Kulturë
Ndue Dedaj: Drejtori
E merkure, 29.10.2025, 06:52 PM
D
R E J T O R I
(Skicë
letrare)
NGA
NDUE DEDAJ
Kishte
qenë drejtor shkolle. Detyra ia donte të shihte mbarëvajtjen e mësimit, në
rregulloren e të cilës nuk thuhej askund se ai duhej të mbante qendrim publik,
paçka se kishte kritere për diferencimin klasor, nga i cili nuk shpëtonte as
foshnja në djep. Por drejtori donte të ishte dhe një lloji komisari politik,
binte në sy zelli i tij për t’iu treguar vendin armiqve të vegjël të klasës. E
thirri njëherë mësuesin “borgjez” të para Luftës, që ishte në pension dhe i tha
se djali i tij mësonte shumë, i kishte të gjitha notat dhjeta, por në lëndën e
historisë së Partisë ai nuk mund të vlerësohej me notën maksimale, por vetëm me
nëntë, pasi ai e kishte mësuar lëndën shkëlqyeshëm, por nuk e donte partinë me
zemër!...
Babai
i “armikut” të vogël, që e donte partinë një notë më pak se të tjerët, u zu
ngushtë, nuk diti se ç’t’i thoshte drejtorit shtatbëshëm, që kishte mbaruar
studimet e larta për filozofi në Bashkimin Sovjetik, ai ishte i brumosur dhe e
dinte mirë melodinë që duhej të luante. Si mund të bëheshin lëshime? Partia
kishte kaluar nëpër filtër vetë Naim Frashërin, që kishte bërë gabime ideore,
gjysmë shekulli para se të krijohej Partia, kishte shkruar “Bagëti e Bujqësi”
si askush, poemën për Heroin Kombëtar, por nuk kishte pasë parashikuar se do të
vinte një kohë e ardhshme, që ai do të jepte “llogari” për gabimet e tij
ideologjike (!)
Drejtori
që vinte nga një aparat qendror nuk të falte për këto...
Ishte
tepër vigjilent dhe nuk bënte dallim kur ishte puna as për “armikun në gjirin
tonë”. Një nxënësi nga "familje e mirë", që ishte përjashtuar një vit
nga shkolla, se kishte manifestuar shfaqje të huaja, kishte veshur pantallona
kauboj, kur u kthye të jepte provim marksizmin, ky drejtori, i tha para
komisionit shtetëror, ku ishte dhe i deleguari i Ministrisë:
“Ti
djalë do të vlerësohesh me notën tetë, edhe pse iu përgjigje të gjitha
pyetjeve, pasi ti e kupton, nuk je si gjithë të tjerët, plaga jote ende nuk
është shëruar, të duhet kohë!...”
“Drejtor,
po nota nuk ndryshon, kur unë të bëhem i mirë, mbetet ashtu gjithë jetën!”
Po
ku donte t’ia dinte drejtori, ai ishte mësuar t’i shihte të gjithë njerëzit me
njolla. Për të vetëm Dielli ishte i panjollë...
Eh,
ai, drejtori ishte në krye të polifotos së nxënësve të shkollës, si një njollë,
që, për çudi, nuk do ta shlyenin as kohët që erdhën.









