Kulturë
Kadri Tarelli: Kristaq Turtulli dhe 'Pianisti'
E merkure, 29.10.2025, 06:52 PM
Është vlerë të jesh i zgjuar, është vlerë të jesh i suksesshëm në jetë, të kesh pamje të hijshme e serioze. Është vlerë të jesh udhëheqës i ndershëm. Numërohen shumë vlera në këtë botë, por me mirësinë nuk krahasohet dot asnjëra - Kopi Kyçyku
KRISTAQ TURTULLI dhe
“PIANISTI”
Mbresa
e përjetime
Nga
Kadri Tarelli
Më
pëlqen muzika, por i anashkaloj krijuesit dhe biografitë e tyre. Edhe për
artistët, kujdesem pak që të mësoj të fshehtat e jetës së tyre të trazuar. Më
shijon arti, krijimtaria letrare, muzikore dhe pamore, ndaj i vlerësoj ata edhe
për shpirtin rebel. Thjesht dëgjoj muzikë, madje edhe kur lexoj, apo marr
mundimin të shkruaj, e le në sfond me zë të ulët.
Dikush
më tha gjeje dhe merre librin
“Pianisti”, (novela), të shkrimtarit e romancierit të njohur Kristaq Turtulli.
Do kënaqesh....! Nuk u lodha shumë, pasi lehtësisht e gjeta në “Panairin e
librit”, të organizuar në këto ditë nëntori 2013, në Tiranë.
Në
ballinë, dy duar me gishtat nevrik, lozin mbi tastierën e pianos. E përfytyroja
ndryshe: një zotëri i veshur me stilin klasik, e leshra të lëshuara e të
shprishura, që i vareshin mbi ballë duke u lëkundur ashtu të ngatërruara, etj,
etj. Më pëlqen edhe kështu, thjesht që godet në shenjë pa mëdyshje. Është një
zgjidhje artistike mjaft e goditur, pamje e papërcaktuar nevrike, për të thënë
atë çka gatuhet brenda nëpër rreshtat dhe faqet e shkrimit “Pianisti”, që i ka
dhënë emrin edhe vetë librit.
Tregimi
rrjedh natyrshëm, qetësisht, si ujët e lumit Vjosa në ditë të ngrohta të
beharit. Më kishte marrë malli të lexoj e kujtoja shumë fjalë të përdorura kohë
më parë në fjalorin tim, tani të “harruara” e të lëna mënjanë si të pavlera.
E
gjitha nis me një telefonatë të largët, për një lajm të keq, për një person e
histori të largët e të venitur nga vitet. E rrëfyer në vetë të parë, me një
fjalor për t’u pasur zili, larg gjuhës standarde, duket sikur ngjarja është
reale dhe përjetuar, siç mund t’i ndodhë çdokujt, pavarësisht se ku, në
mëhallë, në fshat apo qytet.
Është
një formë mjaft e gjetur e shkrimtarit rrëfimtar, që të bën ta çosh deri në
fund këndimin, ta besosh e të kuvendosh, madje edhe të bëhesh ortak me heroin
kryesor, “mësuesin e rusishtes”, për të shtuar diçka që ai s’e thotë, ose që
qëllimisht e le si në mjegull.
Nuk
ka nevojë të përshkruhet përmbajtja. Ç’ kuptim ka të ritregohet? Rreth tre
personazheve vërtitet e gjitha. I pari Mësuesi i rusishtes, pastaj Belbani (më
shumë duket si emër i pabukur, qëllimisht i sajuar) dhe më tej Poli, ose më
gjatë Polikroni. Tipa krejt të ndryshëm të gjendur në një qytezë të vogël dhe
të puqur rastësisht, ose mjeshtërisht nga autori. Çudi si mund ta gjejnë
muhabetin mes tyre? Po kështu ndodh në jetë, mbase më shumë në provincë, ku
s’ke ku përplasesh, veç tek klubi “Kuçi gota” dhe tek gota e rakisë, ose tek
loja e bilardos, kur fatmirësisht gjendet një e tillë. Këto s’para ngacmojnë
ndjesi, pasi duken si një sfond i zymtë i një pjese dramatike, që zhvillohet në
një cep të botës dhe kaq.
Edhe
pakënaqësia dhe shfryrjet e mësuesit të rusishtes, duken të ftohta, pavarësisht
se janë pjesë e jetës shqiptare, të atyre mijëra mësuesve që dekada më parë u
degdisën dhunshëm në zona të largëta, në emër të detyrës dhe s’u shpërblyen si
duhet, por që nuk u ngulën të krijojnë rrënjë.
Nuk
çudit njeri edhe Belbani, që me një kurs çfarëdo ishte përgjegjësi i shtëpisë
së kulturës. Vallë vërtet s’kishte tjetër...!? Me një fjalë ishte emëruar
drejtues i jetës artistike e kulturore të qytezës, ku kishte edhe një shkollë
të mesme. Ishin të zakonshme të tilla ndodhi. Ndërsa ndryshe është Poli: i heshtur,
elegant, i drejtë sikur ka përpirë okllai, do të shtonte ndonjë korçar
shakaxhi.
Fshatar
i çuditshëm ky, jo si të tjerët. I hekurosur, me jakën e këmishës të ngritur si
fisnikët e hershëm, sqimatar dhe i kujdesshëm deri në vogëlsi, aq sa mos i prishej
hekuri i pantallonave kur ulej diku. Asnjë fjalë, kush është e ç’ka në kokë.
Enigmatik, sa bëhet i bezdisshëm me heshtjen e tij. Vjen në çdo fund jave në
qytet dhe kaq.
Meritë
e autorit që e le këndonjësin të hamendësojë dhe të pyesë: - More! Po ç’është
ky fshatar, me pamje e veshje aristokrati, tamam si “dhia mes deleve”, që vjen
e ikën si hije në jetë e rëndomtë të qytetit të vogël......!?
Lexon
e këndon lexuesi, po pianisti s’po duket gjëkundi.
Jetën
e qytezës e trazon Dodona, vajza e doktorit, studentja që me orë të tëra luan
në piano në shtëpinë e kulturës. Thashethemet mbushin dynjanë, ushqimi
shpirtëror për gratë, që s’kanë me se të merren dhe rrëmojnë plehun e botës,
apo trazojnë hirin në vatrat e shtëpive të mëhallës. Dodona si në një shfaqje teatri,
qëndron prapa perdes të vjetër e pangjyrë, apo mbledhur në një shtëllungë reje
në ngjyrë të bardhë, që më së shumti bëhet gri, që endet në hapësirat qiellore
pa kufi. Nuk duket në rrugica e as në qytet, nuk i a sheh kush fytyrën, ndërsa
ndjehet çdo lëvizje e saj, çdo brengë, çdo psherëtimë, çdo lot i rrjedhur
faqeve, madje edhe gjumi dhe frymëmarrja e mekur nga trishtimi. Dikujt i
dhimbset, po të tjerët nuk e lenë në hallin e vet. Disa, sipas ligjeve të
pashkruara të provincës, e shajnë, e mallkojnë, e dënojnë dhe ia nxijnë jetën.
Pikërisht
në një çast pritje dhe padurimi shfaqet Poli “Pianist”. Habitet mësuesi i
rusishtes, që më në fund e zbulon të fshehtën. Zemërohet Belbani, që doli në
dritë mjeshtëria e Polit, mbase e dinte po nuk bënte zë. I ndjeshëm ndaj
paaftësisë së vet, bëhet dru dhe gur. Ndoshta, është ai i paudhë, që i ka prerë
rrugën artistit......? Këtu këndonjësi gjen shpjegim. Paraqitja dhe veshja e
Polit nuk është rastësi.
Një
fund brilant i tregimit. Autori ka një frymëzim, që të ngazëllen. Të bën ta
jetosh me shpirt të trazuar atë skenë, aq sa bëhesh njësh me të. Nuk besoj se e
ka sajuar. Lexojeni dhe do të bindeni. Më së shumti do të ndjeni kënaqësi të
fjalës dhe rrëfimit të sinqertë.
Çdo
këndonjësi, ashtu si mua, duke përjetuar fundin e magjishëm, vetiu i lindin
shumë pyetje, të cilat kërkojnë të dalin nga gryka e thesit mbushur plot:
.
Ç’e shtyu “Pianistin”, të mbyllet në vetvete e të ngujohet në një vend të
humbur e të jetojë si asket?
.
Mos vallë ndonjë dashuri e shkërmoqur në vorbullat e jetës, ashtu si e Dodonës?
Mbase......! - Në novelë rrëfehet më pas, hollësisht.
.
Më tej akoma: - Kaq e fortë qenka dashuria......!? - Këtu ndalemi......!
Vjen
përgjigja: - Veç ai që e ka provuar prushin e saj, e di, e ndjen dhe e
përjeton. Të tjerët hamendësojnë, rrëfejnë dhe shumë gënjejnë.......!
Kristaq!
Urime dhe falënderim për këtë libër kaq të bukur!
Suksese
miku im i shumënjohur në letrat shqipe, në shkrimtari, poezi dhe lojën e
ngjyrave në pikturë! Presim të tjera botime me kaq vlerë.
Kadri Tarelli
Durrës më: 18, të vjeshtës së tretë, 2013.









