E diele, 26.10.2025, 12:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Habazaj: Më i bukur në Vlorë ky tetor, si muaj i letërsisë dhe artit

E shtune, 25.10.2025, 06:57 PM


Poeti dhe studiuesi Albert Habazaj me kumtesën Tetori i letërsisë në Vlorë, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Vlorë. 23.10.2025

Tetori i letërsisë në Vlorë

MË I BUKUR NË VLORË KY TETOR, SI MUAJ I LETËRSISË DHE ARTIT

Kumtesë në aktivitetin letrar “Eklipsi i fjalës”, organizuar nga Qendra Kulturore e fëmijve “Barjam Tushi” Vlorë në kuadrin e muajit Tetor si muaj i Letërsisë dhe Artit

Nga Albert HABAZAJ

Së pari, falënderoj Qendrën Kulturore të Fëmijve “Barjam Tushi” Vlorë, drejtuesen Albana Tushe Curo për këtë organizim të veçantë e simbolik në vijim të stafetës së dritës së ngrohtë e të shndritshme të librit tek brezat, tek yllkëzat, gonxhet e jetës që rriten shëndetshëm dhe miredukohen për të qenë të denjë për vete, për familjen, Shqipërinë e Atdheun. Po aq, i shpreh mirënjohjen poetit të ri Shoni Malaj për këtë nismë domethënëse dhe ftesën për të marrë pjesë me një poezi timen në veprimtarinë letraro-kulturore “EKLIPSI I FJALËS”, si dhe me këtë kumtesë të thjeshtë për tetorin si muaj i letërsisë në Vlorë.

Mrekullia janë këta fëmijë kaq të bukur, të mirë dhe të ëmbël, që këndojnë si zogj me cicërima e recitojnë kaq lirshëm, natyshëm e me dëlirësi poezitë tona. I falënderoj me zemër, se ata na fusin në botën e tyre të ëndrrave, na marrin në moshën e tyre lulëzimtare, na japin aromën e tyre të këndshme, si aroma e gonxheve tek çelin lule…

Nuk mund të kuptohet tetori pa poezinë. Nuk mund të kuptohet poezia pa Vlorën. Nuk mund të kuptohet Vlora pa Fatos Arapin. Nuk mund të kuptohet Fatos Arapi pa muzikantët e shpirtit, pa lajmëtarët shenjtorë midis qiellit dhe tokës, pa magjistarët e  fjalës së artë poetike në Shqipërizën tonë të shtrenjtë e të shenjtë.

Jemi mësuar dhe është kthyer traditë e mirë tek ne, që ta quajmë, ta cilësojmë dhe ta shndërrojmë muajin tetor në muajin e letërsisë dhe artit, pasi është kthyer tashmë në një muaj festiv, ku lexues të ndryshëm dhe shkrimtarë takohen në veprimtari të  larmishme, në mjedise të qendrave të kulturës dhe artit, në biblioteka, në auditore universitare, gjimnazesh apo shkollash 9-vjeçare, në panaire librash, apo në qendrat kulturore të fëmijëve si kjo folezë e ngrohtë dhe simpatike e qytetit tonë të dashur, Vlorës, ku vendin kryesor e zë poezia.

***

Tetori, në rrafshin e kulturës letrare dhe kombëtare, është një muaj i shenjtë për shqiptarët sepse pikërisht në tetor kanë lindur shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe si: Gjergj Fishta (23 Tetor 1871-30.12.1940), Migjeni (13.10.1911-26.08.1938) dhe Dritëro Agolli (13.10.1931-3.02.2017).

Muaji i letërsisë ka synim të orientojë shoqërinë drejt kulturës së të lexuarit. Ky muaj mbart në vetvete vlera të çmuara që luajnë rol të rëndësishëm në jetën tonë. Libri është çelësi i mendjes dhe çdo lexues i vëmendshëm i tij mund të jetë çelësi i një bote të mirëfilltë. Letërsia është ajo që i pasuron njerëzit në shprehje, në ndjenjë, në artin e të folurit, të menduarit, të kuptuarit, të emocioneve njerëzore. Letërsia na karakterizon ne si njerëz e na bën të hyjmë në një botë tjetër, duke dëgjuar melodi ritmike, që nuk i dëgjon askush tjetër.

Jo vetëm gjatë muajit të letërsisë, por çdo muaj të vitit e çdo vit të jetës, ne shprehim nderim për të gjithë shkrimtarët që kanë dhënë dhe japin kontribute në literaturën shqiptare, sidomos në letërsinë për të rritur.

Libri është ai që vesh mjediset e shkollës, universiteteve apo institucionet letraro - artistike e kulturore me plot ngjyra, ide dhe imazhe.

Edhe ne, si Vlorë letrare, kemi bërë mjaft përurime librash (diskutime më pak) jo vetëm të autorëve vlonjatë, sidomos kemi pasur synim letërsinë femërore në qytet e më gjerë, por kemi mikpritur edhe autoritete letraro-kulturorë nga Tirana, Shkodra, Lezha, Gjirokastra, Tepelena, Fieri, Lushnja, deri dhe nga Tuzi (shqiptarët e Malit të Zi), Kosova, Çamëria etj. Është interesante se në tetor kanë vdekur edhe dy poetë, ndër më të shquarit e letërsisë shqipe: Naim Frashëri (Frashër - Përmet, 25 maj 1846Stamboll, 20 tetor 1900), poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, hartues tekstesh, përkthyesi i parë i pjesëve të Kur'anit në gjuhën shqipe dhe veprimtar i shquar i arsimit kombëtar shqiptar. Është quajtur Bilbili i Gjuhës shqipe, Po ashtu Fatos Arapi ynë (Zvërnec, 19 Korrik 1929 - Tiranë, 11 Tetor 2018), është ndër poetët më në zë të Shqipërisë, krenari për Vlorën dhe Shqipërinë.

Dy fjalë për poetët e lindur në tetor:

Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 - Shkodër, 30 dhjetor 1940) ka qenë frat françeskan, arsimtar, poet, shkrimtar, përkthyes, akademik, dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë “Përmeti” në Konferencën e Versajës, zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921 si dhe përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar ndër disa konferenca ballkanike gjatë viteve '30. Pas pushtimit italian u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë, që e priti ngrohtësisht ardhjen e "Perandorisë Romake" në Shqipëri në veprën e fundit të jetës së tij, shkrime të cilat më pas u përdorën nga regjimi fashist për qëllime propagandistike.

Ka shkruar mbi 50.000 vargje në lirikë, në epikë, dramatikë, satirë, agiografi, etj.

Pas dekadës së dytë të shekullit XX, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për një gjysmëshekull, ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje sa ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Për kontributet e tij u nderua me urdhëra nderimi dhe dekorata nga autoritetet osmane, austro-hungarezët, grekët, kleri katolik dhe italianët. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e tij u ndalua dhe qëndroi e tillë deri kur ra diktatura komuniste

Veprat e Fishtës (pa përfshirë përkthimet):

1. Lahuta e Malcis (poemë) - 1937, me15.613 vargje tetërrokëshe, me 511faqe, për të cilën iu deshën 32 vjet për ta nxjerrë në dritë kryeveprën epike të literaturës shqipe, për të cilën u cilësua Homeri i Shqipërisë;

2. Anzat e Parnasit (satirë) - 1907

3. Vallja e Parrizit (me përmbajtje fetare) -1909

4. Shen Francesku i Asizit (vëllaznia) -1909

5. Shqyptari i gjytetnuem (melodrama) - 1911

7. Juda Makabè (tragjedi) - 1920

8. Gomari i Babatasit (satirë) - 1923

9. Mrizi i Zanave (me subjekt kombëtar) - 1924

10. Baritë e Betlemit (melodrama baritore) - (1925)

11. Sh. Luigji Gonzaga (melodramë) - 1927

12. Shna Ndou i Padues (e vetmja vepër e Fishtës, që fund e majë ka karakter fetar) - 1927

13. Shqyptarja e gjytetnueme (melodramë) - 1929

14. Ifigenija n’Aulli (tragjedi) - 1931;

15. Odiseja, (me subjekt fetar dhe kombëtar) -1931

16. Jerina ose mbretnesha e luleve (melodramë) - 1940

17. Taralloqja e Ballkanit (satirë), botim postum - 1944.

Migjeni (Shkodër, 13 Tetor 1911 - Torre Pellice Torino, 26 Gusht 1938). Sipas studuesit Robert Elsie, me Migjenin nis rrugën poezia bashkëkohore shqipe dhe ai mund të quhet poet universal. Ai së bashku me Lasgush Poradecin janë lajmëtarët e bashkëkohësisë.

Para se të shpreh dy fjalë për biografinë e tij, dua t’ju kujtoj thënien e shndritshme të prof. Skënder Luarasit për të: “Me Migjenin u pa se në qiellin e Shqipërisë, ku dukej se qenë shuar yjet letrarë, po lindte një diell” (Tiranë, më 26 Gusht 1956)

- Millosh Gjergj Nikolla është emri i tij i vërtetë, pasi Migjeni është emri i tij i pendës. Ishte poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të.

Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni ?", etj.

Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

- Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar. Pasi përfundoi semi-maturën më 1927 me rezultate të mira, për vitin shkollor 1927-1928, kundër dëshirës së tij, e regjistruan në Seminarin ortodoks "Jan Shën Teologu" po në atë qytet. Në pasaportën që pati marrë në Manastir prej konsullatës shqiptare lexohen shënimet e titullarit: "Shtati i lartë, balli i rregullt, sytë gështenjë, hunda e rregullt, goja normale, flokët gështenjë, mjekra e mustaqet e rruara, ngjyra e bardhë, shenja të veçanta s'ka". Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë (23 prill1933), Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat "Iliria", "Bota e re" etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin "Vargje të lira", të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Takon Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me rioshin Lazër Radi, gjë që do frymzonte këtë të fundit t'i kushtonte një libër kujtimesh. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për t’u shëruar nga sëmundja e mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

- Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm. Në themel të veprimtarisë së Migjenit qe një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt' e shekullit të ri”, “Shkëndija’, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Të famshmet “Vargjet e lira” migjeniane janë të gjithëkohëshme dhe rrokin tërë hapësirat, ato nuk vyshken kurrë, nuk perëndojnë asnjëherë. Në “Vargjet e lira” përfshihen 44 poezi në 6 sytha: Kangët e ringjalljes, Kangët e mjerimit, Kangët e Përndimit, Kangët në vete, Kangët e rinisë dhe Kangët e fundit. Në prozë, po ashtu Migjeni ka lënë visare me “Novelat e qyetit të Veriut” me 29 skica e proza rrëqethëse deri në tronditje, si dhe 5 shkrimet e fundit. Në kaq pak faqe libri Mësuesi i popullit, Poeti i Shqipërisë Migjeni na la vepër të madhe, shumë të madhe dhe të fuqishme.

Vepra e tij e botuar nis me “Vargjet e lira”; Tiranë: Gotenberg, 1936 dhe ribot. “Ismail Mal’Osmani”, 1944; “Veprat”, mbledhur e përgatitur nga Skënder Luarasi, Tiranë, “Naim Frashëri, 1957; “Vepra1-4”, Prishtinë, Rilindja, bot. 2 , 1980 etj.

Tema kryesore e librit “Vargjet e lira”, si dhe e prozës së Migjenit, është mjerimi dhe vuajtjet. Ajo është poezia e një dëshpërimi dhe vetëdije sociale e mprehtë.

Dritëro Agolli

- Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme "Zëri i popullit" dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Dritëro Agolli hyri në letërsinë shqiptare në fillim të viteve 60’, duke u bërë shpejt një nga figurat më të rëndësishme të saj. Ai është autor i një krijimtarie të gjerë e të larmishme. Një poet me individualitet të rrallë, një lirik i madh, sa popullor në dukje, po aq edhe meditativ dhe filozofik. Ai me vargun e tij solli risi në poezinë shqipe, por duke e parë gjithmonë letërsinë popullore si një model. Poezia e tij karakterizohet nga spontaniteti, gjallëria dhe prania e ngjyrave.

- Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, atdhetaria dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë.

Vepra letrare e Dritëro Agollit:

1. “Në rrugë dola”: vjersha dhe poema, 1958

2. Poemë për babanë dhe veten,1962

3. Hapat e mija në asphalt: vjersha dhe poema, 1961

4. Zhurma e erërave të dikurshme: tregime, 1964

5. Shtigje malesh dhe trotuare: vjersha dhe poema, 1965

6. Mesditë: vjersha dhe poema, 1969

7. Komisari Memo: roman, 1969

8. Pleshti: poemë satirike, 1971

9. Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo: roman, 1973

10. Njeriu i mirë: tregime (Prishtinë), 1973

11. Nënë Shqipëri: poemë, 1974

12. Mosha e bardhë: dramë me tri akte (Prishtinë), 1975

13. Njeriu me top: roman, 1975

14. Devoll, Devoll. Bababallët: poema, 1976

15. Fjala gdhend gurin: vjersha dhe poema, 1977

16. Të pagjumët: poezi të zgjedhura (Prishtinë), 1980

17. Trëndafili në gotë: roman, 1980

18. Arti dhe koha: artikuj kritikë, 1980

19. Vepra letrare: 11 vëllime, 1980-1987

20. Dhjetë sy: vjersha dhe poema, 1984

21. Udhëtoj i menduar: poezi, 1985

17. Jeta në letërsi: artikuj e shënime, 1987

18. Dështaku: roman, 1991

19. Pelegrini i vonuar: poezi, 1993

20. Çudira dhe marrëzi: fabula, epigrame, 1995

21. Lypësi i kohës: poezi, 1995

22. Njerëz të krisur: novela, tregime, 1995

22. Kalorësi lakuriq: roman, 1996

23. Vjen njeriu i çuditshëm: poezi, 1996

24. Shpirti i gjyshërve: 101 këngë, 1996

25. Arka e djallit: roman, 1997

26. Baladë për tim atë dhe për vete, 1997

27. Teshtimat e lirisë: njeriu, politika dhe kultura, 1997

28. Kambana e largët: poezi, 1998

29. Fletorka e mesnatës: poezi, 1998

30. Këngët e buzëqeshjes: poezi, 1998

31. Shtigje dhe trotuare: poezi, 1998

32. Lutjet e këmbanës: poezi të zgjedhura, 1998

33. Gdhihet e ngryset: poezi, 2000

34. Në MackaShtet: fabula, 2001

35. Tre qeshin - një inatoset: letërkëmbim me Gaqo Veshin, 2001

36. Poezi të zgjedhura, 2001

37. Lirikat e vjeshtës: poezi (Prishtinë), 2002

38. Fytyra e dytë. Mosha e bardhë. Baladë për një grua: tri drama, 2016

39. Prit edhe pak: poezi, 2016

40. E bukura, lozonjarja, tokësorja grua: poezi, 2017

41. Dashuri në moshën e Krishtit: letërkëmbim 1964-1965 [me Sadijen, të shoqen], 2018

42. 10 vjet oratori dhe gazetari politike, 2021

etj., pa u shprehur për ribotimet, botimet e zgjedhura, botimet e plota, mbi përkthimet që ka bërë ai apo përkthimet e veprës së tij në gjuhë të huaj. Ai është poet i tokës, i cilësuar poet kombëtar, ndër më shquarit shkrimtarë shqiptarë dhe më i dashuri në popull, sidomos për poezinë e tij. “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është një vepër satirike shumë interesante, për të cilën kritikët kanë hequr paralele nga Daniel Defo dhe “Revizori” i Nikollai Gogolit deri tek Franc Kafka dhe “Zëri” i Milan Kunderës.

***

Kur shqyrtojmë letërsinë artistike, parë me lentet artistike të shekullit të ri, në qoftë se letërsinë shqiptare të shekullit XX e cilësojmë një rrokaqiell (ndërtesë shumëkatëshe) të qytetit të mrekullueshëm të letërsisë universale, Vlorës i takon nderi të ketë katër kate, si dhe shumë dhoma të tjera të bukura, me hapësirë, me dritë e me ajër. Katër janë shkrimtarët vlonjatë të nivelit kombëtar, pa të cilët letërsia shqipe do të ishte e paplotë, e cunguar, pa këtë formatim harmonik që njohim sot. Këta shkrimtarë sipërorë janë: Ali Asllani, Petro Marko e Shevqet Musaraj, që spikatën me brezin e artë të krijimit të viteve ’30-të, tok me Migjenin, Mjedën, Lasgushin, Kutelin, Konicën, Nolin, Fishtën, Koliqin etj.

I katërti është Fatos Arapi (19.07.1929-11 Tetor 2018), poeti i Zvërnecit, i Vlorës, i luftës, i lirisë, i detit, i dashurisë, që i përket letërsisë së pasluftës, modernatori i vërtetë i letërsisë shqipe, sidomos i poezisë, të cilin studiuesi i njohur gjeromano-kanadez Robert Elsie e ka cilësuar “më të mirënjohurin ndër poetët e sotëm shqiptarë”.

Sidomos me ju, fëmijë të dashur, që jeni pranvera e çdo stinshme e jetës sonë, me rastin e muajit të letërsisë, ne këtu në Vlorë, mund dhe duhet të njohim dhe të vlerësojmë shkrimtarët vlonjatë të letësisë për fëmijë.

Nga Vlora evidentohen dhe pesë shkrimtarë të shquar për fëmijë në rang kombëtar. Po i paraqes sipas rendit alfabetik:

Bardhosh Gaçe me magjinë e ëmbël të fjalës për vogëlushët, ndërkohë dhe studiues me vullnet balzakian për kulturën vlonjate e më gjerë;

Ferhat Çakërri, ose “xhaxhi Ferati”, siç i thërrisnin në Vlorë mikut të Dritëroit të madh e fëmijëve të vegjël;

Odhise Grillo - lëvrues i madh i letërsisë moderne shqipe për fëmijë, autor i mbi 120 librave dhe fitues i 30 çmimeve të para;

Tasim Gjokutaj, poet origjinal në humorin dhe satirën e tij;

Skënder Hasko që i ka sjellë frymëzime të thella botës letrare fëminore.

Është mirë që, edhe ju, fëmijë të dashur të njihni dhe të mbani mend autorët nga Vlora për ndihmesën e dukshme në letërsinë për fëmijë. Mund t’ju përmend edhe poetin e mirënjohur në letërsinë shqipe Hiqmet Meçaj, që ka shkruar dhe për fëmijë, shkrimtaren e mbi 50 librave Vilhelme Vranari Haxhiraj e “Amantit të Arbërisë” me kontribut të veçantë në edukimin artistik, didaktik dhe atdhetar të fëmijve, të talentuarin Aleksandër Babe, Aqif Malaj, Fadil Zeqiri, Kastriot Mahilaj, Andera Petromilo, e shumëkërkuara sot dr. Shpresa Fundo Gjergji me “Familjen e Rosmakëve”, fabulistët Luto Memokondi e Pëllumb Velo, Natasha Fejzaj Limaj, Zamira Hysenaj Agalliu etj. Edhe unë (Albert Habazaj) kam botuar 2 libra për fëmijë, por pasi u bëra gjysh, i pari titullohet “Perla dhe Princi i Gjyshit” (2021), i dyti “Princeshat dhe princi” (2023) .

Gonxhet e jetës në Eklipsin e Fjalës, QKF, Vlorë, 23.10.2025

Poetët Albert Habazaj, Idajet Jahaj, Myrteza Mara e Ruzhdi Begaj me fëmijët e QKF, Vlorë që recituan poezitë e tyre, 23.10.2025

Ja gonxhet e jetës në Eklipsin e Fjalës, QKF, Vlorë, 23.10.2025

Tetori i Letërsisë -Eklipsi i fjalës në QKF, Vlorë, (ftesa) 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx