E hene, 03.11.2025, 01:09 PM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Basha: Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, 1945–1990 (2)

E diele, 02.11.2025, 07:00 PM


JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË

JATAKËT E ILEGALES SHQIPTARE NË KOSOVË 1945-1990 (2)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në fjalorin e gjuhës shqipe, termi "jatak" përcaktohet si strehë për dikë, apo personi që fsheh dikë ose diçka, duke mbajtur kësisoj një konotacion të dyfishtë – njëherazi praktik dhe simbolik. Shprehje si “i bëri jatak dikujt” mbartin jo vetëm përmbajtjen e aktit të strehimit fizik, por edhe një përfshirje të thellë morale e ideologjike, ku mikpritja shndërrohet në akt rezistence, dhe strehimi bëhet shprehje e solidaritetit politik dhe kombëtar.

Në kontekstin historik shqiptar, sidomos nga periudha e luftërave ballkanike e në vijim, figura e jatakut merr përmasa më të mëdha se sa një ndihmë thjesht personale. Ajo ngjitet në piedestalin e një akti të lartë qytetar e kombëtar, veçanërisht me përhapjen e lëvizjes kaçake, e cila për shumë kohë përbënte një nga format kryesore të qëndresës së armatosur kundër regjimeve të huaja dhe pushtuesve të ndryshëm. Në këtë periudhë, pothuajse 98% e familjeve shqiptare konsideroheshin si jatakë të kaçakëve, duke e shndërruar kështu këtë formë të përkrahjes nga akti sporadik në një strukturë të gjerë e të qëndrueshme të rezistencës popullore.

Kjo përqindje jashtëzakonisht e lartë e pjesëmarrjes së popullsisë në strehimin e veprimtarëve të lirisë është tregues i fuqishëm i ndërgjegjes së lartë kombëtare që karakterizoi shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Jataku nuk ishte thjesht një figurë ndihmëse në prapavijë, por shpesh një mbrojtës i heshtur, një vëzhgues i kujdesshëm, një ushqyes i idealit, e në shumë raste, një martir i padeklaruar i kauzës shqiptare për liri dhe bashkim kombëtar.

Në këtë mënyrë, koncepti i jatakut tejkalon kufijtë e një përkufizimi leksikor dhe bëhet një kategori morale, historike dhe politike, që na ndihmon ta kuptojmë më qartë dimensionin kolektiv të rezistencës shqiptare dhe bashkëpërgjegjësinë që shoqëria jonë ka mbajtur për mbrojtjen dhe promovimin e idealeve të lirisë dhe dinjitetit kombëtar.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist në Jugosllavi, periudha pas vitit 1945 shënon një fazë të re dhe më të ashpër të ndjekjeve sistematike kundër jatakëve shqiptarë, të cilët ishin bërë hallka kyçe në strukturën e lëvizjes ilegale shqiptare. Në një klimë të rënduar politike dhe represive, ku shprehja e pakënaqësisë kombëtare konsiderohej tradhti ndaj sistemit, shumë individë dhe anëtarë të grupeve ilegale u detyruan të largohen nga hapësirat publike, duke hyrë në një ilegalitet të thellë, ku streha e tyre kryesore ishin shtëpitë e njerëzve të zakonshëm, që me guxim të jashtëzakonshëm përballonin rrezikun e madh të mbajtjes së tyre.

Kjo situatë bëri që jatakët të mos ishin më thjesht ndihmues të veprimtarëve, por të përkufizoheshin si pjesëmarrës aktivë në qëndresën politike dhe kombëtare. Pushteti i ri e kuptoi se jataku nuk kishte më një rol periferik, por një element strategjik në rrjetin e qëndresës shqiptare. Prandaj, ndaj tyre u ushtrua një dhunë e egër, që përfshinte arrestime masive, burgime të gjata, dhunë fizike e psikologjike dhe në shumë raste edhe dëbim apo internim të tërë familjeve.

Për shkak të shtypjes së egër dhe rrezikut të vazhdueshëm për jetën, një numër i konsiderueshëm i këtyre veprimtarëve dhe strehuesëve të tyre u detyruan të braktisin Kosovën dhe të kërkojnë shpëtim përtej kufijve politikë të kohës. Shumë prej tyre gjetën strehë në Shqipëri, ku shpresonin për një mikpritje nga një shtet që ndanin identitetin kombëtar, ndërsa të tjerë kaluan në Greqi, Turqi apo në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, ku do të vazhdonin, me mjete të tjera, luftën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Ky eksod i detyruar politik, i nxitur nga dhuna sistematike e UDB-së dhe aparatit shtetëror të Jugosllavisë, nuk ishte vetëm një tragjedi personale për shumë familje shqiptare, por edhe një humbje e thellë kolektive, që preku të gjithë strukturën sociale dhe kulturore të Kosovës së pasluftës. Megjithatë, kjo valë represioni dëshmoi edhe një herë forcën e qëndresës kombëtare, të mishëruar si në figurën e luftëtarit të armatosur, ashtu edhe në figurën e heshtur por thellësisht heroike të jatakut.

Duke njohur zhvillimet historike dhe logjikën represive të regjimit të pasluftës, nuk mund të konsiderohet si befasi fakti që përpara gjyqeve të montuara dhe “tavolinave të zeza” të drejtësisë komuniste shpesh përfundonin individë tërësisht të pafajshëm. Ishte një dukuri e zakonshme që të ndëshkoheshin me burgime të rënda apo dënime të tjera degraduese thjesht sepse kishin strehuar apo ndihmuar ndokënd nga familjarët e tyre, të cilët, për shkak të përndjekjes sistematike politike dhe represionit të egër, ishin detyruar të largoheshin nga sytë e pushtetit okupues.

Kjo formë ndëshkimi nuk synonte vetëm individin konkret, por përmes tij, kishte për qëllim të trembte dhe të paralizonte strukturën e gjerë shoqërore shqiptare, e cila, me gjithë varfërinë dhe frikën, e kishte ruajtur në brendësi një ndjenjë të fortë solidariteti kombëtar. Streha e dhënë, buka e ndarë, fjala e mirë apo heshtja për vendndodhjen e një të përndjekuri – të gjitha këto ishin veprime që regjimi i shihte si akte “kriminale” kundër sistemit, sepse ato përfaqësonin një rezistencë morale dhe kombëtare që nuk mund të nënshtrohej.

Në këtë kontekst, jataku, edhe pse në dukje një figurë periferike dhe pasive, shpeshherë u bë qendra e përplasjes mes etikës popullore dhe dhunës shtetërore. Ai që mbante një mik, një vëlla, një bashkëveprimtar të kërkuar nga regjimi, mbante në fakt një ideal të papërkulur për liri, për nder dhe për qëndresë – dhe për këtë ideal dënohej, shpesh pa prova, pa proces të drejtë, madje edhe pa të drejtë mbrojtjeje.

Kësisoj, sistemi nuk përndiqte vetëm ata që vepronin në mënyrë aktive kundër pushtetit, por edhe ata që e mbanin gjallë kujtesën, ndjenjën dhe solidaritetin. Dënimet ndaj tyre ishin pjesë e strategjisë më të gjerë të terrorit ideologjik dhe shoqëror, që synonte të frikësonte popullin dhe të thyente çdo hallkë të qëndresës shqiptare – madje edhe atë më të thjeshtën, njerëzoren- ndihmën ndaj tjetrit në nevojë.

Përveç atyre që konsideroheshin si kundërshtarë të drejtpërdrejtë të regjimit dhe që ishin të përfshirë në aktivitete të natyrës politike apo atdhetare, një kategori tjetër e gjerë që u përball me represionin më të ashpër ishin jatakët – ata individë që nuk kishin marrë pjesë në organizime apo aksione konkrete, por që, në frymën e solidaritetit dhe ndjeshmërisë kombëtare, kishin ofruar strehë, një copë bukë apo një fjalë të mirë për të përndjekurit politik.

Kjo formë e ndihmës njerëzore dhe morale u përkthye nga regjimi si një akt armiqësor, që duhej ndëshkuar rëndë. Si pasojë, shumë prej këtyre individëve u dënuan me vite të tëra burgimi, të pamerituara, të pajustifikueshme dhe shpesh të mbështetura mbi akuza të ndërtuara në mënyrë të përçudnuar dhe qesharake. Nuk mungonin rastet kur ndëshkimi shqiptohej vetëm pse një familje kishte dhënë një kothere bukë, kishte lejuar ndonjë njeri të flejë një natë në shtëpinë e tyre apo kishte heshtur para pyetjeve të autoriteteve shtetërore.

Në këtë kuadër, mund të thuhet me plot gojën se jatakët u trajtuan si bashkëpunëtorë të një “krimi” që nuk ishte veçse shprehje e një akti të lartë njerëzor dhe atdhetar, të bazuar në normat e lashta të mikpritjes dhe nderit. Regjimi, në përpjekje për të shuar çdo lloj rezistence – qoftë ajo ideologjike, praktike apo emocionale – i vuri në shënjestër edhe hallkat më të thjeshta të shoqërisë shqiptare.

Dënimet e shqiptuara për këta individë shpesh ngjanin më tepër me akte hakmarrjeje ideologjike sesa me drejtësi ligjore, dhe shërbyen si një mjet për të mbjellë frikë, përçarje dhe nënshtrim në radhët e popullatës. Ky trajtim i ashpër dhe i padrejtë ndaj jatakëve nuk ishte vetëm një padrejtësi individuale, por edhe një sulm frontal ndaj etikës tradicionale shqiptare, që e vlerëson ndihmën ndaj tjetrit si vlerë themelore të jetës shoqërore dhe kombëtare.

Në përpjekjen për të forcuar kontrollin dhe për të shtypur çdo zë kundërshtues ndaj regjimit të sapoinstaluar, pushteti jugosllav ndërmori një sërë masash represive sistematike, të cilat shpeshherë nuk synonin vetëm ata që ishin aktivisht të angazhuar në veprimtari ilegale apo rezistuese, por edhe individë të thjeshtë që shfaqnin empati, ndjeshmëri njerëzore dhe ndihmë minimale ndaj të përndjekurve.

Në këtë kontekst, një nga strategjitë më të aplikuara dhe më efektive për qëllimet e pushtetit ishte instrumentalizimi i ndihmës njerëzore si provë penale. Në mënyrë të veçantë gjatë periudhës 1947–1954, organet e Sigurimit të Shtetit, përkatësisht UDB-ja, përdorën me zell një metodë të mirë menduar, shënjestrimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që kishin strehuar, ushqyer apo ofruar përkujdesje për ilegalistët apo të arratisurit politik që fshiheshin për të shpëtuar nga represioni.

Ky trajtim i ndihmës së thjeshtë si veprim i natyrës kriminale, jo vetëm që përbënte një shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut, por ishte edhe një përpjekje e drejtpërdrejtë për të dekurajuar ndihmën e ndërsjellë, për të frikësuar opinionin publik dhe për të ndërprerë çdo formë të zinxhirit të solidaritetit kombëtar.

Për pasojë, qindra shqiptarë përfunduan në qelitë e errëta të burgjeve jugosllave, jo pse kishin ngritur armën apo kishin shpërndarë trakte politike, por vetëm sepse kishin ruajtur dinjitetin dhe normat e shenjta të mikpritjes shqiptare. Kjo strategji e përçudnuar e pushtetit të asaj kohe nuk synonte vetëm ndëshkimin, por edhe çrrënjosjen e çdo vlere etike që mund të shërbente si bazë për bashkim, rezistencë dhe vetëdije kombëtare. Në thelb, ajo ishte një luftë ideologjike kundër memories kolektive, ndjenjës së përkatësisë dhe kulturës së qëndresës.

Në kontekstin e përndjekjeve politike dhe represionit institucional që karakterizoi Kosovën gjatë dekadave të para të pasluftës së Dytë Botërore, një kategori e veçantë e qytetarëve shqiptarë u identifikua, u etiketua dhe u ndëshkua nga pushteti i kohës për një veprim që, në thelb, ishte akt njerëzie dhe solidariteti kombëtar. Bëhet fjalë për ata burra dhe gra, që në mënyrë të heshtur, pa kërkuar lavdi apo shpërblim, ofruan strehë, mbrojtje, ushqim, armatim apo informacione të dobishme për ilegalistët dhe të arratisurit politik.

Këta individë, që u bënë hallkë e domosdoshme e qëndresës kombëtare në terren, shumë shpejt ranë në radarët e regjimit. Pushteti i sapo instaluar jugosllav, duke kuptuar rëndësinë jetike të tyre në ruajtjen e strukturave të rezistencës, filloi t’i monitorojë, të përgjojë dhe më pas t’i ndëshkojë ashpër. Për të unifikuar këtë grup të gjerë njerëzish që nuk bënin tjetër veçse i qëndronin besnik nderit dhe moralit tradicional shqiptar, regjimi përdori një term të vetëm për ta: “jatakë”.

Ky përkushtim i popullit shqiptar ndaj ilegalistëve e atdhetarëve të arratisur, që kishin rënë në shënjestër të makinerisë shtetërore të UDB-së, sa vinte e forcohej. Ai nuk u shfaq vetëm si mbështetje logjistike – përmes sigurimit të vendstrehimit, ushqimit apo informacioneve – por mori përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një infrastrukturë të mirëfilltë të rezistencës pasive, e cila vepronte brenda strukturës shoqërore të popullit shqiptar. Ky fenomen dëshmon për madhështinë morale të popullit që, ndonëse i nëpërkëmbur nga okupuesi, dhuna politike dhe shtypja institucionale, nuk u përkul dhe nuk e ndërpreu lidhjen me bijtë e vet më të devotshëm.

Mbështetja e gjerë e popullatës u bë edhe më evidente pas arratisjes së figurave emblematike të rezistencës kombëtare, siç ishte Gjon Serreqi me grupin e tij, Hasan Aliu me grupin e tij nga Remniku, Mulla Idriz Gjilani, Avdyl Dura me bashkëveprimtarët e tij, si dhe shumë të tjerë që gjetën strehë dhe përkrahje në zonën e Anamoravës, të Drenicës dhe në rajone tjera të Kosovës. Këto rajone, që tradicionalisht kishin qenë vatëra të rezistencës shqiptare, u shndërruan në terrene të sigurta për ilegalistët, jo vetëm falë strukturës së saj gjeografike, por mbi të gjitha për shkak të ndërgjegjes së lartë atdhetare të banorëve të tyre.

Në këtë kontekst, është me rëndësi të theksohet se veprimtaria e popullit shqiptar në përkrahje të të përndjekurve politikë nuk ishte thjesht një ndihmë humanitare. Ajo ishte pjesë e pandarë e një lëvizjeje të gjerë shoqërore e politike, që e konceptonte lirinë jo si një dhuratë nga pushteti, por si një e drejtë e patjetërsueshme për të cilën duhej luftuar – edhe me çmimin më të lartë.

Prandaj, në analizën historiografike të kësaj periudhe, nuk mund të trajtohet rezistenca pa u ndalur me seriozitet edhe te roli themelor që luajti popullata shqiptare civile, e cila, përmes aktit të sakrificës dhe guximit, mbajti gjallë frymën e rezistencës dhe u bë garanci e qëndrueshmërisë morale të kombit në kushtet më të errëta të represionit. Ky solidaritet mbetet një nga dëshmitë më të qarta se populli shqiptar nuk ishte thjesht spektator i ngjarjeve historike, por protagonist i tyre, duke dëshmuar një ndërgjegje të thellë politike dhe kombëtare.

Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në dekadat e para të instalimit të pushtetit komunist jugosllav në Kosovë, një nga mënyrat më të shpeshta dhe më të dhunshme për të shtypur rezistencën shqiptare ishte goditja ndaj rrjeteve të ndihmës dhe përkrahjes së ilegalistëve — të njohur gjerësisht si jatakë. Këta qytetarë, shpesh njerëz të thjeshtë, që kishin treguar guxim dhe ndjenjë të thellë solidariteti kombëtar duke strehuar apo ushqyer të përndjekurit politik, u vunë në shënjestër të një fushate të gjerë përndjekjeje, që nuk kurseu as individë, as familje e as fshatra të tëra.

Vijon



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx