E diele, 26.10.2025, 12:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Kuvend letrar

E shtune, 25.10.2025, 06:58 PM


Kadri Tarelli shkruan:

Së fundmi, secili duhet të bëjë pyetjen: - Kombi më dhuroi vendlindjen, racën, gjuhën dhe emrin e madh “Shqiptar”, po unë ç’bëra për të.....?!

Vilhelme Vrana Haxhiraj

KUVEND LETRAR

Në shkollën e Mesme “Jusuf Hoti”. Katundi Ri. Durrës.

Mes jave të muajit, vjeshta e dytë, 2025, drejtoria dhe kolektivi i shkollës së Mesme të Bashkuar, “Jusuf Hoti” në komunën Katundi Ri, të Durrësit, me rastin e “Muajit të letërsisë”, organizoi “kuvend letrar”, duke ftuar disa shkrimtarë e poetë durrsak, Kadri Tarelli, Merita Kuçi Thartori, Ali Balliu dhe Zemrita Hereni.

Pritja u bë në bibliotekën e shkollës, që u tejmbush nga ekipi i mësuesve të shkollës mikpritëse: Krenar Mema, drejtor, Xhyhere Arifaj, (mësuese letërsie), Trëndafile Koleci, (Mësuese letërsie), Esmeralda Thaçi, Gentiana Çejku, Xhovana Sula, Behije Neziri Jangulli, (psikologe). Shoqëruar nga një grup nxënësish, të etur për dije dhe të dashuruar me letërsinë e kohës: Frida Vrioni, Anesa Kaja, Klevis Shqopa, Alketa Mesaja, Marsela Balla, Marina Cara, Ester Këlmendi, Tiamis Thaçi, Daniel Ahmetaj, Rean Lushi, Alxhesika Mesaja, Antonela Palushi, Alida Lita, Shefije Hoda.

Që në nisje, më duhet të them se unë bashkë me kolegët Ali Balliu dhe Zemrita Hereni, vite të shkuara kemi shërbyer për shumë kohë në këtë shkollë, si mësues dhe drejtues shkolle, ndaj e ndjenim veten si në shtëpinë tonë. Po ashtu si pjesë e grupit tonë ndjehej edhe kolege Merita Kuçi Thartori, tashmë  e njohur si poete e veprimtare, njëkohësisht prej vitesh si drejtore në shkollën “14 Nëntori” të qytetit të Durrësit.

Kuvendi nisi shtruar, pas përshëndetjes, prezantimit dhe falënderimeve të çastit, ndaj drejtorisë, mësuesve dhe më pas ndaj më të përkëdhelurve, nxënësve që pëlqejnë të këndojnë letërsi të bukur. Secili nga ne shtroi në tavolinë librat e botuar, të sjella enkas për pasurimin e bibliotekës, në shërbim të nxënësve dhe kohës në vazhdim.

Kuvendi niset dhe bitiset. Unë si më i vjetri paraqita disa nga botimet e mia: “Kur lexoj një libër”, “Vjeshta në vargje” dhe librin më të fundit me tregime, “Filxhani me buzë të kafshuar”. Ngjitur me to edhe librin “Në botën letrare të Kadri Tarellit”, shkruar e botuar nga shkrimtarja e njohur vlonjate, Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Në fjalën time të shkurtër, u përpoqa të risjell në kujtesë, vitet e vështira në të cilat kemi shërbyer, duke udhëtuar me biçikletë, për njëzet vite me radhë, ditën dhe natën, në erë, diell e shi, nga Durrësi në Katund të RI, e kthim. Kur koha kalon dhe bën llogarinë e jetës, mundimet dhe vështirësitë i shumëzon me zero, sepse kujtimet me copëza jete, të mbushura me jetë dhe veprimtari mblidhen si dëshmi shpërblimi. Mjafton të takosh njerëzit me të cilët ke ndarë shqetësimin, fjalën, mundin dhe vlerësimin dhe gjithçka kthehet në burim kënaqësie. Unë ruaj një nderim të veçantë për banorët shumë arsimdashës të kësaj zone, pasi janë të pakta shtëpitë që nuk kam hyrë, qoftë edhe për një kafe apo bisedë të shkurtër, lidhur me historinë e zonës apo për ecurinë e fëmijëve në shkollë.

Në këtë udhë mendimi, më duhet të përmend me mburrje, se nga kjo shkollë kanë dalë tre Prof. Dr. Shkencash: Mit’hat Mema, Shpendi Shahini dhe Hazbi Lika, duke shtuar shkrimtarë e diplomatë, me dhjetëra pedagogë universiteti, fizikanë, mësues, mjekë, ekonomistë, ushtarakë, agronomë, veterinerë, poetë, artistë e piktorë, që na nderojnë kudo ku jetojnë e punojnë.

Mos harrojmë, ishte dhe është shkollë e vogël, por rezultati është i madh, i njohur, i prekshëm. Kolegu ynë i nderuar Ali Balliu, i ndodhur këtu mes nesh, specialist në Bujqësi, mësues dhe drejtor i kësaj shkolle për disa vjet, sot edhe shkrimtar e krijues, rrëfen me kënaqësi për ato kohë, kur shkolla jonë dhe e juaja, ishte shndërruar në qendër takimesh, seminaresh dhe kronikash televizive në rang kombëtar. Aq e vërtetë kjo sa tre anëtarë të kolektivit të mësuesve janë dekoruar nga Kuvendi Popullor, me urdhrin “Naim Frashëri”.

Të them të drejtën, kur preket kjo temë ndjehem i lumturuar, pasi kam ç’të them për vete, për kolektivin e mësuesve, për nxënësit e mençur, të ditur e punëtorë, që kishin etje për mësim dhe studim. Tradita le të vazhdojë të trashëgohet e pasurohet çdo vit.

Besoj se këto arritje e vlejnë të pasqyrohen në librin e historisë së shkollës. Do më vinte mirë të dëgjoja, se këtë detyrë e merrni përsipër ju nxënësit. Është ndërmarrje e vështirë, por jo e pamundur. Le të jetë ky një fillim i bukur ndaj shkrimtarisë dhe krijimtarisë.

Këto ishin fjalët e para, për të vijuar me disa të fshehta të librave të mi, duke u ngulur më shumë te “Filxhani me buzë të kafshuar”, si libri i fundit, ku shumë tregime apo rrëfime, kanë zënë fill nga jeta këtu mes njerëzve. Mund të përmend: “Kambana e dashurisë”, “Si rakia u kthye në ujë”, “Kryetar, ndërroje atë pesëqindëshe”, “Dashuri adoleshenti”, etj. Tregimet janë të shkurtra, të jetuara, ku kam ndërruar vetëm emrat e personazheve, duke ruajtur masën e humorit dhe të veprimit. Nëse dikush nga ju nxënësit, duke lexuar mund të thotë, se në çdo tregim ka pak histori, (emër, vend e datë), pak reportazh, (gazetari), njëkohësisht edhe letërsi me bollëk, ku ngacmimi sjell frymëzim e shkrim. Nëse ndodh kështu, do të jem i lumturuar.

Disa nxënëse, Frida Vrioni, Klevisa Shqopa, Anesa Kaja dhe Marsela Balla, pritën të gatshme të bënin pyetje lidhur me letërsinë, veprimtarinë letrare dhe tematikat e shtruara nëpër libra. Është interesante dëshira e tyre, për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë letrare të secilit nga ne, si autorë librash. E kam ndeshur edhe në takime të tjera, ndaj më pëlqen të mendoj e të pyes: - Nuk e di ç’i shtyn? .... Kurioziteti ndaj të panjohurës, apo pëlqimi dhe zgjedhja e një modeli nga përvoja e poetëve dhe shkrimtarëve, pasi jo të gjithë kanë dhe ndjekin të njëjtën udhë në krijimtari?

Pyetja: Kur fillove të shkruash, cila ka qenë shtysa dhe temat më të pëlqyera.......?

Përgjigje: Letërsi fillova të shkruaj vonë, por lexoja dhe lexoj shumë, madje mbaj edhe shënime, kur më pëlqejnë i bëj edhe një shkrim që e botoj. Merresha më shumë me shkrime historike, kumtesa, referate, që më kërkonte puna si mësues. Në veçanti detyra për ndërtimin e muzeut, në fillim i muzeut të shkollës fillore e 8-vjeçare, këtu në Katund të Ri, më pas ndërtimi i Muzeut të Zonës, po në Katund të Ri, që u përurua në mjediset e Pallatit të Kulturës. Vepër madhore e cilësore, për të cilin më vjen keq, se në ditët e para të ndryshimeve politike të viteve 1991-1992, muzeu u mbyll, më mirë duhet thënë u prish. Shkoi dëm gjithë ajo punë disa vjeçare, punë krijuese, studimore, historike, njëkohësisht grumbullimi i dokumenteve, që sot nuk mund të zëvendësohen.

Pas viteve 1991-92, si drejtor i shkollës “B. Curri” në Plazh të Durrësit, u përfshiva në valën e transformimeve të shkollës dha arsimit shqiptar, duke botuar artikuj në shtypin e kohës, kryesisht te gazeta “Mësuesi”. Vija re se shkrimet e mia pëlqeheshin jo vetëm nga kolegët mësues e drejtorë shkollash, por shpesh vendoseshin edhe si kryeartikuj. Gjë që më ngrohte tej mase dhe më nxiste të shkruaja, duke gjetur tema sa interesante aq edhe të dobishme për shkollën, mësimin dhe edukimin e nxënësve.

Sot e them me bindje se gazetaria ishte dhe mbetet një shollë e madhe për mua, sepse kërkohet guxim e vullnet, ku vlerësohet e çmohet problemi, në saktësi mendimi dhe cilësi shkrimi: shkurt e qartë, duke i lenë pak vend edhe frymëzimit letrar.

Miqtë më shtynë t’i grumbulloj artikujt, pasi ishin bërë shumë. Më pas të shkruaj, pasi nuk më mungonte kultura e të shkruarit dhe as frymëzimi letrar. Aq sa në çdo takim, konkurs apo kuvend letrar, dëgjoj dhe fotografoj me kujdes, sepse në fund i kërkoj vetes një shkrim sado të thjeshtë. Më vjen mirë që lexuesit i pëlqejnë. Dhe, kurdoherë me shaka u them miqve dhe shokëve: - Pse nuk e shkruan këtë rrëfim kaq të bukur......!?

Pyetje: - Cilat nga këto ngacmime të shtyjnë të shkruash: ndjesitë e kënaqësisë apo trishtimit, ndodhitë apo frymëzim çasti......?

Përgjigje: - Janë të tria bashkë dhe nuk mund t’i ndaj dot. Çasti është vendimtar në poezi, sepse ngjall frymëzim, pa të cilin poeti nuk merr frymë. Ndërsa në prozë, çasti le gjurmë aq sa edhe kur koha vrapon e largohet. Çasti të shpon si gjemb i mbetur në lëkurë, apo si gozhda në këpucë. Duket sikur thotë: - Pse nuk e shkruan? Pasi ka jetë dhe i shërben jetës, sepse përcjell një kumt me vlerë për lexuesit e të gjitha moshave.......!

Pyetje: - Ç’ vend zënë ndjenjat në tregimet e tua......?

Përgjigje: - Përgjigje e vështirë dhe mjaft e gjatë, ndaj po i bie shkurt.....! Sepse më duket sikur do hyj në diskutim filozofie. Ndaj lexoni në librin tim, tregimin “Dashuri adoleshenti” dhe do të kuptoni ndjesitë, shqetësimet, përgjegjësitë dhe adhurimin e mësuesit, në marrëdhëniet mësues-nxënës. Janë ngjarje të rralla, por në kujtesë mbeten të gjalla.

Në fakt, kështu siç po shkruaj, duket sikur isha vetëm unë në këtë tubim kaq të bukur e mbresëlënës. E vërteta është se i gjithë takimi u shndërrua në një kuvend letrar, ku secili nga pjesëtarët e merrte fjalën, duke plotësuar njëri-tjetrin, me krijimtarinë dhe përvojën e tij. Është mësim i bukur, sepse edhe ne kemi nevojë të shkëmbejmë jo vetë libra, por edhe përvojë, që rrallë shprehet e thuhet kaq çiltërsisht.

Një kohë mjaft të plotë pati fjala e poetes Merita Thartori, autore e disa botimeve të saj me poezi. Pjesëmarrëse në shumë takime e konkurse letrare këtu në Shqipëri dhe në Dardani. Korrektore dhe redaktore e disa librave të poetëve të tjerë. Drejtuese e shumë veprimtarive letrare, shkencore dhe artistike në Durrës dhe në mbarë trojet Arbnore, si në Mal të Zi, Maqedoni dhe Dardani. Vlerësuese kritike e librave të lexuar, ku zë vend mjeshtëria e fjalës, frymëzimi dhe mendimi i pjekur letrarisht.

Poetja foli për librin e saj më të fundit me poezi: “Unë jam Ti”, duke recituar disa vargje nga poezia “Jam gjethe” dhe duke shtuar se është çasti magjik, që nxit shpirtin dhe frymëzimin për të krijuar poezi.

Në vazhdim të fjalës, nuk nguroi të verë në dukje vlerat e librit “Në botën letrare të Kadri Tarellit”, libër i shkruar nga autorja nga Kanina e Vlorës, znj. Vihelme Vrana Haxhiraj. Personalitet në letrat shqipe, anëtare e Akademisë shkencore, letrare, artistike, Shqiptaro-Amerikane. E vlerësuar botërisht me çmime dhe tituj nderi, si këtu në Shqipëri ashtu edhe në Britani, Itali, Suedi, Mali i Zi e deri në Indi.

Në bisedë nuk nguroi të përfshihet edhe kolegia Zemrita Hereni, sot mësuese historie në shkollën “14 Nëntori”, në Durrës. Ajo solli mbresa nga puna e saj në këtë shkollë, kur filloi punë para do kohësh. Për kënaqësinë tonë tregoi një fotografi të gazetës “Mësuesi”, të vjetër të njëzet viteve më parë, si pjesë e koleksionit të saj, si mësuese e pasionuar pas historisë dhe muzeut të trashëgimisë. Mos t’u duket çudi, kur i përsërita pak më vonë: - Pse nuk i shkruan këto çaste, që i kujton me kaq mall.....!?

Besoj se u thanë boll gjëra me vlerë, për dëgjuesit dhe bashkëbiseduesit në këtë takim, që do ruhet gjatë në kujtesën tonë të përbashkët. Shkrimi le të mbetet si dëshmi e kohës që i flet kohës.

Urimet më të mira për nxënësit që e duan letërsinë! Suksese......!

Urime mësuesve të kësaj shkolle, si “Misionarë të dijes dhe edukimit”. Suksese në punën mësimore edukative. Mësuesia është profesion, por me shumë “Mision”, ndaj shoqërisë, mëmëdheut dhe kombit.

Falënderim drejtorit Krenar Mema dhe organizatorëve. Veprimtari të tilla e zbukurojnë jetën dhe traditën shkollore.

Të gjitha së bashku nderojnë dhe lartësojnë emrin e shkollës “Jusuf Hoti”, në Katund të Ri.

Miqësisht dhe mirënjohje!

Kadri Tarelli

Katund i Ri, më, 18, të Vjeshtës së dytë, 2025.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx