E marte, 28.10.2025, 09:53 AM (GMT)

Kulturë

Sabri Hamiti: Fjala në ceremoninë e marrjes së titullit Doctor Honoris Causa në Universitetin e Tiranës

E hene, 27.10.2025, 05:57 PM


Sabri Hamiti:

Fjala në ceremoninë e marrjes së titullit Doctor Honoris Causa në Universitetin e Tiranës

Tiranë, 27 tetor 2025

I nderuar rektor i Universitetit të Tiranës, Prof. Artan Hoxha,

Të nderuar anëtarë të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës,

I nderuar dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Mark Marku,

Të nderuar profesorë dhe studentë të Universitetit të Tiranës,

Të nderuar të pranishëm në këtë ceremoni,

Jam i prekur thellë me nderimin që ma bën Universiteti i Tiranës (1957), si institucioni më i lartë i studimeve dhe kupola e studimeve albanologjike, institucion që trashëgon dijen akademike dhe enciklopedike të krijuesve shqiptarë në botën e jashtme dhe në botën shqiptare. Në këtë trashëgimi hyn edhe kultura akademike e Universitetit të Prishtinës (1970), pjesë e të cilit jam edhe vetë, si student dhe si profesor.

Çështja për mësimin dhe dijen akademike, edhe sot edhe këtu, është e lidhur me enciklopedistin e parë shqiptar, Sami Frashërin, veçanërisht me traktatin e tij nacional “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë” (1899). Samiu në këtë vepër e projekton edhe të ardhmen e Shqipërisë në fushën e studimit dhe të dijeve, duke paraparë një Universitet (Gjithëmësime) të vendosur në kryeqytetin e paraparë të Shqipërisë (Skenderbegas). Në anën tjetër, Samiu në enciklopedinë e vet në gjashtë vëllime e inauguron edhe historinë e gjeografinë e botës shqiptare në dijen e përgjithshme, duke krijuar një kornizë të Shqipërisë etnike. Sa u takon veprave të shkruara në shqip, për dy decenie (1879-1899), dijetari shqiptar mbetet referencë, duke u bërë edhe autoreferencial: Alfabeti, Abetarja, Gramatika, Fjalori, Traktati. Të gjitha këto themele të kulturës shqipe të shkruar. Sami Frashëri shkroi dhe letërsi me tematikë shqiptare, vepra më e shquar e tij është drama Besa, e shfaqur me sukses të madh në Teatrin e Stambollit, duke nënvizuar Benë dhe Besën si thelb të tragjedisë së kulturës të dyfishtë.

Mithat Frashëri, brezi tjetër i familjes Frashëri, në veprën e vet sublimon kulturën, krijimtarinë dhe ideologjinë e Naimit dhe të Samiut. Ai zhvendoset shkallë-shkallë nga qendra e Perandorisë për të jetuar aktualitetin në atdhe dhe në botën perëndimore. Botoi gazeta e revista në shqip: “Lirija” (1908), “Kalendari Kombiar” (1897-1928), “Diturija” (1916-1929), me të cilat strukturon ideologjinë kombëtare me përmasat diturore të Samiut. Me studimin “Naim Be Frashëri” (1901), me prozat “Hi dhe Shpuzë” (1915) dhe dramën “Foleja kombëtare” (dorëshkrim; botuar më 2004), krijon forma të transformuara me sensibilitetin e Naimit.  Si veprimtar kulturor, nacional e politik, shenjohet: kryetar i Kuvendit të Kongresit të Manastirit dhe komisionar i Alfabetit, firmëtar i pavarësisë së Shqipërisë (1912); themelues i Ballit Kombëtar, autor i Dekalogut të tij. Pra, një Shqipëri etnike frashëriote e ballafaquar me agresionin ideologjik komunist. Me një fjalë, Mithat Frashëri me studimet kulturo-historike për Shqipërinë është shkrimtar enciklopedik i ngjashëm me Sami Frashërin.

Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci janë binomi që prin hyrjen e albanologjisë dhe të letërsisë në modernitetin e shekullit XX. Çabej studion në Austri dhe diplomohet doktor në filozofi në Universitetin e Vjenës. Lasgushi studion në Bukuresht, vijon në Austri, dhe diplomohet doktor në letërsi. Çabej, me studime në gjuhësi, etnologji, etimologji e letërsi, është kurorëzuar albanologu më i madh shqiptar i kohës. Lasgush Poradeci, me studimet në letërsi dhe sidomos me poezinë, kurorëzohet poeti modern shqiptar, ashtu si Ernest Koliqi prozator modern shqiptar. Veprat e Çabejt përbëjnë bibliotekën fundamentale të Studimeve gjuhësore shqiptare: Gjuhët indoeuropiane dhe shqipja; Fjalori etimologjik shqiptar; Meshari i Gjon Buzukut; Për gjenezën e literaturës shqipe etj. “Argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar”; “studioi gjenezën dhe strukturën e letërsisë shqipe”. Lasgush Poradeci, trashëgues i sensibilitetit romantik naimian dhe trashëgues i simbolizmit europian, me librat e tij “Vallja e Yjeve” dhe “Ylli i Zemrës” është artikuluesi i parë i poezisë modern shqipe. Është pikërisht Eqrem Çabej që në vitin 1929 e emërton Lasgushin poet modern përballë Naimit poet romantik. Është Lasgush Poradeci që e trajton Çabejn gjuhëtarin modern shqiptar (edhe si nxënës i Norbert Joklit).

Mbas Luftës së Dytë Botërore kur edhe Prishtina po formohej si qendër kulturore dhe letrare shqipe, komunikimi kulturor dhe letrar me qendrën e Tiranës ka kaluar nëpër faza të “errësimit” dhe të “ndriçimit”. Në vitet ’50-të dhe ’60-të ky komunikim është i vogël, i largët dhe sporadik. Në vitet ’70-të zhvillohet një komunikim më i gjithanshëm. Është koha kur profesorë në zë të Tiranës ligjërojnë në Universitetin e Prishtinës. Eqrem Çabej mban kurse të rregullta me studentët postdiplomikë në Prishtinë. Kjo ka qenë ngjarje kulturore. Ne njohëm Profesorin e adhuruar paraprakisht, dhe në kontakt njeriun shembullor që komunikon me studentët njëzetvjeçarë si me kolegë, rrezaton afërsi njerëzore pa e bjerrë asnjëherë mendimin e vet të argumentuar. Bashkë me Rexhep Ismajlin kemi kaluar ditë të tëra bisedash mbasditeve në Prishtinë. Çabej na fliste për kohën e studimeve në Austri, raportin e tij vëllazëror me Lasgush Poradecin dhe adhurimin e dyanshëm që s’kishte pushuar me decenie. Atëherë patëm mësuar që Çabej student kishte shkruar poezi dhe kishte përkthyer poetët modernë austriakë. Janë vitet ’70-të kur veprat e plota të Çabejt botohen në gjashtë vëllime te “Rilindja” e Prishtinës (1976) dhe ribotohen të plotësuara në nëntë vëllime, një decenie më vonë te ky botues. Po në këto vite (1978) botohet vepra e plotë poetike e Lasgush Poradecit “Vdekja e nositit” te “Rilindja” e Prishtinës në koleksionin e famshëm “Rilindja”. Gjithashtu, botohen veprat e Naim Frashërit, veprat e Sami Frashërit, dhe veprat e Asdrenit.

Si redaktor i botimeve të “Rilindjes” dhe si sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i ftuar në Tiranë më 1979, më në fund u takova me Lasgush Poradecin, gjatë një dite të paharrueshme. Tashmë Poeti e kishte në dorë edhe botimin e shkëlqyeshëm të poezisë së tij në Prishtinë. Biseda me Poetin e ngazëllyer me botimin e veprës së vet kaloi tepër shpejt edhe në biseda për çështje letrare, filozofike, dhe për kulturën historike të popullit shqiptar. Lasgushi e priste si festë ardhjen në vizitë në Prishtinë në atë vit, vizitë të cilën nuk arriti ta bënte.

Pastaj në vitet ’80-të bëhet errësimi i dytë i komunikimit kulturor Tiranë – Prishtinë.

Pastaj në vitet ’90-të ngjet një rihapje e njëanshme, kaotike, por edhe me njohje të reja të habitshme dhe miqësi të reja. Me iniciativë të Kosovës u formua Komisioni Nacional për Programet Shkollore të Lëndëve Nacionale për shkollat e mesme dhe universitetet, që punoi intensivisht nga viti 1994 deri më 1997. Produkt i kësaj pune të shenjuar janë programet, librat doracakë, madje edhe monografi të shenjuara letrare.

Në këtë kohë, nëpërmjet Aurel Plasarit dhe Mark Markut, u njoha për herë të parë me Át Zef Pllumin. Bariu françeskan, i mbijetuar i burgimeve të gjata dhe i kampeve të punës, plot energji ringjallte Kishën e vet në Tiranë dhe riniste botimet françeskane të ndaluara për katër decenie. Me Pllumin u bëmë miq dhe bashkëpunëtorë. Rikthyem eshtrat e tepruar të Fishtës në Shkodër. Në bashkëpunim me Aurel Plasarin dhe Nazmi Rrahmanin përgatitëm botimin e veprave të plota të Fishtës në Prishtinë në katër vëllime në vitet 1996-1997 dhe promovimin e tyre. Át Zef Pllumi në moshë të madhe kishte fuqinë krijuese të një autori që vinte, si pjesëmarrës e si dëshmitar, të rrëfente ferrin e variantit shqiptar. Vepra e tij, fillimisht e menduar si dëshmi e ndodhive, arriti në formën e një kryevepre letrare në tri pjesë: “Rrno vetëm për me tregue”. Cilësohet kryevepra e prozës dokumentare shqipe. Ky libër mishëron filozofinë e krishterë të sprovuar në variantin shqiptar në ndeshje me totalitarizmin komunist të variantit shqiptar. Aty shfaqet autori me pikëpamjet e veta etike dhe politike, për më tepër edhe filozofike. Diskutohet Zef Pllumi si njëri ndër ideologët shqiptarë më me peshë të kapërcyellit të shekujve XX dhe XXI. Një filozofi politike e shoqërore, të cilën Pllumi vetë e shihte të mishëruar në filozofinë politike-nacionale të Ibrahim Rugovës. Ai e çmonte tej mase Rugovën. Ky vlerësim është shprehur me një konsideratë të jashtëzakonshme pas vdekjes së dijetarit, filozofit dhe prijësit nacional të Kosovës.

Át Zef Pllumi: Ibrahim Rugova

“Nji ndër burrat e rrallë të Kombit Shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës i pamëshirshem e shkatrrimtar.

Ai u perpoq me spjegue shkrimtarin e madh Kosovar Pjetër Bogdanin nderkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I perpoq mendimi i tyne i perbashktë: Liria e popullit Kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së Bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi Kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga Kosovarët e vet por ai kishte si drejtim vetëm Vizionin Europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve.

Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyren e Tij: atë të Nanë Terezes si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitilës Papë. Mbas të gjithave kritikave ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Tereze shqiptarja qi mori çmimin Nobel për paqen e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet.

Mjerisht Ibrahim Rugova nuk arriti me i pa të realizueme idealet e veta për Kosovën.

Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë qi n’at kohë qi ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik por edhe shpirtnor tue drejtue me shemullin e vet personal.

Kujtimi i tij kjoftë i përhershem.”

Át Zef Pllumi si lexues dhe njohës i letërsisë shqipe ka vlerësuar jo vetëm një herë: “Lahutën e Malcís” dhe Gjergj Fishtën klasikë letrare; poezinë e Lasgush Poradecit, prozën e Mitrush Kutelit, prozën letrare gegnishte, romanet e Ismail Kadaresë, “Kronikë në gur” dhe “Çështje të marrëzisë”, veprën disidente të Kasëm Trebeshinës “Rruga e Golgotës”, studimin e Ibrahim Rugovës për Bogdanin.

Në dorëshkrimin e tij të fundit, Át Zef Pllumi përsërit tri herë: shkolla, shkolla, shkolla! Duke e zhvilluar tezën e vet se problemi më i madh i shqiptarëve është “ignoranca” (mosdija), atëherë dalja është nëpërmes dijes, ndërsa dija merret me shkollë.

Si Profesor i Universitetit të Prishtinës për rreth tri decenie kam pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me Universitetin e Tiranës edhe në punë të hulumtimeve shkencore edhe në punë të mësimeve universitare, si Profesor i ftuar. Kjo punë ka krijuar mundësinë për kontakt të drejtpërdrejtë me studentët dhe për studime të përbashkëta me profesorë. Sidomos në dy deceniet e fundit është krijuar një brez i ri i studiuesve dhe profesorëve të Tiranës me studime në dy edicione. Mbas studimeve në Tiranë kanë bërë studime të dyta në universitete prestigjioze europiane: në Itali, në Francë, në Gjermani dhe në SHBA. Pjesëtarët e këtij brezi, që tashmë janë në moshën e pjekur të punës, kanë rezultate të kërkimeve moderne që kapërcejnë kohët e përparme. Rezultatet janë të botuara edhe në gjuhë të tjera, po ashtu në revista të specializuara në gjuhën shqipe.

Është mirë dhe e dëftueshme që posa hyhet në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në shkallët e para ngjitëse, rrijnë portretet e Aleks Budës dhe të Eqrem Çabejt, të cilët kërkuesve të rinj dhe studentëve u sjellin ndërmend Aleks Budën, përmes tij Marin Barletin dhe Skënderbeun, dhe Eqrem Çabejn, e përmes tij “Mesharin” e Gjon Buzukut; të dytë, Buda e Çabej, bashkëthemeluesit dhe drejtuesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Të dashur kolegë,

Rasti që të flas në këtë ceremoni para jush, ligjërimi im vetvetiu po e merr trajtën e një vetërrëfimi, porse ky rrëfim është i thënë me mendje të hapur e me zemër të hapur për nderimin e madh që më bëni dhe gëzimin që e prekë kufirin e lumturisë. Një shkrim i dorës në letrën e bardhë, me dorën e djathtë.

Ju falemnderit!

https://www.facebook.com/sabrihamitiwriter



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx