Kulturë
Meti Rexhepi: E përbashkëta e njeriut është njerëzorja
E enjte, 30.10.2025, 06:55 PM

E PËRBASHKËTA E NJERIUT ËSHTË NJERËZORJA
Nga
Mehmetali Rexhepi
NGA DËSHMIA E NGAZËLLON
M. REXHEPIT
Ngazëllon
M. Rexhepi përfaqëson dinjitetin e tij kombëtar dhe njerëzor në Francë. Më 3
tetor 2025 në Dingy Saint Claire, në rrethinën e qytetit të bukur Annecy,
mblidhet Asociacioni i Bamirësisë për aktin e përmbylljes së veprimtarisë
bamirëse. Kryesia e këtij Asociacioni përcaktohet njëzëri që anëtarëve të
Asociacionit t`iu qaset me një përmbledhje përshtypjesh vlerësuese pikërisht
Ngazëllon M. Rexhepi. Në praninë e anëtarëve të organizuar vullnetarisht për
vepra humanitare në vendbanimin e lartpërmendur rrëzë malit Parmalan, Ngazëllon
Rexhepi shpalosi përshtypjet e dramës bashkë me gruan e tij, dramë e peripecive
për mbijetesë e dy të rinjve të bukur, që me trastë gjysmë të zbrazur, përplot
ëndrra të papërmbushura endeshin rrugëve të huaja, pa e ditur se ku do ta
kalonin natën. "Ishim, veçse dy hije që kërkonim një grimë shpresë."
Dy
të rinjtë Ngazëlloni dhe Kaltërina iu kishin mbështetur fatit të padukshëm në
mësymjet e tyre për jetën që t`ua siguronte një mirëqenie jetësore. Baraspeshën
e ecejakeve të pafundme në kërkim të mirëqenies ua mbante dashuria e pakëputur
për njëri-tjetrin; një trajtë besimi e vagulluar dhe shpresa... Por, ku i
shpinte kjo sprovë në një mjedis të huaj: pa njohje të gjuhës përkatëse dhe të
njerëzve në rrethana e mendësi krejtësisht tjetërsoj?
Më
tej Ngazëllon M. Rexhepi para një tubimi të konsiderueshëm pjesëmarrësish në
tubimin e Asociacionit, përmes një rrëfimi të shkurtë, i ngjeshur, i
artikuluar, i rrjedhshëm, shpaloi të priturat dhe të papriturat e vuajtjeve,
bujtjeve kudo, përjetime të hirta, por shih: ndodhi mrekullia! Si ndodhi?
Ndodhi rastësia për të cilën thuhet se është "mbreti i botës!"
Të
pranishmit në sallë u përqendruan në ligjërimin shprehimor dhe, tërë sy e vesh
gëlltitnin të emocionuar ligjërimin e sprovave, përmes një frëngjishteje të
kulluar në shqiptimet e gojës së një ardhacaku, që me doza sinqeriteti shfaqte
takimin e rastësishëm me njerëzit e Asociacionit, se si kishte hasur në zemra
të hapura, pa u parë e pa u ndjerë, thellësisht njerëzore! Iu kishte mbushur zemra
me diçka të papërshkrueshme. Ligjëruesi i sprovës pohonte: "Në fillim nuk
kuptonim asgjë: kush ishit ju, pse na ndihmonit, pse e hapnit zemrën tuaj për
dy të panjohur? Por, koha tregoi se brenda këtij asociacioni gjendeshin zemrat
më të mëdha, më humane e më të pastra që
mund të takonim ndonjëherë."
Në
përshkrimin e tij Ngazëllon M. Rexhepi renditi përkushtimin e ndihmës së
anëtarëve të Asociacionit të Dingy Saint Claire: sjelljen sipas rregullave të
shtetit të Francës, mësimi i frëngjishtes, jo vetëm si gjuhë, por edhe frymën e
saj. Në këtë vazhdimësi gjithsesi pason qasja për t'u lidhur me njerëzit që u
gjendën në ditët e vështira dhe, respekti për ta.
Pas
lodhjes fizike e shpirtërore dhe pritjes së gjatë, erdhi viti 2019, kur
Prefektura e Annecy më në fund rregulloi statusin e çiftit Rexhepi. Në rrëfimin
e tij Ngazëlloni solli ndjenjën e gëzimit që kishte përjetuar duke u ndjerë të
lehtësuar... Ai e shpërfaqi atë gëzim përpara fytyrave bamirësish të cilëve po
u lotonin sytë: "Por, dini çfarë? Kishim ndjesinë se ju, miqtë tanë të dashur të Asociacionit, ishit edhe më të gëzuar se
ne dhe, kjo ishte dëshmi se gëzimi juaj për ne ishte i sinqertë, i pastër, i
madhërishëm..."
Në
përmbyllje të paraqitjes së tij, Ngazëllon M. Rexhepi parashtroi dy rrethana mbresëlënëse:
"Sot,
unë dhe Kaltërina jetojmë të lumtur në Francë. Por, kjo lumturi ka sot një hije
trishtimi: Asociacioni ynë i dashur po mbyllet. Një kapitull i çmuar po
mbyllet, por faqet e tij do të mbeten përherë të hapura në zemrat tona."
Duke vijuar diskursi ligjërimor i të riut mërgimtar, sikurse rasti i këtyre të
rinjve, Ngazëlloni shqiptoi shfaqjen dhe përmbushjen njerëzore:
"Ju
na dhatë më shumë se sa mund të kërkonim. Na dhatë kohë, gjuhë, miqësi,
sinqeritet, ngrohtësi..."
Vlen
të nënvizohet pohimi mirënjohës i të riut mërgimtar Ngazëllon M. Rexhepi
kundruall bamirësve e bamirëseve franceze: "Për ne, ju do të mbeteni
gjithmonë njerëzit më të bukur në botë." Nëse po mbyllet Asociacioni që na
ktheu besimin për kthimin e buzëqeshjes në fytyrat e shpirtrat tanë...
"Kujtimet nuk i mbyllë dot askush; ato do të rrojnë me ne, në çdo
Krishtlindje që do të vijë, në çdo buzëqeshje që na shoqëron."
Një
dozë mallëngjimi e mirënjohjes së ndërsjellë kishte kapluar në sallë dyanshëm
zemrat, veçmas përmbyllja domethënëse e udhërrëfyesit: "ne do të kujtojmë
çfarë bëtë për ne dhe do t'ua përcjellim më tej, sepse kjo është trashëgimia
juaj më e madhe: të na mësoni të jemi dritë për të tjerët.
Ju
përqafojmë me gjithë shpirt! Faleminderit!"
Përmbyllja
e tillë e peripecive e të riut shqiptar në Dingy Saint Claire Ngazëllon M.
Rexhepi për bëmat e mira të evropianëve, shpërfaqi nivelin e një dinjiteti
modern evropian, gjithnjë në funksion të ngadhënjimit të miqësisë e të
njerëzores pa paragjykime, tej përkatësive etnike, racore, fetare e, veçantive
të mendësive shoqërore. Si rrjedhojë e përbashkëta e njeriut është vetëm e
vetëm njerëzorja.
Këtu
ngadhënjeu njerëzorja!









