe njëherë u këthye në pjacë. Turma, turma, të
rijë, pleq, sakata e qorra që kanë lind mbas datës 19 mars 1967, ditë në të
cilën në Shkodër nuk kishte ma asnjë Kishë të hapun dhe që, nuk kanë pa Dritën
e Qillës tue shndritë në fëtyrat e tyne nëpërmjet fjalës së Ungjillit,
drejtohen kah Rrëmaji dhe me të vërtetë të gjithë besojnë se:
“GJAKU I MARTIRËVE TË FESË DHE T’ ATDHEUT ASHT FARA
QË SOT KA BIJTË, KATOLIKË E MYSLIMANË, TË VRAMË SË BASHKU NË ZALLIN E KIRIT, TË
LIDHUN DORADORËS, SOT THËRRASIN:
BASHKOHUNI VËLLAZËN SHKODRANË, SI NA KËTU QË KEMI
VDEKË PËR LIRI DHE DEMOKRACI TË VËRTETË!”
LAVDI SHKODRES MARTIRE DHE HEROIKE !
RRNOFTË SHQIPNIA!
Melbourne, 10 Nandor 2025.









