Kulturë
Osman Ahmetgjekaj: Një roman i ngarkuar me emocione që të shtrydhin shpirtin
E enjte, 30.10.2025, 06:36 PM
Një roman i ngarkuar me emocione që të shtrydhin shpirtin
Nga
Prof. Osman Ahmetgjekaj
Ka
libra që lexohen me mendje, të tjerë me zemër. Por ka edhe vepra që përthithen
me të dyja – e më pas të digjen në shpirt. Të trondisin, të ndalin frymën, të
shtyjnë të ndalosh një çast, ta mbyllësh librin dhe të shikosh larg, në
horizontin e një dhimbjeje të njohur, por të pazëshme. E tillë është vepra “Dëshmitar
brenda në ferr” e shkrimtarit Xhavit Çitaku, një roman që nuk rrëfen
thjesht një histori, por të fton të jesh dëshmitar i saj.
Xhavit
Çitaku si një shkrimtar me përvojë dhe ndjeshmëri, na e sjell këtë roman jo
vetëm si një krijim letrar, por si një relikë kujtese, ku jeta e një familjeje
bëhet simbol i një kombi të tërë, e rrahur, e gjakosur, por kurrë e nënshtruar. Por ne kemi nevojë për këtë
dhimbje. Kemi nevojë të ndjejmë, të mos harrojmë. Kemi nevojë të dëgjojmë zërin
e atyre që kanë vuajtur, jo për të mbetur në të kaluarën, por për të mësuar
prej saj. Për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, më të ndjeshme dhe më të
vetëdijshme.
Ky
libër është një akt dëshmie dhe kujtese. Është një thirrje që na kujton se
harresa është forma më e rëndë e dhunës. Dhe se popujt që harrojnë vuajtjet e
tyre, rrezikojnë t’i përjetojnë ato sërish
Libri
“Dëshmitar brenda në ferr”
nuk është një roman i zakonshëm. Ai është një dëshmi jetësore, një
rrëfim që nuk kërkon zbukurime, por kërkon që ne ta dëgjojmë me zemër të hapur
dhe me ndërgjegje të pastër. Leximi i këtij romani nuk është i
lehtë. Jo sepse gjuha është e vështirë, përkundrazi – është e qartë, e
ndershme, e fuqishme. Por sepse dhimbja që mbart ai është e madhe. Sepse çdo
faqe e tij është e ngarkuar me emocione që të shtrydhin shpirtin.
Nga
parajsa në ferr:, rrugëtimi i dhimbjes shqiptare
Romani
hapet me një peizazh idilik, me ajrin e pastër të fshatit të Berishëve, ku jeta
rrjedh mes natyrës dhe traditës. Por kjo qetësi është vetëm një gënjeshtër e
përkohshme. Shumë shpejt, në sfondin e kësaj bukurie natyrore shfaqet hija e
zezë e pushtuesit, e cila, si një erë e ftohtë, përshkon çdo skutë të jetës
shqiptare.
Asllani,
burri që bëhet shtylla e romanit, nuk është një hero në kuptimin klasik. Ai
është më shumë se kaq – është një njeri që mban mbi supe gjithë barrën e
historisë, që përpiqet të ruajë nderin, familjen, dhe tokën në një botë që
përpiqet ta zhdukë. Ai është një dëshmitar i përjetshëm, një njeri i zakonshëm
në dukje, por i jashtëzakonshëm në thellësi.
Tradhëti,
dashuri, dhe gjak – ngjyrat e ferrit
Në
këtë roman, ferri nuk ka flakë, por ka sy që spiunojnë, gra që digjen nga malli
dhe burrëri, fëmijë që rriten në heshtje të dhimbshme, dhe njerëz që vriten dy
herë: një herë nga plumbi, një herë nga harresa. Feridja, vajza që kthehet në
grua, nga një ndjekëse dashurie në një shpagimtare të ftohtë, përfaqëson gruan
shqiptare që nuk dorëzohet, që mban mbi supe jo vetëm shtëpinë, por edhe hakun.
Kapllani,
Zeqoja, Cvetkoja – emra që nuk kanë vetëm role narrative, por mbartin vetë
peshën e së keqes, të tradhtisë së brendshme dhe dhunës së jashtme. Të tillë
njerëz janë fytyrat e ferrit që përmend titulli, ndërsa shqiptarët e thjeshtë,
ata që nuk dorëzohen, janë dëshmitarët që jetojnë për të rrëfyer.
Vlera
artistike dhe kombëtare
Romani
mbart vlera të shumta: Artistike – për ndërtimin e strukturës, gjuhën,
përshkrimin e ndjenjave dhe karaktereve; Historike – për faktet dhe kontekstin
e vërtetë të jetës nën pushtim; Kombëtare – për frymën e atdheut. Ndërkaq, mesazhi
kryesor i romanit është se: Shqiptarët, përkundër dhunës, represionit dhe
tradhtisë, kanë ditur të qëndrojnë dhe të trashëgojnë te brezat pasardhës
dashurinë për lirinë dhe atdheun.
Të
tjera mesazhe përfshijnë: Liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrifica; Tradhtia,
edhe kur vjen nga të afërmit, nuk e ndal idealin kombëtar; Kujtesa është armë e
fuqishme kundër harresës dhe padrejtësisë; Atdheu nuk duhet të paragjykojë
bijtë e vet që vuajnë për lirinë.
Gjuha
si mall dhe plagë
Çitaku
e përdor gjuhën si një gdhendës i vjetër, që me daltën e fjalëve skalit jo
vetëm ngjarje, por edhe ndjenja. Fjalitë rrjedhin natyrshëm, dialogjët janë të
gjalla, përshkrimet herë të buta si puhiza e fshatit, herë të rënda si grushtat
e një gjiganti.
Në
çdo faqe, lexuesi ndjen dashurinë për tokën, për nënën, për lirinë, por edhe
braktisjen, trishtimin dhe zemërimin ndaj padrejtësisë. Në vazhdim gjatë
leximit të romanit po veçoj edhe një pasazh të shkruar me përkushtim, edhe për
zhgënjimin ndaj Shqipërisë zyrtare, që në vend të përqafojë bijtë e vet të
ndjekur nga pushtuesi, i shpërfill, i dënon, i lë në harresë. Falë autorit, një
histori që mund të kishte mbetur në harresë, është kthyer në një rrëfim të
fuqishëm që na bashkon, na prek dhe na frymëzon.
Autori
i romanit Xhavit Çitaku ka ditur të shndërron dhimbjen në forcë rrëfimi, ka
ditur të gërmoj në të kaluarën pa urrejtje, por me një ndjeshmëri të rrallë dhe
me një përgjegjësi të madhe morale.
Me
këtë libër, ai nuk ka shkruar vetëm një roman – ka ndërtuar një monument
kujtese. Një homazh për të gjithë ata që u sakrifikuan, që u tradhtuan,
që u nëpërkëmbën, por që nuk u përkulën.
Një
histori që është e jona, e të gjithëve
Romani
nuk është thjesht historia e një familjeje. Është pasqyra e një shekulli
vuajtjeje dhe qëndrese shqiptare, ku brez pas brezi përcillet jo vetëm dhimbja,
por edhe drita e shpresës. Shabani, nipi i Asllanit, bart shpresën e brezit të
ri, që ngrihet në demonstrata, që lufton me penë e pushkë për një të nesërme
ndryshe.
Në
këtë mozaik personazhesh, në këtë rrëfim që alternon ferrin me forcën e
shpirtit njerëzor, lexuesi nuk mund të qëndrojë thjesht spektator. Ai bëhet
vetë dëshmitar – ndoshta i heshtur, por jo i pandjeshëm. Këto personazhe, këto
fate, këto vuajtje, në të vërtetë,, janë në fakt historia jonë kolektive – janë
historia e atyre që kanë jetuar në kufirin mes jetës dhe vdekjes, mes shpresës
dhe dëshpërimit, dhe që megjithatë kanë qëndruar në këmbë.
Kujtesa
që mbron nderin
“Dëshmitar
brenda në ferr” është më shumë se një roman. Është një akt kujtese, një akt
drejtësie, një akt dashurie për kombin dhe për të vërtetën. Me syrin e tij të
mprehtë dhe zemrën e butë, Xhavit Çitaku na e sjell këtë vepër si një gdhendje
në mermerin e historisë, ku çdo gërvishtje është një kujtim, një plagë, një
betim se e vërteta nuk do të harrohet.
Këtë
roman thjesht nuk e shoh vetëm si letërsi – por si memorial të gjallë të një
populli që nuk u shua, si këmbanë që i kujton kujtdo se heshtja është krim,
ndërsa kujtesa – shpëtim. Andaj, Le ta shpërndajmë këtë libër, le ta lexojmë me
zemër të hapur, le ta përcjellim tek brezat që vijnë – sepse ky libër është një
trashëgimi që nuk guxojmë ta lëmë në heshtje.
Në
këtë ferr që është historia e jonë, ende ka dritë. Dhe kjo dritë vjen nga
dëshmitarët që nuk heshtin.









